Nga Ilir Demalia
Dje dasma e radhës me para që hidhen para Kryeministrisë si banalitet provincialo-katundar
Kjo që u quajt protestë ishte, në thelb, një procedurë autopsie e një opozite tashmë të vdekur, e veshur me kostumin e maskaradës.
Tiku shpalosi gjashtë pika, të menduara si gjashtë gjymtyrë të një trupi politik që pretendon ende jetë. Dy prej tyre — e para dhe e gjashta — flisnin për “krijimin e një komiteti qytetar” dhe “pasurimin e grupit negociator me emra të spikatur të shoqërisë civile”. Ishin fjalë të pastra, të sterilizuara mirë, por të vendosura mbi një trup pa puls.
Në terrenin konkret, përpara Kryeministrisë, nuk u pa as qytetari dhe as shoqëria, e aq më pak ajo civile. U pa vetëm një grumbull figurantësh që lëviznin sipas një skenari të vjetër, ku “shoqëria civile” shërben si organ dekorativ: nxirret nga frigoriferi sa herë duhet të legjitimohet një pazar i ri politik. Një koncept i balsamosur, që përdoret si alibi morale për një trup që ka kohë që nuk prodhon as ide, as ndjeshmëri, as përgjegjësi.
Kjo shoqëri civile, e reduktuar në krushqi, halla e teze, funksionon si mekanizëm riciklimi për të kallurit dhe të pakallurit: të parët kërkojnë shpëtim, të dytët kërkojnë hyrje, dhe të gjithë bashkë simulojnë reformë. Nën monitorimin e përhershëm të Shabës së popullit, dhe negociatorit Hasimja që I shkel syrin Tiku sikur nuk do me te pakallurin fajet relativizohen, përgjegjësitë shpërndahen, dhe pazari paraqitet si pajtim.
Çfarë mbetet në sipërfaqe është një çfaqje folklorike, një tallava dasmash emigrantësh të politikës: hedhje eurosh simbolike, gjeste rebelimi të paketuara për kamera, ndonjë provokim i llogaritur për kryeministrin, më shumë ofertë negociate sesa akt kundërshtimi. Jo revoltë, por reklamë.
Populli, i vendosur në rolin e nuses, shikon, pret dhe vlerëson. Jo zhurmën, por substancën. Jo vallen, por fuqinë reale. Dhe kur kupton se fshati politik është pa tope — pa mendim, pa kurajo, pa autonomi — reagimi nuk është zemërim, por largim. Një lamtumirë e ftohtë, pa dramë.
Seriali vazhdon çdo javë: Tiku, që nuk bashkohet as me të kallurin as me të pakallurin, por lëviz nëpërmjet ndërmjetësve, negociatorëve dhe monitorëve, duke i bërë syrin çfaqjes së radhës. Një realizëm socialist i riprodhuar në kohë postmoderne: personazhe të njohura, konflikt i rremë, fund i paracaktuar.
Autopsia është e qartë. Kjo opozitë nuk vuan nga mungesa e mbështetjes, por nga mungesa e kuptimit të vetvetes. Ajo nuk është e shtypur, por e konsumuar. Dhe çdo protestë e re nuk është ringjallje, por vetëm një tjetër përpjekje për ta maskuar vdekjen me zhurmë, ritëm dhe drita skene.

Çuditërisht, sot përjetojmë një absurditet me mënyrën se si shfaqen papritmas në skenën politike debutantë që ëndërrojnë të ngjisin si pa u ndjerë shkallët që të çojnë drejt mandatit të deputetit dhe jo vetëm.
Zhurma mediatike përhapet si jehonë, mjafton që dikush të vetëshpallet “opozitar” dhe të paguajë kaparin e majmur përkundrejt propagandës në emër të tij. Kjo zhurmë shoqërohet shpesh me reklama televizive e pankarta me përmasa ekstreme, të varura në mjedise me dukshmëri dhe frekuentim kalimtarësh, pjesën dërmuese të së cilës e zë fotoja e retushuar e debutantit, sigurisht duke buzëqeshur, dhe nën të sigla dhe inicialet e çetës së re politike.
Absurditeti qëndron në faktin se “partitë” e lindura nga hiçi sot bëhen të njohura në publik dhe mbajnë emrin e figurantit si pshm. partia e tikut, partia e rakitikut, partia e blushit, apo partia e karabushit. Partitë e hiçit sot pjellin rrugëve. Numri i tyre herë shtohet e herë pakësohet. Çudi e mesme se si një vend me rreth një miljon e kusur votues ka të regjistruara mbi njëqind parti, emrat e të cilave i kanë harruar dhe vetë themeluesit. Shembull konkret çeta libra që u vyshk para se të zinte rrënjë.
Kompliment autorit.
È keqja nuk vjen nga protestat. Edhe legenet jane te lire Te zhurmojne. E keqja vjen nga perqeshja e cdo proteste. Duke afirmuar se nuk kane njerez, a thua se sasia eshte legjitimitet. Se nuk kane gogla, apo s’kane program. Apo se jane malok e apo fshatare, apo dru me pre. A se jane shume te rinj, a shume te vjeter, etj. E verteta eshte se shoqeria jone ngjan tanime me nje makine te vjeter me shume kilometra, ku eshte luks te pretendosh qe te mos jape defekte. Po c’te bejme? Te presim zgjedhjet e 2029? Ky Lapaj me jep pershtypjen e prodhuesit Te cigareve qe mire e bukur shkruan pa qeder se duhani te con per rahmet. Por qe ka besim se malli do shitet me sukses. Per dreq, ne politike do hyje kjo kategori njerezish, harrojini idealistet. Nuk arrijne dot te mbledh in milet dhe pervec autobusit tu paguajne edhe rrogen ditore.
Opozita shqiptare eshte ne krize dhe do jete ne krize kur nuk heq dore nga politika Sali Berisha