Gazeta DitaGazeta DitaGazeta Dita
Njoftime Shfleto më tepër
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Duke lexuar: Çfarë i vendos në disavantazh të diplomuarit shqiptarë në RMV
Shpërndaje
Gazeta DitaGazeta Dita
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Kerko
  • Kreu
  • Lajmi i fundit
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Analiza
  • Politike
  • Ekonomi
  • Kronike
  • Opinion
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Bote
  • Sport
  • Dita TV
  • Lifestyle
  • Enciklopedi
  • Europa/Analize
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Komunitet
  • Kopertina
  • Kulture
  • Kuriozitete
  • Metropol
  • Shendetesi
  • Teknologji
  • Telebingo
  • Televizion
  • RRETH NESH
Sign In
Na ndiqni
Gazeta Dita > Blog > Kryesore > Çfarë i vendos në disavantazh të diplomuarit shqiptarë në RMV
KryesoreRajon

Çfarë i vendos në disavantazh të diplomuarit shqiptarë në RMV

Published: August 1, 2026
Shpërndaje
Universiteti i Tetovës, ku studiojnë kryesisht studentë nga komuniteti shqiptar, është universiteti i dytë më i madh në Maqedoninë e Veriut.

Nga Ersan Pajaziti

Ndërsa Ligji i ri për Përfaqësim të Drejtë në administratën publike të Maqedonisë së Veriut mbetet i bllokuar, punësimi përcaktohet kryesisht nga një sistem i vjetruar i renditjes së universiteteve, që sipas kritikëve i vendos të diplomuarit shqiptarë në pozitë të pafavorshme.

Në fillim të vitit 2025, kur Emine Haxhiu Memishi aplikoi për një post në Ministrinë e Ekonomisë dhe Punës të Maqedonisë së Veriut, ajo e bëri këtë e pajisur me një diplomë në ekonomi nga Universiteti i Tregtisë i Stambollit, me një mesatare notash 9.88, me një vit përvojë profesionale pas vetes dhe me gatishmërinë për t’u kthyer në vendlindje në një kohë kur shumë të rinj zgjedhin të mos e bëjnë një gjë të tillë.

- Publicitet -

Megjithatë, ekzistonte edhe një notë tjetër, të cilën Haxhiu Memishi nuk e kishte marrë parasysh – një notë që nuk figuronte në diplomën e saj, në mesataren e notave apo në letrat e rekomandimit të profesorëve të saj: 0.5, koeficienti që Maqedonia e Veriut u cakton universiteteve të huaja që nuk figurojnë në tri listat kryesore të renditjeve ndërkombëtare.

Haxhiu Memishi u eliminua që në fazën e parë të procesit të rekrutimit.

“U ndjeva e zhgënjyer dhe e trajtuar padrejtësisht,” tha 31-vjeçarja për BIRN.

“Ishte e vështirë për mua të pranoja se një kandidate me mesatare 9.88, diplomë në ekonomi dhe përvojë profesionale në Turqi dhe Londër do të eliminohej që në fazën e parë.”

Universiteti i Tetovës, ku studiojnë kryesisht studentë nga komuniteti shqiptar, është universiteti i dytë më i madh në Maqedoninë e Veriut.

Deri vonë, rekrutimi në administratën shtetërore në Maqedoninë e Veriut i nënshtrohej të ashtuquajturit ‘Balancues’ (Balancer), një mekanizëm i vendosur për të siguruar përfaqësim të drejtë të komuniteteve pakicë, ndër të cilat shqiptarët, si Haxhiu Memishi, përbëjnë grupin më të madh.

Megjithatë, në tetor të vitit 2024, Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi Balancuesin, duke u bazuar në një ankesë sipas së cilës ai lehtësonte abuzimet në punësimin në sektorin publik.

Për të mbushur këtë boshllëk, qeveria miratoi në prill Ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, por projektligji është bllokuar në Kuvend, ku disa deputetë shqiptarë thonë se ai nuk shkon mjaftueshëm larg. Një ligj i tillë, që ka të bëjë me të drejtat e komuniteteve joshumicë, kërkon mbështetjen e shumicës së deputetëve që përfaqësojnë këto komunitete, mbështetje që deri më tani ka munguar.

Ndërkohë, nuk ekziston asnjë mekanizëm që të kompensojë atë që kritikët e cilësojnë si një sistem të vjetruar dhe diskriminues të vlerësimit të universiteteve dhe, rrjedhimisht, të diplomuarve të tyre, shpesh në dëm të shqiptarëve, të cilët përbëjnë rreth një të katërtën e popullsisë prej 1.8 milionë banorësh të Maqedonisë së Veriut.

“Renditjet universitare mund të shërbejnë si një tregues për analizën institucionale, por ato nuk duhet të jenë faktor përcaktues në rekrutimin e individëve,” tha Berat Dehari, dekan i Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin Evropian në Shkup.

“Punësimi duhet të bazohet në meritë, kompetencë dhe aftësi profesionale.”

Shqiptarët preken në mënyrë disproporcionale

Emine Haxhiu Memishi ende nuk është e sigurt nëse do të aplikojë sërish për një vend pune në sektorin publik. Foto kortezi nga Emine Haxhiu Memishi.

Në mungesë të një Ligji të ri për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, punësimi në administratën shtetërore rregullohet nga Ligji për Nëpunësit Administrativë i vitit 2014 dhe një akt nënligjor shoqërues, i cili përcakton një proces rekrutimi me tri faza.

Në fazën e parë, secili kandidat vlerësohet me pikë bazuar në arsimin, përvojën e punës, edukimin formal dhe joformal, si dhe aftësitë kompjuterike. Pesha më e madhe e pikëve, deri në 30 nga gjithsej 40, i takon arsimit. Megjithatë, mesatarja e notave të kandidatit shumëzohet me koeficientin e caktuar për universitetin ku ai ose ajo ka diplomuar.

Koeficientët për universitetet e huaja caktohen në varësi të renditjes së tyre në njërën prej tri listave ndërkombëtare të renditjes – Shanghai Ranking (ARËU), Times Higher Education – Ëorld University Rankings dhe QS Ëorld University Rankings – ndërsa universitetet vendore vlerësohen sipas renditjes së Ministrisë së Arsimit.

Çdo universitet që nuk figuron në këto renditje, siç është Universiteti i Tregtisë i Stambollit, merr koeficientin më të ulët të mundshëm – 0.5.

Kjo do të thotë se mesatarja 9.88 e Haxhiu Memishit u përkthye në vetëm 4.94 pikë. Ndërkohë, në të njëjtin proces rekrutimi, një kandidat me mesatare 7.0 nga Universiteti shtetëror “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup do të fitonte 14 pikë, falë koeficientit 2.0 të këtij universiteti – koeficienti maksimal.

Në vitin 2025, më pak se tetë për qind e 2,707 studentëve që diplomuan në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” ishin shqiptarë.

Shumica e studentëve shqiptarë ndjekin studimet në dy universitetet publike në gjuhën shqipe në vend: Universitetin e Tetovës dhe Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup.

Me rreth 7,800 studentë gjatë vitit akademik 2023/2024, Universiteti i Tetovës është universiteti i dytë më i madh në vend, por renditet i teti nga 19 institucionet e arsimit të lartë në listën e Ministrisë së Arsimit, duke pasur një koeficient prej 1.43. Universiteti “Nënë Tereza” u themelua në vitin 2016, por meqenëse ministria nuk e ka përditësuar renditjen që nga ajo kohë, ai vazhdon të ketë koeficientin më të ulët të mundshëm – 0.5.

Sipas ligjit, Ministria e Arsimit duhet ta përditësojë këtë renditje çdo tre vjet. Ajo nuk iu përgjigj kërkesave për koment.

Muhamed Krasniqi, zëvendësdrejtor i Agjencisë për Administratën, e cila menaxhon punësimin e stafit në administratën publike, tha: “Shpesh ndodh që kandidatët të cilët kanë diploma nga universitete të caktuara, qoftë në vend apo jashtë vendit, edhe pse kanë mesatare të lartë, përjashtohen nga mundësia për të kaluar në fazën e dytë të konkursit.”

Koeficienti “i vjetruar”

Suhejb Mehmedi, student në Universitetin “Nënë Tereza” dhe përfaqësues i studentëve në këtë universitet, thotë se studentët duhet të vlerësohen mbi bazën e arritjeve dhe punës së tyre, e jo sipas universitetit ku kanë studiuar. Foto kortezi Suhejb Mehmedi.

Për vite me radhë, i ashtuquajturi Balancues (Balancer) siguronte që përfaqësimi i komuniteteve në administratën publike të pasqyronte peshën e tyre në popullsi, duke zbutur pjesërisht ndikimin e sistemit të koeficientëve të universiteteve.

Ligji i ri për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat synon të krijojë një kornizë të re për përfaqësimin e drejtë në sektorin publik. Megjithatë, ndryshe nga Balancuesi, ai nuk parashikon kuota të përcaktuara apo sanksione ndaj institucioneve që dështojnë të sigurojnë përfaqësim të drejtë.

Në vend të kësaj, ligji parasheh “masa politike”, të cilat do të përcaktohen përmes akteve nënligjore brenda gjashtë muajve nga miratimi i ligjit në Kuvend.

Ky boshllëk është shfrytëzuar nga opozita, përkatësisht Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë, Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Aleanca për Shqiptarët, të cilat argumentojnë se zbatimi i ligjit, në praktikë, do të mbetet vullnetar.

Nga ana tjetër, VLEN, partneri më i vogël shqiptar në koalicionin qeverisës me VMRO-DPMNE-në e kryeministrit Hristijan Mickoski, këmbëngul se ligji është i mirë dhe se do të garantojë mundësi dhe trajtim të barabartë për të gjithë qytetarët.

Ndërkohë, universitetet dhe studentët e tyre mbeten në mëshirën e sistemit të renditjes.

Universiteti i Tetovës tha për BIRN se i është drejtuar Ministrisë së Arsimit dhe Gjykatës Supreme lidhur me çështjen e renditjes së universiteteve, por nuk ka marrë përgjigje.

“Ky trajtim i pabarabartë i kandidatëve përbën diskriminim të qartë, duke ulur vlerën e universiteteve që kanë përfunduar me sukses të gjitha fazat e akreditimit, kanë përmbushur standardet e kërkuara për stafin akademik dhe të gjitha kriteret përkatëse,” thuhet në përgjigjen me shkrim të universitetit për këtë artikull.

“Të diplomuarit e universitetit tonë punësohen pa asnjë problem kudo në botë, por në vendin e tyre përballen me diskriminim.”

Situata në Universitetin “Nënë Tereza” është, sipas shumëkujt, edhe më shqetësuese.

“Shteti e themeloi Universitetin ‘Nënë Tereza’, e akreditoi dhe e njohu si universitet publik, por për shkak se nuk e ka përditësuar listën e renditjes, të diplomuarit e këtij universiteti vlerësohen me koeficientin më të ulët të mundshëm,” tha Blendi Hodai, drejtor i organizatës joqeveritare Forumi për Ndryshime në Arsim.

“Studentët nuk mund të ndëshkohen sepse ministria nuk ka hartuar një renditje të re,” tha Hodai për BIRN. “Nëse një universitet është themeluar nga shteti dhe funksionon si pjesë e sistemit publik, atëherë është e papranueshme që të diplomuarit e tij të trajtohen si më pak të vlefshëm në konkurset e punësimit të organizuara nga vetë shteti.”

Sipas Hodait, dallimet e mëdha ndërmjet koeficientëve nuk pasqyrojnë cilësinë reale të universiteteve.

“Universiteti ‘Shën Kirili dhe Metodi’ ka një koeficient të barabartë me dy ose tri universitete të tjera së bashku,” tha ai. “Ndoshta kjo do të kishte kuptim nëse do të ishte ndër universitetet më të mira në botë. Por sot, kur ai nuk renditet as në mesin e 500, 1,000 apo 2,000 universiteteve më të mira në botë, ky dallim vështirë se mund të arsyetohet.”

“Në praktikë, sistemi favorizon një universitet duke nënvlerësuar të tjerët dhe dëmton studentët, sepse ata nuk vlerësohen mbi bazën e njohurive dhe aftësive të tyre, por sipas një koeficienti të vjetruar.”

Me këtë vlerësim pajtohet edhe Suhejb Mehmedi, student në Universitetin “Nënë Tereza” dhe përfaqësues i studentëve në këtë universitet.

“Nuk është e drejtë që një diplomë e marrë në një universitet publik dhe të akredituar të vlerësohet me koeficientin më të ulët,” tha 24-vjeçari.

“Vlerësimi duhet të bazohet në cilësinë e arsimit, jo në kritere që i vendosin studentët në pozitë të pabarabartë. Kjo krijon ndjesinë se puna dhe përkushtimi ynë nuk po marrin vlerësimin që meritojnë.”

Universiteti “Nënë Tereza” nuk iu përgjigj kërkesave për koment.

Trajtim i barabartë?

Berat Dehari, dekan i Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin Evropian në Shkup, thotë se renditja e universiteteve mund të jetë e dobishme për vlerësimin e institucioneve, por nuk duhet të përcaktojë punësimin e individëve. Foto kortezi nga Berat Dehari.

Universitetet private në Maqedoninë e Veriut zakonisht renditen në gjysmën e poshtme të listës së Ministrisë së Arsimit.

Për shembull, Universiteti FON në Shkup ka një koeficient prej 1.09, ndërsa Universiteti MIT, po ashtu në kryeqytet, renditet më poshtë me një koeficient prej 0.99.

Berat Dehari, nga Universiteti Evropian i Shkupit, një institucion privat i arsimit të lartë, tha se ky sistem diskriminon të diplomuarit e universiteteve private “duke ua kufizuar mundësitë për punësim në administratën publike”.

“Kjo cenon sigurinë juridike dhe parimin e trajtimit të barabartë.”

Asnjë nga universitetet private të kontaktuara nuk dëshiroi të komentonte publikisht mbi ndikimin e këtij sistemi te të diplomuarit e tyre, ndërsa Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi në Maqedoninë e Veriut tha se nuk ka pranuar ankesa lidhur me koeficientin e universiteteve apo institucionin ku kandidatët kanë kryer studimet.

I pyetur nëse metodologjia mund të konsiderohet diskriminuese, Komisioni u përgjigj se “në procedura të caktuara kjo mund të jetë e mundur, por vlerësimi nëse ekziston diskriminim varet nga fakti nëse ky kriter ka një qëllim legjitim, siç është përmirësimi i cilësisë së administratës publike”.

“Duhet të shqyrtohen të gjitha rrethanat; vlerësimi gjithmonë varet nga rasti konkret dhe nuk mund të bëhet në mënyrë të përgjithshme.”

Agjencia për Administratën tha se nuk mban të dhëna për universitetet ku kanë studiuar personat e punësuar në administratën shtetërore.

Muhamed Krasniqi, zëvendësdrejtor i Agjencisë, e pranoi ekzistencën e problemit.

“Besoj se ky sistem nuk siguron vlerësim të drejtë dhe mundësi të barabarta për të gjithë kandidatët, sepse nuk është reale që një renditje e tillë të përcaktojë vlerësimin praktik të njohurive të një kandidati,” tha ai për BIRN, duke bërë thirrje për “ndërhyrje të drejtpërdrejtë” në Ligjin për Nëpunësit Shtetërorë.

Ministria e Administratës Publike, nga ana tjetër, tha se të gjithë kandidatët trajtohen në mënyrë të barabartë.

“Renditja e universiteteve në listat përkatëse ndërkombëtare është parashikuar si një tregues shtesë i cilësisë akademike dhe kompetencës së kandidatëve,” thuhet në përgjigjen e ministrisë.

“Kriteret për vlerësimin e institucioneve të arsimit të lartë zbatohen në mënyrë të barabartë për të gjithë kandidatët, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike, gjuhës në të cilën kanë studiuar apo shtetit ku kanë përfunduar arsimin,” tha ministria për BIRN.

Megjithatë, ministria pranoi se po shqyrton mundësinë e ndryshimit të sistemit, pa dhënë një afat kohor.

“Në kuadër të këtij procesi, po shqyrtohen modele dhe zgjidhje të ndryshme me synimin për të siguruar një sistem të drejtë, transparent dhe të bazuar në meritë.”

Maqedonia e Veriut, një përjashtim në rajon

Muhamed Krasniqi, zëvendësdrejtor i Agjencisë për Administratë, e cila mbikëqyr rekrutimin në administratën publike, thotë se kandidatët me diploma nga universitete të caktuara, qoftë në Maqedoninë e Veriut apo jashtë saj, shpesh përjashtohen nga kalimi në fazën e dytë të procesit të rekrutimit, pavarësisht se kanë mesatare të lartë notash. Foto kortezi nga Muhamed Krasniqi.

Asnjë vend në rajon nuk zbaton një metodologji të ngjashme për punësimin në sektorin publik.

Në Shqipërinë fqinje, kandidatët vlerësohen mbi bazën e përvojës profesionale, trajnimeve, kualifikimeve dhe rezultateve në punë. Renditja e universiteteve nuk merret parasysh.

Në Kosovë, vlerësimi bazohet në arsimimin, përvojën profesionale dhe aftësitë e nevojshme për pozitën e punës.

Në Serbi, përmes shërbimit qeveritar përgjegjës për menaxhimin e burimeve njerëzore, kandidatët testohen për njohuritë, aftësitë dhe kompetencat e tyre nga komisionet përzgjedhëse, gjithashtu pa përdorimin e ndonjë koeficienti të bazuar në renditjet globale të universiteteve.

Në praktikë, megjithatë, në të tria këto vende politika luan rol: partitë në pushtet shpesh i mbushin vendet e punës në sektorin publik me aktivistë partiakë, mbështetës, miq dhe të afërm.

Në korrik të vitit 2025, Parlamenti Evropian i bëri thirrje Maqedonisë së Veriut – vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian – që të modernizojë më tej administratën publike të bazuar në meritë, të adresojë politizimin e saj dhe të sigurojë llogaridhënie në institucionet publike.

Raporti i Komisionit Evropian për Sundimin e Ligjit për vitin 2025 evidentoi mangësi konkrete në procedurat e emërimeve, duke vënë në dukje se në disa raste kandidatët e përzgjedhur nuk kishin përvojën e nevojshme profesionale ose nuk i plotësonin kriteret e kërkuara të kualifikimit.

Emine Haxhiu Memishi ende po mendon nëse do të aplikojë sërish për t’iu bashkuar administratës publike.

“Nuk po kërkoj trajtim të veçantë,” tha ajo. “Por po kërkoj trajtim të drejtë dhe të barabartë. Nëse një diplomë është njohur dhe pranuar nga institucionet kompetente, atëherë ajo nuk duhet të zhvlerësohet vetëm për shkak të koeficientit të universitetit.”

—-

Ky artikull u prodhua në kuadër të MOST – Media Organisations for Stronger Transnational Journalism, një partneritet gazetaresk i financuar nga programi Creative Europe, i cili mbështet mediat e pavarura të specializuara në raportimin ndërkombëtar.

 

Shpërndaje këtë artikull
Facebook Email Printo
Posto një koment

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Lajmi i Fundit

  • 534 shkencëtarë nga 32 vende i kërkojnë Ramës të ndalojë projektet në deltën e Vjosës
  • Ish-oficeri i akuzuar për dekonspirim dënohet me 2.8 vjet burg
  • Ndryshuan hartën, jo modelin
  • Çfarë i vendos në disavantazh të diplomuarit shqiptarë në RMV
  • SPAK: Balluku u thirr për t’u njohur me akuzën

Komentet e Fundit

  1. Xha Teme analisti on 534 shkencëtarë nga 32 vende i kërkojnë Ramës të ndalojë projektet në deltën e Vjosës
  2. Xha Teme analisti on Valë protestash kundër Reformës Territoriale, qytetarët dalin edhe në Memaliaj, Dimal e Klos
  3. prehistoriku on 1 euro për të huajt, 100 pengesa për shqiptarët! Certifikimi i pronës, ndjenja e rëndë e pabarazisë para shtetit dhe pushtetit
  4. Vlora 97 on 1 euro për të huajt, 100 pengesa për shqiptarët! Certifikimi i pronës, ndjenja e rëndë e pabarazisë para shtetit dhe pushtetit
  5. Dursakja on 1 euro për të huajt, 100 pengesa për shqiptarët! Certifikimi i pronës, ndjenja e rëndë e pabarazisë para shtetit dhe pushtetit

Kategori

Merr te rejat më të fundit

Ndiqni Gazeta Dita duke vendosur emailin tuaj më poshtë dhe do të njoftoheni për të rejat më të fundit

[mc4wp_form]

Gazeta DitaGazeta Dita
© Copyright Gazeta Dita 2012. Të gjitha të drejtat e rezervuara



Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?