Nga Pëllumb Gorica
Të udhëtosh në Sarandë, përshtypjet janë më shumë se një motiv. Sepse, ajo është si një vashëz magjiplotë, apo sirenë e mitologjisë, së cilës nuk i reziston askush, me qiejtë e bukurisë; të buzëqeshjes së diellit dhe kaltërsisë së Jonit, një bekim i Zotit, që frymon e përtërihet nga artefaktet antike, legjendat dhe mitet.
Magji e qëndisur nga dora e Zotit!
Kur zbret Qafën e Muzinës, me ankthin e kthesave që t’i sjellin zorrët e barkut në grykë, nuk mund të rrish pa shijuar pamjet e përrallta, atë përzjerje mahnitëse të bimësisë së harlisur, që rrallë i gjen vend tjetër me ngjyra, fllad, aroma e tinguj. Në të djathtë shtrihet një nga vendet më mistike: Syri i Kaltër, ky burim me ujë të kulluar, që shpërthen nga zgafellat e tokës, harbueshëm, mes një dalldisjeje gurgulluese, si një sy i bukur njerëzor.
Emrin “Syri i Kaltër” e ka marrë në kohën kur ndërtohej hidrocentrali i Bistricës. Njërit prej inxhinerëve ky burim i ngjante me sytë e së dashurës (fejuarës) së vet dhe s’dihet pse, prej poetëve të realizmit socialist mori emrin që mban edhe sot.
Dhjetra legjenda dhe mite janë shkruar për këto vende, për jetën e Perëndive, heronjëve hyjnorë dhe krijimin e burimeve, që të shuanin etjen e Tyre.
Perandorë romakë e bizantinë merrnin ujë aty për shërbesat që kryenin në Krongj ku legjenda thotë se ishte froni i Kronosit.
“Syri i Kaltër” ka tregimin e lashtë të një gjarpri përbindësh që gllabëronte çdo gjë, kafshë, shpendë, njerëz (për çdo ditë një vajzë e një djalë) dhe nëse nuk ia sillnin, i kanoste banorët, se do t’i shuante të gjithë. Banorët u munduan me disa mënyra t’a vrisnin, por nuk ia arritën. Një plak, të cilit gjarpëri i kish rrufitur djalin e vetëm, ngarkoi një gomar me eshkë. I vuri zjarrin dhe u nis në drejtim të saj. Gjarpëri i stërmadh me shumë këmbë, sa e pa, u sul me tërbim dhe e kollofiti gomarin me gjithë eshkë, e cila u ndez mirë. Ulërinte, godiste gjithçka, sa dridhej vendi. I foli detit:
-Det o det, nisu drejt malit të më shuash barkun, plasa, po digjem!
Deti u nis nëpërmjet kanalit të Butrintit, përmbyti fushën e Vrinës, atë të Vurgut, të Mesopotamit, por më lart nuk mundi të ngjitej. I bërtiti gjarpëri edhe malit:
-Mal o mal, çahu më dysh dhe nxirr ujë, të shuaj zjarrin e barkut!
U dogj gjarpri, por shpërtheu burimi i kaltër e i pastër në drejtim të detit si lum.
Syri i Kaltër gjendet në hyrje të lumit Bistrica (për latinët Stix, për helenët e lashtë Akeron). Aty pret xha Karonti me varkë, gati për të çuar në Ferr. Dallga e hodhi Odiseun përballë ngushticës së Shillës, ku Sirenat tërhiqnin anijet dhe marinarët të zbrisnin në ujëdhesat e Jonit. Homeri i quante kori i të qarave. Odisea humbi në këto vorbulla dhjetra vite dhe i rezistoi tundimit të tyre, ndërsa u zuri veshët marinarëve me dyllë. Ishin Feakët që e pritën. Takoi Aornosin, i cili e ndihmoi për të pyetur Tiresianin e verbër, magjistarin e Hadit, për fatin e tij të ardhshëm; takoi edhe mbretin Alkinoun me të bijën e tij Nausikën, bukuroshen e Mesdheut, duke e përcjellë me dhurata dhe një anije për t’u kthyer në Itakë (të ndërgjegjshëm për dënimin që do të merrnin, nga mallkimi i Poseidonit), te Penelopa, gruaja e tij, që e priste prej njëzet vjetësh, duke endur e shthurur fijet e pëlhurës, me besnikërinë dhe dashurinë për ‘të.
Ujërat e Syrit të Kaltër bëhen energji në hidrocentrale. Pastaj përmes fushës së Vrinës rrjedhin si fjollë mahnitshme, ngjitur rrugës Gjirokastër-Sarandë, të takohen me Detin e paanë të Jonit, që me dashuri i pranon në universin plot kaltërsi e mistere.
Një copë qiell i kaltër nga Saranda
Në Qafë-Gjashtë ecim përgjatë një lakoreje drejt majës së Lëkursit, ku ndodhet kalaja. Ajo u ndërtua nga turqit në shekullin XVII për të kontrolluar rrugët që kryqëzoheshin në Sarandë. Me muret e larta, një kishë, një portë madhështore, kalldrëmet dhe banesa të traditës me modernen, ka ngacmuar shpirtin e artistëve për të vënë kurorë. Së bashku me hapësirën e gjerë për rreth saj, të kujtojnë ngjarje të dhimbshme të kujtesës historike. Më 1878 u sulmua nga grekët që hynë në Sarandë e kryen vrasje mbi popullsinë, të cilët nuk pranonin të greqizoheshin dhe gjatë ikjes e shkatërruan me themel atë dhe vendbanimin e Lëkurësit.
Kurrë bukurinë e qytetit, të mbështetur shpatmalit të Kulmes e mbi gjirin e detit, nuk mund ta vështroje si këtu. I kap e plotëpushton peizazhet e tij, ngjyrat dhe madhësinë e detit. Shikon ishullin e feakëve të lashtësisë (Korfuzin), që ngjan si një njollë e madhe e errët, sa mbështillesh nga vegime drite, sikur je në prehrin e ngrohtë të magjistricës Circe, që kur të prekte me shkop shndërrohej në tjetër gjë. Ndoshta dëshira për të fluturuar drejt tij (Dedaliusi, Ikari) s’ka qënë gjë tjetër veçse një orvatje drejt asaj hapsire të pamasë që jepte ndjesinë e lirisë së plotë.
Saranda në lashtësi e ka pasur emrin Onhezmi, e mbushur me historitë e Kaonëve, të cilët kontribuan në formimin e shtetit të Epirit në shekullin V para Krishtit. Gjurmët e mureve shkojnë në thellësi të detit (një fragment muri ka mbetur). Aty nga vitet 1900, Saranda ishte një qytezë e vogël me disa baranga peshkatarësh e rrallë ndonjë ndërtesë guri. Emrin e sotëm e ka marrë nga manastiri i dyzet shenjtorëve. Qytetin e pati zili edhe Musolini, i cili i mahnitur nga bukuritë natyrore deshi t’i ndërronte edhe emrin, duke e quajtur Port Eda (emri i vajzës së tij).
Saranda e përkëdhelur nga natyra, e ngrohtë dhe me plot hijeshi, me bukurinë që i ka falur deti, klima, i përqaset fatit të keq, të njerëzve që ishin në anën e duhur për ta bërë shpejt Evropë. Por, sot në relievin e pjerrët, me detin te këmbët, që lipsej të ndiqte parimin shkallë-shkallë, me zgjidhjet e reja urbane, paraqet një realitet tjetër. Pas vitit 1990, si kudo në Shqipëri dolën nga humnerat e lakmisë, nga jargët e kastës së korruptuar dhe zgafellet e krimit ekonomik ca mendje të gjymta pushtetarësh, që shkatërruan qytetin, duke i vrarë poezinë me kafshime çimento, beton, hekur, xham, alumin plastikë, ku as armiqtë në shekuj nuk ja bënë dot.
Marrim rrugën drejt qytetit që gumëzhinte nga pushues si zukatjet e bletëve. Saranda ka një magji, si Zoti-Dashuri i Ainshtajnit. Ecën ngjeshur, sa përplasesh nga hapahedhësit, teksa shijojnë poezinë e detit, në shëtitoren, shkallarët, baret, hotelet, restorantet dhe dyqanet. Anijet dhe barkat rrethrrotullohen gjirit. Erosi është aty në puthje, të rinj e të moshës së mesme, shpesh edhe pleq, të shijojnë një mbrëmje si të zbritur nga Mistika, ku ajri i ngarkuar me jod llokoçit detin dhe bëjnë një Semiramidë, sigurisht pa kopshtiet e saj, por të mbytur në vezullime drite.
Në parkun “Miqësia’’ vështron lulen bukenvile dhe drurin e piperit, të mbjellë për herë të parë, nga poeti ynë kombëtar, Naim Frashëri, rreth viteve 1875-1876, kur punonte në doganën e Sarandës. I përhumbur në soditjen nuk shqetësohesh as nga pengesat që krijojnë shitësit ambulantë e thirrjet e tyre për të blerë mallra gjithfarllojesh, si të dala nga muzetë otomane apo të ngjashme me ‘to, as lypsat e shumtë, që të ligështojnë shpirtin me lutjet e tyre për lëmoshë.
Këmbët ndaluan te Limani. Varkat vozisin gjirit. Një anije si e kohës së ilirëve, të shfaq trupin e bukur dhe sikur të thotë: “Ejani, hipni në anijen time t’ju bëj një xhiro”. Pulëbardhat me klithma ngazëllyese prisnin peshkatarët, të kthehen me rrjetat plot peshk.
Aty-këtu bustet e personaliteteve historikë të kohës, që kanë zenë vend buzë shëtitores: të Nicolae Jorga, të politikanes amerikane Hillari Klinton, te obelisku, njëherësh dhe varri i poetit të famshëm Bilal Xhaferi, vepër e skulptorit të talentuar, Idriz Balani dhe rektorit të universitetit të Stambollit, Hasan Tahsini.
Ksamili si Poseidoni, që zotëron mbi ujëra
Ksamili, me gjiret dhe ishujt e tij, që shfaqen si nëpër kartolina, është “Karaibe e Ballkanit”, një nga margaritarët e gjerdanit të Jugut. Ksamili ishte qëndër aksioni, në fillim të viteve ’70 të shekullit të kaluar, me të rinj nga zona të ndryshme të Shqipërisë, të cilët sheshuan gurët, prenë shkurret e ferrat. E kthyen në brezare agrumesh e ullinjsh dhe krijuan qytezën e bukur, që të ofronte natyrë të bukur, e kënduar nga poetët dhe në kuadratet e piktorëve.
U emocionova dhe kujtova udhëtimin e parë këtu (16-vjeçar me shoqërinë e shkollës së mesme), si të dehur rendëm, në atë shkrirje të ngjyrave, të detit dhe plantacioneve me portokalle, limona e ullinj.
Sot i zhgënjyer nga masakra e ndërtimeve pa kritere urbanistike (hotele, resorte, kafene e restorante), duke thithur çdo verë, mijëra vizitorë mes kënaqësisë argëtuese të tyre; të përjetojnë magjinë që dhurojnë ujërat e kaltra, çadrat, shezllongët, varkat si gjerdan në dekoltenë e detit.
Këmbët të çojnë pranë ishujve të tij, si Posedoni mbi të përjetëshmin det. Duke pushuar para kolonës së dallgëve, të duket se shkëmbinjtë në një marrëveshje hyjnore shkumëzohen në mijëra rruza të kristalta e kthehen në theqafje.
E vetmja gjë që të tërheq vëmëndjen, ishte numri i njerëzve në Ksamil, i cili sa vinte e rritej. Ata nga Kosova janë modeli i turistit patriot, duke ndjerë veten si në shtëpinë e tyre, të përjetojnë magjinë e tij.
-Sa shumë -thotë Fazliu nga Vushtria-, dashuruam kaltërsinë e Ksamilit dhe ishujt e tij. Tani e shijojmë këtë parajsë, që sikur shkrihet me qiellin dhe jep ngopje e kënaqësi me familjen, me shoqërinë e miqësinë.
Hedh sytë për të parë Korfuzin. Konturet e tij bëheshin të qarta, nga shtëpitë e bukura dhe Pantokratori, maja më e lartë. Ja dhe ishulli i Pëllumbit. Këtu grekët kanë ndërtuar një far, me pretendimin si tokë e tyre. Hodha shikimin tej në det. Tragete pasagjerësh, peshkarexhe dhe varka me vela lundrojnë, si dashnore lozonjare.
Në qytetin Magjik: Butrinti i Kaonisë
Udhëtojmë atje ku shtrihet Butrinti i zanafillave të kombeve dhe shteteve (ndërtuar rreth shekullit VIII para Krishtit). Emri i tij duket se gjen një lidhje nga miti i buajve të egër të asaj kohe. Ikur nga shkatërrimi i Trojës, gjatë një udhëtimi me anije brigjeve të detit Jon, pasardhësit e Mbretërisë së Trojës (Dardanët), Enea mjekërbardhi, babai i tij Ankisi, bashkëshortja Kreusa dhe i biri Askan, Kestrini, i biri i Elenit të Priamit, me dëshirën se profecia e Perëndisë Afroditi do të plotësohej, të themelonin një Trojë të re, në vendin e Perëndisë Ita, ku e priste populli i tij (etruskët), me udhëzime për lundrim buzëdetit të Maleve të Vetëtimave, deshi të therë një buall (dem), të cilin e kishin në anije. Demi, pasi e godasin me thikë në mes të brirëve, ai kërcen nga anija i gjakosur dhe i tërbuar del në breg duke vrapuar nëpër lëndina. Atëherë Kestrini tha: Aty ku bualli i therur do të qëndrojë në tokë për të mos u ngritur më, aty do të ndërtojmë një qytet.
Por mundet të kuptohet njëkohësisht, që atje njerëzit butë rrinë, sepse është i vendosur në një zonë, ku mikroklima e tij është e butë. Gjatë shekujve pësoi ndryshime, nga qyteti i Bualltrojt, në Buthrotit deri tek emri i sotëm, Butrint.
Më 1928 Musolini dërgon arkeologun italian Ugolinin, për të zbuluar atë. (zbuloi edhe statujën e Deas) Ugolini u mundua ta trafikonte në Itali, po u ndalua nga xhandarmëria shqiptare e Zogut. Më pas ndodhi paradoksi: Vetë Zogu ia dhuroi Musolinit.
Prekim teatrin antik të shekullit IV para Krishtit, me shkallët e tij, që mbushej plot, duke ndjekur ‘‘gladiatorët’’, teksa dridhej nga zërat hyjnorë të tragjedive homerike, të Euripidit, Aristofanit, Sofokliut e Menandrit, të cilët fshikullonin veset e pushtetit dhe fisnikëronin shpirtin e shoqërisë. Të bëhet se dëgjon monologun e mbretit Kreont nga tragjedia “Antigona”, që i thurte lavde dashurisë dhe luftonte urrejtjen.
Ecim pranë traktit më të vjetër murar që daton në të katërtin shekull para Krishtit. Te pusi pamë shenjat e litarëve që tërhiqnin kovat me ujë. Sigurisht ka pirë ujë Enea, Andromaka gruaja e Hektorit, djali i Akilit. Porta e shndëruar me hyrje të vogël, me luanin që sulmon buallin, të kujton kaonët, që për të hyrë në qytet duhet të ulin kokën. Dikur Bekim Fehmiu, kur luante Odisenë, kishte bërë fotografi në vitin 1972. Sheh ilirët me veshjet karakteristike, në batezimoren me kolona dhe mozaikun e Baptisterit (të mbuluar me rërë për ta mbrojtur nga dielli, shiu, etj); qytetarë të serës së lartë, zejtarët në treg, ujanën e liqenit të Vivarit, ku Pani takon Sirenën në breg, që kur i vranë djemtë, nga marazi klithmat e saj nuk pushuan. Të shfaqen trojanët që braktisën qytetin e tyre të shkatërruar; Çezari kur e populloi Butrintin me ushtarët që u përball me Pompeun. Më 31 pas erës së re, Augusti e ktheu në qëndër të veteranëve, që mundën Mark Antonio së bashku me gruan e tij, Kleopatrën mbretëreshën e Egjiptit.
Frymëmarrja të shpejtohet. Jo nga ngjitja në majë të kodrës së Butrintit, por nga emocionet në muze, kur vështron veprat e artit me pamje hyjnish, sidomos skulpturën antike, të pagëzuar si “Hyjnesha e Butrintit”. Vështrimi të kap fushën e Vrinës, poshtë Çukës së Ajtoit; kanalin e Vivarit me ujin e ëmbël që përzihet me të kripurin e Jonit; kalanë e Ali pashë Tepelenës, më tej Xarrën, këtë qendër banimi të hershëm, ku nga zbulimet arkeologjike janë gjetur gjurmë të mijëra vjetëve para Krishtit. Më lart Shëndellinë, Kalivonë, Milenë dhe djathtas Kepi i Stillos, aty ku deti me ngjyrën e mjelmët hesht sikur çlodhet. Përjetojmë ritin e përjetshëm të Baticë-Zbaticë së kanalit të Vivarit, që gjysëm dite ujërat i shtyn në det, sa shkrihen e bëhen një me ‘të dhe gjysmë dite tjetër, të ngjiten përpjetë në liqen.
Në Butrint, me legjendat dhe magjinë e tij, njeriu befasohet, përjeton çaste krenarie, ikën, por le një copëz të zemrës për t’u rikthyer përsëri.