Erion Mollaymeri
Për të folur për politikën, të transmetuar mediatikisht, janë në gjendje të flasin të gjithë, të diskutojnë e të bien dakord në të njëjtin përfundim, që klasa politike në 32 vite ka qenë shkaktar i ngërçit të zhvillimit. Ky ngërç ka lënë shoqërinë në pikën fillestare që pas daljes nga depresioni i diktaturës. Dhe ai depresion i pa mjekuar, ka transhenduar nëpër brezat në vijim deri ditën e sotme. Në këtë shkrim dua të jap një tjetër perspektivë per fajin e mosdaljes nga ky ngërç, duke ia atribuar pikërisht shoqërisë që edhe pse është e vetëdijshme për dëmin që ka shkaktuar klasa jonë politike, ka qenë mjaftueshëm tolerante, duke qenë që këtë klasë vetë e ka patur në dorë. Kjo tolerancë, është kthyer tashmë në kulturë politike dhe ka krijuar rrezikun e alergjisë ndaj njerëzve që me të vërtetë mund ta bëjnë siç duhet punën e politikanit një ditë. Të gjithë, klasën politike, e mbajnë si bakter në trup duke ndjerë pasojat dhe mjaftohen duke e sharë nga jashtë. Por a e di populli shqiptar që e ka aftësinë ta ketë në dorë këtë klasë politike? A është e ndërgjegjshme për fuqitë që ka?
Përpara 32 vitesh, kur njerëzit dolën nga diktatura plotësisht, mësuan se ishin të lirë të shkatërronin çdo element që karakterizonte diktatura, dhe kjo u specifikua se ishte demokracia. Por, sa u informuan shqiptarët e territorit të Republikës së Shqipërisë për specifikat e tjera të konceptit të demokracisë? Duke qenë se ishte një nocion ende abstrakt, i papërtypshëm, ia bashkangjitën rrënjës së termit që përmbante partia demokratike. Pra ia atribuan kësaj partie prurjen e demokracisë, ndërkohë ekzistenca e asaj partie afirmonte një nga parimet bazë të demokracisë, pluralizmin. Dhe duke mos qenë të mësuar ende me pafundësinë e pluralizmit, e konsideruan thjesht si antagoniste të partisë popullore që operonte si e vetme deri në atë çast. Pra hapi i parë, ishte arritur, nga një parti e madhe, u bënë dy të mëdha dhe meqë njëra në kontekstin ideologjik ishte e majtë, partia e re u konsiderua automatikisht e djathtë. Ndërkohë, në gjenezë, partia demokratike rrjedh nga e majta, duke qenë se fjalë për fjalë nga greqishtja e lashtë do të thotë pushtet i popullit. Në çdo vend të emancipuar demokratik në botë, kjo parti, që është jetike në pluralizëm, pozicionohet pranë qendrës por e anuar majtas, duke qenë se prioritet për të është punëtori dhe shtresa e mesme.
Kjo mund të jetë një zgjedhje e brendshme strategjike e aktorëve politikë në atë strukturë, por gjithsesi në kaq vite, njerëzit duhet të kishin marrë disa informacione bazë mbi politikën, duke qenë se janë aktorët kryesorë të nevojës së saj dhe nëse një ditë të bukur politika u krijua dhe u kategorizua si shkencë, ndodhi pikërisht nga ezigjencat e qytetarëve.
Ndër vite, dy partitë kryesore, u siguruan me çdo mjet të mundshëm, të konsideroheshin parti të mëdha dhe cdo parti tjetër u quajt e vogël dhe u harrua që partia lindi si përfaqësi grupimesh shoqërore. U ndanë ngjyrat, u ndanë territoret dhe në mënyre alogjike u ndanë edhe njerëzit. Sikur, nga një diktaturë, të kishim nevojë për dy diktatura dhe të zotëronim thjesht lirinë për të shkuar tek njëra apo tek tjetra. Të kënaqurit nga komunizmi votuan në nuancat e së kuqes, ndërsa të përndjekurit e asaj kohe u ngulën tek bluja. Po brezat pasardhës a panë më tej ngjyrave? Si mund ta bënin kur informacioni rridhte nga kjo abetare politike e ndërtuar keq? Në këtë abetare mësuan që termi diktaturë është sinonimi për komunizmin dhe termi politikë sinonim për korrupsionin apo keqbërjen. Pra çdokush kur mendon politikën, mendon diçka problematike, me zarar, sepse i është veshur ky konotacion negativ. Por përse politika, elementi më i rëndësishëm, me funksion rregullator në shoqëri, ka marrë këtë konotacion? Natyrshëm kushdo mund të përgjigjet “sepse politikanët tanë ashtu kanë bërë e ashtu janë”. Atëherë me një deduksion të thjeshtë, konotacionin negativ e mbartin ata individë që kanë veshur gunën e politikanit, por jo politika në vetvete. Nuk ka politikë të keqe, por njerëz të tillë. Dhe nëse politika është e keqe atëherë e keqja buron nga ne.
Por njerëzit harrojnë, ose kanë harruar të informohen, që në politikë automatikisht marrin pjesë dhe ata. Madje, janë thelbësorët në politikbërje dhe ata individët që i quajnë politikanë, janë më tepër politikzbatues. Janë shërbyes dhe ndryshe nga babëzia që shfaqin për t’u bërë të tillë, duhet t’i druhen mirë kësaj pune me përgjegjësi ekzistenciale. A është kuptuar nocioni i gjallesës politike shkruar nga Aristoteli, apo kafshës politike siç interpretohet nga disa përkthyes? A është kuptuar, fillimisht, se përse kishte nevojë bota për një Aristotel apo një Platon? Më kot nuk studiohen ende pas mijëvjeçarësh nëpër auditore. Dhe pikërisht problemi qëndron këtu. A shpjegohen mirë mendimet e tyre apo thjesht citohen si disa yje hollywood-iane që kanë lënë shenjën e tyre në botë? Deri në diktaturë është e kuptueshme mosdija nga censura, por tani që çdokush e ka lirinë për t’u informuar?
Thuhet se injoranca është miku më i mirë i politikanëve, ashtu si qeni është miku më i mirë për njeriun, por kjo thënie qesharake duhet të vrasë krenarinë e kujtdo që e mendon veten njeri, qytetar apo fshatar. Sepse liria, nuk është thjesht e lidhur me aftësinë për të shkatërruar, por përkundrazi është thelb i ndërtimit. Jo i shkallëve të pallatave të panumërta, por i shkallëve te zhvillimit shoqëror. Demokracia nuk e perçan njeriun në anarki por e bën të rëndësishëm në grup duke kontribuar për të marrë individualisht benefitet në një çast që e mbjella do të korret. Jo më kot janë ngritur pikëpyetje të numërta në këtë shkrim, sepse përgjigjet janë të thjeshta dhe janë brenda nesh. Ashtu siç Skënderbeu me modesti, i tha shqiptarëve se liria erdhi sepse ju e keni dhe mjafton të ndizni dëshirën për ta patur, ashtu dhe demokracia ka qenë gjithnjë brenda nesh dhe mjafton pak dritë dijeje për ta vënë re. Dhe Shtetet e Bashkuara na e thanë përpara 32 vitesh, e vazhdojnë na e përsërisin ende sot me përfaqësuesen e tyre, por ne mundohemi akoma të gjejmë nënkuptime, sepse intriga na ka veshur sytë për të dalluar edhe gjërat më të thjeshta. Sepse merremi me përfitimet e tjetrit duke neglizhuar përfitimin tonë.
Mjafton të informohemi siç duhet dhe do të fitojmë sigurinë e vetëdijes se “pushtetin e kemi ne”. Informacioni bazik nuk është i dëmshëm për askënd dhe çdo vend i zhvilluar i ka marrë frytet nga informimi, nga dalja prej injorancës, gjë që shqiptarët e njëjtë si ne, në territorin e Kosovës, e kanë kuptuar. Sepse fundja është shumë e thjeshtë për ta kuptuar. E vetmja mënyrë është marrja seriozisht e mësimdhënies dhe një strategji e mirë komunikimi që nëpër nivelet e ulëta shkollore, për elementët qeverisës dhe te drejtat e detyrimet që ka çdo individ në kontekstin politik. Duhet shpjeguar që politika lind nga populli dhe formalizohet nga aktorët politikë, të cilët janë shumë thjesht të zëvendësueshëm, nëse largohen ekstremisht nga kërkesat e popullit. Kush i largon? Vota! E drejta, më elementare, e çdo gjallese politike në demokraci.
