Edhe për muajin shtator qendrat shëndetësore, poliklinikat dhe strukturat spitalore publike të të gjitha niveleve në vend kanë konfirmuar me qindra hapësira vakante për punësimin e personelit shëndetësor të shkencave mjekësore teknike. Pjesa dërrmuese e vendeve të lira të shpallura në portalin e punësimit “Infermier për Shqipërinë” janë për profilin e infermierit dhe Mami. Nevojat më të mëdha për personel mjekësor rezultojnë të jenë në qendrat shëndetësore, kryesisht ato të rretheve.
Referuar nevojave të konfirmuara nga të gjitha strukturat mjekësore të katër rajoneve: Tiranë, Vlorë, Elbasan, si dhe Shkodër, Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor ka detajuar hapësirat e lira të punësimit të profileve infermieri, fizioterapi, teknik laboratori apo imazherie, mami për çdo qendër shëndetësore, poliklinikë apo spital publik në të gjithë vendin. Në vijim të shkrimit do të gjeni të detajuara vendet vakante për këto specialitete në strukturat mjekësore që përfshin secili nga katër rajonet.
Sa i takon nevojave në qendrat shëndetësore dhe strukturat spitalore publike të Rajonit të Tiranës do të punësohen 108 kandidatë të rinj, kryesisht në profilin e infermierit, teksa më pak vende të lira janë për fizioterapistët dhe mami-të. Sipas të dhënave të bëra publike, në të gjitha strukturat mjekësore të Rajonit të Vlorës janë 87 vende të lira punësimit, kryesisht për infermirë. Ndërsa në Rajonin e Elbasanit janë konfirmuar 90 vende të lira për këto specialitete mjekësore, si dhe në strukturat e Rajonit të Shkodrës do të vijohet me punësimin e 83 kandidatëve të profileve përkatëse të shkencave mjekësore teknike.
Pjesa dërrmuese e të punësuarve që do zgjidhen nga listat e pritjes për vendet vakante të shpallura do të mund të lidhin kontratën definitive të punës, ndërsa një pjesë tjetër do të jenë të punësuar provizor, sipas nevojave të shpallura nga qendrat shëndetësore, poliklinikat, apo edhe strukturat spitalore. Për vendet provizore, autoritetet e shëndetit sqarojnë se pas përfundimit të periudhës së punësimit si zëvendësues, teknik i shkencave mjekësore në profilet përkatëse kalon në listën e pritjes duke u renditur në përputhje me pikët totale që ka siguruar nga fazat e konkurrimit nëpërmjet portalit.
Autoritetet e shëndetit vijojnë të bëjnë me dije se nga punësimi në këto vende vakante do të mund të përfitojnë të gjithë profesionistët që janë aktualisht në listën e pritjes të shpallur nga aplikimet që bëhen nëpërmjet portalit “Infermier për Shqipërinë”. Të gjithë fituesit e portalit të shpallur në fazat e e zhvilluara më herët, do të vazhdojnë të punësohen sipas radhës, deri në daljen e fituesve nga konkurrimet që do të zhvillohen sërish gjatë muajve në vijim. Më tej, kandidatët që janë në listëpritje ripozicionohen sipas pikëve që kanë. Për vendet e lira të punës në çdo njësi vendore të kujdesit shëndetësor, kandidati njoftohet nga Komisioni i Vlerësimit të drejtorisë rajonale në varësi të cilës është vendi vakant. Ky njoftim mund të bëhet nëpërmjet postës elektronike, mesazhit në celular dhe telefonatave në adresat që kandidati i ka deklaruar gjatë aplikimit të bërë online dhe me dosje në portalin “Infermier për Shqipërinë”.
Prej afro katër vitesh, punësimet e reja të profesionistëve të shkencave mjekësore teknike, por edhe të mjekëve në spitale, poliklinika e qendra shëndetësore bëhen nëpërmjet konkurrimeve që zhvillohen në portalin online “Infermier për Shqipërinë”, ku të gjithë të pajisurit me lejen e ushtrimit të profesionit në këto profile mund të konkurrojnë në dy fazat e përcaktuara (aplikimi me dosje dhe faza e dytë që është testimi i informatizuar që zhvillohet në Qendrën e Shërbimeve të Arsimit). Çdo kandidat që bëhet pjesë e portalit vlerësohet me pikë për secilën fazë konkurrimi. Sipas skemës së përcaktuar në fazën e parë të aplikimit me dosje kandidati vlerësohet rreth arsimimit të kryer, përvojës dhe trajnimeve të lidhura me fushën. Për fazën e parë të aplikimit sigurohen deri në 30 pikë. Ndërsa në fazën e dytë që është “Testimi i informatizuar”, marrin pjesë vetëm kandidatët që kanë kaluar me sukses fazën e parë të vlerësimit me dosje, dhe nëpërmjet testimit çdo kandidat mund të sigurojë deri në 70 pikë. Testi përbëhet nga dy pjesë: Pjesa e parë përmban pyetje rreth akteve ligjore që rregullojnë kujdesin shëndetësor dhe profesionin e infermierit në Republikën e Shqipërisë dhe çështje që lidhen me etikën dhe komunikimin profesional në infermieri, si dhe pjesa e dytë që përmban pyetje rreth kujdesit infermieror bazë dhe në specialitete.
Tabelat
- Rajoni i Tiranës: Vendet vakante në spitale, poliklinika, qendra shëndetësore!
- Rajoni i Vlorës: Vendet vakante në spitale, poliklinika, qendra shëndetësore!
- Rajoni i Elbasanit: Vendet vakante në spitale, poliklinika, qendra shëndetësore!
- Rajoni i Shkodrës: Vendet vakante në spitale, poliklinika, qendra shëndetësore!
