Johana Lubonja
Nga investimet vizionare te teknologjia e të ardhmes: pse “Dr. Herbie” me kapelën e kuqe vendosi një rekord botëror në ankandin e RM Sotheby’s në Monterey
Në ankandin e famshëm vjetor të RM Sotheby’s gjatë javës së makinave në Monterey (Monterey Car Week) në Kaliforni, bota e automobilizmit dëshmoi një nga ngjarjet më historike të dekadës: shitjen e modelit të parë 100% elektrik të Maranello-s, Ferrari Luce (Chassis 0), për shifrën marramendëse prej 40 milionë dollarësh.
Shifra me të cilën u mbyll ankandi jo vetëm që e kaloi me më shumë se 36 herë vlerësimin e hershëm prej 1.1 milionë dollarësh, por e shndërroi automatikisht këtë makinë në automobilin e ri më të shtrenjtë të shitur ndonjëherë në një ankand publik, duke hyrë në territorin e legjendave historike si Ferrari 250 GTO.
Personazhi pas kapelës së kuqe
Kur çekani i ankandit konfirmoi ofertën fituese, të gjitha shikimet në sallë u drejtuan nga blerësi. Një zotëri i moshuar me mjekër të bardhë, i veshur me një kostum që ra menjëherë në sy: këmishë e pantallona të bardha, xhaketë të kuqe, atlete të kuqe dhe një kapelë të kuqe stil Panama.
Ky stil ekstravagant është nënshkrimi vizual i Dr. Herbert “Herbie” Wertheim, një miliarder amerikan 87-vjeçar nga Filadelfia, optometrist, shpikës, sipërmarrës dhe filantrop i njohur.
Ai shpiku ngjyruesit e parë mbrojtës ndaj rrezeve ultraviolet (UV) për lentet plastike të syzeve. Është themelues i Brain Power Inc., prodhuesi më i madh në botë i ngjyrave optike dhe kimikateve oftalmike. Zotëron më shumë se 100 patenta dhe të drejta autori shkencore.
Historia e Wertheim si investitor është sa legjendare, aq edhe e pazakontë. Ish-pjesëtar i marinës ushtarake amerikane dhe inxhinier në NASA, Wertheim nisi të investonte në bursë që në moshë të re me kursimet e tij të para. Ai ndoqi një strategji afatgjatë të palëkundur: blerjen e aksioneve të kompanive me teknologji transformuese dhe mbajtjen e tyre për dekada të tëra.
Ai bleu aksionet e para të gjigantit Apple gjatë hyrjes së saj në bursë në vitin 1980 (IPO) dhe vazhdoi të blinte aksione edhe në vitet ’90 kur çmimi i Apple luhatet rreth 10 dollarëve. Në vitin 2019, revista Forbes raportoi se 1.25 milionë aksionet e tij në Apple kapnin vlerën e rreth 195 milionë dollarëve.
Portofoli i tij përfshin gjithashtu investime të hershme strategjike në Microsoft, Google, General Electric, Bank of America, si dhe lëvizjen e tij më madhore financiare: investimin prej 5 milionë dollarësh në vitin 1992 tek kompania e pjesëve hapësinore Heico Corporation, i cili sot vlen më shumë se 800 milionë dollarë.

Revolucioni elektrik i Maranello-s
Ferrari Luce nuk është thjesht një makinë super-sportive, por përfaqëson fillimin e një ere të re për shtëpinë ikonike nga Maranello. Si automjeti i parë 100% elektrik i Ferrari-t, dizajni i saj u zhvillua në bashkëpunim të ngushtë me studio-n LoveFrom, kolektivi kreativ i themeluar nga ish-shefi i njohur i dizajnit të Apple, Jony Ive, dhe Marc Newson.
Modeli specifik i blerë nga Wertheim, i emërtuar Chassis 0, është një eksemplar unik i realizuar nga departamenti elitar Tailor Made dhe qendra e stilit e Ferrari-t, me specialen “Madreperla” dhe detaje ekskluzive të personalizuara.
Kjo krijon një lidhje simbolike: njeriu që besoi te vizioni i Apple në vitin 1980 bleu sot makinën e parë elektrike të Ferrari-t të dizajnuar nga personi që krijoi produktet më ikonike të Apple.
Çfarë do të bëhet me 40 milionë dollarët?
Përveç vlerës historike në automobilizm, ankandi ka edhe një dimension të fuqishëm filantropik. Të gjitha të ardhurat nga shitja e Ferrari Luce Chassis 0 (i gjithë çmimi prej 40 milionë dollarësh) do t’i dhurohen drejtpërdrejt fondacionit Ferrari Foundation. Këto fonde do të përdoren për të mbështetur projekte arsimore dhe edukative për të rinjtë në mbarë botën.
Për Dr. Herbie Wertheim, i cili ka dhuruar qindra milionë dollarë për universitetet dhe kërkimin shkencor gjatë jetës së tij, blerja e këtij eksemplari unik bashkon dy nga pasionet e tij më të mëdha: koleksionimin e mjeteve ekskluzive dhe mbështetjen e kauzave bamirëse.
Aksioni i Wertheim ka nxitur diskutime të shumta në komunitetin e automobilizmit. Me 40 milionë dollarë, një blerës mund të krijonte një muze privat me ikona klasike si Ferrari F40, F50, Enzo, Dino 246 GTS dhe Superamerica.
Megjithatë, siç e ka dëshmuar historia e tij si investitor me Apple dhe Heico, Wertheim e sheh shpesh të ardhmen përpara të tjerëve. Me Chassis 0 të makinës së parë elektrike Ferrari, ai ka siguruar një pjesë të papërsëritshme të historisë automobilistike.
DITA
