Nga Erkjad Kajo
Një vend fiton dinjitet dhe begati duke ndërtuar industri, jo duke shitur natyrë
Eskavatorët janë larguar nga parku i Zvërnecit, ndërsa gardhi i shemtuar me tela me gjemba, që la një shije të keqe midis shqiptarëve, është hequr. Por tensioni për parkun që erdhën ta gllaberojnë ka çelur tashmë një pyetje shumë më të madhe se vetë Laguna e Nartës.
Kur Kryeministri firmosi për t’ia dhënë një copë toke të mbrojtur pranë bregdetit (tokë që ishim zotuar, me ligj dhe me ndërgjegje, ta ruanim të virgjër), një kompanie të lidhur me familjen e presidentit amerikan, ai nuk miratoi thjesht një leje ndërtimi, por hodhi të zezë mbi të bardhë vetë vizionin për ardhmerinë tonë kombëtare.
Dhe populli, duke u derdhur në rrugë në një numër që nuk e kemi parë që nga 2013-ta, ka nisur të hedhë votën e vet për një të ardhme ndryshe të Atdheut tonë.
Qeveria jonë ka vendosur përpara dy argumenteve, dhe për të qenë të drejtë është e nevojshme që t’i peshojmë të dyja përpara se të lëmë mënjanë njërën prej tyre. E para është një argument serioz, dhe dua t’i jap peshën e plotë: një resort modern mund ta ngrejë turizmin tonë, të tërheqë kapital të huaj në një ekonomi të lodhur si e jona dhe të krijojë vende pune në një krahinë që i ka parë të rinjtë e vet të ikin për mungesë të mundësive ekonomike.
Këto janë vërtet shumë pozitive, dhe kushdo që pretendon të kundërtën nuk është (minimumi) as i sinqertë as dashamirës. Pretendimi i dytë është më i erret; domethënë se protestuesit janë viktima të një lufte hibride, që dora që tund turmën i përket fqinjit tonë jugor më të begatë, Greqisë, një lider i padiskutueshem në sektorin turistik që kurrë nuk është ndier plotësisht e qetë me një Shqipëri që ngrihet sfiduese pranë saj.
Më lejoni të jem i çiltër në lidhje me këtë akuzë të dytë, sepse çiltërsia është e vetmja monedhë që ia vlen të shpenzohet në këtë punë. Unë nuk e di nëse Greqia ka dorë në protestat tona. Nuk mund ta provoj, dhe dyshoj se as njerëzit që e pohojnë një gjë të tillë nuk mund ta provojnë një gjë të tillë. Por nuk do të bëj sikur dyshimi u ngrit nga hici.
Unë jam historian nga profesioni, dhe historia mes nesh, thënë troç, nuk e nderon fqinjin tonë kur vjen puna për qëndrimet e veta karshi Shqipërisë.
Kujtojmë zgjerimin e planifikuar të portit të Vlorës, një projekt që mund ta kishte bërë Shqipërinë një qëndër për tregtinë rajonale, që u bllokua në heshtje në korridoret e Brukselit, ku Greqia mund të shfryshtëzonte pozitën e vet si vend anëtar i BE-së, ndërkohë që madhrat dhe e ardhmja rrëshqisnin drejt portit të saj në Igumenicë.
Kujtojmë Via Egnatia-n, rrugën legjendare që për shekuj përshkonte tokën tonë me pikënisje Durrësin dhe përfundonte në Konstantinopojë; kur u ringjall me ceremoni të madhe si një korridor tregtie, asnjë kilometër nuk kalonte nëpër Shqipërinë tonë.
Pra, jo, populli ynë nuk është paranojak kur pyet nëse një fqinj që na ka bllokuar portet dhe na ka anashkaluar rrugët strategjike mund të interesohet edhe për politikën tonë të brëndshme. Me pak fjalë, të kesh apo të shprehësh dyshime nuk është marrëzi.
E megjithatë, ka edhe një të vërtetë tjetër, dhe kjo është pjesa që udhëheqësit tanë do të donin që të mos ceknim, pasi në fakt çështja qëndron diku tjetër. Nëse Greqia pëshpërit apo jo në veshët e protestuesve, nuk ndryshon asgjë për thelbin e vetë marrëveshjes. Interesi vetjak i një qeverie të huaj, edhe kur është i vërtetë, nuk është argument për të betonuar tokën tonë që jemi zotuar për ta mbrojtur.
T’i përgjigjesh çdo kundërshtimi të brendshëm me togfjalën “ndërhyrje e huaj” do të thotë të qeverisësh duke u shmangur nga përgjegjësia dhe përbën mungesë respekti ndaj votuesve, pasi trajton bashkëqytetarët e tu si fëmijë të mashtruar dhe jo si zotërit e vendit që kanë dalë ta mbrojnë. Pra, pyetja se kush qëndron pas protestës përbën në thelb një justifikim për të mos iu përgjigjur pyetjes që protestuesit po bëjnë.
Pra më lejoni ta shtroj atë pyetje haptasi dhe me objektivitet. Si fillim, turizmi është një bekim, jo një mallkim, dhe duhet ta mirëpresim. Vizitorët sjellin shumë të mira që na ndihmojnë si shoqëri, (nga thyerja e barrierave kulturore deri te mirëmbajtja e traditave tona,) po edhe nga ana materiale pasi sjellin edhe para; vetëm një i marrë do të kërkonte t’i ndalonte.
Pra, debati nuk është kundër mysafirit. Ai në fakt është: a duam që Shqipëria të bëhet një vend që pret botën apo një vend i organizuar rreth të berit qejfin e botës. Unë personalisht kam kaluar një pjesë të mirë të jetës sime në Greqi, vend i cili përbën pikërisht modelin që, me sa duket, Kryeministri ynë admiron më shumë, dhe atë që vijon e them jo me përçmim, por me diçka më afër një paralajmërimi dashamires për vendin tim të lindjes.
Unë kam parë, nga brënda, se çfarë do të thotë në praktike një komb të transformoje veten në një “park lojrash” turistik. Kam parë bregdete që dikur i përkisnin publikut të bëhen kantiere private ndërtimi. Kam parë të reja e të rinj shumë të zgjuar dhe të aftë (vajza e djem prej atij brumi që në një vend dhe në rrethana tjetër mund të ngrinin firma të sukseshme apo të projektonin makineri komplekse) të mësojnë, në vend të saj, të palosin peceta e çarçafë dhe të buzëqeshin në një gjuhë të huaj me shprese të marrin ndonjë bakshish.
Kam parë qytete të zbrazëta përgjatë dimrit dhe të fryhen me të huaj në verë, me qira dhe çmime që korrespondojnë jo me pagat vendase, por me portofolin e vizitorëve të huaj. Asnjë nga këto nuk shterron të gjithë historinë e Greqisë, e cila gjithashtu është bërë padyshim më e pasur nga turizmi; nuk dua ta bëj karikaturë një vend që ka qenë i mirë me mua dhe që e kam shumë për zemër.
Por një ekonomi turizmi, kur lihet të mbizotërojë, është bujare me ata që mbërrijnë si vizitorë, por në heshtje e ashpër me vendasit.
A është ky përmirësim që po na shitet: një e ardhme ku Shqipëria bëhet një vend i këndshëm ku të pasurit e botës vijnë të kalojnë mirë apo edhe të pleqerojnë, ndërsa bijtë dhe bijat tona nxjerrin bukën e gojës si shërbëtorë të tyre? Unë nuk dua që ambicia e kombit tim të mbarojë tek të qenit një popull shërbëtorësh për vizitorët e huaj. Ne nuk jemi as azil pleqësh dhe as një spa me flamur, por një komb me mijëra vjet histori pas shpine.
Shqiptarët duhet të dinë se ka një rrugë tjetër, dhe ajo është më e vështirë, dhe pikërisht për këtë ia vlen të ecet. Një vend e siguron dinjitetin e vet jo duke shitur bukurinë dhe natyrën e vet, por duke ndërtuar: duke e diversifikuar ekonominë, duke ngritur industrinë, duke e bërë ekonominë e vet diçka më shumë se një rezort.
Të arsimojmë inxhinierë me të njëjtën etje me të cilën përgatisim kamarierë. T’i shtojmë vlerë asaj që mbjellim dhe asaj që korrim, në vend që ta eksportojmë të papërpunuar dhe ta blejmë përsëri të importuar si produkt të përpunuar me çmim më të lartë.
Të investojmë në porte, rrugë e hekurudhë që vërtet kalojnë përmes atdheut tone, kështuqë herën tjetër kur vendoset për një port apo një Via Egnatia, Shqipëria të ulet në tryezën ku merren vendimet dhe jo nën të. Një ekonomi me shumë këmbë mund t’e mbijetojë edhe nese e humb njërën prej tyre.
Një ekonomi që qëndron vetëm mbi turizmin bie në çastin që turistët zgjedhin diku tjetër, dhe, me kalimin e kohës, ata gjithmonë zgjedhin diku tjetër, historia është plot me shembuj.
Asnjë nga këto nuk do të thotë se duhet të kundështojmë çdo resort që do të ndërtohet në Shqipëri, ose largqoftë çdo investitor i huaj të shpallet armik. Do të thotë se rrethanat kanë rëndësi parësore. Një marrëveshje e bërë mbi tokë të mbrojtur, me dyer të mbyllura, me proces ligjor të diskutueshem dhe me kundërshtimet e qytetarëve të hedhura poshtë me arrogance si komploti i dikujt tjetër, nuk mund të quhet kurrfarë zhvillim.
Zhvillimi i vërtetë kërkon më shumë nga ne (durim, shqyrtim publik, guximin për të refuzuar një pagesë të lehtë), por që lë pas një vend që mbesa dhe nipërit tanë mund ta trashëgojnë me nder dhe krenari e jo thjesht ta vizitojnë.
Dhe kështu unë shoh në këto protesta qytetare një dhuratë të papritur. Nuk ndodh çdo ditë që një popull kujton se ka një zë, dhe edhe më rrallë që e ngre atë për diçka më të madhe se vetvetja. Njerëzit në rrugë nuk janë armiku i së ardhmes së Shqipërisë, por mund të bëhen bashkëautorët e ardhmerisë se saj.
Rreziku i vërtetë tani është që klasa politike shikon vetëm një kërcënim që duhet menaxhuar, ndërsa qytetarët shikojnë vetëm një elitë e cila duhet përmbysur, dhe rasti shpërdorohet me përçmim të ndërsjelltë.
Prandaj, le të mos shkojë dëm ky shans historik. Ky është një moment i rrallë në historinë e një populli: një shoqëri e zgjuar dhe një udhëheqje e urtësuar, të lidhura nga dashuria për të njëjtën tokë, ulen së bashku të dëgjojnë e të bashkëbisedojnë në mënyrë të qytetëruar.
Me pak fjalë, lë të tërhiqen udhëheqësit nga mbrojtja e një projekti që shkon ndesh me interesin kombëtar, dhe njerëzit të tejkalojnë vetëm kërkesën për Zvërnecin, dhe le të pyesim së bashku pyetjen e vetme që në fund të fundit ka rëndësi: jo kush është fajtor për parkun, por çfarë dëshirojmë të ndërtojmë në këtë vend dhe për kë. Për Greqinë mund të debatojmë një ditë tjetër.
Shqipëria është e jona, dhe nëse kemi guximin, lë ta bëjmë të denjë për emrin e vet duke i dhënë substancë vargjeve të poetit tonë kombëtar “Ti Shqipëri, më jep nder, më jep emrin Shqiptar.”
—-
Universiteti Aix-Marseille, Francë
