Enver Kushi
Kërkuesi në arkiva
Hajredin Isufi është personalitet i shquar i Çamërisë, që me punë, përkushtim dhe pasion, në veprën e tij ka dritësuar historinë, kujtesën sa të veçantë, befasuese, aq edhe dramatike të kësaj krahine në shekuj, bijtë e saj të shquar, trashëgiminë kulturore, origjinalitetin dhe vlerat e saj të papërsëritshme. Vepra e tij voluminoze i bën nder jo vetëm Çamërisë, por edhe historiografisë shqiptare e më gjerë. Ajo është dhe do të jetë edhe në të ardhmen, pikë referimi për studiuesit dhe historianët e Greqisë fqinje.
Emrin i tij e kam hasur për herë të parë në gazetën “Adriatiku”, që botohej në Durrtës. Ishin fillimet e viteve ’70 të shekullit që lamë pas, kur unë kisha filluar punën në shkollën e mesme të qytetit të vogël të Rrogozhinës si mësues i letërsisë dhe gazetën në fjalë e lexoja rregullisht. Kryeredaktor i saj ishte Hamdi Sallaku, gazetar shumë i mirë, por edhe njeri i rrallë. Emri i Hajredin Isufit, me shkrimet e tij, ishte i pranishëm në rubrikën e përjavshme të historisë dhe traditave, që botohej në faqen e katërt të gazetës “Adriatiku”, krahas Moikim Zeqos, Fabian Mirajt, Hasan Ulqinit etj.etj. Pastaj rasti e solli që në vitin 1978 (mos gaboj), ai të emërohej mësues në shkollën e Gosës së Vogël, fshat matanë tunelit të Rrogozhinës. Ndoshta për herë të parë Hajredinin e kam takuar në shtëpinë time, kur ai ka ardhur për t’u njohur me prindërit e mi . . . Edhe tani, pas kaq shumë vitesh, mbaj mend që më bëri përshtypje portreti dhe trupi i tij i gjatë e i hollë. Sapo e pashë, m’u kujtua Kamani, një nga personazhet e poemës “Histori e Skënderbeut” të Naim Frashërit, që ua lexoja me pathos nxënësve dhe komentoja vargjet e poetit tonë kombëtar. Janë pak a shumë vargjet, ku krahas trimërisë, besnikërisë të Kamanit, poeti jep edhe portretin fizik të tij si “I hollë ish e pak i gjatë; E s’kish mish në faqe”. Jo vetëm kaq. Në portretin e tij, vështrimi dhe sytë, ishin zhbirues, të zgjuar dhe melankolikë. Melankolizmi, siç e ka vënë në dukje Prof. Pëllumb Xhufi kur i vogël, në kafene “Çamëria” në Skelë të Vlorës, ka parë burrat e rëndë e melankolikë çamë, është pjesë e qënies dhe e vulosur ajo, veçanërisht te sytë.
Edhe atëhere, edhe tani, mbanë vazhdimisht me vete një çantë, ku në letra apo blloqe, me siguri ka shënuar dëshmi gojore, dokumente arkivore, foto. Sa herë vinte në shtëpinë time, pasi ndërronin cigare me babain, e pyeste për Spatarin, vendlindjen e prindërve të mi, lagjet, fiset, për Muharrem Rushitin, kapedanin e famshëm çam, Beqo Izet Kushin, xhaxhain, që ka qenë kryetari i parë i Shoqërisë “Çamëria” me krijimin e saj në vitin 1918, në Boston. Babai im kishte një kujtesë fenomenale. Isha i ri atëhere, por i mbaj mend mirë bisedat me Hajredinin dhe rrëfimet e babait tim, hollësira nga më të çuditshmet, që nga qiejt me re, erërat, shirat, takimet e burrave spatarjot në qendër të fshatit, emra të familjeve të mëdha, si Nurçenjtë, Brahenjtë, Saqejtë etj, se kur u kthye Zeqo Izet Kushi nga Amerika, largimi i tij nga Spatari për në Sarandë, për t’i qëndruar pranë Muharrem Rushitit, që e kishte dajo etj. etj. . . Hajredini dëgjonte me vëmendje dhe si pa u ndjerë, hapte çantën, nxirte një bllok prej saj dhe shënonte ato çka rrëfente im atë . . . Këtë, hulumtuesi dhe punëtori i palodhur, historiani që i ka kushtuar jetën Çamërisë, e ka bërë në të gjitha ngulimet e popullsisë çame në Shqipëri, duke grumbulluar mijëra e mijëra rrëfime, foto, dokumente të arkivave familjare. Ana tjetër e punës kërkimore të tij, është shfrytëzimi i Arkivit Qendror të Shtetit në Tiranë, Arkivit të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Arkivit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Institutit të Historisë, Bibliotekës Kombëtare etj. etj. Para 30 viteve nuk ishte aq e lehtë hapja e dyerve dhe puna kërkimore në këto arkiva. Ai i është mirënjohës dhe këtë e thotë shpesh, Prof. Stefanaq Pollos, i cili me dashamirësi, me firmën e tij, i dha një autorizim për të shfrytëzuar dokumentet arkivore. Pa këtë punë të përditshme, duke u nisur në mëngjes herët me trenin e parë Durrës-Tiranë, bashkë me Moikom Zeqon, që edhe ai shkonte në kryeqytet për punë kërkimore-shkencore, nuk do të kishim dhjetëra shkrime apo monografitë për historinë e Çamërisë e më gjerë, që tashmë janë mirëpritur nga lexuesit e shumtë dhe opinioni shkencor në Shqipëri dhe Greqi . . . “Në mesin e ishullit “çam” të plazhit të Durrësit, ka shkruar Prof. Pëllumb Xhufi, një nga miqtë e tij të hershëm, ky mësues e lëvrues i apasionuar i historisë, kishte ngritur “Çamërinë” e tij të vogël, që përfaqësohej nga shtëpiza modeste, nga kopshti i mbjellë me limonë, portokalle e lule, mbi të cilat ngrinte kryet sovrane, “pisha flamur”, që edhe sot u ofron freskinë e saj miqve të shumtë të shtëpisë. Elementë thelbësore të kësaj qelize shqiptare të shpërngulur nga Rrëzanji i Gumenicës në brigjet e Durrësit, ishin furra tipika e bardhë çame, oda e zjarrit, ku edhe sot kuvendohen biseda “ndryshe” dhe mbi të gjitha studioja me librat e dokumentet pa fund, të cilën Hajredini e kishte ngritur qëllimisht në një cep tjetër të oborrit; nuk donte që hulumtimet dhe meditimet e dhimbshme për tokën e tij të braktisur të përziheshin me meskinitetin e bisedave të përditshme. E ka vuajtur shumë bashkëshorjta, Hamideja, këtë ngujim sistematik të të shoqit në “guvën” buzë oborrit, por tashmë edhe ajo është mësuar”.

Ta shohësh në sy historinë
Tingëllon letrare dhe pse jo, edhe sureale, kur shkruan apo thua: “Ta shohësh në sy historinë”. Me të drejtë lind pyetja: Kush do ta shohë në sy historinë? Dhe pas kësaj natyrshëm vjen pyetja tjetër: A ka sy historia si “tërësi ngjarjesh apo dukurish të rëndësishme e të lidhura nëpërmjet tyre, që i përkasin së kaluarës së një populli?”. Historia, e ngurtësuar në të shkuarën, kujtesën e brezave, e mbyllur në arkiva, biblioteka, kur merr përsipër ta ringjallësh, duke e shkruar, është tekanjoze dhe e rreptë. Historiani, ai që shkruan historinë e një kohe të caktuar apo të një personaliteti, figurë historike, ka përgjegjesi shkencore dhe morale për të vërtetat e saj. E vërteta dhe vetme e vërteta është syri i historisë.
Përtej dhe këtej lumenjve Kalama dhe Akeron, nga malet e Sulit dhe hapësirat që shtrihen në kodrat e buta dhe fushnajat gjatë brigjeve të detit të Zonjës (Joni), janë viset e Epirit, ku shekujt kanë lënë gjurmët e tyre. Në ato troje, çamët, që nga shumë udhëtarë e studiues të huaj, janë cilësuar si popullsi heroike, me historinë dhe kulturën e tyre, kanë qenë dhe janë objekt i shumë veprave, monografive të historianëve shqiptarë, grekë e më gjerë. Nuk marr përsipër të analizoj të vërtetat që ato shkruajnë, ose nëse ata guxojnë ta shohin në sy historinë e Çamërisë, por kur kam lexuar ose i rikthehem leximit të veprës së Hajredin Isufit, them me bindje që ai, duke hyrë dhe dalë nëpër arkivat e Shqipërisë jo si soditës, por si studiues skrupuloz, duke parë me vëmendje qindra e mijëra dokumente ose botime, veçmas ato të autorëve grekë, na e ka sjellë Çamërinë dhe personalitetet e saj, në dritën e diellit. Historiani dhe studiuesi i pasionuar Hajredin Isufi nuk i ul sytë para historisë së Çamërisë. Ai e sheh në sy atë me heroizmin, me qëndresën, dramat, dhimbjen dhe dinjitetin e dhimbjes. Çamët, brezi që erdhi në Shqipëri pas një rrugëtimi biblik, duke lënë pas shtëpi të djegura dhe viktime të genocidit zervist, ruajtën krenarinë dhe dinjitetin dhe shumë shpejt u integruan në shoqërinë e vëllezërve të tyre shqiptarë. Pikërisht këtë vlerë të kësaj popullsie e gjejmë edhe në veprën e Hajredin Isufit, ku dinjiteti i dhimbjes bëhet bashkë me atë të mbijetesës.
Unë kam patur fatin të jem ndoshta lexuesi i parë i librave të tij, sepse kam bërë korrektimin letrar të tyre. Kështu në vitin 2002, u botua monografia “Musa Demi dhe qëndresa çame 1800-1947 (me parathënie shkruar nga Prof.Pëllumb Xhufi) dhe “Dy kujtime me Musa Demin”, shkruar në vend të pasthënies, nga Prof. Kristo Frashëri).
Aty nga viti 2000, Hajredini më solli një dosje, ku me makinë shkrimi, ishte hedhur i tërë materiali. Ishte një dosje voluminoze. I hodha një vështrim të shpejtë, duke shfletuar me nxitim faqet e shumta, sa për të krijuar një ide për këtë monografi. Herë-herë ndalesha në ndonjë faqe, ku fiksoja data, vite, ngjarje, figura të shumta historike të Çamërisë dhe Shqipërisë. . . Dhe kur nisa punën për korrektimin, kjo dëndësi ngjarjesh, figurash historike, vendesh, ishte marramëndëse apo rridhte në shtratin e historisë e vrullshme, ashtu si ujërat e lumit Kalama në stinën e shirave. Ai, siç nënvizova më lart, duke shfletuar qindra dosje të arkivave shqiptare, libra, koleksione gazetash dhe revistash, botime të autorëve grekë etj. sjell ngjarje që lidhen me historinë e Çamërisë nga viti 1800 deri në vitin1947. Figura e Musa Demit e vendosur në të gjitha momentet më të rënësishme të historisë së Çamërisë dhe Shqipërisë, por edhe të Greqisë, ndërlidh të gjitha ato, duke shpalosur kontributin e tij të madh në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, si njeri i penës dhe i pushkës, i lidhur ngushtë me atdhetarët e Paramithisë, Margëlliçit, Prevezës, Pargës, Volës, Mazerrekut, padyshim të Filatit nga ai ishte, Konispolit, Koskës etj. por edhe me personalitete të shquara në Shqipëri.
Vend të gjerë zë në këtë libër Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare në Çamëri (1940-1944). Mendoj se këtu, si askush historian që është marrë me këtë temë, bazuar në një dokumentacion të gjerë, si dhe burime nga arkivat Greke dhe botimet e historianëve të shtetit fqinj, Hajredin Isufi, krahas atmosferës së rëndë të krijuar në Çamëri para dhe pas Luftës Italo-Greke, propogandën fashiste, internimet masive nga qeveria greke të meshkujve çamë nga 17-70 vjeç, jep edhe organizimin e Lëvizjes Antifashiste në Çamëri, krijimin në fillim të janarit të vitit 1943 në Filat të Çetës Antifashiste dhe më pas, më 18 qershor 1943, të batalionit
“ Çamëria” dhe në maj të vitit 1944, në Kastanjë të Greqisë, u formua batalioni i minoritetit çam, që mori emrin e heroit të Luftës Nacionalçlirimtare, Ali Demi, që siç dëshmojnë edhe studiuesit grekë, pjesa dërrmuese e këtij batalioni ishin partizanë nga Çamëria. Me vërtetësi, jepet edhe veprimtaria e vëllezërve Mazar dhe Nuri Dino apo e Rexhep Dinos, që ranë pre e propogandës fashiste, duke iu kundërvënë qëndresës antifashiste të bijëve më të mirë të Çamërisë, që u rreshtuan në krahun e drejtë të historisë, koalicionit të madh botëror kundër bishës nazi-fashiste.
Në fund të kësaj monografie, janë 849 zëra apo referenca, si dokumente nga arkivat, botime, gazeta, revista, kujtime etj. (nga faqja 373-415). Çdo lexues i vëmendshëm, do të lodhej, nëse do të bëhej kurioz t’i shihte me vëmendje ato referenca. Vetëm nga burimet greke janë mbi 15 gazeta dhe revista të periudhave të ndryshme historike dhe mbi 20 historianë grekë, si Zotou Molottou, N.Perrevou, Niko Zhango, F.Ikonomou, H.Hristovasilis, S.Mela, S.Mouselimi, V.Krapsiti,
- Nikollaidhi, Aleksandër Livadeos, G.F.Fessopolos, P.Markezines, K.M.Lambros, Vasileos Kontes, D.Mihalopoulos, I. Sarras, G.Georgiu, N.Svoronos, etj.
Në vitin 2006, pa dritën e botimit libri tjetër i Hajredin Isufit “ Çamëria, studime historike-sociologjike shek.XIII-XX”, që për mendimin tim është nga më të arrirët e autorit. Kreu i fundi i këtij libri, rreth 50 faqe, titullohet “Jasin Sadiku-emër i njohur në historinë e Çamërisë”. Poshtë këtij titulli, me shkronja korsive, marrë nga libri i Jorgos Margaritis “ Amnepithimitoi simpatrioptes”, Athina 2005: “Më 6 dhjetor 1942 një nga figurat më të respektuara dhe më të fuqishme të Çamërisë vritet” Kur i mbarova së lexuari këto 50 faqe më shoqëroi gjatë imazhi i figurës së Jasin Sadikut, jeta e agait të Margëllëçit, atmosfera e ndezur në Çamëri, veçmas në Margëlliç, Pargë, Paramithi dhe rrethina dhe vrasja tragjike e tij. Të gjitha këto ia thashë autorit, teksa pinim kafe në një lokal përballë Muzeut Historik Kombëtar. . . Dhe pas dy a tri vitesh, Hajredin Isufi më solli një dosje, ku përsëri me makinë shkrimi ishin mbi 200 faqe të monografisë “Jasin Sadiku kapedan çam”. Punova gjatë me korrektimin e monografisë në fjalë, e cila u botua në vitin 2012, shoqëruar me parathënien e gazetarit dhe botuesit Naim Zoto. Këtu vjen më e plotë figura e Jasin Sadikut, që siç shkruan Naim Zoto”. . . një figurë pothuaj e panjohur deri para publikimit të kësaj monografie . . . Jasin Sadiku, kapedani i Margëlliçit, njeriu më me ndikim e autoritet në këtë krahinë, i cili sapo kishte finalizuar një kuvend mirëkuptimi mes shqiptarëve myslimanë e të krishterë, si edhe komunitetit Vllah të krahinës, vritet pabesisht nga një bashkëpunëtor i Napolon Zervës . . . “
Vepra tjetër “ Çamëria nëpërmjet kronikave të kohës 1902-1940” është jo një sy i historisë së Çamërisë, por mijëra sy ose rreth 380 sy kronikash dhe u përkasin rreth 60 organeve të shtypit vendas e të huaj, që kanë “regjistruar”, në bebet e tyre, si kamerat moderne Çamërinë, mbijetesën dhe dramat e saj, plagët, dhimbjet, zërat, vuajtjet e çamëve. Çamëri në zi. Letër nga Filati, Letër nga Margëlliçi, Letër nga Korfuzi. Nga Mazëreku. Nga Preveza. Letër nga Parga. Letër nga Janina. Zërat e gënjeshtrat rreth Çamërisë. Letër nga Çamëria. Lajme prej Çamërie. Deklarata të Teodoros Pangallos . . .,
Lidhur me këtë libër Prof.Shaban Sinani shkruan: Vëllimi “Çamëria nëpërmjet kronikave të kohës”, paraqet besnikërisht si kanë rrjedhur ngjarjet e si janë pasqyruar ato drejtpërdrejt në shtyp . . . Nga kronikat që autori ka mundur të mbledhë, lexuesi kupton se çeshtja çame nuk është vetëm një çeshtje martirizimi: ajo është edhe çeshtje e lëvizjes kombëtare dhe pjesë e rëndësishme e saj, edhe pjesë e kryengritjes së përgjithshme antiosmane në Shqipëri, edhe çështje ndërkufitare, edhe çështje me karakter ndërkombëtar. . . Libri i Hajredin Isufit vlen më shumë se plot teori e hartime atdhetare. Ai është libër me dëshmi të
frikshme . . . “
Nuk do të ndalem gjatë në monografinë tjetër të këtij studiuesi të palodhur “Feja dhe flamuri, Dom Nikoll Kaçorri”, botuar në vitin 2008. Kjo vepër do të ribotohet këto ditë, në kuadrin e vitit jubilar të 110 vjetorit të pavarësisë, si dhe 90 vjetorit të lindjes së autorit të saj. Ajo do të jetë më e plotë, duke shtuar mbi 50 dokumente të reja. Historianët, lexuesit shqiptar brenda dhe jashtë trojeve të Shqipërisë do kenë në duart e tyre një monografi ku: ” Studiuesi Hajredin Isufi, me një përkushtim të heshtur, ka mundur që të rikthejë me dinjitet në dritën e kërkimit shkencor një personalitet, që e ka shkruar me veprim historinë e vet”
( Prof.Dr.Shaban Sinani).
Të jetosh me Çamërinë
Më 25 dhjetor të këtij viti Hajredin Isufi mbush 90 vjeç. Ai, si shumë çamër që kanë lindur përtej Qafës së Botës, por që tani janë madhuar në “botën” e Shqipërisë, rrugëtojnë me sytë e mëndjes, edhe në një realitet tjetër, që është Çamëria. Hajredin Isufi kthehet e rikthehet në fshatin e tij të lindjes, Rrëzanjin. Si në mitet e lashta thesprote, ku jeta dhe vdekja, shpirti dhe kurmi, herë ndahen dhe herë bashkohen ose ringjallen të parët e tu dhe ti mund të flasësh me hijet e tyre. Kështu ndodh edhe me Hajredinin. Deti, që ai nuk e ka larg nga shtëpia në plazh të Durrësit, “ku ka ngritur Çamërinë e tij të vogël”, i sjell aromat e vendlindjes (thonë që janë si aromat e nënës), ndërsa ëndrrat e çojnë larg, qindra kilometra larg. Ai kinse fle, por shpirti shkëputet, kapërcen nëntë male, nëntë fusha e nëntë lumenj, shkon në Rrëzanj, çmallet për t’u kthyer në agim e për t’iu bashkuar trupit.
Ai më ka rrëfyer shpesh rrugëtimin e tij për në Çamëri në vitin 1989. Një pjesë të këtyre rrëfimeve, nga më të bukurat, do t’i gjeni në librin “ Çamëria, studime historike-socialogjike shek.XIII-XX”. Kur i lexon këto rrëfime, duket sikur Hajredin Isufi ka shkuar në Çamëri edhe si misionar, që pas 45 vitesh, kërkon të ringjallë miqësitë e vjetra mes çamëve myslimanë dhe të krishterëve dhe për t’i thënë opinionit të shëndoshë në Greqinë fqinje, se kemi nevojë për këto kumte apo kode mirëkuptimi . . .
Në vitin 1988, pra një vit para se Hajredini të shkonte në Çamëri, Eleni, e shoqja e Strati Vrisit, niset enkas nga Grikohori për të vizituar familjen e Xheviz Isufit, shkruan ai. Takimi me të ishte shumë prekës. Pas dyzet e ca vitesh, Eleni, e shoqja e mikut tonë të shtrenjtë, ndodhej mes nesh . . . Babai im i mirë e fisnik nuk ishte më. Edhe Stratiu kishte vdekur. Por ata kishin lënë të ndezur një miqësi të përjetshme, që nuk do ta shuante kurrë asnjë kohë.
Bukur e ka përshkruar ai Rrëzanjin, kur ka shkuar për herë të parë atje. Kur shkova si vizitor me gruan time në Çamëri, së bashku me pjesëtarë të familjes Vrisi, shkuam edhe në fshatin Rrëzanj dhe aty pamë gërmadhat e shtëpisë, por edhe konizmën e vogël. Me thënë të vërtetën shtëpia që ishte kthyer në gërmadha, ku kisha kaluar fëmijërinë time dhe në të kisha përjetuar ngjarje, që s’do më hiqen nga kujtesa sa të kem jetën, nuk m’u dhimb shumë. Ajo një ditë do të bëhet prapë edhe më e mirë. Ajo që më gëzoi ishte përjetësimi që i kishte bërë shtëpisë dhe njerëzve të saj, i paharruari ynë Strati Vrisi.
Ky është njeriu dhe historiani i palodhur i Çamërisë. Ky është çami levend, që në moshën 90 vjeçare, vazhdon të punojë me të njejtin pasion dhe përkushtim dhe që në trupin e tij “të hollë e të gjatë” dhe sytë melankolikë e të zgjuar, fsheh energji të pashtershme.
Tiranë,dhjetor 2022

Keto shkrime e kujtime te japin nje ide te qarte Qe ne Shqiperi ka patur njerez qe kane qene dijetare
Kemi historiane te palodhur nga Cameria,Kemi tregetare shume te shkathet nga Cameria.
Kemi shume bufetjere,kamarjere,magazinjere me tradite BANAKU,nga Cameria,,por
Nuk kemi Came te gatshem te shkojne te vdesin per Camerine.
Enver,duke four per kete njeri te jashtzakoshem, pashe edhe copeza te historise se Camerise, kaq e rralle ne historine europiane. Krenare dhe e dhimbshme kjo histori.