Konferenca e Kryetarëve, e cila zhvillohet para seancës së parë plenare pas zgjedhjeve, nisi me debate mes Gazment Bardhit, kreut të grupit parlamentar të PD dhe kryetares së Kuvendit Elisa Spiropali e Taulant Ballës.
Bardhi akuzoi se e kanë kthyer Kuvendin në pronë private, ndërsa vijoi me pretendimet për ‘dhunim zgjedhjesh’.
“E keni kthyer kuvendin si pronë private. Vini këtu sikur jeni kthyer nga Suedia, ku në fakt jeni kthyer nga një llum që e keni krijuar ju me duart tuaja. Keni caktuar një seancë turpi për të bërë vetëm ti foto aty. Nuk keni caktuar dhe nuk keni lënë as çështje jashtë rendit të ditës. Këtë e garanton rregullorja e Kuvendit. Unë e kuptoj që ju nuk doni debat sepse doni ta trajtoni sikur jeni kthyer nga pushimet, ku në fakt ju jeni kthyer nga drejtimi i një grupi të strukturuar kriminal, ku vjedhët dhe dhunuat zgjedhjet duke e krahasuar Shqipërinë me Sirinë. Nuk mund ta trajtoni kuvendin si pronë private e as vendin si normalitet. Siç e thotë OSBE ju keni shkallmuar barazinë në zgjedhje dhe keni rrëzuar nenin 1 të Kushtetutës. E përsëris ju doni që Shqipëria të krahasohet me Rusinë apo me Serbinë”, tha Bardhi.
Përveç Spiropalit, ai pati debate edhe me Ballën, për të cilin tha se s’do të lejojë të flasë ‘ushtari i Suel Çelës’.
Ndërsa Spiropalit iu drejtua duke i thënë se do të zëvendësohet nga Zegjine Çaushi, kandidatja e re socialiste që fitoi në Fier.
Pjesë nga diskutimi:
Gazment Bardhi: Kush e caktin se çfarë bëhet në Konferencën e kryetarëve dhe në Kuvend. Partnerët tuaj Suel Çela apo Troplinit e Durrësit. Zonjë duhet të sqarosh ato çfarë unë ngre këtu. Nuk lejoj të flasë ushtari i Suel Çelës. Dhe ti zonjë mos mu sill sikur ke ardhur nga Suedia, por ke ardh nga strofulla e Xhabaftëve. U kërcënuan fëmijët e kolegët e tu dhe ti kryetare e kuvendit shkove more në mbrojtje Xhabaftët.
Elisa Spiropali: Ma jep të drejtën rregullorja të përcaktoj rendin e ditës.
Gazment Bardhi: Nuk do të jesh më këtu, do të zëvendësohesh nga Zegjine Balluku.
j.l./ dita