DR. JORGJI KOTE
Kjo thirje tingëllon më fort se kurrë pikërisht sot, 65 vite pas asaj të diele të datës 13 Gusht, kur akrepi e sahatit shënonte orën 01:54, me qindra punëtorë dhe forca të ushtrisë filluan ndërtimin e Murit famëkeq të Berlinit. Pavarësisht nga zhvillimet e shumta, tronditëse dhe zhgënjyese që vijuan pas shembjes së tij më 9 Nëntor 1989, kur ngritja e mureve me lloj lloj emrash po bëhet sërish modë, ajo ditë ka hyrë për keq në histori.
Sepse Muri i Berlinit ishte shumë më tepër se sa tregon emri. Ai ishte impiant gjigand ndarës dhe vdekjeprurës 156 km; përbëhej nga katër breza; i parë 4 m i lartë me beton dhe tela me gjemba; brezi i dytë ose « zona e vdekjes » futej në 80 – 100 m thellësi dhe kushdo shkelte aty kapej gjallë ose e zinte korenti elektrik; brezi i tretë ishte me transhe ndërsa i katërti ishte trase e pakalueshme. Muri vrojtohej në gjithë gjatësinë nëpërmjet 302 kullave vrojtuese, nga të cilat ishin 32 në Berlin.
Vërtet që ai Mur kufizoi ndjeshëm arratisjen e gjermanolindorëve drejt perëndimit, por megjithatë ai rezultoi një katastrofë e vërtetë për imazhin e lindjes komuniste. Duke i treguar gjithë botës dështimin e ” socializmit lindor” përballë suksesit të bujshëm gjermanoperendimor me mrekullinë e tij ekonomike dhe shtetin social.
Ndërtimi dhe shembja e këtij Muri famëkeq me shumë ngjarje intriguese janë përshkruar në qindra libra, poezi dhe filma artistikë kudo në botë, edhe në vendin tonë, përfshirë autorin e këtyre radhëve me shumë shkrime dhe librin ” Berlini pa Mure” të botuar në vitin 2009, me rastin e 20 Vjetorit të rrëzimit të tij.
Ndaj, këtu po ndalemi në efektet e Murit të Berlinit, kundërshtimin ë të dy anët e Berlinit dhe tentativat e shumta për sfidimin dhe kapërcimin e tij vërtet heroik.
Gjatë 28 viteve të ekzistencëssë tij, Murin e kapërcyen me mijra vetë; por 134 prej tyre ishin të pafat mbasi u vranë në përpjekjet e tyre në kërkim të lirisë. Dëshmori i parë i Murit, Peter Fechter u vra më 17 Gusht 1962 në rrugën “Bernauer Strasse”; pikërisht aty ku sot ndodhet Memoriali i Murit, ku çdo vit zhvillohen homazhe në ditën e ngritjes dhe shembjes së Murit. Dëshmori i fundit i Murit ishte 20 vjeçari Christian Gueffroy i cili ra diku pranë qendrës së Berlinit më 5 shkurt 1989.
Ndërkohë, kapërcyesi i parë i Murit të Berlinit ishte roja kufitare në pjesën lindore të Berlinit, 19 vjeçari Hans Conrad Schumman. Më 15 Gusht 1961, dy ditë pas ngritjes së Murit, midis rrugës « Ruppiner dhe Bernauer Strasse » pranë qendrës së Berlinit, Schumman i kapërceu me guxim telat me gjëmba i inkurajuar nga thirjet e vazhdueshme që i vinin nga pjesa perendimore e Berlinit « hajde këtu, hajde këtu! » i ndihmuar edhe nga një makinë policie patrullimi e RFGJ-së. Fotoja e tij e fotografit të ri Peter Leibing e shkrepur me një aparat « Exact » u botua te ”BILD” dhe bëri « xhiron e botës». Schumman u indinjua së tepërmi kur mësoi se një vajzë të vogël që kishte shkuar te gjyshërit e saj në pjesën lindore nuk e lejuan të kthehej te familja e saj. Megjithë peripecitë e shumta të jetës, ai i qëndroi besnik pohimit të tij se «vetëm kur kapërceva Murin jeta ime u bë plotësisht e lirë”.
Rasti i dytë por me fund të lumtur ndodhi pikërisht më 13 Gusht 1961; kur dy vajza 15 vjeçare gjermane, shoqe shkolle në gjimnaz u afruan njera tjetrës dhe shtrënguan duart në formën e një lamtumire mbi murin që po i ndante si shumë e shumë të tjera. Ato ishin Kriemhild Meyer dhe Rosemarie Badaczevski. Kjo e dyta e kishte apartamentin në një godinë shumëkatëshe me ballkon nga pjesa perendimore; sipas planit të babait të saj që kishte shkuar në pjesën perëndimore, ajo rrëshqiti poshtë ballkonit me litar më 19 Gusht 1961. Kriemhild mbeti në lindje por u largua më vonë në perëndim. Ai takim ato ditë bëri bujë të madhe. Fotoja e tyre kishte dekada që qëndronte në Muzeun ‘Treptow‘ në Berlinin LIndor. Muzeu kishte bërë shumë përpjekje për t’i gjetur dhe për t’i bashkuar të dyja për një çast simbolik dhe për publikun. Më në fund, “zonjushat e Murit” u gjetën një e nga një në distance kohore, sepse Kriemhild banonte në Zvicër ku punonte si dekoratore; ndërsa Rosemaria jetonte afër Hamburgut, ku ishte sekretare në një universitet.
Më 15 Qershor 2019 këto dy shoqe u ritakuan pas 58 vitesh në katin e tretë të Muzeut në Treptow, aty ku janë të ekspozuara dhe fotot e tyre. Ai takim dhe fotoja pranë fragmentit të Murit në të njëjtin vend ku ato u ndanë 58 vite më parë në Harzer Strasse në kufirin midis lagjeve Treptower dhe Neukëln, “ pushtoi” faqet e para të shtypit dhe kronikat televizive gjermane të atyre ditëve dhe në vazhdim.
Ndërkohë, qysh gjatë ndërtimit të Murit, shumë berlinezë në të dy anët e qytetit ndihmuan me të gjitha mjetet ata që donin të arratiseshin në Berlinin Perëndimor.
Një ndër më të shquarit e tyre ishte Hasso Herschel, i cili u nda nga jeta në muajin qershor në moshën 91 vjeçare. Herschel ishte nga Dresdeni i dënuar me burgim disa vite, por kaloi me një pasaportë fallco në perëndim dhe prej andej ndihmoi edhe të tjerë për t’i shpëtuar tiranisë së kuqe. Bashkë me shokë të tjerë ai hapi tre tunele poshtë Murit të Berlinit. Kështu, gjatë vitit 1962, vetëm përmes “Tuneli 29“ kaluan në perëndim 29 vetë, midis tyre edhe motra e Herschel.
Ky tunel ishte vepër e vërtetë arti. Ai u bë edhe film me titullin “Tuneli“, ku dokumentohet ikja dramatike nëpërmjet tij.Herschel vlerësohet si aktivisti anti-mur, i cili ka ndihmuar më shumë se kushdo tjetër në kapërcimin e Murit; mendohet se ai ka ndihmuar rreth 1000 vetë.
Ngritja e Murit të Berlinit zhgënjeu dhe tronditi thellë jo vetëm berlinezët por gjithë botën perëndimore; për një çast u duk sikur ëndra e madhe e ribashkimit gjerman po shuhej. Por përtej Atlantikut ndriçonte një dritë e madhe shprese. Presidenti mitik Kenedi fluturoi drejt Berlinit më 26 Qershor 1963 me premtimin monumental për mbrojtjen e vlerave të demokracisë, të solidaritetit dhe të ribashkimit. I shprehu këto mesazhe me shumë emocione me oratorinë e tij të pashoqe, pikërisht aty, pranë Murit. Berlini oshëtiu atë ditë nga brohoritjet entusiazte “ Kenedi, Kenedi”!
Me fjalimin e tij historik me vetëm 685 fjalë, mes egzaltimit të gjysëm milionë berlinezë perendimorë të pranishëm, që nisi dhe u mbyll me deklarimin lapidar në gjermanisht “Jam Berlinez”(Ich bin ein Berliner) Kenedi i thuri himnin madhështor Berlinit të ardhshëm të Europës së Ribashkuar të etur për liri, paqe dhe demokraci.
Vizionin, ëndrën dhe premtimin e “Berlinezit” të madh amerikan e realizuan pasardhësit e tij dhe Presidenti Reagan, kur më 12 Qershor 1987, nga Portat e Brandenburgut i lëshoi thirjen kushtrim Gorbaçovit për ta shembur atë Mur dhe për t’i hapur ato porta; në vijim, me hapat dhe vendimet e tyre epokale ishin “të mëdhenjtë” e botës – Bush, Thatcher, Kohl, Mitteran dhe Gorbaçhov që më 9 Nëntor 1989 çuan në shembjen e Murit të zi me rrjedhojat tashmë të njohura.
Për fat të keq, ngritja e mureve dhe barrierave ndarëse, edhe pse ndoshta jo tërësisht me fizioniminë dhe synimin e Berlinit vazhdon edhe sot kudo në botë.
Kështu, në vitin 2003 Izraeli ndërtoi murin 708 km që lidh Palestinën me Bregun Perendimor të Lumit Jordan, pesë herë më i gjatë se ai i Berlinit. Ashtu si Honekeri dikur Murin e Berlinit, edhe në Tel Aviv atë e quajnë atë “barrierë/korridor sigurie“ demek për të mbrojtur popullsinë nga sulmet dhe kamikazët palestinezë. Ndërsa palestinezët e quajnë «mur i turpit dhe i apart‘heidit» Edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e konsideron atë« Mur » ndërsa OKB-ja e ka dënuar me rezolutë.
Më 8 Nëntor 2014, me rastin e 25 vjetorit të rënies së Murit të Berlinit dhe më vonë, një grup palestinezësh në fshatin Bir Nabah hapën aty simbolikisht disa vrima dhe ngritën flamurin palestinez me mesazhin se ai do të bjerë një ditë si në Berlin.
Si të mos mjaftonte me aq, këto muajt e fundit, Izreli po ndërton një mur tjetër betoni 43 km të gjatë shumë pranë “Vijës së gjelbër dhe vijës së verdhë”. Nëpërmjet tij, Izraeli do të depërtojë në 63 për qind të territorit palestinez, nga 50 për qind tani, me synim të zotërimit të përhershëm të atij territori.
Mure të rinj po ngrihen edhe në Ballkan. Madje në Mitrovicë Ura mbi lumin Ibër, vepër arti e financuar nga BE-ja deri tani vonë ka luajtur rolin e një Muri të pakalueshëm; duke e ndarë Mitrovicën në dy qytete; serbët në veri dhe shqiptarët e Kosovës në jug, me dy gjuhë dhe dy monedha, me dy kryetarë bashkie dhe dy kënde lojrash për fëmijë! Por më në fund kemi lajmin e mirë se KFOR-i do të fillojë së shpejti tërheqjen e trupave dhe kësisoj pritet që Ura të funksionojë. Madje, Kryministri Kurti ka njoftuar këto ditë edhe ndërtimin e një ure tjetër mbi Ibër.
Ndryshe nga sa pritej, edhe në Shqipëri vitet e fundit qeveria në vend te urave, po ndërton mure dhe gardhe ndarës dhe mbrojtës, por të krimit dhe korrupsionit.
Vetë Kryeministri Rama sapo ka shpallur “tenderin“ për ngritjen e një muri ndarës edhe me BESEN, tradita më e shenjtë shqiptare, midis atyre që kanë votuar dhe atyre që ngrejnë zërin kundër tij dhe PS-së. Edhe pse kudo në Europën demokratike, çdo kryeministër kur fiton zgjedhjet premton publikisht se do t’u shërbejë njëlloj edhe atyre që nuk kanë votuar për të dhe partinë e tij! Në këtë linjë po ngrihet një mur i ri i lartë ndarës midis demek 800.000 qytetarëve që kanë votuar për atë vjet dhe atyre qindra mijra protestuesve, qofshin ata edhe 2 milion vetë, siç është shprehur me gojën e vet. Ca më keq akoma, këtë mur turpi e ka shpallur edhe brenda protestuesve, duke i ndarë në flamingo, sorra dhe korba!
Në çdo vend tjetër demokratik, Kryeministri do të ishte dorëhequr me të mirë vetëm për këtë etiketim të shtetasve të vet, të cilët janë thjesht shqiptarë! Me këtë logjikë të mbrapsht, Rama po vendos gardhe dhe mure administrativë dhe moralë midis bashkëatdhetarëve nga Tetova dhe Kosova dhe rzevat e tjera që vijnë të protestojnë kundër tij; ndoshta habitet, por harron se Shqipëria është për të gjithë shteti amë!
Muajt e fundit ka ngritur edhe Murin integrues me pohimin diskriminues se vetëm ai dhe PS-ja do ta shpien vendin në Bruksel; edhe pse flamurin atje dhe në Strasburg e ka ngritur me kohë PD-ja, por ndryshe nga PS-ja në konsensus me të.
Mure ka ngritur edhe në drejtësinë e re, madje “me 2 breza“ dmth me dy standarde, ku njeri trajtohet “si i nënës dhe tjetri si i njerkës“! Padyshim që dosja “Balluku“ është kthyer në Murin më të lartë ndarës dhe integrues me BE-në!
Ditët e fundit Ramareforma kërkon të heqë edhe urat bashkuese midis 15 bashkive të vogla me shtetin, duke vendosur mure ndarës/pengues për qindra mijra shtetas!
Për pasojë, siç e ka sintetizuar ditët e fundit aq bukur një personalitet i njohur shqiptar, sot ironikisht po kemi dy Shqipëri të ndara nga Mur i madh– një të fasadës, fotos dhe ekranit dhe tjetrën atë reale që e prekim përditë me trishtim; atë të Protestës qytetare dhe propagandës qeveritare, atë të sundimtarit dhe qytetarit; murin midis arrogancës Unishtetare dhe mospërgjegjësisë shtetërore. Pa mbarim po zgjatet muri midis kullave të larta kërpudha dhe kasolleve të skamjes.
Dhe së fundi por jo më pak e rëndësishme, në Shqipëri është ngritur Muri ndarës midis medias së kapur, përkëdhelëse dhe zbukuruese të rregjimit dhe medias së lirë e të pavarur; te kjo e fundit bën pjesë dhe shquhet edhe redaksia e Gazetës “DITA“, me jehonën e njoftimeve, shkrimeve dhe analizave kritike; duke filluar nga Kryeredaktori i saj, Adrian Thano te pena të tjera të mirënjohura dhe nga njerëz të thjeshtë; me misionin fisnik për ndjekjen, kërkimin dhe pasqyrimin e të vërtetës.
Së fundi, këto dukuri dëshmojnë profecinë proverbiale të poetit të madh Xhevahir Spahiu, të sintetizuar gati 35 vite më parë aty ku u shemb Muri: « A thua me muret në një ditë kemi lindur, ato ngrihen për t’u shembur dhe shemben për t’u ngritur!“
DITA
