Një krizë e heshtur po shkurton jetëgjatësinë e baballarëve, burrave, vëllezërve dhe djemve. Për vite të tëra, disa fatalitete, dukej se kishin të bënin kryesisht me gratë, por një vështrim më i afërt i të dhënave të jetëgjatësisë tregon një histori më të ndërlikuar.
Përgjatë jetës – nga fëmijëria, në vitet e adoleshencës, jetës së mesme dhe moshës së thyer – rreziku i vdekjes në çdo etapë është më i lartë për djemtë dhe burrat, se për vajzat dhe gratë.
“Burrat janë të avantazhuar në çdo aspekt të shoqërisë sonë, por ne kemi rezultate të këqija në disfavor të tyre, për shumicën e gjërave shëndetësore që na vrasin”, tha Derek Griffith, i Universitetit Georgetown.
Jetëgjatësia midis burrave dhe grave ndryshon në mbarë botën dhe ndikohet nga normat kulturore, aftësia për menaxhimin e të dhënave, faktorë gjeopolitikë si lufta, ndryshimet klimatike, varfëria. Por të dhënat në çdo rast po paraqesin së fundmi një pamje të zymtë për burrat.
– Burrat janë në një rrezik më të madh për të vdekur nga Covid-19 sesa gratë, një hendek që nuk mund të shpjegohet me shkallën e infeksionit ose sëmundjet paraekzistuese. Shkalla e vdekshmërisë për Covid ishte 140 vdekje për 100,000 për meshkujt dhe 87,7 për 100,000 për femrat.
– Më shumë meshkuj vdesin nga diabeti sesa femra. Shkalla e vdekjeve për burrat është 31.2 për 100,000 njerëz kundrejt 19,5 për 100,000 për gratë.
– Shkalla e vdekshmërisë nga kanceri është më e lartë tek meshkujt – 189,5 për 100,000 – krahasuar me 135,7 për 100,000 për gratë (meshkujt e zinj kanë shkallën më të lartë të vdekjeve nga kanceri me 227.3 për 100,000).
– Shkalla e vdekjeve për djemtë dhe adoleshentët e moshës 10 deri në 19 vjeç (44,5 për 100,000) është shumë më e madhe se për vajzat (21,3 për 100,000).
– Edhe tek foshnjat, shkalla e vdekshmërisë është më e lartë për djemtë (5.87 për 1000 lindje të gjalla) kundrejt vajzave (4.95 për 1000).
– Burrat vdesin nga vetëvrasja gati katër herë më shpesh se gratë, bazuar në të dhënat e vitit 2020 nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA (shkalla e vetëvrasjeve është më e larta tek meshkujt e bardhë të moshës së mesme).
– Në vitin 2020, rreth 72 për qind e të gjitha viktimave të vdekjes nga aksidentet me automjete ishin meshkuj. Burrat gjithashtu përbënin 71 për qind të vdekjeve të këmbësorëve, 87 për qind të vdekjeve të biçiklistëve dhe 92 për qind të vdekjeve të motoçiklistëve.

Arsyet pas hendekut të jetëgjatësisë burra-gra nuk janë kuptuar plotësisht. Natyra globale e pabarazisë sugjeron se biologjia ndoshta luan një rol të fortë.
– Për shembull, nivelet e larta të testosteronit, të cilat e dobësojnë reagimin imunitar, mund të jenë një faktor pse burrat dhe gjitarët meshkuj në përgjithësi janë më të prekshëm ndaj infeksioneve parazitare.
– Estrogjeni mund të shpjegojë pse gratë kanë shkallë më të ulët të sëmundjeve të zemrës gjatë gjithë jetës – dhe pse hendeku ngushtohet pasi gratë arrijnë menopauzën. Edhe pse estrogjeni duket se është mbrojtës tek gratë, studimet në vitet 1970 treguan se kur estrogjeni u jepej burrave, në vend që të ishte mbrojtës, ai shkaktonte dyfishin e shkallës së sulmeve në zemër.
– Burrat gjithashtu njihen se përfshihen në sjellje më të rrezikshme, si përdorimi i drogës dhe alkoolit, pirja e duhanit dhe ngarje e pamatur.
– Paragjykimet kulturore rreth maskilitetit që i mësojnë djemtë dhe burrat të fshehin ndjenjat e tyre dhe të mos ankohen, sepse kjo nuk është “burrërore”, gjithashtu ndikojnë në shëndetin e burrave.
Për shembull, megjithëse sëmundje të tilla si depresioni, diabeti, sëmundjet e zemrës dhe hipertensioni janë të zakonshme si tek burrat ashtu edhe gratë, burrat shpesh presin më shumë për të kërkuar kujdes dhe sëmundjet diagnostikohen në fazat e vonshme, duke çuar në më shumë dëmtime dhe rezultate më të dobëta kuruese.
Edhe pse djemtë dhe vajzat vizitojnë pediatrin me të njëjtin ritëm, trendi ndryshon në moshën madhore dhe vizitat mjekësore nga burrat bien. Të dhënat tregojnë se shkalla e vizitave te mjeku në vitin 2018 tek femrat ishte pothuajse 40 për qind më e lartë – 3.08 vizita për grua kundrejt 2.24 për burrë.
Gratë kanë dy herë më shumë gjasa se burrat për të prenotuar teste të rregullta vjetore dhe për të përdorur shërbimet parandaluese. Meshkujt kanë më shumë gjasa të vizitojnë mjekun për shkak të një dëmtimi sportiv ose për recetën e “Viagra”-s. Mjekët dhe urologët e mjekësisë sportive përfitojnë t’i përdorin ato vizita për të kontrolluar presionin e gjakut, kolesterolin dhe tregues të tjerë të shëndetit të përgjithshëm.
Ideja për të shkuar te një mjek për të parandaluar kancerin ose sëmundjet e zemrës – nuk është në mendjen e shumë burrave derisa diçka t’u ndodhë atyre.
Ndërsa shiriti rozë është ngritur në statusin ikonik për të sinjalizuar ndërgjegjësimin për kancerin e gjirit, asgjë në shëndetin e meshkujve nuk ka arritur të njëjtin nivel vëmendjeje.
Ka një hendek empatie. Ka njerëz që ngrenë supet dhe thonë: “Po, burrat vdesin më të rinj. Kështu është bota”. Nuk ka pse të jetë kështu, nëse i kushtojmë vëmendje dhe burime.
a.q. / dita
