Gazeta DitaGazeta DitaGazeta Dita
Njoftime Shfleto më tepër
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Duke lexuar: “MUKJA” brenda një fisi
Shpërndaje
Gazeta DitaGazeta Dita
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Kerko
  • Kreu
  • Lajmi i fundit
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Analiza
  • Politike
  • Ekonomi
  • Kronike
  • Opinion
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Bote
  • Sport
  • Dita TV
  • Lifestyle
  • Enciklopedi
  • Europa/Analize
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Komunitet
  • Kopertina
  • Kulture
  • Kuriozitete
  • Metropol
  • Shendetesi
  • Teknologji
  • Telebingo
  • Televizion
  • RRETH NESH
Sign In
Na ndiqni
Gazeta Dita > Blog > Kulture > “MUKJA” brenda një fisi
Kulture

“MUKJA” brenda një fisi

Published: December 26, 2022
Shpërndaje

Bedri Islami
“’Gjithsecili prej nesh e ka nga një “Mukje” të vogël brenda vetes. Ajo lëviz në idetë tona, në perceptimin tonë dhe në miqtë që zgjedhim. Është e pashmangshme të ndodhë krejt ndryshe dhe përjashtimet vetëm se sa vërtetojnë rastin”’.

Dëmtimi i varrit dhe përmendores së Mit’hat Frashërit, drejtuesi i Ballit Kombëtar, risolli edhe një herë në trandën e diskutimeve dhe të qëndrimeve ndaj së djeshmes, ndasinë që ekziston dhe që vitet e shkuara nuk kanë arritur të përcaktojnë qartësisht të vërtetën nga mëria, ashtu si nuk kanë ndarë mashtrimin nga realja.

Shembja e përmendoreve, si nuk ka ndodhur askund në botë, nuk ndodh për herë të parë në këto 32 vite pluralizëm. Në të gjithë qytetin e Shkodrës nuk gjen vetëm një bust heroi të popullit, edhe ai i dëmtuar, të tjerët janë shkatërruar. Dita e 29 nëntorit nuk njihet si festë zyrtare. Askush në mediat lokale nuk përmend më emra të ndritur si Perlat Rexhepi, Branko Kadija, Jordan Misja, Manush Alimani, Hajrulla Kastrati, Daniel Matlija, Alush Dibra, e shumë të tjerë, të gjithë të vrarë nga forcat e Ballit.

- Publicitet -

Askush nuk përmend internimin e disa qindra të rinjve dhe të rejave në kampet e përqendrimeve, ashtu si janë harruar të vrarët, që ishin arrestuar nga forcat balliste, ishin torturuar prej tyre, disa ishin pushkatuar në mes të qytetit, e pastaj u ishin dorëzuar nazistëve, si ndodhi me Manush Alimanin. Në çdo qytet të Shqipërisë janë dëmtuar varrezat e dëshmorëve, janë prishur monumentet, janë shkatërruar bustet e të rënëve.

Për shumë vetë mendimi se kjo ndarje ka ndodhur në Mukje, sidomos pas saj, është shenja e së vërtetës. Për të tjerë, Mukja ishte vetëm çasti për ndarjen e pushtetit dhe nuk kishte se si të bashkëjetonin dy forca të kundërta politike, njëra nga të cilat kishte si moto të saj luftën kundër okupatorit, ndërsa tjera, e kyçur në bashkëpunim me strukturat pushtuese, luhatej mes dy zgjidhjeve, por që asnjëra nuk do të thonte luftë.

Parulla themelore e Ballit Kombëtar, e cila ishte hedhur që nga marsi i vitit 1943, ende sot nuk përbën në thelbin e saj një grimasë të çlirimit të vendit, që ‘de fakto’ dhe ‘de jure’ ishte i pushtuar. Përmes saj, “Shqipëri e shqiptarëve, vdekje tradhtarëve”, edhe më kërkuesi në boshtin nacionalist nuk mund të gjejë asnjë grimasë të luftës kundër pushtuesit, gjë në fakt edhe nuk ndodhi. Megjithatë, e drejta e gjithkujt është të ketë mendimin e tij, i cili, thelbësisht duhet ndarë në vlerësimin e dy pjesëve të historisë, të cilat, edhe pse kanë lidhje me njëra-tjetrën, ato duhen gjykuar të ndara, sepse edhe pse janë vazhdim i njëra-tjetrës, nuk janë të njëllojta. Duhet ndarë pjesa e luftës çlirimtare, në të cilën përgjithësisht u bënë pjesë të rinjtë e një vendi të robëruar, por edhe 3 pjesë të familjeve të dëgjuara; Nga ajo që ndodhi më pas, kur jo rrallë-herë, goditja ra edhe mbi vetë ata që bënë luftën.

Sidoqoftë, braktisja e “Marrëveshjes së Mukjes”, ashtu si ndodhi, është quajtur nga një furi historianësh, që tentojnë t’i përkasin së djathtës, si fillesa e luftës civile në Shqipëri dhe shndërrimi i luftës çlirimtare në një luftë për pushtet.

“Mukja” ishte një tentativë e bashkimit të dy grupeve; e para, nacionaliste, ende e vetveshur me petkun e babait të kombit, më e pakta në numër, pjesë e qeverisjes fashiste, ku ishin disa ministra dhe forca e tyre e armatosur ishte pjesë e reprezaljeve fashiste; dhe tjetra ende jo shumë e njohur, me disa figura që shpejt do të bëheshin të njohura, më agresive në luftë, vinte nga lufta dhe natyrisht që me dëshirën për të qenë pushteti i së ardhmes. Krijimi i një qeverie të tillë të përbashkët, nën emrin e një Komiteti, kur ende lufta nuk kishte mbaruar, kur drejtues të saj do të ishin drejtues të lartë të qeverisë fashiste, si Hasan Dosti, ministër i Drejtësisë, i cili kishte nxjerrë urdhrin që të pushkatohej secili që do të gjendej me armë dhe do të bënte aksione kundër garnizoneve fashiste, është njëlloj sikur në janarin e vitit 1991, para zgjedhjeve të para pluraliste, PD dhe PPSH e asaj kohe të krijonin një qeveri të përbashkët dhe shefi i qeverisë të ishte ose Simon Stefani ose Hekuran Isai, që të dy ish-ministra të Punëve të Brendshme të periudhës komuniste.

Në të vërtetë, ka një dëshmi se lufta mes dy palëve, lëvizjes nacional-çlirimtare dhe ushtrisë italiane, krahas të cilëve ishin edhe grupet e armatosura balliste, krijimi i të cilave është në fillimin e vitit 1943. Në takimin e mbajtur në Peshtan, në marsin e vitit 1943, mes Ali Këlcyrës, si përfaqësues i Ballit dhe Xhelal Saraveckës, si përfaqësues i Nacional-Çlirimtares, në përgjigjen e pyetjes “keni disa ditë që ju të Ballit keni filluar të nxirrni çetat tuaja, nëse nuk keni ndër mend të luftoni, çfarë bëni me ato çeta?”, vjen edhe e vërteta e krijimit të tyre, në përgjigjen e Këlcyrës se; “Do t’ju pengojmë ju që të mos luftoni”.

Mukja e gushtit 1943 do të jetë edhe për shumë kohë e pranishme në politikën shqiptare. Shpesh-herë ajo përcaktohet si kufiri që i ndau shqiptarët, por në fakt, ndarja kishte ardhur shumë më përpara dhe jo për shkaqe që duan të bëhen sot aktuale. Mukja ishte edhe koha që përcaktoi sinorin mes asaj që quhej luftë çlirimtare dhe asaj që quhet sot nga një pjesë e historiografisë sonë, si luftë civile. Megjithëse harrohet fakti se në fundin e shkurtit dhe fillimin e marsit 1943, 900 forca mercenare, të prira nga drejtues të rëndësishëm të Ballit në veriun e vendit, shkuan në jugun e Shqipërisë për të shpartalluar forcat çlirimtare në Skrapar, Kolonjë, Fier e Berat.
Por le të pranojmë për një çast se ajo ishte një luftë civile dhe jo çlirimtare. Do të kishim para vetes disa paradokse:
Do të ishte ndoshta lufta e vetme civile në botë, në të cilën, pala fituese, këtë rast, nacional çlirimtare, të ketë shumëfish, jo një herë a dy, të vrarë në këto përleshje. Numri i të rënëve në luftë nga lëvizja nacional çlirimtare do të jetë thuajse 10 herë më i madh se numri i ballistëve të vrarë. Nëse do të ishte një luftë civile, atëherë, sipas normalitetit, Balli, me shumë më pak humbje, duhej të ishte fituesi.
Drejtuesit e Ballit, përgjithësisht, kishin qenë të njohur si njerëz të politikës deri në dhjetorin e vitit 1924, kur më pas, si kundërshtarë të Ahmet Zogut, jetuan në Vjenë, Gjenevë apo në Paris. Ata u kthyen në vendin e tyre pas pushtimit fashist dhe shumë prej tyre u bënë senatorë, anëtarë të Këshillit të Lartë të Shtetit. Por, për 15 vite me radhë ata kishin vetëm një burim jetese: rrogat e përmuajshme të dhëna nga dy qeveri të huaja. Një palë, më të shumtët, paguheshin nga Beogradi, sipas marrëveshjes së bërë nga Sejfi Vllamasi që në vitin 1925, dhe tjetra, paguhej nga Italia, sipas marrëveshjes së bërë nga Mustafa Kruja.
Të ardhur në Shqipëri pas 15 viteve, ata nuk e dinin se koha kishte rrjedhur jashtë tyre dhe se qëndrimi pro fashist, po i humbiste edhe ato vlera që kishin pasur. Qazim Koculi, për shembull, eksponent i dorës së parë të Ballit, hero i luftës së Vlorës, u bë komisar i lartë fashist në Vlorë. Dhe atëherë lebërit nxorën një këngë, ku mes të tjerave thuhej, “Koculi, shokë, Koculi, vetë e ndoqi, vetë e pruri”. Hasan Dosti, njëri ndër shtatë anëtarët themeltarë të ballit, kishte qenë pjesë e “Organizatës së Vlorës”, e cila u zbulua si antizogiste në vitin 1931 dhe ishte dënuar me vdekje, ç’ka ndryshoi më pas, por vetë organizata ishte krijesë e Jasha Ljetiç, ministër fuqiplotë i Jugosllavisë në Tiranë.
Ndërkohë, ndërsa e djathta perëndimore, të themi franceze, e prirë nga De Goli, u bë pjesë qendrore e luftës për çlirim dhe hyri në Paris vetëm pas dëbimit të nazistëve, e djathta shqiptare bëri një rrugë të kundërt; ajo e braktisi vendin në të njëjtën ditë që ikën edhe okupatorët, pra si pjesë e tyre.
E quajtura e djathta shqiptare, e lodhur nga mërgimi i gjatë politik, kishte bjerrë shumë nga vetitë e saj idealiste. Ajo ishte kthyer në një forcë vegjetuese, e trembur, krejt ndryshe nga sa kishte qenë në vitin 1920. E nisur si një forcë ndryshuese, ajo ishte bejlerizuar në mendimin e saj politik dhe më pas, kishte ndodhur përçudnimi i saj edhe kombëtar. Ajo ende kishte mbetur në sinoret që kishte lënë pas ikjes në dhjetorin e vitit 1924 dhe nuk e përceptonte veten mbi to. Zonat e dikurshme të influencës ata menduan t’i bëjnë bastione të rezistencës kundër forcave nacional-çlirimtare, duke harruar një ndëshkim të madh të historisë së të gjithë kohërave se dërrmimi vjen për ata që humbasin dhe jo për ata që fitojnë. Dërrmimi për Shqipërinë do të kishte qenë jashtëzakonisht më i ndjeshëm, deri në palcë, nëse ajo nuk do të kishte pasur një luftë çlirimtare, të njohur nga Koalicioni i madh antifashist, e më pas edhe nga Konferenca e Paqes në Paris. Ata, pasi ishin ushqyer për 15 vite me radhë nga forca jashtëzakonisht agresive ndaj Shqipërisë, kishin ende në mentalitetin e tyre politikën e lojës së dyfishtë, ç’ka mund të ishe fatale për Shqipërinë, nëse do të ndiqej vetëm ajo rrugë.
Është e çuditshme se edhe e ashtuquajtura “e djathta” e sotme nacionaliste në Shqipëri, që u nis si një forcë ndryshuese, tash është kthyer në një zhvatëse ekonomike e paparë në asnjë moment të historisë sonë, e njëkohësisht pjesë e çuditshme e lobimit serb e grek në vendin tonë.
Nacionalistët kishin në mendimin e tyre ndarjen jug-veri, si forca kundërshtare të njëra-tjetrës. Halil Alia, për shembull dërgohej, edhe me bekimin e Ballit, që të bënte reprezalje në Vlorë, kjo ndodhte para Mukjes, ashtu si Tahir Kolgjini për të bërë reprezalje në Skrapar, edhe kjo para Mukjes. Kapedani i Mirditës, ftesës që i bëhej për t’u bërë bashkë në luftë kundër forcave çlirimtare, i dërgonte përgjigjen e tij se, “Ju toskët, ju i keni hedhë gështenjat në zjarr, e ju duhet t’i qitni tash prej zjarrit me gishtërinjtë tuej. Nëse i takon shkeljes së vendit tonë nga çetat komuniste, ju mos u shqetësoni aspak, se këtu në Mirditë s’kan mujtë turqit me vue kambët e tyne, e jo të shkelin komunistët, e çdo lloji që të jenë!”. Në fakt, ai vetë dhe njerëzit e tij, ikën pas dy-tre ditë luftimesh, pasi tashmë kishin mbetur të vetëm.
Ky mentalitet i ndarjes krahinore ishte aq i fuqishëm në psikologjinë dhe filozofinë e tyre, saqë përzierja e nocionit toskë me atë komunist vazhdon ende sot, si një atavizëm i ardhur që nga ajo ndarje, e cila, për fat të keq ngurron të lëvizë nga bastioni i saj.
Balli nuk e kishte kuptuar ende se në vitin 1941 e më tej nuk ishte e mjaftueshme vetëm statura karizmatike e drejtuesit për të bërë epokë. Figura e Mit’hat Frashërit ishte shumë më e njohur dhe më domethënëse sesa figura e Enver Hoxhës, që nuk njihej as nga njerëzit e tij, kjo edhe për shkak të konspiracionit të luftës. Frashëri vinte nga Frashërlinjtë e famshëm, i biri i Abdyl Frashërit, liderit të padiskutueshëm të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit; pjesë e kabinetit të parë të Ismail Qemal Vlorës, ndër të vetmit që nuk mbijetoi nga ndihma e huaj, por përmes një librarie. Ndërkohë Enver Hoxha në rrethet nacionaliste njihej më shumë si kunati i Bahri Omarit, mik i afërt i Esat Dishnicës, që i kishte dhënë dyqanin “Flora”. Emri i Frashërit donte të thonte gjithçka, emri i Enverit thonte shumë pak. Megjithatë, nuk ishte e mjaftueshme për Ballin Kombëtar emri i një Frashërliu, sado të famshëm të ishin ata, kur forcat e tij lëviznin nga një zonë në tjetrën, fillimisht me autoblindat italiane, e më pas nën mbrojtjen e forcave gjermane. Jo gjithnjë lideri i njohur, nga një familje me emër është përcaktues. Ideja e komunizmit në vitet ‘30 e ‘40 të shekullit të shkuar ishte në agun e ditës. Nacionalistët ruanin në vete një filozofi të lartë, komunistët ishin praktikë dhe të kuptueshëm. Për fshatarin raja, fjalëzimi “reformë agrare” do të thonte më shumë sesa 100 fjalime patriotike të Ali Këlcyrës. Për malësorin, kudo qoftë ai, një pushkë, do të thonte më shumë sesa njëqind marrëveshje si ajo Dalmazzo-Këlcyra. Liderët e Ballit erdhën edhe një herë në vitin 1924, bota ishte njëzet vite para.
Ekzistenca dhe forca e Shqipërisë tradicionale po thyhej me shpejtësi. Pa dashjen e tij, faktor ishte bërë pushtimi i huaj, i cili, duke sjellë represionin, kishte ngjallur revoltën e bashkë me të edhe lindjen e ideve të reja. Gjithherë pas një represioni është mundësia e bulimit të ideve të reja, të cilat, varësisht nga njerëzit që i bartin, mund të jenë regresive apo pozitive. Balli ishte në orën e Shqipërisë tradicionale, mirëpo tradicionalja po binte pikërisht nga lufta. Qëndrimi i Ballit, asnjanës në rastin më të mirë dhe përkrahës në rastin më ekstrem, ndaj pushtuesit, e bënte atë përbashkues të një force që po binte. Le të mendojmë për një çast se cili do të kishte qenë raporti politik i forcave pas vitit 1944, nëse për një shans të ri, do të ishin bashkuar në një forcë të vetme politike e ushtarake të gjithë ata që ishin nën komandën e bajraktarëve të Dukagjinit, Malësisë së Madhe, Lumës, Kukësit, Dibrës, Mirditës, Matit, Kurbinit; forcat e bejlerëve të fushës së Myzeqesë dhe të Vlorës, të Korçës, etj., etj., dhe të bënin luftë kundër fashizmit. Komandanti i parë ushtarak i Ballit quhej Bektash Cakrani, më pas vinte Abaz Ermenji, njëri mallakastriot e tjetri skraparlli, emisarët e tyre nuk shkelën këmbë në veriun e vendit, emrat e tyre nuk thonin asgjë, me përjashtim të faktit se Cakranit, si armik i Ismail Qemalit, i ishin djegur shtëpitë vendëshe.
“Mukja”, ose ajo që mund të quhet “mukjezimi”, u shtri edhe në familjen shqiptare, e kjo shumë kohë para Mukjes, e shumë kohë pas saj. Nipi i Bektash Cakranit, Jashari, do të vritej në luftë me fashistët italianë, si njëri ndër dëshmorët e njohur të luftës çlirimtare.
Por unë desha të tregoj për më tej se kjo trevë, për ato që ndodhnin në qytetin tim të lindjes, në Shkodër, pikërisht në një familje ku kisha fatin të jem pjesë, si njëri ndër nipërit e saj.
Gjylbegajt janë të njohur në Shkodër. Janë të njohur si ish-pronarë tokash, latifondistë, me tokat e shumta që shtriheshin mes Lezhës dhe Shkodrës; të njohur si tregtarë të leshit, kripës, vajgurit; të njohur si dyer të mëdha, por edhe nga që kishin qenë dikur pjesë e qeverisjes së qytetit e rrethinave. Njëri prej tyre, Muharem Gjylbegaj, do të ishte kryetari i parë i Bashkisë së Shkodrës dhe njeriu që më 28 nëntor 1913 do të ngrinte Flamurin Kombëtar, në qytetin e çliruar nga serbomalazezët.
Ata, prej shumë dekadave kanë banuar rreth Çinarit të Hoxhë Dheut, në katër shtëpi të ndryshme, njëra prej të cilave është quajtur Shtëpia e Madhe. Në këtë shtëpi lindi Naim Gjylbegu, Hero i Popullit, në këtë shtëpi në vitin 1940, bashkë me Esat Dishnicën, nipin e Aqif pashë Elbasanit, erdhi Enver Hoxha për të krijuar lidhjet e munguara mes komunistëve, nga kjo shtëpi shkoi në Kosovë për të organizuar forcat kombëtare ushtaraku i lartë, Isuf Gjylbegaj. Por, në të vërtetë fisi i Gjylbegajve, gjatë luftës, kanë mbajtur dy qëndrime të ndryshme, por kurrë të kundërta deri në skajim dhe asnjëherë nuk ka qenë shkak për ndeshje mes tyre. Gjylbegët e Shtëpisë së Madhe, u bashkuan të gjithë me luftën çlirimtare. Ata shkrinë pjesë të mëdha të pasurisë së tyre për luftën, megjithëse pas luftës do të ishin shumë më të varfër sesa para saj. Gjylbegajt e shtëpive të tjera do të ishin me forcat nacionaliste, megjithëse jo të afishuara, deri sa një prej tyre, Musa Gjylbegu, për pak javë u bë ministër i Financave nën qeverisjen e Rexhep Mitrovicës, gjithnjë me idenë se mund të shpëtohej diçka nga pasuria kombëtare. Nga pjesëtarët e Shtëpisë së Madhe, gjatë luftës, u vranë tre vetë; Naimi, xhaxhai i tij, Eljazi dhe daja i tij, Esat Gjyli. U internuan xhaxhallarët e tjerë në kampin e përqendrimit në Prishtinë, së bashku me nipat. Nga dega e Gjylbegajve nacionalistë, për fat, gjatë luftës, nuk u vra askush, pas luftës, si ndodhte rëndom, u arrestua ish-ministri i Financave, pasi qëndroi disa vite i fshehur e megjithëse dihej se ku ishte, askush nuk e denoncoi. Ai vdiq në burg, në rrethana ende të mjegullta. Më i njohuri nga dega nacionaliste e fisit do të ishte Hamid Gjylbegaj, ish-ushtarak i lartë, mbrojtës i krahut të djathtë në Luftën e Koplikut, në vitin 1920, fanolist, antizogist, i cili e liroi nga detyra. Ishte ndër figurat më interesante dhe kurajoze të fisit; njeriu që gjatë gjithë jetës së tij votoi vetëm një herë pro Frontit, në zgjedhjet e para dhe kjo për faktin se deputet do të dilte kushëriri i tij, Beqir Gjylbegaj, po ashtu ushtarak i lartë, i cili ishte nga dega e çlirimtares. Megjithëse kundërshtar i regjimit, ai votoi për njeriun e tij, sepse e përceptoi si pjesë të vetes dhe u bë armik i pushtetit, kur pas vitit 1944, i vranë të birin, Visarin, i arrestuar me njërin nga grupet antikomuniste të para të qytetit të Shkodrës.
Në të vërtetë, e gjithë ajo që ka ndodhur në Shqipëri, që nga viti 10920 e deri në vitet e fundit, mund të gjendet në jetën e këtij fisi, por nuk gjendet kurrë hasmëria apo përbuzja. Ndoshta nuk është me vend të them, por nëna e Naim Gjylbegut, pas luftës, për të jetuar, punoi si ndihmës kuzhiniere në një konvikt; ndërsa babai i tij si një shitës i vogël kinkalerie. Nga pasuria e dikurshme, asnjërës pjesë, nuk u mbeti gjë. Pjesa nacionaliste e familjes, duke pasur edhe aureolën e pjesës së lëvizjes çlirimtare, përgjithësisht u bënë mësues, disa nga të cilët, jashtëzakonisht të aftë dhe të talentuar, si Enver Gjylbegaj dhe Myfit Gjylbegaj. Ishte një fis që e kishte bërë “Mukjen” e vet në arsyetimin e tyre thellësisht njerëzor dhe kjo i qëndroi kohës, të paktën deri në vitin 1990.
Por ka pasur raste kur “Mukja” nuk i ka qëndruar kohës.
Le të kthehem rishtas tek ato që njoh. Fisi i Gjylëve të Shkodrës kishte dhënë tek Gjylbegajt dy vajzat e tij. Gjylafen dhe Qeutheren. Por kishin marrë nuse nga fisi i Bushatlinjve. Gjylët vinin nga Ulqini, më i njohuri i tyre ishte Mehmet Gjyli, që së bashku me Mehmet Becin, kishin organizuar mbrojtjen e Ulqinit, e pas dorëzimit të tij Malit të Zi, kishin ardhur në Shkodër. Kishin bërë emrin e tyre dhe kishin ngritur lidhjet me familjet e njohura. Njëra prej tyre, ajo e Bushatllinjve. Më e njohura prej tyre do të ishte Sabrije Hanmi, nëna e Esat Gjylit, sekretar politik i qarkorit të rinisë komuniste dhe e Arif Gjylit, sekretar organizativ e pas vrasjes së Vasil Shantos, sekretar politik i Qarkorit Komunist të Shkodrës. Daja i tyre ishte Sulço beg Bushati, komandant i Ballit Kombëtar në Shkodër. Figurë e njohur, shpesh herë i kishte dalë zot vendit të tij, deri asaj kohe ishte njëra ndër ikonat e qytetit. Daja u çon fjalë nipave se, “nëse do i zërë, ai do i vrasë”. Nipat i përgjigjen dajës se, “nëse të zëmë, do të gjykojmë”. Në tetorin e vitit 1942, dhjetë muaj para Mukjes, nga forcat balliste dhe italianët, rrethohet Esat Gjyli dhe pas një qëndrese të shkurtër, vritet. Në varrim nuk lejohet askush nga njerëzit e tij, vetëm nëna dhe dy motrat. Italianë dhe ballistë rrinë mbi kufomën me bajonetat ngritur. Sabrije Hanmi u thotë të ulin pushkët, se i vdekuri nuk qëllon.
Kështu përfundon akti i parë i “mukjeizimit”. Disa kohë më pas, nga një sëmundje natyrale, vdes i vëllai i dëshmorit. Quhej Nuredin. Në dhomën e burrave qëndron e pret miqtë Sabrije Hanmi. I shoqi ka kohë që ka vdekur, ajo rri me burra në zinë e saj. Papritmas dëgjohen zhurmë nëpër shkallë, njerëzit fillojnë e lëvizin. Dëgjohen pëshpëritje se po vjen për ngushëllim Sulço begu dhe njerëzit e tij. Kur Sulço begu hyn në derë, Sabrije Hanmi fut dorën nën jastëkun që kishte pranë, nxjerr revolverin e të birit dhe i thotë, “Ktheu mbrapsht Sulço beg”. Tjetri pret pak dhe i thotë se kishte ardhur për ngushëllim. Ajo i thotë përsëri të dalë jashtë se tashti në mes ishte gjaku i Esatit. Në dorën e saj ishte arma, arma e Sulço begut ishte në brez. Ndahen. Kishte filluar “Mukja” e vërtetë. Në fillimet e vitit 1945, Sulço Begu do të ishte njëri ndër të parët që do të ekzekutohet pa asnjë lloj gjyqi, megjithëse nipi i tij, Arifi, do të ishte figura kryesore e jetës në qytet. Më pas, edhe ky, do të arrestohet nga Koçi Xoxe, do të dënohet, do e detyrojnë nënën e tij të bëjë një deklaratë mohimi, pas së cilës ajo vdes dhe nuk ka kohë të dëgjojë se asamblisti që kishte hapur parlamentin e parë të vitit 1946 për të shpallur Shqipërinë republikë parlamentare, ishte i pafaj. “Mukja” kishte hyrë tashmë edhe në familje.
Gjithsecili prej nesh e ka nga një “Mukje” të vogël brenda vetes. Ajo lëviz në idetë tona, në perceptimin tonë dhe në miqtë që zgjedhim. Është e pashmangshme të ndodhë krejt ndryshe dhe përjashtimet vetëm se sa vërtetojnë rastin.

 

Shpërndaje këtë artikull
Facebook Email Printo
3 Comments
  • Behar Beqiri says:
    December 26, 2022 at 11:16 pm

    Eshtë shumë vonë tani kur munda të të lexoj Bedri.
    Faleminderit!

    Reply
  • Andis says:
    December 28, 2022 at 2:47 am

    Historia shqiptare duhet te mesohet nga brezat e rinj ne menyre qe mos te shuhet.

    Reply
  • demo says:
    December 28, 2022 at 5:57 am

    Trupa e Teatrit Migjeni te Shkodres ka formesuar KAPLLOQEN e banoreve te Shkodres.Personazhet dramatike Sulco beg Bushati,Dode Gjinari,Dom pali, Lokja ,Sabrije Hanmi,nxjerr revolverin ne nje moment tragjik i therret -Ndalu aty Sulco beg,Mos u ngjit lart!
    Fisheku ne paje,Baca i Gjetajve.
    Gjysma e Shkodres ENDERRONTE pune ne Teatrin Migjeni.
    KUADRI QE REALIZONTE MREKULLINE,QUHEJ:HILMIJA.
    Hilmija ishte nje pusht cam,qe dramatiket e Teatrit migjeni,,dmth ato qe kaloi neper duuuur Hilmija, e varrosen me nderime.Edhe ata qe nuk paten fatin te punesohen nga Hilmija ne Teatrin Migjeni,,edhe ata qe nuk kishin lindur kur vdiq Hilmija,,si Gjysepina Topalli dhe Bedri islami,ju ndihet kerma Hilmise,,
    Edhe kur flet Gjysepina edhe kur shkruan Bedriu vjen era kermes Teatrit Migjeni te Shkodres.

    Reply

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Lajmi i Fundit

  • 08 qershor 2026
  • Letër e hapur socialistëve shqiptarë: Zgjohuni!
  • Tetë ditë protestë: Nga Narta te “Shqipëria e re”
  • Guacka e Zvërnecit
  • ARRSH hap procedurën, 6 mbikalime për këmbësorët do ndërtohen në autostradën Tiranë-Durrës

Komentet e Fundit

  1. Buda on Totalisht e dështuar, por RTSH kërkon rritje të tarifës e buxhet shtesë në Kuvend
  2. AI on “Shqipëria nuk shitet”, sot protesta e tetë në Tiranë: Rama të japë dorëheqjen
  3. Liria on Tetë ditë protestë: Nga Narta te “Shqipëria e re”
  4. AI on 06 qershor 2026
  5. Phoenix on Zvërneci, si u ul mbrojtja nga ‘Rezervat’ në ‘Peizazh’

Kategori

Rreth nesh

E përditshme e Analizës dhe e Informacionit. Numri i parë, 1 nëntor 2012. Botohet nga "Publikime Shqiptare". Kryeredaktor Adrian Thano. Zyra e Botuesit: Rogner Hotel, Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", Tiranë

Merr te rejat më të fundit

Ndiqni Gazeta Dita duke vendosur emailin tuaj më poshtë dhe do të njoftoheni për të rejat më të fundit

[mc4wp_form]

Gazeta DitaGazeta Dita
© Copyright Gazeta Dita 2012. Të gjitha të drejtat e rezervuara



Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?