Sa më shumë rindërtohet historia e Hamam al-Hammamit, aq më shumë hetimi për atë që ndodhi më 30 shtator në fluturimin FZ1073 të Flydubai zhvendoset nga kabina e Boeing 737 MAX te vitet që i paraprinë asaj ngjarjeje.
Sepse piloti 29-vjeçar nuk ishte një person për të cilin nuk kishte ekzistuar më parë asnjë sinjal.
Mediat ndërkombëtare që citojnë zyrtarë të lartë të inteligjencës dhe të zbatimit të ligjit, raportojnë se al-Hammami ishte identifikuar si rrezik sigurie gjatë kohës që punonte si pilot në trajnim në Oman Air në vitin 2024. Sipas raportimeve, atij i ishin gjetur materiale ekstremiste.
Associated Press dhe Wall Street Journal raportojnë se autoritetet omane e kishin ndaluar të fluturonte për shkak të shqetësimeve se kishte përqafuar pikëpamje ekstremiste. Kjo e ndryshon thelbin e historisë.
Pyetja nuk është vetëm se çfarë ndodhi më 30 shtator në kabinën e avionit të Flydubai. Pyetja është se si një pilot që kishte qenë objekt i një mase të tillë sigurie në një kompani ajrore arriti të kthehej në kabinën e një Boeing 737 dhe, më pas, të caktohej në linjën Dubai-Tel Aviv.
Kush është Hamam al-Hammami?
Al-Hammami është 29 vjeç dhe shtetas i Omanit. Sipas burimeve të CNN, ai ka lindur në Emiratet e Bashkuara Arabe nga një baba oman dhe një nënë siriane dhe ka kaluar disa vite të jetës në Emirate. Identiteti i tij është raportuar nga CNN, media shtetërore saudite dhe zyrtarë izraelitë.
Të dhënat publike për jetën e tij personale mbeten të kufizuara. Nuk ka ende një biografi zyrtare të publikuar nga autoritetet e Emirateve apo Omanit. Por një pjesë e rëndësishme e historisë së tij profesionale mund të rindërtohet nga profili LinkedIn që mbante emrin e tij, nga kompanitë ku kishte kaluar dhe nga burimet e hetimit.
Le Desk thotë se ka verifikuar profilin LinkedIn të al-Hammamit para se ai të fshihej. Në atë profil, ai prezantohej si pilot Boeing 737 me bazë në Muscat. Sipas CV-së së publikuar prej tij, kishte punuar në Oman Air nga shkurti 2018 deri në shkurt 2025, pra shtatë vjet. Ai pretendonte se nga janari 2022 kishte punuar si first officer, pra si kopilot.
Kjo do të thotë se në momentin e incidentit të Flydubai ai nuk paraqitej si një pilot që sapo kishte hyrë në aviacion. Por pikërisht këtu shfaqet përplasja e parë mes CV-së së tij dhe informacionit që po del nga hetimi.
Në vitin 2024 ishte identifikuar si problem sigurie
ABC News raporton se në vitin 2024, ndërsa ishte në Oman Air, al-Hammami u identifikua si rrezik sigurie dhe iu gjetën materiale ekstremiste. Burime të tjera e përshkruajnë episodin me formulime paksa të ndryshme.
CNN, duke cituar një diplomat të rajonit, raporton se ai u largua nga programi i fluturimit për shkak të shqetësimeve lidhur me pikëpamjet e tij radikale dhe u transferua në një funksion tjetër brenda Oman Air. AP raporton se ishte ndaluar të fluturonte për shkak të dyshimeve se kishte përqafuar pikëpamje ekstremiste. Wall Street Journal gjithashtu raporton se ai ishte ndaluar të fluturonte në Oman.

Burimet nuk kanë bërë publike deri tani inventarin e materialeve që ABC News thotë se iu gjetën. Kjo është një pikë e rëndësishme.
Ekziston raportimi se materiale ekstremiste u zbuluan dhe se ndaj tij u morën masa, por nuk është bërë publik dokumenti i Oman Air apo i autoriteteve omane që do të tregonte saktësisht se çfarë u gjet, çfarë vlerësimi sigurie u bë dhe mbi cilën bazë u vendos ndalimi i tij nga fluturimet.
Ajo që konfirmojnë disa burime është masa që pasoi: al-Hammami nuk vazhdoi normalisht aktivitetin e fluturimit në Oman. Në vend që të largohej menjëherë nga Oman Air, ai u transferua në një funksion administrativ. Më pas u largua nga kompania.
Profili i tij LinkedIn e vendoste largimin në shkurt 2025. Dhe vetëm disa muaj më vonë ai shfaqet përsëri në një kompani ajrore.
Në LinkedIn, al-Hammami deklaronte se në qershor 2025 ishte punësuar nga Royal Air Maroc dhe se kishte qëndruar atje deri në janar 2026. Madje, sipas Le Desk, ai e paraqiste veten si “Senior First Officer”, pra si një kopilot me eksperiencë, me bazë në Casablanca.
Por Royal Air Maroc jep një version tjetër. Kompania i ka deklaruar medias marokene Le Desk se al-Hammami kreu vetëm rreth tre muaj trajnim teorik dhe nuk fluturoi kurrë për Royal Air Maroc. Pra ekziston një mospërputhje konkrete.
Al-Hammami deklaronte publikisht një eksperiencë si “Senior First Officer” në Royal Air Maroc. Royal Air Maroc thotë se ai nuk ka qenë në komandat e avionëve të saj dhe nuk ka pasur përgjegjësi për pasagjerë. Ky është një element që hetimi mbi historinë e punësimit të tij duhet ta sqarojë.
Sepse nëse informacioni i kompanisë marokene është i plotë, CV-ja publike e al-Hammamit krijonte përshtypjen e një eksperience profesionale më të gjerë nga ajo që Royal Air Maroc pranon se ai kishte realisht në kompani.
Nga Royal Air Maroc te Flydubai
Sipas profilit LinkedIn, marrëdhënia me Royal Air Maroc përfundonte në janar 2026.
Një zyrtar izraelit i tha CNN se në momentin e incidentit al-Hammami kishte vetëm rreth tetë muaj që punonte për Flydubai. Kjo e vendos hyrjen e tij në kompaninë e Emirateve afërsisht në fillim të vitit 2026. Por profili LinkedIn nuk e përmendte fare Flydubai.
Kjo krijon një tjetër boshllëk në historinë e tij publike profesionale. Nëse profili ishte aktiv gjatë kohës kur ai punonte për Flydubai, pse kishte listuar Oman Air dhe Royal Air Maroc, por jo kompaninë ku punonte aktualisht? Deri tani nuk ka një përgjigje publike, por ka një pyetje edhe më të rëndësishme: çfarë kontrolli bëri Flydubai para se ta punësonte?
AP raporton se al-Hammami kishte kaluar kontrollet standarde të sigurisë të Flydubai, por nuk është e qartë nëse ato përfshinin informacionin mbi ndalimin e tij të mëparshëm nga fluturimet në Oman. Nuk është bërë publike gjithashtu nëse Oman Air ose autoritetet omane ia transmetuan Flydubai-t informacionin që kishin për të. Wall Street Journal raporton se pikërisht kjo mbetet një nga çështjet e hapura të hetimit.
Pra kemi një pilot që sipas burimeve ishte ndaluar të fluturonte në një shtet, por që më pas hyri në një kompani tjetër dhe u rikthye në kabinë.

Rreth 3 mijë postime të viteve 2021-2022
Por sinjalet nuk kufizohen te historia e punësimit.
CNN ka analizuar një llogari të fshirë në Twitter, sot X, të lidhur me al-Hammamin, me rreth 3 mijë postime të publikuara gjatë viteve 2021 dhe 2022. Për analizimin dhe klasifikimin e tyre CNN përdori edhe një sistem kërkimi semantik të mbështetur në inteligjencë artificiale.
Postimet tregojnë pikëpamje fetare shumë konservatore dhe qëndrime të forta ndaj rolit të grave. Në një postim të shkurtit 2022, al-Hammami shkruante për përpjekjet e nënës së tij për t’i gjetur një grua që do të pranonte kushtet që ai vendoste për martesën.
Sipas përmbajtjes së raportuar nga CNN, ai kërkonte që bashkëshortja të mbante nikab dhe të mos punonte pas martesës. Në një tjetër postim, të janarit 2022, ai kundërshtonte ambientet e punës ku punonin së bashku burra dhe gra dhe pretendonte se ato ndikonin negativisht te gratë fetare.
Këto postime dokumentojnë pikëpamje të tij në atë periudhë. Ato nuk provojnë, të marra veçmas, se ai kishte planifikuar një sulm terrorist apo se ishte anëtar i një organizate terroriste.
Por bëhen relevante për hetimin kur vendosen pranë shqetësimeve të mëvonshme të Oman Air dhe përmbajtjeve që u shfaqën në llogaritë e tij pas incidentit të 30 shtatorit.
“Shumë fetar”, lutej shpesh dhe nuk u jepte dorën grave
Media të tjera kanë mbledhur edhe dëshmi nga persona që pretendojnë se e njihnin në ambientin profesional.
India Today, duke iu referuar një kolegu të cituar nga një kanal izraelit, raporton se al-Hammami konsiderohej shumë fetar, lutej shpesh dhe nuk u jepte dorën grave. Edhe këto sjellje, në vetvete, nuk provojnë ekstremizëm dhe nuk mund të përdoren si provë për motivin e sulmit.
Por hetuesit kanë tashmë një seri elementesh të ndara në kohë: postimet e viteve 2021-2022, masën e Oman Air në vitin 2024, historinë e punësimit dhe materialet e publikuara në rrjetet sociale më 30 shtator 2026.
Dy postimet që u shfaqën nëntë orë pas incidentit
Pjesa më e pazakontë e gjurmës së tij digjitale shfaqet pas incidentit.
Rreth nëntë orë pasi fluturimi FZ1073 ishte detyruar të devijonte drejt Arabisë Saudite, profili LinkedIn me emrin Hamam al-Hammami publikoi dy materiale. Një burim i CNN ka konfirmuar se profili i përkiste pilotit të përfshirë në incident.
Postimi i parë ishte një montazh videosh të filmuara nga kabinat e Boeing 737 MAX. CNN lokalizoi një nga pamjet në Aeroportin Ndërkombëtar të Dubait. Personi që filmonte fokusonte një avion të kompanisë izraelite El Al.
Një tjetër pamje nga kabina tregonte numrin e fluturimit OMA624 dhe datën 11 tetor 2023. Data është e rëndësishme sepse në atë periudhë al-Hammami punonte për Oman Air.
Montazhi përmbante edhe avionë të El Al dhe Arkia. Por fundi i videos është ai që e ka kthyer materialin në pjesë të hetimit. Aty shfaqej fotografia e Ayman al-Zawahirit, drejtuesi i Al Qaeda-s pas vdekjes së Osama bin Ladenit.
Pas tij shfaqej Humam Khalil Abu-Mulal al-Balawi. Al-Balawi kreu sulmin vetëvrasës të vitit 2009 në bazën amerikane Forward Operating Base Chapman në Afganistan, ku vrau nëntë persona, mes tyre shtatë punonjës dhe kontraktorë të CIA-s.
Përzgjedhja e al-Balawit është një element konkret që hetuesit mund ta analizojnë në kontekstin e materialit të plotë, por deri tani autoritetet nuk kanë bërë publike një shpjegim se përse fotografia e tij ndodhej në video.
Meka, Medina, Jerusalemi dhe poezia për vdekjen
Postimi i dytë përmbante një imazh të krijuar me inteligjencë artificiale. Në të shfaqeshin Meka, Medina dhe Jerusalemi të lidhura nga një gjurmë drite.
Në sfond dëgjohej një poezi që fliste për refuzimin e poshtërimit, mungesën e frikës nga vdekja dhe mbrojtjen e dinjitetit. Të njëjtat dy materiale u shfaqën pothuajse në të njëjtën kohë edhe në një llogari Instagram që mbante të njëjtin emër dhe fotografi.
Më pas llogaritë u fshinë. Por ekziston një problem vendimtar. Nuk dihet kush shtypi butonin “publish”.
CNN nuk ka përcaktuar nëse postimet ishin programuar paraprakisht nga al-Hammami apo nëse një person tjetër kishte akses në llogaritë e tij. Ky nuk është një detaj teknik.
Nëse hetuesit provojnë se postimet ishin programuar përpara nisjes së fluturimit, koha e programimit mund të bëhet provë e rëndësishme për të përcaktuar nëse veprimi në avion ishte planifikuar.
Nëse materialet u publikuan nga një person tjetër pas incidentit, atëherë hetimi duhet të përcaktojë kush kishte akses në llogaritë e al-Hammamit dhe përse i publikoi pikërisht ato materiale. Deri tani nuk ka një përgjigje publike.
Universiteti britanik konfirmon studimet
Një pjesë tjetër e CV-së së al-Hammamit është konfirmuar. Profili LinkedIn deklaronte se ai kishte studiuar në Buckinghamshire New University në Angli.
Një burim i universitetit i konfirmoi CNN se një person me emrin Hamam al-Hammami kishte përfunduar një program trevjeçar në distancë dhe ishte diplomuar në vitin 2023 në Aviation Management, menaxhim aviacioni.
Pra al-Hammami nuk kishte jetuar domosdoshmërisht tre vjet në Britaninë e Madhe për këto studime. Programi ishte zhvilluar në distancë.
Edhe kjo është një diferencë e rëndësishme në rindërtimin e profilit të tij.
Çfarë ndodhi më 30 shtator?
Më 30 shtator 2026, al-Hammami ndodhej si first officer në fluturimin FZ1073 të Flydubai nga Dubai drejt Tel Avivit.
Autoritetet e Emirateve thonë se ai sulmoi kapitenin Smit Machchhar me një crash axe, sëpatën e emergjencës që mbahet në avion për situata teknike dhe zjarri.
Prokurori i Përgjithshëm i Emirateve, Hamad Saif al-Shamsi, ka deklaruar se kopiloti tentoi të merrte kontrollin e avionit. Boeing 737 MAX humbi rreth 17,400 këmbë lartësi në më pak se dy minuta, sipas të dhënave të raportuara nga Le Desk.
Pasagjerë dhe pjesëtarë të ekuipazhit ndërhynë, ndërsa dy pilotë rezervë që ndodheshin në bord morën kontrollin e avionit. Avioni u ul në Tabuk të Arabisë Saudite.
Al-Hammami u arrestua dhe më pas u transferua në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku po zhvillohet hetimi. Autoritetet e Emirateve po analizojnë provat fizike dhe digjitale dhe po hetojnë motivin dhe lidhjet e mundshme të al-Hammamit.
Problemi që mbetet pas al-Hammamit
Të dhënat e publikuara deri më 3 tetor krijojnë një kronologji që kërkon përgjigje institucionale.
Në vitet 2021-2022 ekzistojnë mijëra postime të lidhura me llogarinë e tij që dokumentojnë pikëpamjet e tij fetare dhe shoqërore. Në vitin 2024, sipas ABC News, al-Hammami identifikohet si problem sigurie dhe i gjenden materiale ekstremiste.
Oman Air e largon nga aktiviteti i fluturimit dhe e kalon në një funksion tjetër. AP dhe Wall Street Journal raportojnë se ai ishte ndaluar të fluturonte në Oman.
Në shkurt 2025 largohet nga Oman Air. Në vitin 2025 kalon në Royal Air Maroc, por kompania marokene thotë se bën vetëm tre muaj trajnim teorik dhe nuk fluturon asnjëherë për të, ndryshe nga mënyra se si e paraqiste eksperiencën në LinkedIn.
Në fillim të vitit 2026 hyn në Flydubai. Tetë muaj më vonë gjendet në kabinën e fluturimit Dubai-Tel Aviv. Më 30 shtator ndodh sulmi ndaj kapitenit.
Nëntë orë më pas, në llogaritë që mbanin emrin e tij shfaqen pamje të avionëve izraelitë, fotografia e ish-kreut të Al Qaeda-s Ayman al-Zawahiri dhe fotografia e atentatorit vetëvrasës Humam al-Balawi. Këto fakte nuk provojnë ende nëse al-Hammami veproi vetëm, nëse kishte lidhje operative me ndonjë organizatë apo nëse postimet e 30 shtatorit ishin programuar përpara sulmit. Autoritetet po hetojnë pikërisht këto çështje.
Por kronologjia ngre një pyetje konkrete për sistemin e sigurisë së aviacionit. Nëse një shtet dhe një kompani ajrore kishin arritur deri në pikën që ta largonin Hamam al-Hammamin nga fluturimi për shkak të shqetësimeve të sigurisë, kush e dinte këtë informacion më pas?
A ia përcolli Oman Air Royal Air Maroc? A ia përcolli Oman Air ose shteti oman Flydubai-t?
Çfarë referencash kërkoi Flydubai?
Çfarë tregonte dosja profesionale e al-Hammamit? A e dinte kompania se ai ishte ndaluar më parë të fluturonte? Dhe nëse nuk e dinte, përse nuk e dinte?
Këto janë tashmë pyetje që dalin drejtpërdrejt nga historia e dokumentuar e punësimit të Hamam al-Hammamit. Përgjigjja e tyre do të tregojë nëse rasti i fluturimit FZ1073 ishte vetëm historia e një piloti që sulmoi kapitenin në kabinë, apo edhe historia e një informacioni sigurie që ekzistonte që në vitin 2024, por nuk arriti te kompania që dy vjet më vonë e vendosi atë përsëri në komandat e një Boeing 737 MAX.
CNN
