Një ditë pas fitores së madhe zgjedhore të “Listës së Studentëve” në Serbi, kanë nisur diskutimet për formimin e qeverisë së re dhe përcaktimin e anëtarëve të Këshillit të Ministrave, ndonëse ky formacion politik nuk ka një lider të vetëm. Sfidat për qeverinë e ardhshme janë të shumta, duke përfshirë çështjet e pazgjidhura pas ndryshimit të lidershipit në vend.
Studentët, mjekët, akademikët dhe artistët pritet të marrin role në jetën politike të Serbisë. Megjithatë, formimi i qeverisë do të duhet tu përgjigjet kërkesave për luftën kundër korrupsionit, drejtësinë sociale dhe të drejtat e punëtorëve, si dhe të përcaktojë orientimin gjeopolitik të vendit.
Sipas The Guardian, ndër personat që mund të kenë një rol të rëndësishëm në zhvillimet e ardhshme janë: Ilia Srdanoviç, kardiologu që kryesoi listën e kandidatëve, Dejan Soskiç, ish-guvernator i bankës qendrore, Radomir Saicic, profesor i kimisë në Universitetin e Beogradit, i cili foli në emër të Listës pas fitores.
Megjithatë, këta tre emra nuk mjaftojnë, as nga ana numerike dhe as nga ajo politike, për të përfaqësuar të gjithë këtë eksperiment të ri politik. Sipas Kushtetutës së Serbisë, parlamenti duhet të mblidhet në përbërjen e re brenda 30 ditësh, ndërsa afati për formimin e qeverisë së re është 90 ditë.
Largimi i Aleksandar Vuçiçit nga pushteti mund të krijojë mundësi për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian, i cili ka mbetur i bllokuar për një kohë të gjatë. Fitorja e “Listës së Studentëve” ka tërhequr vëmendjen e Brukselit. Kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi se Berlini do të mbështesë rrugën evropiane të Serbisë, ndërsa Kremlini u shpreh se udhëheqësit e rinj e kuptojnë që bashkëpunimi me Rusinë është në interes të Serbisë.
Edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, reagoi natën e zgjedhjeve, duke deklaruar se populli serb mori pjesë në numër rekord për të formësuar të ardhmen e vendit të tyre.
“Populli i Serbisë mori pjesë në numër rekord për të formësuar të ardhmen e vendit të tyre. Urime Listës së Studentëve për fitoren e saj në zgjedhjet parlamentare. Ne jemi të gatshëm të mbështesim reformat për sundimin e ligjit, lirinë e medias, luftën kundër korrupsionit dhe institucionet e forta demokratike, dhe të punojmë së bashku për të promovuar të ardhmen e Serbisë në Bashkimin Evropian”, tha Ursula von der Leyen.
Brukseli po shqyrton mundësinë që qeveria e re të përshpejtojë integrimin evropian të Serbisë. Megjithatë, nuk përjashtohet që ndryshimi politik të mos sjellë ndryshime në orientimin strategjik të vendit dhe në aleancat e tij ndërkombëtare. Serbia vazhdon të mbështetet te gazi natyror rus dhe, që nga viti 2022, nuk u është bashkuar sanksioneve që Bashkimi Evropian ka vendosur ndaj Rusisë pas pushtimit të Ukrainës.
Çështja kryesore për rendin evropian është nëse zhvillimet e reja politike do t’i japin një shtysë perspektivës evropiane të Serbisë, apo nëse fituesit do të ndjekin një “axhendë kombëtare”, duke vazhduar të kundërshtojnë njohjen e Kosovës dhe të ruajnë aleancat me Kinën dhe Rusinë.
Nëse lufta kundër korrupsionit dhe përmirësimi i kushteve të rishpërndarjes ekonomike bëhen përparësi, afrimi me Bashkimin Evropian mund të kthehet pjesërisht në një objektiv kombëtar për Beogradin. Megjithatë, brenda “Listës së Studentëve” ekzistojnë qëndrime të ndryshme: një pjesë mbështet anëtarësimin e Serbisë në BE, ndërsa të tjerë besojnë se vendi duhet tu përmbahet interesave të veta kombëtare dhe të ndërtojë aleanca me fuqitë e mëdha sipas rastit.
Në këtë skenar të dytë, marrëdhëniet e Beogradit me Moskën dhe Pekinin vështirë se do të ndryshonin ndjeshëm. Përveç lidhjeve ekonomike, Rusia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, duke përmbushur një nga kërkesat e kahershme të opinionit serb. Edhe në radhët e “Listës së Studentëve”, për momentin, nuk duket se ka një ndryshim të qartë të qëndrimit për këtë çështje krahasuar me politikën e Vuçiçit.
j.l./ dita
