Xhevdet Shehu
U mbyll sipari i zgjedhjeve vendore të 14 majit, zgjedhje të shumëpritura për shkak të ngarkesës së madhe politike që mbartnin. Shkuan si jo më mirë. Qetësi, rregull, normalitet dhe mbi të gjitha qytetari. Një palë zgjedhjesh që duhet thënë se na nderuan si qytetarë të këtij vendi. Parregullsitë ishin të papërfillshme dhe pa asnjë ndikim në rezultatin përfundimtar. Të tilla zgjedhje kishim vite që i prisnim.
Partia Socialiste në pushtet është fituesja e këtyre zgjedhjeve në mënyrë plebishitare. Shqipëria në mbi 90 për qind të territorit të saj u ngjye në mavi. Mirëpo…
Këtu shënohet një tipar tjetër domethënës shumë pozitiv i këtyre zgjedhjeve. Socialistët po i gëzoheën kësaj fitoreje heshturazi, pa bujë, pa tam-tame e mburrkëla të vockla. Kalova dje paradite pranë Partisë Socialiste dhe, pavarësisht se rezultati ishte marrë vesh nga të gjithë, nuk pashë këmbë militanti që të ulërinte nga gëzimi e të brohoriste në ekstazë. E njëjta tablo më thanë se ishte edhe në Shkodër, megjithë fitoren mjaft domethënëse, ku për herë të parë pas tri dekadash, Shkodra votoi majtas. Kështu dhe në Durrës, në Elbasan, në Vlorë, në Fier, në Korçë e me radhë… Duket jo normale kjo mënyrë festimi e socialistëve, pasi sa herë kanë fituar ata përballë tyre, Tirana dhe qytetet e tjera gjëmonin nga ulërimat, buritë e makinave, madje dhe nga krismat e pushkëve për ditë e netë me radhë.
Edhe kjo mënyrë festimi shënon ndryshimin e madh midis dy krahëve të politikës sonë në këto vite.
Por mua dhe shumë kujt në këtë vend na pëlqen kjo mënyrë sjelljeje dhe përcjelljeje e gëzimit të fitores. Është një shenjë pjekurie dhe qytetarie. Mbi të gjitha një ndjenjë e madhe përgjegjësie që i pret ata që fituan votat e qytetarëve të këtij vendi. Se të qeverisësh, më shumë se privilegj është përgjegjësi për të punuar më shumë e më mirë për të justifikuar votëbesimin.
Nga ana tjetër, krejt ndryshe nga herët e tjera, ka qenë dhe sjellja e opozitës. Një pranim gjysmë në heshtje i humbjes katastrofike që pësoi. Deklaratat që u bënë dje nga Berisha dhe Meta ishin si vazhdim i fjalimeve patetike që mbajtën para zgjedhjeve, ishin një retorikë pa mendim dhe sa për t’u justifikuar para mbështetësve të tyre për humbjen, duke e ditur se askush nuk i beson më në gjoja premtimet që bëjnë. Por ky qëndrim mund të interpretohet edhe si hapi i parë drejt një reflektimi të thellë për të ndryshuar sjelljen, veprimet, lidershipin e tyre tejet të konsumuar, të diskredituar dhe të pabesueshëm në mediokritetin e vet.
Krerët e kësaj opozite aktuale që humbi zgjedhjet e 14 majit janë kasta më e përfolur si e korruptuar dhe e inkriminuar të cilët kanë mbijetuar deri më sot për shkak të mosfunksionimit të sistemit të drejtësisë. Por qytetarët e këtij vendi i njohin shumë mirë bëmat dhe gjëmat e tyre shumë mirë, ndaj dhe ndëshkuan me votë. Urojmë që ata të mos vazhdojnë t’i sjellin fatkeqësi të tjera këtij vendi duke u larguar përfundimisht nga skena politike. Ky do të ishte një ndryshim ogurmirë për opozitën. Urojmë që ky ndryshim të ndodhë sa më shpejt të jetë e mundur pasi shumë herë është pohuar me të drejtë se prej vitesh ne vuajmë mungesën e një opozite serioze. Dhe mungesa e opozitës është mungesë e madhe për një vend që aspiron demokracinë.
Natyrisht është ende herët, vetëm një ditë pas disfatës që ata pësuan dhe kuptohet që ata nuk janë në gjendje të mendojnë dhe arsyetojnë qartësisht dhe gjakftohtësisht. Nga shkalla e reflektimit që ata do të bëjnë në ditët në vijim do të kuptohet sinqeriteti dhe përgjegjësia e tyre, se sa janë ata në gjendje të ringrenë një opozitë të vërtetë dhe të moralshme në këtë vend, në mënyrë që të bëhen të besueshëm për zgjedhjet e ardhshme.
2025-a nuk është larg.
