Flamuj kuqezi, pankarta dhe thirrje për dorëheqjen e ministrit Fillkov dhe kryeministrit Mickoski, kjo është ajo që ndodhi në zemër të Shkupit pasditen e së hënës, ku studentët shqiptarë protestuan duke kërkuar të drejtën e mbajtjes së provimit të Jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Mijëra studentë shqiptarë protestuan të hënën në qendër të Shkupit për të kërkuar të drejtën e dhënies së provimit të Jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Protesta nisi në orën 16:30 dhe për 2 orë, ‘Ura e Gurit ‘u “vesh” kuqezi, ndërsa studentët nga të gjithë trevat shqipfolëse që i ishin bashkuar protestës, valëvitnin flamuj shqiptarë dhe brohorisnin: “Gjuha shqipe nuk negociohet”.
Me pankarta të ndryshme në duar, ku shkruhej “Ligj në letër, diskriminim në praktikë”, “Gjykata politike e Maqedonisë së Veriut”, “Respekto Ligjin për Gjuhët”, “Gjykata destabilizuese”, “Politika ka korruptuar Gjykatën Kushtetuese“, “Përgjegjësi” dhe “Ligji për gjuhët është i qartë”, protestuesit kërkuan jo vetëm dorëheqjen e ministrit të Drejtësisë, Igor Fillkov, i cili ka kundërshtuar kërkesën e studentëve për zhvillimin e provimit në gjuhën shqipe, por edhe të kryeministrit Hristjan Mickoski.
Thirrjet për dorëheqje ushtuan ndërsa protestuesit rrethuan godinën e Ministrisë së Drejtësisë.
“Kërkojmë gjuhën tonë, amanetin tonë, Nuk është privilegj, por e drejtë nga Marrëveshja e Ohrit, Kjo është e drejtë sepse ne kemi qenë këtu. Edhe sa kohë duhet të presë një shqiptar për të dhënë provimin në gjuhën e tij, për të ushtruar profesionin në gjuhën e tij? Nuk ka institucion që mund të prekë gjuhën shqipe,. As Ministria e Drejtësisë, as Gjykata Kushtetuese. Ne nuk jemi kundër këtij shteti, ne jemi këtu për dinjitet, barazi dhe respekt. Ata që na thonë prisni, ne ju themi nuk presim më”, tha Mevlan Ademi.
Protesta u shoqërua me masa sigurie, teksa forca të shtuara policie u raportuan pranë protestës. Organizatorët e saj raportuan se 3 studentë nga Trana u ndaluan kur një autobuz me studentë nga Shqipëria u ndalua dhe shoqërua drejt Kumanovës.
Megjithatë, në protestë kishte shumë qytetarë shqiptarë nga shumë treva, përfshirë Tetovën, Strugën dhe Kosovën.
Si ka reaguar qeveria Mickoski?
Nga ana tjetër qeveria dhe partitë shqiptare në pushtet, intensifikuan përpjekjet para protestës për të ulur tensionet. Izet Mexhitit dhe Bilall Kasamit, dy kryetarët e partisë VLEN patën një takim dy orë para protestës, me kryeministrin Mickoski.
Në një postim në rrjete sociale, partia Vlen e Izet Mexhitit dhe Bilal Kasamit premtoi se provimet e jurisprudencës do të mbahen në gjuhën shqipe. Veç të tjerash, ata thanë se se po punohet për një zgjidhje konkrete dhe afatgjatë
“Atë që BDI nuk e zgjidhi për dy dekada, ne po e zgjidhim me veprime konkrete: Provimi i jurisprudencës do jepet në gjuhën shqipe” shkroi VLEN.
Kjo është protesta e dytë e organizuar nga studentët shqiptarë pas refuzimit të kërkesave të tyre nga Ministria e Drejtësisë.
Debati për gjuhën shqipe u intensifikua ndjeshëm shumë javët e fundit nxitur nga protesta e 6 prillit e studentëve nga tre universitete shqiptare në Shkup që kërkojnë me ngulm që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe.
Ata argumentojnë se ligji nuk e ndalon këtë dhe gjatë protestës kërkuan respektim të Ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe të Kushtetutës. Sipas interpretimit të neneve 2 dhe 5 të këtij ligji, institucionet janë të detyruara të mundësojnë përdorimin e gjuhës shqipe në procedurat shtetërore, çka, sipas ekspertëve, përfshin edhe provimet profesionale.
Si ka reaguar opozita?
Pas protestës së 6 prillit, ndërsa kryeministri Mickoski akuzonte partitë shqiptare se duan të destabilizojnë vendin, kreu i BDI-së në opozitë, Ali Ahmeti, gjatë Samitit të Diasporës në Tiranë paralajmëroi se gjuha shqipe është në rrezik dhe u bëri thirrje shqiptarëve ta mbrojnë atë.
“Gjuha shqipe në Maqedoni është një rrezik i vërtetë që duhet t’i dalin zot të gjithë. Çdo koment që cenon arritjet është në dëm të Marrëveshjes së Ohrit”, deklaroi Ahmeti, duke theksuar se e ardhmja e vendit lidhet me bashkëjetesën dhe bashkëqeverisjen me shqiptarët.
Çfarë thotë ligji për provimin e jurisprudencës?
Sipas mediave në Maqedoni, në Ligjin për Provimin e Jurisprudencës nuk ekziston dispozitë ligjore në të cilin thuhet se ky provim mund të mbahet vetëm në gjuhë maqedonase. Neni 2 i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve thotë se “institucionet e qeverisjes shtetërore duhet të mundësojnë përdorim të gjuhëve të tjera zyrtare të cilat fliten nga më së paku 20% e qytetarëve”, që është gjuha shqipe.
Projekt propozimi që do të mundësonte dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe ka qenë gati në vitin 2024 nga Ministria e Drejtësisë, por me ndryshimin e përbërjes parlamentare dhe qeverisë së re, u hoq nga agjenda e kuvendit dhe s’u zu më në gojë nga qeveria aktuale.
Ligji për Zbatimin e Gjuhëve ka hyrë në fuqi në vitin 2019, dhe prej asaj kohe, në Maqedoninë e Veriut janë ndërruar katër ministra të drejtësisë si Bojan Mariçiq, Nikolla Tupançevski, Krenar Lloga. Aktualisht ministër është Igor Filkov.
Neni 2 dhe neni 5 i këtij ligji thotë se “institucionet janë të detyruara të mundësojnë përdorim të gjuhës shqipe në të gjitha procedurat para gjykatave dhe organeve tjera shtetërore”. Kjo do të thotë se në qoftë se ligji për provimin e jurisprudencës nuk e kufizon dhënien e këtij provimi vetëm në gjuhën maqedonase, duhet të mundësohet edhe në gjuhën shqipe.
Çështja e gjuhës shqipe ka qenë historikisht një nga temat më të ndjeshme në vend. Pas konfliktit të vitit 2001, Marrëveshja e Ohrit solli ndryshime kushtetuese që garantuan përdorimin e gjuhëve të komuniteteve.
Më pas, ligji për gjuhët i miratuar në vitin 2018 dhe i zbatuar nga viti 2019, e përcakton shqipen si gjuhë zyrtare në institucionet qendrore dhe në zonat ku shqiptarët përbëjnë mbi 20% të popullsisë.





Mqaedonët e duan shkollën në gjuhën e tyre, SHQIP.
Lek Emadhia
Shqiptaret jane popull shtetformues ne Maqedoni.
fshihen mbas flamurit te Gjergjit keta turqit te veteshpallur te tille.
Bravo FYROM-i qe nuk e perfill minoritetin turk.
Pyetje: Ku e kane baba erdoganin keta?
Shqiptaret maqedon te veprojnë si shtetformuese aty. Nese shpërfillin nga shulët, atehere shqiptaret duhet ti ndajnë rruhet me ta. Te formojnë institucionet e tyre kombëtare!
Nuk kane cfare te presin e te rrijne nga institucionet e pushtuara shoviniste shulë pa identitet.