Nga Ahmet Çollaku
Filadelfia, SHBA
Në bibliotekën Richmond këtu në Filadelfia, nuk ka lexues, ka vetëm pesë punonjës brenda. Pranë hyrjes, në të djathtë është roja i sigurimit, një djalosh topolak i veshur me të njëjtat rroba përditë. Më duket sikur e ushqej, se ai rri gjithë ditën e Perëndisë pa u munduar të hapë një libër.
Tani janë pak njerëz që lexojnë, ky është Covid i mosleximit.
Këtu në të djathtën time, në fund të këtij universi, është ulur një vajzë kineze. Ajo ka hapur kompjuterin dhe lëviz gishtat me magji. E krahasoj me një fluturë. E shikoj dhe them qetësisht, kjo është bota e saj, të hapë kompjuterin dhe të hajë oriz me… kokrra. Do të doja shumë që ajo të më shikonte dhe ta përshëndesja me dy duar pak të mbledhura, siç më këshillon filozofi i tyre, Konfuci.
Nuk e fsheh dot, kinezet jane shumë elegante, sa me to luan era, se ato i numerojne kokrrat e orizit i marrin me shkop ndersa unë perdor një garuzhde.
Pra, jam ulur diku në fund të sallës dhe për herë të parë zbuloj se kjo ndërtesë duhet të ketë qenë dikur kishë, se ka një gjeometri të tillë si brenda ashtu edhe jashtë. Tani jam aty ku prifti do të bëhej gati për meshë…
Papritur, një djalë i vogël, rreth pesë-gjashtë vjeç, tërbohet me sallën bosh, vjen me vrap këtej nga kondicioneri ku jam unë. Për një moment, ai më bën të harroj kinezin dhe priftin, më magjeps me atë kërcim si qengj. Unë e ndjek djalin e vogël derisa ai lodhet dhe kthehet përsëri atje ku e kishte nisur garën.
Hap kompjuterin dhe futem në internet. Gazetat shqiptare më çmendin, por jam unë më i çmendur që nuk u ndahem. Hap Temën e Mero Bazes, që më mban mëri dhjetë vjet më parë, kur i thashë që bën biznes, merret me kurva, jo me naftëtarë dhe ma mbylli telefonin… Dhe Ditën e Adrian Thanos, të cilin jam munduar ta bëj mik që te gazeta Shekulli, por edhe ai u ftoh kur i thashë të mos merrej shumë me lexuesit shqiptarë, sepse nuk do të ketë kohë as të shkoj në banjë
Ai më publikon disa shkrime për naftën, por nuk e harron atë vërejtjen miqësore…
Vazhdoj me shtypin, me tmerrin e shqiptarëve, me mediat që mbrojnë qeveritë shqiptare, ku çdo ditë lakohen, Berisha, Rama, Iliri, Monika…
Dale jashtë, është koha e drekës, era e trashë viskoze lëviz si lavë transparente që vjen nga një vullkan. Në rrugën Thompson nuk lëviz asnjë makinë e vetme. Pemët po thahen nga vapa.
Përtej është këndi i lojërave, i cili nuk mirëmbahet si më parë, sepse punëtori i parë u pushua nga puna. Kur e pyeta sa fëmijë kishte ai më shikoi me inat dhe më tha, kam tre, por më mirë të mos i kisha, më mirë të kesh tre qenë… Tre qenë!?
Ai u pushua nga puna prej krizës së Covid-19. Këto ditë janë hapur disa saraçina, uji me presion ngrihet lart dhe pasi arrin kulmin, bën hark dhe kthehet në shesh, bie me pak zhurmë dhe shkrihet në çimento.
Atje në lindje, pranë rrugës Indiana, është një dyqan ushqimor që shet qumësht. Në banak është një vajzë e vogël, e cila më përshëndet me fjalën “ola”. E kam pare duke luajtur në celular, por nuk e kam parë kurrë të lexojë një libër. Është nga Republika Domenikane.
Rruga Indiania kryqëzohet me rrugën Edgmond. Në rrugën Edgmond jeton një çift shqiptarësh që rrallë dalin nga shtëpia. Pleqëri. Edgmond të nxjerrë në Allegheny, ku shkon autobusi 60, ku ka shumë dyqane, ku në cep në kryqëzimin me rrugën Richmond është një lokal me një vizatim nudo në mur.
Në Allegheny është kisha polake, irlandeze pothuajse përballë gjermanes, kurse kisha italiane është këtej nga Cambria.
Parajsa e Richmondit është parku që kufizohet midis rrugëve Beograd dhe Almond. Është një park i vogël me disa pemë dhe bar ku njezit dhe qentë luajnë dhe argëtohen. Ka edhe disa stola të dalë boje, ku ulen e kalojnë natën endacakët, ndërsa pasdite vijnë rregullisht, si për rite fetare, disa femra shqiptare.
Pra, në këto stola zënë vend edhe këto shqiptaret, të cilat ecin nëpër këto rrugë të lakuara, kryelartë sikur të kenë krijuar Amerikën.
-Pa shiko, – nis e para, – ai lypsari nuk ka levizur nga stoli…
– Mos kalo andej, se vjen era drogë,- sugjeron e dyta.
Nuk vonon as e treta:
-Ua, paskam harruar celularin…
Kështu hyjnë ato çdo ditë në këtë park, me këtë mendjemadhësi të shtirur, parakalojnë si në shesh mode. Por parku i pranon dhe i freskon të gjitha qeniet e kësaj bote!
Këtu do të gjeni një copë Shqipëri!
I madh je në çiltërsinë e talentit e të shpirtit pa të dytë, Ahmet!