Prof. Mustafa XHANI
Ka shumë diskutime, hamendje dhe kundërshti për partneritetet publike-private (PP). Shtypi opozitar dhe një pjesë e shoqërisë civile të pa informuar, pa prekur realitetin, i kundërshtojnë PPP dhe disa herë i denigrojnë, duke kërkuar që organet përkatëse të investigojnë mbi to.
Është plotësisht e drejta e kujtdo të shprehë mendimin e tij , por jo të turbullojë pse ai mendon kështu.
Qeveria nga ana e saj i mbron PPP si një mekanizëm që zhvillon disa sektorë të rëndësishëm, duke përdorur kapitalin e sektorit privat për t’i sjellë këta sektorë në nivele bashkëkohore .
Personalisht do dëshiroja që qeveria në qoftë se ka fonde t’i zhvillonte vetë këta sektorë. Por sa duhej të priste shëndetësia që të kalonte atë prapambetje pothuaj mesjetare sidomos ne sektorin e sterilizimit dhe pajisjeve ndihmëse si instrumente apo aparate?
Në vitet 2001, në një mbledhje qeverie (kohe kur drejtoja Ministrinë e Shëndetësisë) propozova PPP. E mbështeta propozimin nga eksperienca e K/ministrit Tony Blair, që kishte futur këtë praktikë duke argumentuar se “Nuk ka rëndësi nëse fondet janë publike apo private kur ndërtohet një spital, n.q.s standardet plotësojnë kërkesat e pacientëve dhe personelit”.
Po kështu edhe me shkollat, kur nxënës , mësues e prindër janë të kënaqur.
Është pak e “parakohshme” tha ministri i Financave i kohës dhe e kundërshtoi pa ndonjë argument.
Në vitin 1997, mora detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të QSUT, në një situatë tejet të vështirë, ku çdo gjë ishte pothuaj në nivelin zero. Infrastruktura , hoteleria, kuzhina, farmacia dhe aparaturat tejet të amortizuara.
Drejtoria paraardhëse kishte dhënë me PPP për 10 vjet Kuzhinën e Spitalit “Nënë Tereza” shoqërisë Italiane “SORIS”, e cila do modernizonte dhe sillte në kondita bashkëkohore përgatitjen dhe shpërndarjen e ushqimit tek të sëmurët.
Godina ishte një gërmadhë me pajisje kuzhine gati të ndryshkura. Ndërkohë vazhdonte kuzhina e Spitalit Kirurgjikal që ofronte shërbim deri në përfundim të kuzhinës së re.
Një ditë të zymte, K/ministri i kohës vizitonte QSUT, dhe u ndal dhe në kuzhinë, e cila ishte në ditët e fundit të saj (pas 15 ditësh u futem në kuzhinën e re).
I pezmatuar me të drejte nga gjendja e kuzhinës tha: “Të sëmurët të marrin ushqime nga familja”
Filloi kuzhina e re që bëri një ndryshim rrënjësor në cilësinë e ushqimit dhe kulturën e shërbimit, pacientët dhe personeli ishin të kënaqur.
Me shoqërinë “SORIS” u bënë disa shtesa në kontratë duke futur dhe rreth 180 pacientë të spitalit Pediatrik brenda vlerës së kontratës ekzistuese.
Dhjetë vjet kaluan shpejt dhe kuzhina kaloi në pronësi të QSUT thuajse e re. Sot menaxhohet me sukses nga një kompani shqiptare.
Ky fakt më forcoi bindjen që Tony Blair kishte të drejtë.
Në vitin 2013, Ministri i kohës i Shëndetësisë organizoi një takim me Shefat e Shërbimeve dhe Drejtues të Spitaleve, ku u prezantua Qendra e Sterilizimit, e cila do menaxhohej nga një kompani Italiane. Informacioni nuk ishte i plotë dhe flitej vetëm për sterilizimin.
Nuk isha dakord sepse qendra ishte e gatshme dhe nuk di pse nuk ishte vënë në punë. Ishte financim i BERZH-it. Propozova të shkojnë mjeke dhe personel i mesëm që të specializohen për ta vënë në punë këtë teknologji të re të kohës dhe qendra të fillonte punën.
Në një takim informal me Kirurgët e Shkodrës dhe Shefat e Kirurgjisë së QSUT, dëgjova nga mionistri që bëhej fjalë edhe për 12 milionë euro për të blerë instrumentet dhe biankeritë që do ishin një përdorimëshe. Këtë shumë qeveria nuk e kishte në dispozicion për Ministrinë e Shëndetësisë.
Dëshpërimi kishte arritur në kulm, biankeria (çarçafë, kompresa, bluza operacioni) ishin copë-copë me damka dhe arna. Autoklavet prisheshin dhe cistinat me biankerinë transportoheshin me karrocat me 3 rrota në një bllok në tjetrin. Ishte një kontrast i madh edhe me spitalet private të vendit.
Në Shërbimin Kombëtar të Urologjisë në QSUT, ku kontribuova 48 vjet dhe e drejtova për 25 vjet (kohë e gjatë për të dalluar ndryshimin ) instrumentet kirurgjikale ishin të konsumuara duke vështirësuar punën e personelit. Endoskopia (aparat që operon në vijat e poshtme urinare pa bisturi) kishte vetëm një aparat që përdorej gjate ditës në 3-4 të sëmurë vetëm duke u dezinfektuar për 10-15 min që nuk siguronte një asepsi të plotë.
Sot pamja është tjetër si në materialet e buta, instrumentet. Materialet e buta (çarçafë, kompresa, bluza) janë një përdorimshe. Çdo i sëmurë ka një komplet endoskopie steril. Instrumentet janë të firmës Martini, nga më të mirët në treg. Çdo sallë operacioni ka një dhome me vegla dhe materiale dhe një personel të veçantë që bën sterilizimin e sallave të operacionit në fund të aktivitetit. Në saje të këtyre kushteve janë shmangur shume infeksione, vuajtjet njerëzore janë ulur (me pak antibiotikë të përdorur).
Unë që isha kritik dhe me rezerva në fillim si mjek që kam jetuar 2 periudhat, e vlerësoj si një arritje të rëndësishme të sistemit shëndetësor e në veçanti në kirurgji, duke u shprehur që “kaluam nga epoka e gurit në bashkëkohore”
Sigurisht ky shkrim është për të qartësuar opinionin publik dhe për këto thënie mbaj përgjegjësi personale. Jam në profesion të lirë dhe nuk kam tjetër qëllim veç të pasqyroj realitetin.
Nuk jam specialist në fushën ekonomike dhe juridike për të gjykuar për kontratën. Por edhe në qoftë se ka të meta të korrigjohet dhe në asnjë mënyrë ky realitet të ndërpritet, sepse do ishin të humbur të sëmurët dhe personeli.
Do dëshiroja që edhe personalitetet shkencore të mjekësisë, si profesorë dhe mjekë të shprehnin opinionin e tyre pa paragjykime.
Sot ky shërbim është shtrire në gjithë spitalet e vendit dhe ka ndryshuar rrënjësisht situatën.
