Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se do të shkarkojë menjëherë dy prej këshilltarëve të tij kryesorë politikë, James Blair dhe Chris LaCivita, nëse angazhimet e tyre jashtë SHBA-së përbëjnë konflikt interesi.
“Unë do t’i pushoj nga puna, menjëherë!”, deklaroi Trump.
Paralajmërimi i Trump erdhi pasi gazeta “The New York Times” publikoi një raport që detajonte se si James Blair, një nga ish-zëvendësshefat e stafit të presidentit, i cili tani drejton operacionin e tij të jashtëm politik, dhe Chris LaCivita, bashkë-menaxheri i fushatës së Trump për vitin 2024, u paguan për të udhëtuar në Ballkan javën e kaluar në emër të një qeverie pro-ruse.
Trump, i cili ka bërë fushatë aktive për republikanët përpara zgjedhjeve të mesmandatit të nëntorit, sugjeroi se nuk kishte të bënte fare me punët e këshilltarëve të tij jashtë Shteteve të Bashkuara.
“Chris LaCivita dhe James Blair janë konsulentë të jashtëm. Ata nuk punojnë për mua, përveçse si konsulentë të jashtëm. Ata me shumë gjasa kanë klientë të shumtë, por për këtë, do të duhet t’i pyesni ata. Atyre u lejohet të punojnë për të tjerët, ashtu si të gjithë konsulentët në Uashington, DC, unë nuk kam asnjë ide se për kë tjetër punojnë, por, pasi të reflektoj, do t’i pyes ata dhe, nëse ka një konflikt, do t’i pushoj menjëherë nga puna”, postoi Trump në Truth Social të mërkurën.
Sipas gazetës “NYT”, Blair dhe LaCivita udhëtuan për në Republikën Srpska, një territor në Bosnje dhe Hercegovinë, përpara zgjedhjeve atje të dielën. Udhëtimi erdhi ndërsa sondazhet tregojnë se republikanët po përballen me sfida të rënda zgjedhore në Shtetet e Bashkuara.
Blair dhe LaCivita u paguan me qindra mijëra dollarë secili përmes një firme avokatie me seli në Uashington, e cila u punësua nga qeveria e Republikës Srpska për të ofruar këshilla mbi çështjet e votimit, raportoi Times.
Ata thanë se puna ishte për qeverinë dhe jo për partinë nacionaliste që e kontrollon atë, megjithëse në thelb janë një dhe i njëjti.
Blair aktualisht drejton “super-PAC” të Trump, “MAGA Inc.”, dhe është ngarkuar me drejtimin e strategjisë së presidentit për zgjedhjet e mesit të mandatit. LaCivita është një këshilltare e lartë në MAGA Inc.
Grupi ka shpenzuar dhjetëra miliona dollarë duke u përpjekur të mbështesë kandidatët republikanë përpara zgjedhjeve të mesit të mandatit, përfshirë disa në territor të besueshëm të kuq, të cilët tani duken të prekshëm.
Rasti ka tërhequr vëmendje edhe në Ballkan për shkak të lidhjeve të këtyre operativëve me aktorë politikë të rajonit: LaCivita drejtoi strategjinë e fushatës së Sali Berishës në zgjedhjet shqiptare të vitit 2025, ndërsa Republika Srpska ka shpenzuar miliona dollarë për lobim në Uashington gjatë përpjekjeve që përfunduan me heqjen e sanksioneve amerikane ndaj Milorad Dodikut dhe bashkëpunëtorëve të tij. Berisha, nga ana tjetër, ka deklaruar se për çështjen e statusit të tij “non grata” ka lobuar kompania “Continental” dhe se LaCivita nuk ka pasur rol në këtë proces.
Investigimi i “The New York Times” që zbuloi se si depërtoi makineria e Dodik deri në SHBA.
Milionat e Republikës Srpska në Uashington
LaCivita dhe Blair nuk janë të vetmit njerëz të lidhur me Trumpin që kanë marrë para nga Republika Srpska.
Sipas dokumenteve të depozituara në Departamentin amerikan të Drejtësisë dhe të analizuara nga “The New York Times”, lobistë dhe operatorë me lidhje me Trumpin dhe aleatët e tij republikanë kanë marrë më shumë se 4 milionë dollarë nga qeveria e Republikës Srpska që nga fillimi i vitit të kaluar.
Kjo fushatë ndikimi shënoi një fitore të rëndësishme kur administrata Trump hoqi sanksionet amerikane ndaj Milorad Dodikut, familjes dhe bashkëpunëtorëve të tij.
Shtetet e Bashkuara i kishin vendosur fillimisht sanksione Dodikut në ditët e fundit të administratës Obama. Ato mbetën në fuqi gjatë mandatit të parë të Trumpit dhe u zgjeruan gjatë administratës Biden.
Uashingtoni e kishte sanksionuar Dodikun për veprimet që minonin Marrëveshjen e Dejtonit, e cila në vitin 1995 i dha fund luftës së përgjakshme në Bosnje-Hercegovinë.
Marrëveshja krijoi arkitekturën e sotme politike të vendit, me Republikën Srpska si një prej dy entiteteve të Bosnje-Hercegovinës dhe me një presidencë trepalëshe të përbërë nga një përfaqësues serb, një boshnjak dhe një kroat.
Dodik ka dominuar politikën e Republikës Srpska për dekada. Dikur i konsideruar një politikan më i moderuar, ai u afrua gjithnjë e më shumë me nacionalizmin serb dhe Moskën, duke krijuar një marrëdhënie të drejtpërdrejtë politike me Vladimir Putinin.
Ai u dënua gjithashtu nga drejtësia e Bosnje-Hercegovinës për mosbindje ndaj autoritetit ndërkombëtar që mbikëqyr Marrëveshjen e Dejtonit. Vendimi solli largimin e tij nga posti i presidentit të Republikës Srpska dhe ndalimin për të mbajtur poste publike.
Megjithatë, largimi formal nga posti nuk i dha fund ndikimit të tij.
Pas zgjedhjeve të së dielës, Dodik doli në skenë për të shpallur fitoren e forcës së tij politike. Në fjalimin e tij ai falënderoi Vladimir Putinin për mbështetjen dhe vlerësoi fitoren e Trumpit në vitin 2024 si një zhvillim që kishte krijuar një mjedis politik më të favorshëm.
Mbështetja e njerëzve të lidhur me Trumpin dhe heqja e sanksioneve amerikane e kanë ndihmuar Dodikun të përballojë presionin e brendshëm dhe ndërkombëtar, tha për NYT Adnan Cerimagic, analist i European Stability Initiative.
Sipas tij, kjo jo vetëm i dha Dodikut legjitimitet përballë elektoratit të vet, por e forcoi edhe kundër kritikëve brenda dhe jashtë Republikës Srpska.
Nga Trump Jr. te ish-guvernatori Blagojevich
Rrjeti i lidhjeve të Republikës Srpska në SHBA shkon përtej LaCivita-s dhe Blair.
Donald Trump Jr. vizitoi Republikën Srpska në prill si i ftuar i djalit të Milorad Dodikut, një udhëtim që u interpretua në rajon si sinjal i afrimit me rrethin e presidentit amerikan.
Zeljka Cvijanovic, eksponente e partisë së Dodikut dhe përfaqësuese serbe në presidencën e Bosnje-Hercegovinës, u takua gjithashtu në Shtëpinë e Bardhë me Susie Ëiles, shefen e stafit të Trumpit.
Sipas dy burimeve të cituara nga NYT, takimin e organizoi Alex Garcia, një lobist që kishte punuar në fushatën presidenciale të Trumpit në vitin 2024 nën drejtimin politik të Blair.
Kompania e Garcia-s u regjistrua në shkurt për të përfaqësuar Republikën Srpska kundrejt një pagese prej 35 mijë dollarësh në muaj.
Një tjetër emër është Rod Blagojevich, ish-guvernatori i Illinois me origjinë familjare serbe. Sipas dokumenteve të lobimit të cituara nga gazeta, kompania e tij ka marrë 1.325 milionë dollarë nga Republika Srpska që prej marsit të vitit të kaluar.
“Serbia dhe Srpska e duan Trumpin”, deklaroi Blagojevich për NYT, duke shtuar se të qenit pro Trumpit përbën një avantazh të madh politik në Republikën Srpska.
Në këtë rrjet lidhjesh dhe parash hyri edhe LaCivita, ndërkohë që vazhdonte të ishte një prej strategëve të rëndësishëm të operacionit politik të Trumpit në SHBA.
Para Bosnjës, Australia dhe Shqipëria
Republika Srpska nuk është angazhimi i parë politik i Chris LaCivita-s jashtë Shteteve të Bashkuara pas fitores së Trumpit.
Në pranverën e vitit 2025, një regjistrim i fshehtë i publikuar nga CORRECTIV dhe Centre for Climate Reporting e kapi duke folur për një udhëtim në Australi.
“Isha në Australi dy javë më parë duke ndihmuar Partinë Liberale atje”, deklaronte LaCivita në regjistrim.
Australia ndodhej në prag të zgjedhjeve federale dhe opozita konservatore drejtohej nga Peter Dutton. Në bisedën e regjistruar, LaCivita fliste për problemet strukturore të Liberalëve dhe vështirësitë që lidheshin me drejtimin e Duttonit.
Zgjedhjet e 3 majit përfunduan me një humbje të rëndë të Koalicionit përballë laburistëve të kryeministrit Anthony Albanese. Vetë Dutton humbi edhe vendin e tij në parlament.
Pas publikimit të regjistrimit, Liberalët mohuan se LaCivita kishte punuar për fushatën e tyre, ndërsa strategu amerikan deklaroi se aktiviteti i tij në Australi lidhej me interesa biznesi. Por në regjistrim ai vetë kishte thënë se kishte qenë atje duke “ndihmuar Partinë Liberale”.
Pak më pas, LaCivita u shfaq në Shqipëri.
Këtu roli i tij ishte publik. Sali Berisha e angazhoi si strateg të fushatës së Partisë Demokratike për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025. LaCivita erdhi disa herë në Tiranë, u shfaq në aktivitetet e opozitës dhe mori rol të drejtpërdrejtë në strategjinë elektorale të Berishës.
Dokumentet financiare të fushatës treguan më pas edhe përmasën e marrëdhënies financiare: kompania e LaCivita-s mori mbi 1.6 milionë dollarë nga Partia Demokratike.
Në të njëjtën periudhë, PD angazhoi edhe emra të tjerë amerikanë dhe nënshkroi një marrëveshje të veçantë me kompaninë “Continental Strategy”, me një vlerë që mund të arrinte në 6 milionë dollarë.
Kontrata, e firmosur nga sekretari i përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, përfundoi nën vëmendjen e SPAK, i cili nisi verifikime lidhur me financimin dhe burimin e parave.
Marrëveshja me “Continental Strategy” është e ndarë nga pagesat që PD i bëri kompanisë së LaCivita-s, por të dyja i përkasin së njëjtës periudhë kur opozita shqiptare investoi miliona dollarë në konsulentë, strategji dhe lidhje në Shtetet e Bashkuara.
Pas Australisë dhe Shqipërisë, investigimi i “The New York Times” e vendos tani LaCivita-n në Republikën Srpska. Ndryshimi është se këtë herë angazhimi i tij jashtë SHBA-së ka prodhuar pasoja politike edhe në Uashington, duke detyruar Trumpin të kërkojë shpjegime nga një prej njerëzve që e ndihmoi të rikthehej në Shtëpinë e Bardhë.
j.l./ dita
