Nga Sherif Bundo
Botuar në DITA
Kishte kohë që më davaritej ideja për të shkruar diçka për brezin e tretë. Nuk e di pse gjithnjë për pensionistët kam menduar se është një shtresë për të cilën shoqëria në përgjithësi dhe qeveritë në mënyrë të veçantë ose nuk kanë menduar seriozisht, ose kanë menduar seriozisht por vetëm në një moment, kur e shohin këtë shtresë si material elektoral.
Më duhet të nënvizoj që në fillim të këtij shkrimi dhe reflektimi në DITA faktin se si profesor në fushën e financës, kuptoj shumë mirë, analizoj dhe kam reflektuar me dhjetra dhe dhjetra herë, mbi mundësitë e ndërtimit të një sjellje tjetër të shtetit dhe shoqërisë ndaj këtij brezi.
Qëndrimi ndaj pensionistëve nuk është vetëm problem financiar. Kush e shtron vetëm si të tillë nuk kupton as nga financa, as nga shteti, as nga shoqëria dhe as nga jeta. Kur jemi të rinj, gjëja që nuk ju shkon në mend çdo të riu, është mosha e pleqërisë dhe pensioni. Dhe nuk ka më bukur! Por, fakti që nuk mendojmë nuk do të thotë se ajo nuk ekziston apo se jemi shoqëri racionale.
Në përgjithësi në Shqipëri risku anashkalohet, edhe në jetën dhe shëndetin e personit, edhe në biznes, edhe në sektorin publik. Nuk është mënçuri të injorosh diçka të vërtetë. Është temë e gjerë. Mosha e pleqërisë ekziston objektivisht si një fazë e rëndësishme e ciklit fiziologjik njerëzor. Me përjashtim të forcës fizike dhe vitalitetit fizik, një person i moshës së tretë ka të njëjtat kërkesa dhe interesa. I mungojnë burimet e mjaftueshme ekonomike dhe financiare të jetojë në mënyrë dinjtoze.
Dy gjëra nuk arrij të shpjegoj dot
Niveli i shpërdorimeve dhe korrupsionit në vëndin tonë ka qënë dhe vazhdon të jetë shumë i lartë. Shëmbujt dhe faktet tregojnë se ky indeks vazhdon të rritet më keq se në të kaluarën. Motivi më i fortë i angazhimit në punët publike, në administratën shtetërore dhe në mënyrë të veçantë në politikë, është motivi i pasurimit. Shoqëria është kthyer kokëposhtë. Më duket sikur shoqërisë i ka humbur busulla.
Motivimi është busulla që na tregon drejtimin e lëvizjes dhe të angazhimit të energjive dhe përkushtimit tonë në jetë. Njerzit kanë motive të ndryshme. Një nxënës apo student ka motiv shkollën dhe notën. Një nënë ka motiv përkushtimin, kudesjen dhe mirërritjen e fëmijëve, një nëpunës karierën dhe pagën, një biznesmen ka motiv si fillim fitimin dhe më vonë krijimin dhe rritjen e bizneseve të reja si filizat e një peme. Një profesor ka motiv gradat dhe titujt shkencorë, librat dhe studimet. Një mësues ka motiv mësimdhënien, dijen, nxënësit dhe progresin e tyre. Një poltikan ka për motiv karierën që vjen natyrshëm si shërbim me përulje ndaj publikut.
Po pse tek ne është krijuar opinioni se në se gjatë angazhimit në politikë nuk u bëre i pasur, atëherë nuk je i aftë? Ç’është kjo hata e madhe?! Si ka mundësi që është ngjizur një mentalitet i tillë, mentalitet i cili është bërë motor që vë në lëvizje administratën dhe qeveritë? A ka nevojë për prova, kur shikon se çfarë po bën SPAK-u? Gjithë këta politikanë, ministra, deputetë, kryetarë bashkish të dënuar.
Nuk jam dakord me mentalitetin dhe shpjegimet që bëjnë disa, se këta vjedhin por edhe punojnë. I trajtojmë fondet e buxhetit të shtetit sikur janë fonde që burojnë nga xhepat e vendimmarrësve politikë dhe sikur ata kur bëjnë një punë publike, ne nuk na ngelet gjë tjetër veçse tju shtrojmë qilimin e kuq se na e bënë dhuratë.
Fondet e buxhetit të shtetit janë para që kanë rrjedhur dhe rrjedhin nga portofoli ynë, nga ai portofol që kur e tundin pensionistët duket i boshatisur. Një pjesë e kësaj boshatisje vjen nga që gjithë jetën ata punuan në shërbim të një mekanizmi që nuk mbushte portofolin dhe buxhetin e tyre familjar, por mbushte buxhetin e shtetit.
Pushtetarët janë shërbëtorët e përkohshëm të mirëpërdorimit të atyre fondeve që janë krijuar nga pagesat tona, nga kontributet tona. E në këtë pikë, gjëja e dytë që nuk shpjegoj dot, apo më saktë unë di ta shpjegoj shumë mirë, por nuk e pranoj dot, është ajo fatkeqësia që ky brezi i tretë, për të cilin po shkruaj sot, u plak pa hequr dot mënjanë aq para sa të mbyllë me dinjitet jetën që i ka ngelur. Është vërtetë fatkeqësi: u plakën pa u pasuruar, jo për faj të tyre.
Tani që mbusha moshën e pensionit, u ndesha edhe me një fenomen tjetër: Nuk kuptoja frikën dhe hezitimin që kanë shumë të punësuar për të dalë në pension. I shihja ata me një sy tjetër, me atë sy që e sheh tjetrin si të paaftë për të pranuar fazën e ciklit fiziollogjik që e ka sjellë jeta dhe vitet. Të plakesh është fat. Jo të gjithë e kanë këtë fat. Por, si profesor i financës, mua nuk më falet që të mos thellohem më tej, për të gjetur, kuptuar dhe pranuar faktorët e vërtetë të kësaj frike.
Frika është e lidhur me riskun e lartë të humbjes së të ardhurave. Dhe çfarë ndodh: kalon dita e fundit që mbushet mosha e pensionit dhe të ardhurat bien dy deri në katër herë. A thua se pensionistët s’kanë më nevojë të jetojnë?! Janë po ata që ishin para dy ditësh, kanë po atë familje, po atë grua, po atë burrë, po ato përgjegjësi dhe angazhime. Kanë kaluar vetëm dy ditë nga jeta.
Pa le pastaj sa përbuzëse është termi “pensioni i pleqërisë”, a thua se çdo person që plotëson moshën e pensionit, qënka domosdoshmërisht edhe plak.
Modeli holandez i trajtimit të pensionistëve
Ka shumë vite, kur bëra një vizitë pune në Hollandë, u ndesha me një fenomen që më bëri përshtypje dhe më dha një dozë të lartë optimizmi sikur bëra ndonjë zbulim të rrallë.
Qeveria hollandeze, ka një ligj, sipas të cilit, një pensionist, kur plotëson moshën e pensionit dhe ka energji fizike dhe mendore të mira e mund të punojë, e angazhon me një trajtim të mirë financiar, suplementar. I sapo dali në pension atje bën rolin e një drejtuesi profesional, të një trajneri profesionistësh, të një këshilltari, të një mjeshtëri, të një njeriu të urtë.
Por, akoma më interesante ishte, angazhimi që ju bën ministria e punëve të jashtëme të Hollandës, këtyre “pensionistëve” të rinj. Këta pensionistë, janë ekspertë që mund të asistojnë në fushat e tyre dhe të udhëheqin profesionalisht dosje, projekte dhe eksperienca në vëndet e tjera. Para disa vitesh, një grup i tillë “pensionistësh” nga Hollanda, asistuan biznese shqiptare, organizata jo qeveritare dhe segmente të tjera të shoqërisë civile në vëndin tonë, asistuan zyra të projektimeve dhe këshillimeve.
Një pjesë shkuan nëpër subjekte të turizmit, një pjesë në profesionet e lira, një pjesë në institucione të shëndetit. Përfitimet ishin të mëdha nga pala shqiptare. A kanë nevojë strukturat ekonomike dhe institucionale të shoqërisë shqiptare për “pensionistë të tillë”? Sigurisht që kanë. Nuk e tepëroj në se them që kemi pasur dhe kemi specialistë shumë të mirë nga inxhinieria, nga agronomia, veterineria, dhe nga fusha të tjera, të cilët nuk do të kishin lejuar të ndodhnin shqetësime serioze në shoqërinë tonë po qe se dëgjohej zëri i tyre, për fushat respektive.
Ky model më ngacmon të propozoj që shteti mund të inkurajojë biznese të krijuara prej pensionistëve. Njoh mbi dhjetë ccifte të dala në pension që kanë krijuar bujtina dhe debutojnë jo vetëm shumë mirë, por janë model në shërbime dhe korektesë.
Pse nuk duhet të ketë dalje të sforcuar në pension?
Në kushtet kur mungesa e fuqisë punëtore në shumë sektorë të ekonomisë është evidente, kur ekonomia dhe bizneset kërkojnë specialistë dhe teknicienë, kur në administratën publike paska me dhjetra dhe dhjetra vënde pune vakante, pse të mos vazhdojnë të punojnë me orare të reduktuara pensionistët?
Pse të mos gjëndet një formulë mikse të ardhurash për ta midis pensionit dhe një shpërblimi modest shtesë nga puna? Pse duhet të ketë dalje të sforcuar në pension? Ky problem, apo kjo pyetje është edhe më komplekse. Njoh personaltete që kanë kaluar moshën shtatëdhjetë vjeç dhe janë po aq aktivë sa edhe kur kanë qënë pesëdhjetë apo gjashtëdhjetë vjeç.
Madje, njoh miq dhe shokë që mbas daljes në pension kanë një aktivitet intelektual dhe punë më të madhe edhe se koha para pensionit. Në shtetet e Bashkuara të Amerikës, dalja në pension është e lirë.
Vendimmarrjen për të dalë në pension e merr vetë individi. Ndërsa dalja në pension është një mundësi që ngelet në të drejtën e individit në se e ushtron apo nuk e ushtron, është zgjedhje e tij. Kuptohet, atje funksionojnë skema të tjera financiare që financojnë pensionet, skema që janë krijuar ndër shekuj dhe që kanë vitalitetin e tyre financiar.
Skemat e sigurimit të jetës dhe të shëndetit, gjithësesi janë skema kryesisht nën kujdesin, garacinë dhe mbështetjen e shtetit dhe të buxheteve publike. Kuptohet, jeta nuk u dhuron të gjithëve të njëjtin fat për të njëjtën moshë.
Në disa vënde të tjera, nënkupto Francën, por jo vetëm, sindikatat bëjnë protesta dhe greva pa fund që qeveritë të mos ritin moshën e daljes në pension. Komplet ndryshe nga ajo çka ngjet në SHBA. Modelet janë nga më të ndryshmet. Dalja në pension dhe trajtimi i pensonistëve, skemat e pensionit, janë gjithë kolorit.
Në Francë, nuk duan të rritet mosha e daljes në pension për një kategori të caktuar punonjësish, të cilët kanë paga të ulëta dhe punë të lodhshme. Sindikatat e tyre kanë të drejtë. Për ta, pagat neto dhe nivelet e garantuara të pensionit nuk janë shumë larg. Ka kategori të tjera që daljen në pension, edhe atje, e përjetojnë keq, sepse dalja nga jeta aktive nuk përkon me aktivitetin e mirë fizik dhe mendor të tyre.
Dalja në pension është një e drejtë por nuk duhet të jetë një detyrim. Dalja në pension në më të shumtën e rasteve, në vëndin tonë trajtohet si rast për të liruar një vënd të ri pune. E thënë më ndryshe, dalja në pension është një lloj lëvizje e detyruar për shkak të të ndjerit të shtyrjes me bryla prej një gjenerate tjetër.
Të kuptohemi: gjeneratat kanë të drejtën e tyre të afirmohen, kanë të drejtën e tyre të ngjiten në karierë, të drejtojnë dhe ti japin shoqërisë pamjen dhe imazhin e tyre. Gjeneratat kanë edhe përgjegjësinë të ndjejnë mbi shpatullat e tyre peshën e rëndë të drejtimit të punëve të mëdha të shoqërisë. Kjo është stafetë.
Pensionistët që kanë mbushur moshën, nuk mund të jenë më titullarë, drejtues, vendimmarrës të rëndësishëm. Ata nuk duhet të bëhen pengesë me prezencën e tyre për të progresuar në karierë, me meritë, të një brezi tjetër. Por, kjo nuk do të thotë se brylat e një gjenerate tjetër duhet të konsiderohen si ligjësi për çdo lloj vëndi pune.
Fjala vjen rolin e një këshilltari e bën më mirë një njeri me përvojë të gjatë jetësore se sa një djalë i ri, apo një vazjë e re, të cilët, rregullat e militantizmit, sjelljet politike, i sugjerojnë të këshillojnë një pushtetar dhe vendimmarrës tjetër të ri. Për opinionin tim, korrupsioni dhe padrejtësia, vijnë më shumë për shkak të mos vlerësimit të drejtë dhe mungesës së peshës së duhur të frikës dhe maturisë në punë.
Bonuset si nëpërkëmbje e dinjitetit njerëzor
Sa keq ndihen ata pensionistë që ju kujtohet fakti që ju është akorduar një bonus sa herë ka një ngjarje. Çfarë ngjarje? Sa herë ka një festë të fundit vitit, apo një prag fushate elektorale. Bonuset marrin emra të ndryshëm.
Ishim mësuar me bonusin e fundvitit, na tani edhe bonusin e pranverës. Bonuset, në fakt, janë forma të shpërblimit dhe të motivimit të lidhura me performancën në punë. Bonuset janë e drejta e pjesmarrjes së një punonjësi në fitimet e një kompanie, për shkak të rezultateve shumë të mira të tij në rezultatet shumë të mira të kompanisë.
Në një farë mënyre, bonusi të jep të drejtën të marrësh një pjesë shumë të vogël nga fitimet por pa qënë bashkëpronar në një subjekt ekonomik, pa pasur të drejta pronësore në të. Pensionistët nuk janë në marrëdhënie pune.
Për ta nuk ka kuptim as fjala bonus dhe as koncepti i performancës. Për pensionistët, do ishte mirë që shpërblimi që atyre u akordohet të mos quhej bonus, por thjesht shpërblim, ose shtesë pensioni. Kjo e fundit do ishte më e saktë, sepse edhe shpërblimi është pagesë e një shërbimi të kryer.
E dyta, përse duhet të përmëndet kaq shumë bonusi? A nuk është kjo përmëndje si një tepërim dhe shkelje në dinjitetin e tyre? Pse duhet tu zihet në gojë kaq shumë një e drejtë legjitime? Të kuptohemi sërish: Shpërblimi, shtesa, nuk ka lidhje me performancën e tyre në punë se ata nuk punojnë. Shpërblimi, shtesa, vjen nga fondet e buxhetit të shtetit, për të cilin ata kanë një jetë të tërë që kanë kontribuar.
Ata kanë kontribuar në buxhetet e viteve të kaluara, por edhe të vitit rrjedhës, ashtu siç kontribuojnë sot ata që punojnë. Është njëlloj sikur ti thuash një pensionisti që po të jap të hash ca rrush më shumë se këtë vit hardhitë prodhuan më shumë, duke harruar se hardhitë i kishin mbjellë ata vetë. Për ju, drejtuesit politikë, të qeverive, kurdo që të ndodhin, dhe të çfarëdo krahu që të jeni, kam një këshillë: mos e trajtoni shpërblimin, shtesën e pensionit, si sjellje tuaj të mirë, si keqardhje, si lëmoshë që vjen nga zemërgjerësia juaj.
Jo, në se manifestoni vërtetë një sjellje të tillë, shkoni dhe bëni dhurata nga paga juaj në një shtëpi të moshuarish. Për këtë do tu përulemi me nderim të lartë, por me një kusht, kur të dhuroni vërtetë nga paratë që fitoni prej pagës për punën që bëni dhe jo nga paratë që ju vinë në llogari apo nëpër xhepa prej korupsionit dhe padrejtësive.
Në se buxheti i sigurimeve shoqërore, apo akoma më mirë, në se të ardhurat e buxhetit të shtetit të një viti janë më të mbara, sepse janë krijuar në ekonomi kushte dhe faktorë që kanë favorizuar përmirësimin e ballancës së buxhetit, atëherë indeksohuni rregullisht pensionin si detyrim, jo si privilegj.
Rrituni pensionin aq sa ju takon çdo muaj si politikë e qëndrueshme jo si bonus favorizues. Bëjeni këtë periodikisht si respekt dhe dashuri institucionale, si mirënjohje dhe jo në periudha të tilla që të krijon përshtypjen e sjelljeve emocionale të shtetit për qëllime jo racionale.
Po, edhe shtetet, edhe qeveritë sillen emocionalisht, sidomos kur ju intereson politikisht. Disa media, shpërblimin e fund vitit, madje edhe ndonjë politikan, e trajton si bonus për gjelin e festës së fund vitit. Çfarë ironie! Le që gjeli kushton më shumë!
E çfarë do të thotë kjo, që do ti zësh në gojë edhe gjelin që ja bëre gjoja “dhuratë”?! E mira, edhe në sjelljen private, kur ti bën një dhuratë me fondet e xhepit tënd, bëhet dhe hidhet në det, nuk zihet në gojë. Një e mrë e zënë në gojë, e përgojuar, nuk është e mirë, është cënim i dinjitetit.
Pa le pastaj, që kjo nuk është çështje vullneti dhe as me paratë e individit. Harrojmë, se në se janë shtuar të ardhurat e buxhetit të shtetit nga tatimi mbi vlerën e shtuar, që është burimi kryesor për të ardhurat publike, janë edhe këta pensionistë që kanë kontribuar, se i kanë blerë të gjitha çka kanë konsumuar gjatë gjithë jetës së tyre duke paguar edhe këto tatime në çmimet e produkteve.
Ata kanë paguar TVSH kur blejnë energjinë, kur blejnë dhe paguajnë ujin, karburantin, ushqimet, veshjet, kur paguajnë tatimin mbi banesën, kur paguajnë celularin, kur pinë kafen, kur … marrin frymë. Çfarë është bonusi? Mos ju lutem, mos i fyeni duke ua zënë në gojë.
Akordojeni shpërblimin dhe heshtni. Heshtni dhe falënderojini pikërisht ata pensionistë që ju kanë dhënë mundësitë, me sakrificat e tyre si konsumatorë, të sjellin në buxhetin e shtetit të ardhura të tjera shtesë.
“Skemat e pensioneve ju ngjajnë atyre problemeve të vështira, të cilave është më mirë të mos u afrohesh se po u shkove pranë të shtienë frikën të merresh me to”. Kështu më tha, një ditë një miku im, që nuk është as ekonomist dhe as financier.
Në fakt, e vërteta nuk është kështu. Në se me një ngërç, nuk merresh atëherë mos prit gjithë jetën që të zgjidhet. Gjërat janë prej natyre të kokolepsura. Zotësia, zgjuarësia dhe aftësia e njerzve qëndron pikërisht te fakti se sa seriozisht merren me to. A e ke vullnetin ta kapësh të vërtetën, ta studiosh, të kërkosh zgjidhje dhe ta zgjidhësh?! Nyja Gordiane quhej e tillë se askush nuk kishte kurajën, forcën dhe as aftësinë, ta zgjidhte nyjën e një litari të lidhur aq keq, apo të merrej me të, deri sa mbriti Aleksandi i Madh dhe e preu me shpatë.
Prerja me shpatë shërbeu edhe si fat për pushtimet e mëtejshme të tij, drejt Azisë. Unë mendoj se me skemat dhe statusin e pensionistëve duhet të merremi seriozisht, sa më shpejt dhe institucionalisht. Ja pse, Akademia shqiptare e Arteve dhe shkencave ka programuar një debat të nivelit të lartë profesional dhe intelektual lidhur me trajtimin e moshës së daljes në pension, me statusin e pensionistëve dhe me nivelin e pagesës së pensionit.
Njerëzit që ndiejnë tërheqjen drejt diçkaje më të lartë janë shtysit dhe promotorët e progresit të vërtetë.
A ka mundësi për trajtim më të mirë financiar të pensionistëve?
Sigurisht që po. Sistemi “pay as you go”, që funksionon në vëndin tonë dhe në shumë vënde të tjera, “ju që punoni paguani kontribute të sigurimeve shoqërore, për të përfituar ata që janë në pension”, është tashmë i vjetëruar. Ky sistem e ka bazën nga fillimet e shekullit të kaluar, kur numri i atyre që punonin dhe kontribuonin ishte shumë më i madh se numri i atyre që përfitonin.
Pensionet dhe vetë sistemi, atëherë kishte pamjen e një skeme solidariteti, ku ka shumë që kontribuojnë dhe pak që përfitojnë. Në përgjithësi ky është parimi i funksionimit të çdo skeme sigurimi, nënkupto edhe sigurimet e pasurisë, të përgjegjësisë dhe të jetës. Vazhdimësia dhe mirëfunksionimi i këtij sistemi është i lidhur me elementë të tjerë.
Përmirësimet e pjesshme që i bëhen nuk janë gjithnjë të mjaftueshme. Struktura e shoqërisë po ndryshon, mosha mesatare po rritet, lindjet po bien, shoqëria po shkon drejt asaj që thuhet “shoqëri e plakur”. Raporti të rinj/të rritur/të moshuar po ndryshon gjithashtu. Garant të këtij sistemi sigurimi publik janë buxhetet e shtetit, fondet publike. Përderisa buxheti i shtetit mbështet, përballon dhe garanton sistemin e sigurimeve shoqërore, pra sistemin e pensioneve, por jo vetëm, kuptohet pensionet marrin trajtën e elementëve të pandashëm nga buxheti i shtetit.
Në fund të fundit, buxheti i shtetit është buxheti financiar i një komuniteti të caktuar, i gjithë vëndit. Pensionet, kontributet që paguajnë ata që punojnë dhe plotësimi apo kompletimi i sistemit janë në këtë mënyrë pjesë, apo marrin trajtën e një detyrimi tatimor.
Për ta bërë funksional, në mënyrë të qëndrueshme, këtë skemë, duhet të mbështetmi në elementë të tjerë. Cilat do të ishin disa? Fondet sovrane, do të thosha në rradhë të parë. Të ardhurat që prek shteti nga disa burime financiare specifike që kanë të bëjnë me burimet natyrore, me shfrytëzimin e burimeve ujore, të energjisë së lumenjve dhe burimeve të tjera dhënë me konçesion, që kanë rë bëjnë me pasuri të tjera të kësaj natyre si dhe me transaksionet apo të ardhurat nga privatizimet e veçanta, me avantazhet klimatike, taksa e fjetjes në hotel, etj, duhet të kompozojnë një fond që të menaxhohej dhe të investohej me kujdes.
Ky fond mund të ushqehet çdo vit edhe nga buxheti i shtetit me nga 300 apo 400 milion euro. Me të ardhurat e tij nga investimi, (të ardhurat nga kthimi) të ushqehej skema e pensioneve, principali të ngelej i pandryshueshëm ose të rritej çdo vit.
Ministria e Financave ka me siguri dhe gjen më shumë ide dhe burime nga sa përmenda unë në këtë shkrim. Reduktimi i kostove të huamarrjes publike apo përfitimet nga ristrukturimi huave, nga ulja e kostove të PPP, mund të ishin gjithashtu mundësi për tu riparë. Një studim më i detajuar gjen dhe gjeneron më shumë burime financiare prej ndërtimit të një optimumi tjetër në strukturën e shpenzimeve të buxhetit të shtetit. Së dyti, sot numri i të pënësuarëve është ulur, apo raporti të punësuar/pensionistë është pëkeqësuar. Dakord.
Por, sot punon teknollogjia, punojnë investimet, ka fonde që mund të kursehen nga mirëpërdorimi i buxheteve të shtetit. Nuk shkon sjellja me dy standarde: nga njëra anë pranohet me të drejtë rritja e pagës, për ata që punojnë, se është rritur kostua e jetesës, janë rritur çmimet, dhe nuk pranohet rritja e pensioneve për të njëjtën arsye. Shoh mjaft mundësi dhe rezerva te kostot e larta të punëve publike, te kostot e larta të administratës publike, te rrija e frikshme e numrit të punonjësve në disa dikastere dhe institucione, te mbivendosja e strukturave publike, te mungesa e ndjenjës së mirëadministrimit, te reduktimi i luksit në zyra dhe shërbime publike, te dora e lëshuar në pritje dhe përcjellje, te dora e lëshuar në mbingarkesën me militantë të administratës publike, etj.
Në pamje të parë të jep përshtypjen e një formule utopike, por për mua është një realitet që mund të preket me guxim. Guxojnë të aftët. Kjo nuk është thjesht një luks, kjo është paaftësi. Çfarë kuptimi ka lidhja e fortë korrelative midis rritjes dhe shtimit të numrit të administratës me zgjerimin e shërbimeve elektronike, me informatizimin, me automatizimin, me robotizimin.
Sigurisht, informatika ka hapur dhe po hap përditë fronte dhe poste të reja pune, por mungesa e vizionit dhe e profesionalizmit po bën që numri i punonjësve të administratës që ushqehen me fondet publike shtohet me rritme më të shpejta se sa rritmet e informatizimit. Është luks i madh të shtosh për efekte elektorale numrin e të punësuarëve në shtet, në administratë.
S’ka kontroll shëndetësor për pensionistët
Po kaq paradoksale më është dukur një rregull, sipas të cilit, mosha e tretë, individet me moshë mbi shtatëdhjetë vjeç nuk paskan të drejtë të përfitojnë nga kontrolli shëndetësor falas. Kontrollet shëndetësore të tyre duhet ti bëjnë ata vetë dhe me pagesat nga xhepi i tyre. Këtu më dalin para syve tre probleme që më pengojnë të shkruaj më tej. Së pari, Individët me moshë mbi shtatëdhjetë vjeç me siguri nuk janë të punësuar.
Ata janë pensionistë, të ardhurat e tyre kanë rënë. Deri tani kontrollet shëndetësore, analizat, (check up-et) i kanë bërë gratis. Tani që nuk kanë të ardhura duhet të paguajnë. Përsëri kokëposhtë. Së dyti, ky brez individësh, problemet më të mëdha shëndetësore i ka pikërisht në këtë segment moshor.
Korrelacioni smundje moshe per kete segment eshte i larte. Ato, smundjet, ilacet, trajtimet, shtohen mbas daljes në pension, pikërisht atëherë kur shkëputen nga puna dhe fillon jeta sedentare. Së treti, jetëgjatësia mesatare është rritur.
Të mendosh se individët me moshë mbi shtatëdhjetëvjeçare nuk kanë nevojë, do të thotë të mos jesh realist. Por, më tepër, kjo më jep mesazhin e shëmtimit të fytyrës sociale të shoqërisë dhe të kujdesit shëndetësor publik. A është nevoja të nënvizoj që kostot vjetore të kontrolleve shëndetësore janë të larta? Besoj këtë e dinë të gjithë.
Sa duhet të jetë pensioni minimal?
Këtë nivel nuk mund ta përcaktoj unë me një të rënë të lapsit në një shkrim publik. Por, kjo nuk më pengon të shprehem se disa nivele pensioni janë jashtëzakonisht të pamjaftueshme. Takoj pensionistë me origjinë nga fshati por që e kanë braktisur fshatin si të gjithë. Më shpjegojnë se e kanë shumë të vështirë që me 9700 lekë në muaj (me 97 euro) të përballojnë jetesën.
Pensioni pothuaj më i ulët për një pensionist që jeton në një vënd me çmimet më të larta në rajon. Kemi kaluar 35 vjet nga ndryshimi i sistemit, pothuaj aq sa vazhduam edhe me sistemin e kaluar. Nuk ka më kuptim koncepti pension për ish anëtarët e kooperativave bujqësore.
Në fushata elektorale i vinë rrotull konceptit të pensionit, por askush nuk e vë dorën në plagë. Nuk guxojnë, nuk duan të marrin përgjegjësi, apo nuk e shohin veten të aftë? Të treja do të thosha pa asnjë hezitim. Niveli minimal i pensionit është i lidhur me disa elementë të kostos së të jetuarit që përbëjnë bazën mbi të cilin duhet të mbështetet llogaritja.
Gjithësesi, pensioni i plotë i pleqërisë duhet të ketë një dysheme, poshtë të cilit nuk do kishte kuptim të ekzistonte asnjë lloj trajtimi financiar. Ky minimum bazohet te minimumi jetik, por sipas shumë përllogaritjeve duhet të jetë të paktën 30 mijë lekë, ose 300 euro dhe që duhet të indeksohet periodikisht.
Këtu nuk është vëndi për llogaritje teknike. Jo çdo mesazh është për çdo dëgjues, jo çdo gjë që dëgjojmë dhe shohim na frymëzon njëlloj të gjithëve.
—–
Botuar në DITA. Autori i këtij shkrimi është profesor i financave, anëtar i Akademisë shqiptare të Arteve dhe Shkencave.
Te lumte Zoti Bundo ne kete analize te hollesishme keni treguar plaget qe jane hapur pensionisteve dhe shoqerise shqiptare nga nje klase politike, qe nuk ka vene njeriun ne plan te pare por “vetem xhepat e tyre”. Jane me vend edhe propozimet qe beni per te mbyllyr sado pak keto plaage dhe per te lehtesuar vuajtjet e 700 mije pensionisteve.
KUR FLET SHKENCA FLET E VERTETA. URIME PER SHKRIMIN-KOMENT.
U bene shume vite me rradhe qe nga politikanet, dhe me keq, edhe nga studiuesit, lexojme te shkruhet togfjaleshi “populli meriton me shume…”, “pensionistet meritojne me shum`…” e te tjera perdorime pa kuptim te konceptit merite-meritoj…
Kam nje pyetje per te gjithe ata qe shkruajne se populli, rinia, pensionistet, shqiptaret, femrat… meritojne me shume…
Kush jeni ju qe percaktoni se Ata ose Ato meritojne me shume; ku e gjeni kete te drejte te percaktoni fatin e Atyre apo Ketyre njerezve, popujve, gjinive, racave, besimeve, kombeve dhe kombesive…? Nuk ka sjellje me te neveritshme letrare apo shkencore kur kalemxhiu, politikani, studiuesi… mer skeptrin e diktatorit dhe shperfaq se cilet jane Ata apo Ato individe dhe grupe individesh qe meritojne apo nuk meritojne pensione, jete, respekt shoqeror, shtet, koloni, kolltuke, prezervative, apo kolloqifte me rigon…
Eshte populli dhe vetem populli ai, “perandor”, qe ka te drejten absolute te flase apo mbroje me dhune apo me mjete paqesore per cfare ai meriton etj., etj. Mos bini pre te klithmave perverse te shtazeve politike qe nuk ngopen se ngreni bifteke me gjak – shqiptari… Mendoni si per veten tuaj kur shkruani per te tjeret.
Llafe llafe tjerr edhe ti o Sherif profesori.
Na tregon se merr vesh nga financa ,po me keto llafet e tua nuk rritet asnje cent pensioni ,per te cilin u kujtove sapo dole edhe zotrote ne pension