Nga Migena Aleksi
Rama nuk di ose nuk do ta zgjidhë krizën. Ai mendon se “zgjidhja” është duke e bërë protestën gjithnjë e më të kushtueshme dhe të rrezikshme për ata që marrin pjesë. Ai po tenton të ndërtojë një mekanizëm që i bën qytetarët të mendojnë dy herë para se të ngrenë zërin kundër tij.
Kryeministri Rama ka njoftuar sot masa të reja ndëshkimore për protestuesit që kërkojnë dorëheqjen e tij. Nga materialet e shqyrtuara, janë 16 masa ose mekanizma të paralajmëruar, propozuar apo raportuar prej tij ditët e fundit, të cilët prekin drejtpërdrejt ose tërthorazi të rinjtë protestues, nxënësit, studentët, familjet e tyre dhe mësuesit.
Në fjalimet e tij, Rama përdor një gjuhë përballjeje, duke folur për «flamë antidemokratike», «duar të huaja», «mercenarë» dhe njerëz që, sipas tij, përfaqësojnë krimin e organizuar. Duke lexuar deklaratat e tij, bie menjëherë në sy se nga një kryeministër që duhet të qetësojë vendin, ai është një kryeministër që shpall luftë.
Po të marrësh në analizë disa nga ato që thotë problemet janë serioze.
Rama thotë psh gjobë deri në 500 mijë lekë për personin që vazhdon të qëndrojë në një tubim të dhunshëm pasi policia ka paralajmëruar pjesëmarrësit. Argumenti i tij është se askush nuk duhet të qëndrojë në një turmë kur e di se aty po ushtrohet dhunë. Pyetje: A mund të konsiderohet dikush përgjegjës për dhunën e një turme vetëm sepse ndodhet në të? Po sikur të jetë një i ri që nuk ka hedhur asnjë gur, nuk ka dëmtuar asgjë dhe nuk ka ushtruar dhunë, por është pjesë e një proteste ku persona të tjerë kryejnë akte të tilla? A mund të jetë e njëjta përgjegjësi për atë që shkatërron pronën dhe për atë që proteston paqësisht?
Këto nuk janë hollësi teknike. Janë pyetje që prekin thelbin e shtetit të së drejtës. Neni 11 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut mbron lirinë e tubimit paqësor. Kufizimet mund të jenë të ligjshme në rrethana të caktuara, por duhet të jenë të nevojshme dhe proporcionale. Fakti që një grup njerëzish kryen akte dhune nuk e zhvesh automatikisht çdo pjesëmarrës tjetër nga mbrojtja e kësaj të drejte.
Gjoba nuk mund të kthehet në një mekanizëm ndëshkimi kolektiv. Kriteret për përgjegjësinë individuale duhet të jenë të qarta, të zbatueshme dhe të kontrollueshme nga gjykata.
Propozimi që prindërit të paguajnë gjobat e të miturve, së bashku me përgjegjësinë financiare për dëmet e shkaktuara, ngre një problem tjetër.
Është e arsyeshme që dëmi i shkaktuar nga një i mitur të trajtohet sipas ligjit dhe që përgjegjësit të mos mbeten pa pasoja.
Por kur KM paralajmëron edhe kufizimin e shërbimeve shtetërore për familjet, çështja merr një dimension tjetër. Përgjegjësia për një shkelje përcaktohet nga ligji dhe nga veprimet konkrete të personit, jo nga dëshira e pushtetit për ta bërë ndëshkimin sa më të ndjeshëm për të gjithë rreth tij.
Nëse një prind ka përgjegjësi ligjore për një dëm, kjo përcaktohet përmes procedurave duron apo nuk duron kryeministri është problem i tij. Privimi i familjes nga shërbime publike, pa kritere të qarta, pa garanci efektive ankimi, është çështje serioze e proporcionalitetit dhe e të drejtave themelore.
Edhe propozimi për pezullimin ose largimin e mësuesve që mobilizojnë nxënësit nën 18 vjeç në tubime meriton shqyrtim të kujdesshëm. Është e rëndësishme të mos krijohet një situatë ku mësuesit frikësohen të diskutojnë me nxënësit për qytetarinë, demokracinë, korrupsionin apo të drejtën për protestë. Ka një ndryshim të madh midis detyrimit të një nxënësi të marrë pjesë në një protestë dhe shpjegimit të së drejtës së tij për të protestuar.
Më shqetësuese bëhet paketa kur parashikon një regjistër elektronik për persona të referuar ose nën hetim për vepra penale kundër shtetit, rendit dhe sigurisë publike. Këtu duhet të jemi veçanërisht të kujdesshëm. Një person nën hetim nuk është domosdoshmërisht fajtor. Një i ri që hetohet për një episod në protestë nuk mund të trajtohet automatikisht si rrezik për shoqërinë.
Kur regjistrimi shoqërohet me mundësi kufizimi të udhëtimit ose njoftimi të strukturave të tjera për rrezikshmërinë e personit, garancitë ligjore bëhen thelbësore.
Kush do të përfshihet? Për sa kohë? Kush mund t’i korrigjojë të dhënat? Çfarë ndodh nëse hetimi pushohet ose personi shpallet i pafajshëm? Pa përgjigje të qarta, një mekanizëm i paraqitur si instrument sigurie shndërrohet në burim stigmatizimi.
Një kryeministër e ka detyrë të kuptojë pse një brez i tërë po i drejtohet rrugës për të kërkuar ndryshim.
Mund të ketë individë që organizojnë dhunë. Mund të ketë grupe që përpiqen të përfitojnë politikisht nga trazirat. Çdo akuzë e tillë duhet hetuar. Por a po flet kryeministri për sigurinë e qytetarëve, apo po e trajton sfidën politike ndaj pushtetit të tij si problem sigurie? Këto dy gjëra nuk janë e njëjta gjë.
Duhet të ketë parasysh se sa më shumë ndëshkime, aq më e thellë do të bëhet kriza. Ai mund të vendosë gjoba, të forcojë e të ashpërsojë sanksionet. Por asnjë paketë ndëshkimore nuk e zëvendëson zgjidhjen e shkaqeve politike dhe shoqërore të protestës.
Edhe nëse operacioni i tij ndëshkimor do funksionojë ai do arrijë të sjellë vetëm qetësi të reme të përkohshme. Kriza do thellohet. Një kryeministër që është i bindur se ka mbështetjen e qytetarëve duhet të jetë në gjendje të përballojë protestën paqësore pa e kthyer atë në një betejë për autoritetin e tij personal.
DITA
