Gazeta DitaGazeta DitaGazeta Dita
Njoftime Shfleto më tepër
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Duke lexuar: Ja pse dhe si për negociatat vendos Këshilli Europian
Shpërndaje
Gazeta DitaGazeta Dita
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Kerko
  • Kreu
  • Lajmi i fundit
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Analiza
  • Politike
  • Ekonomi
  • Kronike
  • Opinion
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Bote
  • Sport
  • Dita TV
  • Lifestyle
  • Enciklopedi
  • Europa/Analize
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Komunitet
  • Kopertina
  • Kulture
  • Kuriozitete
  • Metropol
  • Shendetesi
  • Teknologji
  • Telebingo
  • Televizion
  • RRETH NESH
Sign In
Na ndiqni
Gazeta Dita > Blog > Lajmi i fundit > Ja pse dhe si për negociatat vendos Këshilli Europian
Lajmi i funditopinion

Ja pse dhe si për negociatat vendos Këshilli Europian

Published: May 29, 2026
Shpërndaje

DR. JORGJI KOTE

Odiseja  4 mujore dhe miratimi me shumë vështirësi më 21 Maj i Raportit të Piketave të Ndërmjetme të Komisionit Europian për Shqipërinë (IBAR) nga Këshilli i BE-së dhe konkretisht COELA dhe COREPER, dy strukturat e 27 Vendeve Anëtare deri te Konferenca e 8-të Ndërqeveritare me BE-në më 26 Maj në Bruksel dëshmoi edhe njëherë qartë se forumi më i lartë politik që vendos mbi Komisionin dhe mbi të gjitha institucionet e tjera të BE-së është Këshilli Europian me të 27 Vendet Anëtare.

Ndërsa Komisioni Europian i pompuar me shumë bujë nga  ana jonë është vetëm teknik dhe propozues / rekomandues. Ndaj, ndryshe nga disa muaj më parë, epërsinë absolute të Këshillit Europian si “ kati i dytë” në Bruksel e ka pranuar kohët e fundit edhe vetë Kryeministri Rama; ndonëse këtë e ka bërë më shumë “ nga halli se nga malli”për të justifikuar vonesat dhe telashet me negociatat, prapë kjo është pozitive kundrejt pozicioneve të mëparshme të gabuara të fetishizimit deri në “ shenjtërim” të Komisionit Europian, megjithë rëndësinë e tij të  pamohueshme.

- Publicitet -

Ndonëse akronim pothuajse i panjohur deri muajt e fundit, COELA, ose Grupi i Punës i Këshillit të BE-së për Zgjerimin dhe vendet kandidate “ i bëri zbor” Komisionit Europian dhe nëpërmjet tij edhe vendit tonë, duke e kaluar vërtet “ në vrimë të gjilpërës” dhe duke e përmbysur pothuajse tërësisht IBAR-in e tij të muajit shkurt; për pasojë, pozicioni i përbashkët i BE-së, i paraqitur në Konferencën e Tetë Ndërqeveritare BE-Shqipëri më 26 Maj në Bruksel është shumë më kritik, pa eufemizmat dhe euforizmat e zakonshme të Komisionit, madje me 32  kushte, kritere dhe kërkesa  të reja përmbyllëse shumë më të forta. Ca më tepër se COELA do ta rihapë sërish Grup Kapitullin “ Themeloret” ku janë edhe të famshmit  23/24  pas mbylljes së pesë grupkapitujve të tjerë, përpara se të kalohet më tej.

Për të gjithë ata që e njohin BE-në, në teori dhe në praktikë, ku bën pjesë edhe autori i këtyre radhëve, që krahas të tjerash në çerek shekullin e ka punuar 15 vjet si diplomat në Bruksel dhe në Berlin mbi këto tematika ishte vërtet e çuditshme dhe e pashpjegueshme se si liderët tanë  qeveritarë në prononcimet e tyre deri tani vonë e hyjnizonin  Komisionin Europian dhe drejtuesit e tyre lidhur me negociatat e  anëtarësimit.

A thua se  Shqipëria do të anëtarësohet në Komision dhe jo në Bashkimin Europian! Dhe këtu argumenti kryesor dhe i padiskutueshëm që jepej ishte se Komisioni Europian ka ekspertizën më të mirë dhe absolute!

Po, është e vërtetë që Komisioni shquhet për ekspertizën e një  niveli shumë të lartë, çka e mundëson të paraqesë propozime të mirëargumentuara teknikisht. Mirëpo, edhe vendet anëtare kanë ekspertë të shumtë në numër dhe po aq, në mos dhe më të mirë teknikë dhe politikë se Komisioni Europian, sidomos kur vjen fjala për vendet e tyre. Madje, dihet se një pjesë e madhe e zyrtarëve të Komisionit Europian dërgohen prej tyre.

Padyshim që vlerësimi pozitiv i Komisionit Evropian është i domosdoshëm për hapat dhe arritjet tona për plotësimin e kushteve dhe reformave të njohura. Ai përbën bazën fillestare të procesit, por vetëm aq. Sepse, siç u përmend edhe më lart, Komisioni bën vetëm  Rekomandim, dmth propozim TEKNIK në Bruksel, të cilin e kthen në vendim POLITIK vetëm Këshilli Europian ose Vendet Anëtare. Dihet se ai ka refuzuar disa herë propozimet e Komisionit për çeljen e negociatave me ne.

Për ta qartësuar këtë aspekt, le të hedhim një vështrim në instancat dhe strukturat europiane në Vendet Anëtare, si në formatin e kryeqyteteve ashtu dhe të Brukselit.

Këtu ka rëndëi të rikujtojmë se  BE-ja u krijua më 25 Mars 1957 në Romë, si bashkim vullnetar i  6  vendeve të para – Gjermania, Franca, Italia, Holanda, Belgjika dhe Luksemburgu;  më vonë u zgjerua derisa në ditët e sotme numëron 27 vende. Vendet Anëtare përbëjnë atë që njihet si Këshilli i BE-së, të cilin aktualisht e kryeson ish Kryeministri portugez, Antonio Costa; siç dihet, më 2 Qershor ai do të jetë për vizitë në vendin tonë në kuadrin e turit të tij Ballkanik dhe kryesimit të Samitit BE- Ballkani Perendimor më 5 Qershor në Tivat, Mali i Zi.  Vetëm më vonë, 6 vendet anëtare ranë dakord dhe krijuan Komisionin, Parlamentin dhe vitet e fundit Shërbimin e Jashtëm Evropian, si institucione në shërbim dhe vartësi të tyre. Këshilli me liderët e 27 Vendeve Anëtare përbën majën e piramidës institucionale të BE-së. Madje, ata zgjedhin çdo pesë vjet edhe drejtuesit më të lartë të Komisionit, nga Von der Leyen te Marta Kos, Parlamentit dhe Shërbimit të Jashtëm Europian.

Vendet Anëtare të BE-së kanë në kryeqytetet e tyre strukturat europiane mbikqyrëse në të gjitha nivelet dhe formatet, politike, qeveritare, parlamentare dhe diplomatike, civile dhe kërkimore-shkencore. Më konkretisht, pranë  Ministrive të Jashtme kanë sektorë, drejtori dhe drejtori të përgjithshme të BE-së, me ekspertë të kualifikuar që drejtohen nga Ministri i Shtetit për Europën dhe ai i Jashtëm. Këto struktura ndjekin përditë zhvillimet në BE dhe në vendet kandidate, bëjnë analiza tërësore, marrin të dhëna dhe studime nga ambasadat e tyre jashtë vendit, dhe nga disa institute/think tanke të mirënjohura europiane; mbi këtë bazë, ato u japin udhëzime dikastereve të tjera dhe sidomos shërbimeve të tyre diplomatike në Bruksel dhe në vendet kandidate lidhur me vendimet që do të mirren atje. Gjithashtu MPJ-të në secilin vend kanë drejtorët politikë, të cilët përbëjnë forumin prestigjioz  “ Formati i kryeqytetit” që mblidhen herë pas here në Bruksel. Drejtori të tilla të specializuara që ndjekin problemet e BE-së kanë edhe dikasteret e tjera.

Po ashtu, Parlamentet në kryeqytetet e BE-së  kanë strukturat përkatëse që mbulojnë tematikat europiane dhe të Dërguar të Posaçëm për Zgjerimin Europian. Kështu,  Ministri i sotëm i Jashtëm dhe ai i Europës në Berlin, përkatësisht Johan Vandephul dhe Gunther Krichbaum para disa viteve ishin Raporterët e Bundestagut për vendin tonë; madje  ata propozuan edhe nëntë kushtet për çeljen e negociatave të anëtarësimit me vendin tonë. Gjithashtu vendet anëtare kanë edhe shumë Eurodeputetë në Parlamentin Europian me të cilët bashkëpunojnë ngushtë. Po ashtu, edhe atje ka disa institute kërkimore dhe think tanke prestigjioze për zgjerimin dhe për Ballkanin Perendimor.

Këto struktura të specializuara në kryeqytetet e tyre komunikojnë çdo ditë me Përfaqësitë e Përhershme Diplomatike pranë BE-së në Bruksel që drejtohen nga Ambasadorë tejet të fuqishëm dhe personalitete në fushën e BE-së. Këto përfaqësi kanë secila  mbi 200 diplomatë dhe ekspertë të cilët mbulojnë të gjitha fushat e BE-së, sidomos politikën e jashtme dhe të sigurisë, drejtësinë, sigurinë, mbrojtjen, financat, etj. Diplomatët e tyre janë të angazhuar çdo ditë në takime të shumta të forumeve përkatëse me emra të ndryshëm, duke përfshirë COËEB dhe COELA.

Këta Ambasadorë veprojnë sipas udhëzimeve që  u dërgojnë atyre rregullisht drejtuesit e lartë të Ministritë e Jashtme të 27 vendeve anëtare.

Struktura më e lartë politike e vendeve anëtare në Bruksel  njihet me emrin  COREPER ose në shqip ‘Komiteti i Përhershëm i Përfaqësuesve të Përhershëm të Vendeve Anëtare të BE-së”.  COREPER  shqyrton të gjitha propozimet e grupeve të ndryshme të punës dhe përgatit projekt-vendimet për Takimet e forumit të dytë më të lartë  në Bruksel, Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme( GAC) që përbëhët nga  Ministrat e Jashtëm dhe të Europës. GAC është forumi i dytë më i lartë i BE-së, pas Samitit të BE-së, ose Këshillit Europian, i përbërë nga Presidentët/ Kryeministrat e 27 vendeve anëtare, si forumi më i lartë dhe  fuqiplotë i BE-së.

Më tej, në rastin e rajonit tonë dhe të negociatave të anëtarësimit, ka dy forume me emër që janë pjesë e Këshillit të BE-së me seli në Bruksel: COWEB ose Grupi i Punës për Ballkanin Perendimor. Ai diskuton të gjitha problemet që lidhen me rajonin tonë, përfshirë nismat e ndryshme të BE-së dhe ato rajonale. Me përjashtim të  negociatave të anëtarësimit, të cilat nga viti 2007 e tutje trajtohen nga një forum tjetër që është bërë i njohur javët e fundit për ne me emrin tingëllues COELA ose Grupi i Punës i Zgjerimit dhe vendeve Kanidate për në BE.

COWEB dhe COELA përbëhen nga këshilltarë diplomatikë të Përfaqësive të Përhershme Diplomatike pranë BE-së në Bruksel, të cilët kanë përvojë dhe ekspertizë të posaçme në problemet e zgjerimit të BE-së dhe të vendeve të rajonit tonë. COELA mblidhet dy herë në javë me praninë edhe të zyrtarëve të Komisionit dhe të Këshillit Europian. Ata veprojnë sipas porosive të shefave të tyre në Bruksel, mbi bazën e udhëzimeve që u vijnë nga qendrat në kryeqytetet e tyre.

Faktikisht, në takimet e  COELA-s dhe COREPER që zhvillohen jashtë bujës dhe zhurmës mediatike skanohen të gjitha “ të palarat” dhe hapen të gjitha defterët.

Kështu ndodhi edhe  5 muajt e fundit në Bruksel në takimet e COELA-s për të analizuar IBARIN shqiptar. IBAR është shkurtimi në anglisht i “ Interim Benchmark Assessment Report” në shqip “ Raporti i Vlerësimit të Piketave të Ndërmjetme” të negociatave për anëtarësimin në BE. Këtë raport e përgatit Komisioni Europian, ku paraqet piketat e ndërmjetme/përkohshme për Grup Kapitullin më rëndësishëm  “ Themeloret” të negociatave, arritjet, anët pozitive, si edhe problematikat, vështirësitë dhe mosarritjet;  mbi këtë bazë, Komisioni Europian i propozon Vendeve Anëtare të BE-së shqyrtimin për miratim të IBAR-it. Ky është një element i ri që u shtua në 5 vitet e fundit pas miratimit të strategjisë së re të zgjerimit Europian. Ai u zbatua për herë të parë  në Qershor 2024 dhe përfundimisht në Mars të këtij viti, duke u  miratuar pa asnjë problem me Malin e Zi dhe duke i çelur kësisoj rrugën mbylljes së negociatave dhe Traktatit të anëtarësimit të tij në BE,  ndoshta brenda vitit 2028.

IBAR i nënshtrohet shqyrtimit te COELA-s dhe COREPER-it vetëm për këtë grup kapitull, nisur nga rëndësia e tij jetike për gjithë procesin e negociatave.  Ai konsiderohet si ADN-ja e BE-së mbasi përfaqëson thelbin dhe shtyllën kurrizore të korpusit ligjor të BE-së – shtetin e të drejtës, pavarësinë e gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë së zyrtarëve më të lartë shtetërorë. Ndërsa për ne ato konsiderohen si “ Thembra e Akilit” për shkak të problematikave tejet të nxehta dhe të njohura që kemi në këto fusha dhe sidomos në atë të pandëshkueshmërisë së zyrtare më të lartë shtetërorë dhe pavarësisë së gjyqësorit, etj.  Kjo ishte edhe arsyeja pse në takimet e shpeshta të COELA-s, Komisioni Europian u “bombardua”  me pyetje, dyshime dhe kërkesa për sqarime.

Në përfundim të procedurave dhe forumeve të lartpërmendura, Këshilli Europian, dmth të 27 liderët e vendeve anëtare i venë “vulën” një projekt vendimi të caktuar, në rastin tonë përfundimit të negociatave në samitet e tyre zyrtare që mblidhen 4 herë në vit.  Pra, Këshilli është padyshim në çdo aspekt mbi Komisionin Europian.

Së fundi, duke patur forume dhe struktura të tilla analizuese, vlerësuese dhe vendimmarrëse të nivelit ndërqeveritar në kryeqytetet e 27 Vendeve Anëtare ( Këshilli) të kombinuara me aspektin supranacional (Komisioni) në Bruksel, ose formatin teknik me atë politik, Vendet Anëtare e njohin gjendjen e përgjithshme në një vend “ me dhëmbë dhe dhëmballë”  dhe shumë më mirë se Komisioni Europian.

Shpërndaje këtë artikull
Facebook Email Printo
7 Comments
  • xhaxhi moderatori says:
    May 29, 2026 at 9:37 pm

    Dmth Ramen e ka shpall Tellalli,po nuk ka vulos i Zoti.Tellallja eshte Kosi.Asaj i dridhen xhamat dopio,kur sheh Ramen.

    Reply
  • E Koços says:
    May 30, 2026 at 5:10 am

    Po ce o tani e more vesh ti qe eshte Keshilli qe vendos ??
    Te me kishe marre ne cel e ta tregoja une, sa te lodheshe duke shkruar gjithe kete çarçaf dopio

    Reply
  • Detari says:
    May 30, 2026 at 7:31 am

    skiptaret kane memorie peshku, e harruan mogherinin qe u be me pasuri fale qeverise kriminale islamike te ramazonit, tani eshte rradha e Koses

    Reply
  • K O R C A says:
    May 30, 2026 at 7:21 pm

    BE ja eshte nje konglomerat burokratik aq i koklavititur , sa nuk ja gjejne dot anan as vete . Kete e di shume mire muzhiku i Moskes qe tall b**** me ta dhe ndihet i sigurte se vetem per vetem me Europen Ai mbaron pune per me pak se nje jave !

    Reply
    • Remo says:
      May 31, 2026 at 6:22 am

      Me aq sa di, ai “muzhiku” nuk ka bere ndonjehere kerkese per antaresim ne kete organizem, o as vete Europa s’ka dashur t’i afrohet Rusise duke ushqyer perhere armiqesi te kote me pasoja qe po i vuan nje popull tjeter tashme, Ukrahina per llogari te nje tjetri matane oqeanit. A nuk do te ishte me mire qe te ndiqnin nje rruge tjeter ne vend te konfrontimit sic kane bere edhe ne te kaluaren? Besoj s’e po. Rusia ka nevoje per Europen, e me se shumti per teknologjine, dhe kjo e fundit, ka nevoje per resurset e pafundme qe zoteron Rusia, cka do ta bente kontinentin tone, nje superfuqi dhe nje vend te begate, por ja qe disa burokrate dhe disa luftenxites nuk duan keshtu, e me shume se kaq, nuk i initereson atij pertej oqeanit qe vetem hap fronte lufte dhe refugjatet i’a perplas Europes. Po ashtu, ka vendosur ta falimentoje fare me nderprerjen e gazit nga Rusia, dhe t’i shese ate te sajin me nje cmim trefish me te larte, e me keq akoma, ta shtyje drejte nje militarizimi katastrofik. Tashme Europa, duhet t’i ulet ne gjunje Zheles se superkorruptuar gje qe e dinin, ashtu sic dinin mire se nuk mund ta fitonte ate lufte. Ndoshta polaket kane pasur enderra qe me “shperberjen” e federates ruse(kujtojme ketu shkrimet e Bugajskit dhe te ambasadorit “te shquar ” si pararoje e neo-otomanizmit ne keto troje, Murat Shabes) do te krijonin perandorine e madhe te tyre edhe mbi hirin e Ukraines, po ja qe gjerat nuk shkuan keshtu. Ukrainasit vertete rezistuan dhe ate po bejne, po ruset, nuk kane per t’i larguar kurre nga ato territore qe kane pushtuar pare kjo edhe nga braktisja amerikane, gje qe kane bere edhe ne vende te tjera…Rusia, nuk ka qene kurre demokraci, Putin eshte nje diktator e kete edini mire, po mbas 90-es, kur ata nuk perbenin kercenim, Europa ka pasur mundesi ta tereheqe prane vetes, nuk e ka bere se nuk e ka dashur tutori i saj, Daj Sami…po Europa more K O R C A R, i lepihet nje tjetri diktator, atij Islamikut Erdogen qe gjoja ka kerkuar t’i bashkohet asaj sic bejne edhe satelitet e tij ne ballkan, Kosove e Shqiperi, me nje dore ne kadaif e nje ne revani, o KORCARI Turcelli. Po kesaj c’ti themi mo?

      Reply
  • Ilmi Mancaj says:
    May 31, 2026 at 12:14 am

    Dmth Komisioni Europian eshte “Qeveria” e Europes, ndersa shtetet anetare jane pjese e Keshillit te Europes. Njesoj si qeveria e Tiranes te marre nje vendim, por e kundershton rrethi Skraparit! Tani se fundi doli dhe COLERA qe del mbi Komisionin Europian! I bukur bashkim! Kjo COLERA eshte krijuar vetem per Ballanin Perndimor( pa Kroacine dhe Sllovenine)

    Reply
    • Remo says:
      May 31, 2026 at 5:37 am

      Ai ballkani “perendimor” vetem ne letra quhet i tille, me sakte te themi gjeografikisht sepse ne mentalitet, eshte komplet oriental o Hilmi. Eshte pasoje e COLERES Osmane, pa Kroacine dhe Sllovenine sigurisht qe kane qene gjithmone pjese e asaj Europe ,mbasi, perpara se te formonin Jugosllavine, kane qene pjese e perandorise Augsburge

      Reply

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Lajmi i Fundit

  • 06 qershor 2026
  • Guacka e Zvërnecit
  • Rama: Edhe sikur 500 mijë të mblidhen në shesh, nuk tërhiqem (çfarë i tha gazetari italian)
  • Rreth 200 milionë euro për Zvërnecin, nga vëllezërit sirianë, drejt llogarive të Artur Shehut
  • Ata të rinj që janë në shesh…

Komentet e Fundit

  1. ¿? on Nga Partia Socialiste te Partia e Resorteve
  2. demo on A po e sjell Zvërneci fundin e tranzicionit shqiptar?
  3. Cen Durimadhi on E fshehu në emër të Igli Tares, SPAK sekuestron një nga vilat e Ballukut në Dhërmi
  4. TRENI on Rama “ndërron armikun e jashtëm”, heq dorë nga grekët: Pas protestës në Tiranë janë iranianët!
  5. capi on Rama “ndërron armikun e jashtëm”, heq dorë nga grekët: Pas protestës në Tiranë janë iranianët!

Kategori

Rreth nesh

E përditshme e Analizës dhe e Informacionit. Numri i parë, 1 nëntor 2012. Botohet nga "Publikime Shqiptare". Kryeredaktor Adrian Thano. Zyra e Botuesit: Rogner Hotel, Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", Tiranë

Merr te rejat më të fundit

Ndiqni Gazeta Dita duke vendosur emailin tuaj më poshtë dhe do të njoftoheni për të rejat më të fundit

[mc4wp_form]

Gazeta DitaGazeta Dita
© Copyright Gazeta Dita 2012. Të gjitha të drejtat e rezervuara



Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?