Gazeta DitaGazeta DitaGazeta Dita
Njoftime Shfleto më tepër
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Duke lexuar: Protesta, Brukseli dhe BE!
Shpërndaje
Gazeta DitaGazeta Dita
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Kerko
  • Kreu
  • Lajmi i fundit
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Analiza
  • Politike
  • Ekonomi
  • Kronike
  • Opinion
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Bote
  • Sport
  • Dita TV
  • Lifestyle
  • Enciklopedi
  • Europa/Analize
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Komunitet
  • Kopertina
  • Kulture
  • Kuriozitete
  • Metropol
  • Shendetesi
  • Teknologji
  • Telebingo
  • Televizion
  • RRETH NESH
Sign In
Na ndiqni
Gazeta Dita > Blog > Lajmi i fundit > Protesta, Brukseli dhe BE!
Lajmi i funditopinion

Protesta, Brukseli dhe BE!

Published: June 25, 2026
Shpërndaje

Dr. JORGJI KOTE

Gati një muaj pas fillimit të saj premtues, Protesta paqësore në Tiran,ë e cila arriti pikën kulmore natën e 20 Qershorit është kthyer në një revoltë masive madhështore. Arritja e saj e parë e spikatur është se falë mobilizimit dhe ndërgjegjësimit të paparë publik brenda dhe jashtë vendit, ajo i dha fund apatisë dhe pasivitetit anakronik qytetar. Po ashtu, kërkesat e artikuluara fort për një ndryshim epokal vazhdojnë të kenë jehonë politike, mediatike dhe publike ndërkombëtare.

Protesta meriton vlerësimet më të larta, si një lëvizje qytetare unikale në llojin e vet, si asnjë lëvizje tjetër, duke përfshirë edhe atë të viteve ’90, në vendin tonë, por edhe në rajon, në Europë dhe më gjerë akoma.

- Publicitet -

Protesta e ka venë shumicën parlamentare, qeverinë, Kryeministrin Rama në pozitën më të vështirë të 13 viteve të tyre në pushtet, aq sa e kanë humbur toruan dhe po e menaxhojnë jashtëzakonisht keq situatën dhe me një imazh copë copë. Madje, ndonëse në pozita shumë më të vështira nga çdo anë, byroistët në vitin 1989 – 1990 e administruan më mirë situatën me mesazhe qetësuese, takime, konsulta dhe me masa të tjera të njohura, natyrisht më tepër “ nga halli se sa nga malli” për daljen nga kriza me sa më pak pasoja negative.

Por nuk kaluan në sulme dhe tirada në përmasa si këta të sotmit kundër aq shumë “ armiqve të brendshëm dhe të jashtëm”, duke përfshirë edhe algoritmet dhe mediat më të mëdha botërore. Në pozitë të vështirë nga Protesta që nuk po e kursen as atë është edhe lidershipi i PD-së dhe vetë Berisha; ndonëse ai po e menaxhon më mirë, madje po e mbështet Protestën, duke na kujtuar ndërkohë historinë e “ priftit që kërcen nga belaja”!.

Ndaj, organizatorët dhe qindra mijrat e protestuesve meritojnë përgëzimet dhe fjalët më të mira për guximin qytetar, durimin, këmbënguljen dhe rezistencën e tyre të shumëfishtë qytetare. Sido të vijë puna, mund të thuhet qysh tani se ajo është sukses i madh i qytetarisë shqiptare, i diasporës, shembull edhe për vetë Europën!

Megjithatë, në vijim të disa shkrimeve të tjera pikante te DITA që po shquhet për mbulimin objektiv, pluralist dhe tërësor të kësaj ngjarjeje të jashtëzakonshme që po bën histori, tani është momenti i duhur për disa reflektime esëll dhe veprime politike dhe praktike, në përputhje me parimet dhe interesat e Realpolitikës së ngurtë. Sepse tani Protesta kërkon kanalizim, konkretizim dhe konkludim, me përpjekje të shtuara për realizimin sa më shpejt të kërkesave të tyre kryesore.

Për këtë qëllim, Protesta lipset të shpalosë akoma më qartë programin e vet politik, ekonomik dhe institucional, siç ka filluar ta bëjë, bashkë me mënyrat dhe modalitetet e zbatimit të tyre hap pas hapi. Kjo të shoqërohet me të dhëna dhe informacionin e duhur se ajo ka ekspertë, ekipe dhe kapacitete të bollshme cilësore intelektuale, profesionale dhe drejtuese për zbatimin e programit në fjalë, duke krijuar bindje se do të bëjnë dallimin e madh në qeverisjen e mirë të vendit.

Po kështu, Protesta nuk mund të qëndrojë më vetëm qytetare, apolitike e apartiake; përkundrazi, pa humbur kohën dhe momentin e tanishëm, ajo duhet të çojë drejt formimit të një forumi të madh qytetar, madje pse jo edhe të një partie të re. Me qëllim që kur të vijnë zgjedhjet, të parakohshme ose të rregullta, Partia Qytetare e dalë prej saj të sigurojë votën plebishitare, që të qeverisë me dinjitet dhe të bëjë ndryshimet madhore që ajo po promovon çdo ditë në Protestat e saj. E theksojmë këtë moment, sepse ndryshe nga vitet 1990 dhe 1997, Protesta është distancuar, madje i ka denoncuar të dy partitë e mëdha, çka përbën pengesë të madhe për të.

Mirëpo, ky mision është shumë më i vështirë se edhe vetë tubimet e përditshme.

Lidhur me këtë, një ndër objektivat e saj më të rëndësishme ku dhe po ndalemi më poshtë është që Protesta dhe organizatorët e saj të sigurojnë përkrahjen dhe mbështetjen deri tani të munguar të partnerëve tanë kryesorë ndërkombëtarë, sidomos Uashingtonit, Brukselit dhe vendeve kryesore anëtare të BE-së. Duke i informuar dhe bindur për drejtësinë e kauzës së saj dhe të integrimit europian; se Shqipëria dhe ndërkombëtarët do të kenë vetëm qar dhe aspak zarar nga Protesta.

Pikërisht këtu druaj se Protestës ka filluar t’i “ngeci sharra në gozhdë”; kjo jo për fajin e saj, por se kështu e ka Realpolitika, sidomos ngadalësia, skepticizmi dhe burokracia e ngurtë e BE-së në Bruksel dhe në vendet e saj kryesore anëtare.

Këtu tërhoqi vëmendjen takimi në Elize më 22 Qershor i Kryeministrit Rama me Presidentin Macron. U fol në përgjithësi për marrëdhëniet dypalëshe dhe u premtua mbështetja franceze; me siguri edhe Protesta ka qenë temë, madje e para e bisedës midis tyre. Por ama asnjë fjalë dhe asnjë sinjal publik nuk dëgjuam nga Presidenti Macron për Protestën; sikur asgjë të mos ketë lëvizur në tri javët e fundit në Tiranë!

Në heshtje varri janë edhe kancelaritë e tjera europiane dhe Uashingtoni. Ja, shikoni, deri tani nuk ka asnjë deklaratë, qoftë edhe për mirësjellje nga Departamenti Amerikan i Shtetit, Brukseli, Berlini, Roma, Vjena… dhe as nga ambasadat e tyre në Tiranë! Edhe pse asgjë dhe asnjë kod politik dhe diplomatik nuk pengon që qoftë edhe me një deklaratë një faqëshe të paktën ta përshëndesin protestën, karakterin e saj qytetar dhe paqësor dhe t’i ftojnë palët për dialog me qeverinë dhe aktorë të tjerë politikë dhe civilë në vend, duke përfshirë ndërmjetësimin e BE-së.

Vetëm më 15 Qershor, Komisionerja Marta Kos, ishte e detyruar të mjaftohej duke shprehur besimin në Parlamentin Europian se qeveria do të zbatojë kërkesat mjedisore të BE-së; sikur të ishte hera e parë që qeveria premton por vetëm me “fjalë të mira dhe gurë në trastë”. Ndërsa për Protestën u tha vetëm se ajo është e drejtë themelore që po zbatohet në Shqipëri, por vetëm aq.

Me përjashtim të Parlamentit Europian, i cili më 16 – 17 Qershor në Strasburg zhvilloi debate dhe diskutime me rastin e miratimit të Raportit për vendin tonë me rekomandimet e njohura për qeverinë, as Komisioni, as Këshilli dhe asnjë vend anëtar i BE-së, apo edhe i Këshilit të Europës nuk është shprehur zyrtarisht; për Protestën. Ndonëse Protesta(t) po pasqyrohen si asnjëherë më parë nga mediat më të mëdha botërore; dhe kur në të gjitha vendet e BE-së dhe në SHBA bashkëatdhetarët tanë janë ngritur si asnjëherë tjetër në protesta të ngjashme masive dhe paqësore në kryeqytetet dhe metropolet më të mëdha botërore.

Duke e njohur mirë filozofinë, gjuhën, sjelljen dhe teknologjinë e funksionimit të BE-së, falë punës si diplomat për 10 vite në Bruksel dhe kontakteve të përditshme që vazhdoj të kem aty, po ndalem në “pse-të “ e këtij qëndrimi indiferent, të shoqëruar me disa sugjerime praktike për bashkëpunimin e Protestës me BE-në.

Pavarësisht nga fjalët, sloganet dhe samitet e shumta, problemi dhe shqetësimi i parë i madh me BE-në është se ajo po e sposton “ prapa liste” demokracinë, duke vendosur stabilitetin gjeopolitik përpara saj. Ka kohë që sipas saj, duke promovuar stabilitetin, qoftë edhe me liderë autoritarë BE-ja “ është brenda” dhe më e sigurt për përballimin e sfidave madhore. Ndërkohë, ajo sheh me indiferencë të çuditshme dhe pa asnjë përçapje si dikur që alternativat e ndërrimit të pushtetit në përgjithësi në Ballkan nuk garantojnë diçka më të mirë.

Kësisoj, BE-ja po e pëson si ai që “ u dogj nga qulli dhe i fryn kosit”! Themi kështu se pavarësisht nga gjendja e opozitës kudo, rotacioni i pushtetit duhet të jetë në rend të ditës, duke ndihmuar dhe forcuar opozitën por jo duke promovuar me zell liderë me nga 4 e 5 mandate.

Sepse kur mësohesh gjatë me një lider qoftë edhe autokrat, të tjerët në opozitë nuk ta mbushin syrin; është si puna e atij që njeh vetëm sqeparin dhe gjithçka tjetër i duket gozhdë. Se ja, ç’të thuash për një lidere emblematike europiane, që kur po ia kritikonin një lider autokrat europian si “ bir kurve “ ajo u përgjigj duke i shtangur bashkëpunëtorët e saj se “ dakord, ama është biri ynë i …”

Vështirësia tjetër lidhur me qëndrimin e ftohtë të Brukselit ndaj Protestës është se burokracia e tij u beson kryesisht për të mos thënë vetëm “ gërmave” dmth shifrave, treguesve, deklarave zyrtare, raporteve dhe përfundimeve në dokumentat e BE-së; por jo fose me shumë vonesë “frymës” besimit, mobilizimit, lëvizjeve dhe protestave civile dhe qytetare. BE-ja shquhet për gjuhën “as mish as peshk” në raportet, deklaratat dhe dokumentat e saj me plot fjalë dykuptimëshe, eufemizma, rregullore, të cilat si pozita dhe opozita mund t’i “ lexojë” dhe interpretojë sipas midesë dhe interesit të saj.

Gjuha e butë dhe kadife e BE-së, e cila “as të ngroh dhe as të ftoh” ka spikatur sidomos në vlerësimet e saj për performancën e vendit dhe qeverisë sonë. Këto 13 vitet e fundit, raportet e BE-së dhe fjalimet e liderëve të saj në Tiranë, Bruksel dhe gjetkë janë plot eufori dhe me “inflacione” lëvdatash, duke i fryrë dhe fetishizuar arritjet; ndërsa telashet dhe dështimet i kanë kaluar me lutje dhe ledhatime.

Kujtdo që i bie rasti të bisedojë me zyrtarë dhe drejtues të BE-së dhe t’i tregojë me shqetësim difektet, deficitet dhe problematikat e nxehta shqiptare e sheh se në fillim ata dëgjojnë me vëmendje, tundin kokën dhe të thonë se “po, i dimë këto shqetësime, i kemi shkruar në raportet tona dhe ia kemi përcjellë edhe qeverisë e cila po punon!”.

Pastaj, fillojnë të tregojnë mbi sukseset, hapat dhe arritjet në të gjitha fushat me shifra maramendëse. Të përmendin edhe fitoren e Ramës në zgjedhjet e kaluara pavarësisht, “çarçafit” me problemet serioze që ata vetë i kanë pranuar. Plus samitet që ka mikpritur Tirana, turizmin, infrastrukturën, etj.

Gjithashtu, zyrtarët e lartë të BE-së janë mjeshtra të vërtetë për relativizimin, kopsitjen dhe rrumbullakosjen e aferave dhe skandaleve ulëritës me klishenë se “ këto ndodhin edhe në vendet anëtare të BE-së dhe rëndësi ka që ato po hetohen”.
Me një fjalë, zyrtarët europianë të japin një vështrim demek realist, duke thënë se po, edhe ne i kemi kërkuar qeverisë, që na ka garantuar se…”. Dhe kur kjo nuk ndodh, ata e kritikojnë qeverinë sa për të larë gojën, i japin detyra për të ardhmen dhe kështu vazhdojnë sipas parimit “ shtyje, ta shtyjmë” ose tërhiq e mos e këput”!.

Fatkeqësi tjetër e madhe e BE-së, kësaj Perandorie Rregullash të Ngurta, siç e cilësojnë me të drejtë është se nuk e kontabilizon dhe ase numerizon dot besueshmërinë e humbur të qeverisë shqiptare e cila, siç po e tregon edhe Protesta ka rënë përtokë, si pasojë e difekteve, deficiteve, gënjeshtrave/mashtrimeve ulëritëse.

Imagjinoni Zylfon te Përralla me Ujkun, të cilin nuk e besuan se gënjeu vetëm dy herë, po te ne ku gënjeshtrat vazhdojnë për 13 vite rresht, çtë themi?

I përmendëm këta aktorë, fakte dhe faktorë për të treguar se Protesta i ka rënë Brukselit dhe BE-së si një “ rrufe në qiell të hapët” duke e kapur atë “gafil”.
Për këtë arsye, institucioneve dhe vendeve të saj anëtare i duhet koha e nevojshme që “ta përtypë përpara se ta gëlltisë” këtë ngjarje në fakt të padëshirueshme për ta; pra për të bërë analizat dhe reflektimet e rastit, në përpjekje për t’u dhënë përgjigje pyetjeve “ kush, cili, çfarë, kur si dhe ku po shkon protesta”, bashkë me pikpyetje të tjera që kanë lindur nga kjo lëvizje e e re, e paparë, e madhe dhe paqësore.

Rikujtojmë se edhe në ngjarjet e vitit 1996/1997 BE-ja dhe Këshilli i Europës ( KiE) e muarën me vonesë kthesën dhe iu deshën muaj të shpreheshin në favor të opozitës së atëhershme. Ca më tepër tani problemi ndërlikohet se Protesta kërkon REVOLUCION, jo me dhunë, por në kuptimin e zëvendësimit të gjithë klasës dhe qeverisjen e dështuar politike 36 vjeçare me një brez të ri politik dhe qeverisje të re cilësore. Mirëpo, ja që kjo nuk përputhet me filozofinë stabilokratike të BE-së.

Nisur nga arsyet e lartpërmendura, Brukseli dhe BE-ja ndodhen vërtet në pozitë të vështirë, mbasi të paktën hë për hë nuk duan “ta lejë në baltë” aleatin e tyre qeveritar; ca më tepër se edhe drejtuesit më të lartë të BE-së e kanë pompuar dhe propaganduar Shqipërinë dhe Edi Ramën si shembull dhe pararojë në procesin e anëtarësimit në BE. Për pasojë, një distancim i shpejtë prej tyre do të dëmtonte dhe kompromentonte edhe imazhin e vetë BE-së, të drejtuesve të saj, sepse do t’i dilte boja euforisë, fasadës, fishekzjarreve dhe shampanjës së derdhur lumë për demek sukseset dhe arritjet spektakolare të qeverisë shqiptare dhe të “ liderit global”.

Pastaj, po parlamentet, opozita, media, opinioni publik në vendet e BE-së që janë ushqyer me të njëjtën frymë propagandistike çdo të thonë? Me të drejtë ato do t’i bërtasin Brukselit “ ama kjo qenka Shqipëria juaj, shembull dhe model integrimi?

Ja pse realisht do të duhet kohë për të arritur në një ndryshim rrënjësor të qëndrimit të hapur të BE-së në favor të Protestës, nëse do të ndodhë një gjë e tillë.

Gjithsesi, përvoja e BE-së tregon se ajo i njeh dhe i ndjek situatat, reagimet e qeverisë dhe komunikon me të në kanalet zyrtare dhe konfidenciale, të Protestës, dinamikat e saj dhe vetëm kur e sheh se një protestë dhe rezistencë po bëhet e papërmbajtëshme dhe e pa menaxhueshme dhe se qeveria e “ka të humbur davanë”, BE-ja ndërhyn me masat përkatëse, duke u rreshtuar në anën e fituesit. Deri atëhere, BE-ja do të vazhdojë “avazin e Mukës” ndoshta me ndonjë deklaratë evazive se protesta është e drejtë themelore që ajo e inkurajon, duke i kërkuar qeverisë të marri masa për korrigjimin e difekteve, dhe duke i ftuar palët në dialog gjithëpërfshirës, ku BE-ja բshtë e gatshme të ndihmojë me ndërmjetësimin e saj. Dhe me këtë “u lamë”! Pastaj, të tjerat, sipas parimit “ duke parë dhe duke bërë”!

Për këtë arsye, po e theksojmë fort se vetëm përshkallëzimi i Protestës, theksimi dhe fazimi i kërkesave të saj tanimë edhe me afate konkrete deri te ultimatume dhe ngulmimi për realizimin e tyre edhe me forma të tjera paqësore por më agresive mund ta detyrojë edhe BE-në të lëvizë nga “istikami”; po ashtu duke shtuar trysninë dhe veprimin aktiv me deputetët, me anëtarësinë e partitë politike, me qytetarët edhe në rrethe, me një bashkërendim më të mirë ndërmjet të gjitha palëve deri te Presidenti i Republikës që deri tani ka qenë vërtet “jashtë loje”.

Ideja është që kjo protestë, krahas masivitetit dhe përshkallëzimit, të krijojë një frymë mbytëse dhe trysni të papërballueshme për qeverinë dhe Kryeministrin në Tiranë dhe kudo në qarqe, duke e detyruar Ramën të dorëhiqet sa nuk është vonë.

Më konkretisht, kërkohet që Protesta të impenjohet shumë më tepër me Ambasadat e huaja, sidomos me atë të SHBA-ve dhe të BE-së në Tiranë si edhe me institucionet e saj në Bruksel. Me takime dhe kontakte aktive, duke u shpjeguar me shkrim dhe me gojë ekipet bashkërenduese, programet dhe alternativat pro-europiane. Vetëm kështu mund të krijohet bindja për nevojën e NDRYSHIMIT, ca më tepër TE MADH.

Me besimin se organizatorët e Protestës i kanë parasysh këto aspekte dhe po punojnë, nuk dua të bëhemi profetë të së keqes duke përmendur pasojat e mundshme negative të mungesës së mbështetjes ndërkombëtare të lartpërmendur. Të mos lejojmë në asnjë mënyrë që në emër të gjeopolitikës dhe stabilitetit rajonal, ca më keq akoma me bekimin e SHBA-ve dhe të BE-së, Shqipëria të devijojë nga traseja demokratike dhe të kthehet në një vend autokrat.

Ndaj të mos e nënvleftësojmë faktorin ndërkombëtar, sidomos SHBA-të dhe BE-në, të mos kënaqemi vetëm me thirje, flamuj dhe pankarta; sepse me to kemi lindur, jemi rritur dhe edukuar; mbështetjen e tyre e kemi bërë kulturë dhe pjesë të pandarë të jetës. Në fund të fundit, aty është destinacioni ynë edhe në Shqipërinë e Re të Protestës madhështore që ka ngjallur aq shumë shpresa dhe pritshmëri.

DITA

 

 

Shpërndaje këtë artikull
Facebook Email Printo
Posto një koment

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Lajmi i Fundit

  • Sa është pasuria e deklaruar nga kryeministri Rama për 2025
  • Protesta, Brukseli dhe BE!
  • Mazniku nga Korça: Reforma që po bëjmë sot impakton dekadat e ardhshme, synojmë zhvillim të ekuilibruar të bashkive
  • Mbi 200 akademikë nga e gjitha bota, letër publike në mbështetje të protestave masive në Shqipëri
  • Bota e trilluar, përballë realitetit njerëzor: Një skicë e antropologjisë së dinjitetit

Komentet e Fundit

  1. Vlora 97 on Mbi 200 akademikë nga e gjitha bota, letër publike në mbështetje të protestave masive në Shqipëri
  2. 1 on Mbi 200 akademikë nga e gjitha bota, letër publike në mbështetje të protestave masive në Shqipëri
  3. Ethem Lalaj on Mbi 200 akademikë nga e gjitha bota, letër publike në mbështetje të protestave masive në Shqipëri
  4. Bravo DITA !!! on Mbi 200 akademikë nga e gjitha bota, letër publike në mbështetje të protestave masive në Shqipëri
  5. oikoi on K.E – BELA MAFIA

Kategori

Rreth nesh

E përditshme e Analizës dhe e Informacionit. Numri i parë, 1 nëntor 2012. Botohet nga "Publikime Shqiptare". Kryeredaktor Adrian Thano. Zyra e Botuesit: Rogner Hotel, Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", Tiranë

Merr te rejat më të fundit

Ndiqni Gazeta Dita duke vendosur emailin tuaj më poshtë dhe do të njoftoheni për të rejat më të fundit

[mc4wp_form]

Gazeta DitaGazeta Dita
© Copyright Gazeta Dita 2012. Të gjitha të drejtat e rezervuara



Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?