Nga Migena Aleksi
Rama, tha sot se “për herë të parë në histori, buxheti i shtetit shqiptar kalon pragun e 10 miliardë eurove”.
Sipas kryeministrit:
“Edhe e vetme, kjo shifër mjafton për t’u thënë të tërë atyre që duan ta mbulojnë dritën e progresit të Shqipërisë, me shoshën e urrejtjes dhe xhelozisë, se Shqipëria rritet dhe ekonomia e saj gjithashtu”.
Shifra formale, është e saktë. Buxheti i konsoliduar i shtetit shqiptar për vitin përkatës (zakonisht i referohet projektbuxhetit të vitit të fundit ose shifrave të planifikuara) ka kaluar për herë të parë shifrën e 10 miliardë eurove në terma nominalë (të llogaritur me kursin e këmbimit dhe rritjen nominale të PBB-së).
E para shifra duhej thënë në lekë. Për faktin e thjeshtë që ky është buxheti shtetëror shqiptar. Kjo shifër vjen si pasojë edhe e zhvlerësimit të euros ndaj lekut, gjë që e nxjerr shifrën në euro ndryshe kur llogaritet me kursin aktual.
Por le ta lemë këtë truk “të vogël” mënjanë. Nuk pritet realizëm e aq më pak thjeshtësi apo modesti nga një si Rama. Për të, një lajm i thatë statistikor nuk ka “fuqi emocionale”.
Ajo që ka më shumë rëndësi të kuptohet është se një buxhet më i madh shtetëror nuk përkthehet automatikisht në një mirëqenie më të lartë për çdo qytetar. Shqipëria vazhdon të ketë sfida të mëdha me koston e jetesës, pagat reale (që po i ha inflacioni) dhe largimin e popullsisë.
Rritja e buxhetit shoqërohet edhe me rritje të shpenzimeve operative apo koncesioneve (PPP), të cilat nuk prodhojnë domosdoshmërisht vlerë të shtuar afatgjatë për ekonominë e zakonshme.
Sigurisht, deklarata e Ramës është një mënyrë tipike e politikanëve sipërfaqësorë si ai për të nxjerrë në pah vetëm tregues makroekonomikë imponues, duke shmangur debatin mbi shpërndarjen e pasurisë, pabarazinë sociale, korrupsionin apo nivelin real të jetesës së qytetarëve të thjeshtë.
Prandaj, shifra është e vërtetë, por përfundimi se “kjo mjafton për të provuar se gjithçka po shkon mirë” është qesharake në aspektin ekonomik.
E dyta që duhet vënë në dukje është ky farë “stili” retorik i Ramës që mbështetet te kontrastet e forta i bardhë/i zi, modern/prapambetje, vizionar/dashakeq. Që një sukses të duket i madh, ai duhet të paraqitet patjetër si diçka që është arritur kundër pengesave, zilisë dhe errësirës që përfaqësojnë kundërshtarët apo kritikët e sjelljes dhe vendimeve të tij.
Një burrë shteti do duhej të fliste me gjuhën e përgjegjësisë institucionale, ku rritja ekonomike pranohet me maturi dhe diskutohet se si mund të përkthehet në një jetë më të mirë për të gjithë. Por për kryeministrin, ka vlerë vetëm gjuha e luftës dhe e triumfalizmit. Ajo shërben jo vetëm si mburojë ndaj kritikave por edhe si furnellë për të mbajtur elektoratin ndezur.
Në një shoqëri të polarizuar si ajo shqiptare, mesazhet neutrale dhe informative do ishin shumë të vlefshme. Por Ramës, as i duhet largimi nga polarizimi, përkundrazi.
Ndaj politika e tij funksionon me logjikën banale “ose me ne, ose kundër nesh”. Duke e paraqitur çdo vendim të vetin si një fitore ndaj “skeptikëve” apo “kundershtarëve”, ai u kujton mbështetësve se janë në anën e duhur të historisë dhe se suksesi i madh po luftohet nga “xhelozët”.
Nëse diskursi do të mbahej në nivelin e thjeshtë ekonomik, pyetjet e radhës do të ishin të pashmangshme: Po ç’kuptim ka ky “buxhet 10 miliardë”, kur çmimet e ushqimeve dhe banesave janë rritur kaq shumë? Pse Shqipëria vazhdon të ketë largim të popullsisë nëse paratë në buxhet janë kaq shumë?
