Skema shqiptare e pensioneve nisi në vitet 1930 si një skemë e kufizuar kursimesh për punonjësit e administratës publike të asaj kohe. Ndërsa në vitet 1950, u zgjerua për të përfshirë të gjithë punëtorët. Gjatë viteve të komunizmit një skemë e veçantë u krijua për punonjësit e kooperativave. Pensionet e kooperativave qenë më të ulëta se sa pensionet e punonjësve në sektorin jobujqësor.
Në vitin 1991 ekonomia socialiste falimentoi. Shteti nuk pati më mundësi të respektojë kontratat e pensioneve të dekadave të mëparshme. Në vitin 1994, një ligj i ri pensionesh, i ra shkurt duke shpërndarë pensione minimale për të gjithë. Pensioni për zonat urbane u caktua në masën 2,200 lekë në muaj ndërsa në zonat rurale qe vetëm 700 lekë në muaj.
Por në vitin 1996, Kuvendi i Shqipërisë miratoi një ligj që i ndau shqiptarët efektivisht në tre kategori. Pensione speciale dhe përfitime të tjera u përcaktuan për zyrtarët e lartë të shtetit, të zgjedhur apo të emëruar.
Sipas këtij ligji, zyrtarët e lartë vijonin të merrnin 40-50 për qind të pagës në formën e pensionit edhe për tre vjet pas largimit nga detyra, pavarësisht se mund të kishin qëndruar në detyrë vetëm dy vjet. Ata përfitonin gjithashtu pension dy – tre herë më të lartë se sa pjesa tjetër e shqiptarëve dhe u jepej e drejta të dilnin në pension shumë vite më herët se sa pjesa tjetër e popullsisë.
Megjithëse ata përbënin një numër relativisht të vogël prej disa qindra vetësh fillimisht, kostoja e pensioneve të tyre qe e konsiderueshme ndërsa numri i përfituesve u rrit me shpejtësi përgjatë viteve. Me pensione më të larta dhe me kohëzgjatje përfitimi më të lartë gjithashtu për shkak të daljes së parakohshme në pension, barra që ata i kanë ngarkuar shqiptarëve është e konsiderueshme.
Në vitin 2009, qeveria krijoi edhe një skemë tjetër të këtij lloji, për të dhënë pensione speciale për stafet akademike. Teorikisht, skema duhet të vetëfinancohet, pasi profesorët e sotëm duhet të paguajnë kontribute më të larta për të paguar pensionet më të larta të profesorëve në pension. Praktikisht buxheti i shtetit paguan pjesën dërrmuese të kostove.
Në vitin 2015, e detyruar nga deficiti i lartë i skemës së pensioneve, qeveria bëri disa ndryshime në skemë duke rritur moshën e daljes në pension nga 55 në 60 vjeç si dhe duke rritur me 1 për qind masën e kontributeve ekstra që kjo kategori paguan për pensionin suplementar.
Pjesë e reformës ishte edhe skema për personat që gëzojnë tituj shkencorë, duke rritur masën e kontributeve të sigurimeve shoqërore për ata që punojnë në institucionet publike.
Me gjithë ndryshimet në skemë, raporti mes financimit të skemës nga kontributet dhe buxhetit të shtetit mbetet tejet i lartë.
Ndërkohë që pensionistët e thjeshtë numërojnë çdo qindarkë, shqiptarët paguajnë miliarda lekë çdo vit për pensione suplementare. Aktualisht rreth 2500 ish-zyrtarë të lartë përfitojnë pensione të jashtëzakonshme. Kjo është një barrë e konsiderueshme për buxhetin e shtetit.
Ekspertët e ekonomisë thonë se skema e pensioneve suplementare për personat që ushtrojnë funksione kushtetuese dhe shtetërore prodhon shpenzime të padrejta.
Trajtimi i privilegjuar i ushtruesve të funksioneve të larta publike ndikon negativisht në perceptimin e publikut rreth mënyrës sesi qeveriset vendi.
Janë privilegje, që politikanët ia japin vazhdimisht vetes dhe kjo është një nga arsyet që parlamenti është kthyer në një dyqan interesash privatë, që nga deputetët deri te biznesmenët e Shqipërisë.
Dita – Ekonomi
