Dalin fituesit e raundit të dytë të pranimeve në universitetet publike dhe ato private. Nga dita e djeshme fakultetet kanë nisur të shpallin listat e fituesve, ndërkohë që maturantët nëpërmjet portalit “u-albania” mund të verifikojnë degën ku janë shpallur fitues, si dhe shanset që kanë jo fituesit për të plotësuar kuotat e lira që do të mbeten pas nisjes së regjistrimeve.
Sikundër ndodhi në raundin e parë, lista e fituesve mund të shihet në çdo kohë online në portalin www.ualbania.al, ku fillimisht duhet të klikoni në rubrikën “këndi i maturantit”, dhe pasi të hapet faqja përkatëse duhet të vendosni numrin tuaj të identifikimit dhe në vijim do të shpallet lista me të gjitha preferencat e përzgjedhura nga ju për vijimin e garës së studimeve të larta përgjatë raundit të dytë, së bashku me ngjyrën përkatëse që tregon nëse jeni fitues në këtë fazë dhe duhet të bëni regjistrimin, nëse keni shanse për të qenë fitues në një fazë të mëpasshme, si dhe kur nuk mund të jeni fitues.
Nëse emri juaj është i theksuar me ngjyrën jeshile, kjo tregon se ju jeni fitues në këtë program studimi dhe për të mos e humbur këtë degë duhet që të bëni regjistrimin pranë sekretarisë mësimore të fakultetit ku ndodhet kjo degë brenda 48-orëve. Për të qenë në rregull me këtë proces ju duhet të kontrolloni për saktësinë e programit ku jeni regjistruar në deklaratën që do të firmosni në sekretari gjatë procesit të regjistrimit.
Ndërsa në rastin kur emri juaj është i shënuar me ngjyrë të verdhë, kjo tregon se ju sapo jeni shpallur fitues në atë program, por që duhet të prisni përfundimin e fazës për t’u regjistruar. Në fazën e fundit, ngjyra e verdhë zëvendësohet me ngjyrën jeshile dhe fituesit duhet të regjistrohen brenda 48 orëve. Kur emri juaj është i shënuar me ngjyrën e kuqe, kjo tregon që ju nuk keni fituar pasi nuk i keni arritur pikët minimale për të qenë fitues në atë program studimi. Por ju mund të keni një tjetër shans për të qenë fitues në fazat e tjera të regjistrimeve për shkak të ndryshimeve mund të pësojë lista e fituesve në secilën fazë pranimi. Për këtë duhet të kontrolloni kolonën e “Klasifikimi në fazën e ardhshme”.
Gabimi që nuk duhet të bëni me regjistrimin!
Për të mos humbur degën e fituar, të gjithë maturantët dhe kandidatët e tjerë fitues të Raundit të dytë duhet të jenë shumë të kujdesshëm në ndjekjen e procedurave të regjistrimit sipas afatit të përcaktuar për secilën fazë të këtij raundi.
Autoritetet e arsimit bëjnë me dije se regjistrimet në këtë raund do të zhvillohen në 5 faza 48-orëshe, çka do të thotë se po kaq herë do të ndryshojë edhe lista e fituesve në varësi të kuotave që do të mbeten të paplotësuara nga mbyllja e secilës fazë. Por, ajo çfarë është e rëndësishme është që të bëni regjistrimin brenda 48 orëve, në të kundërt do të humbisni degën ku jeni shpallur fitues, duke i lënë vendin një tjetër maturanti që ndodhet poshtë vijës së hequr për fituesit e asaj faze. Në përfundim të çdo faze 48-orëshe të regjistrimit ju do të duhet të kontrolloni nëse keni shanse për të qenë fitues në regjistrimin e fazës pasardhëse.
“Procesi i regjistrimit do të zhvillohet në 5 faza 48-orëshe, të cilat do të zhvillohen ndërmjet datave 3 dhe 12 tetor”, përcaktohet në udhëzimin e miratuar më herët nga Qendra e Shërbimeve dhe Arsimit dhe RASH.
Dokumentet që duhen për regjistrim
Dokumentet e nevojshme për regjistrim që duhet të dorëzoni në afatet e përcaktuara pranë sekretarive mësimore të fakultetit përkatës janë: Dokumenti i identifikimit (kartë identiteti ose pasaportë). Në dosje mbahet vetëm fotokopja. Gjithashtu në dosje duhet të dorëzohet edhe fotokopja e noterizuar e diplomës së Maturës Shtetërore ose dëftesa e pjekurisë, së bashku me certifikatën e notave ose një dëftese/diplome tjetër studimi të fituar jashtë vendit dhe të njësuar në MAS, mandati i pagesës së tarifës së regjistrimit, si dhe deklarata, e cila plotësohet nga aplikanti në prani të punonjëses së sekretarisë mësimore të fakultetit përkatëse.
Ndryshimi i degës së fituar në raundin e dytë!
Edhe në këtë raund do të mund të bëhet ndryshimi i degës së fituar. Ata që duan të ndërrojnë degën e studimeve duhet që më parë të kryejnë procesin e çregjistrimit në degën ku janë konfirmuar si fitues gjatë raundit të dytë. Procedurat e çregjistrimit mund të zhvillohen vetëm në datën 13-14 tetor. Për këtë, secili kandidat duhet të paraqesë një kërkesë për çregjistrim pranë sekretarisë mësimore të fakultetit ku është regjistruar si fitues i raundit të dytë, duke tërhequr dokumentet e dorëzuara.
Nëse nuk e kryeni këtë veprim brenda kësaj date, ju nuk mund të ndryshoni programin e studimeve, çka do të thotë se për këtë vit mund të vijoni studimet e larta vetëm në këtë degë ku jeni regjistruar, duke humbur shansin për të aplikuar sërish në garën e pranimeve për raundin e tretë. Sekretaritë mësimore të secilit fakultet, pas çregjistrimit të aplikantëve dhe dorëzimit të dokumentacionit, i dërgojnë Qendrës së Shërbimeve të Arsimit listën e kandidatëve të çregjistruar, duke i pasqyruar në sistemin online të dhënat e tyre. Vetëm pasi të kenë ndjekur këtë procedurë, këta kandidatë mund të vijojnë konkurrimin nga e para për garën e raundit të tretë të pranimeve.
Si të kontrolloni nëse jeni fitues!
- Kur të dhënat tuaja janë me ngjyrë jeshile jeni fitues. Në këtë rast duhet të regjistrohesh brenda fazës 48-orëshe, në të kundërt vendi juaj fitues i kalon maturantit tjetër në listën pritëse. Kontrolloni për saktësinë e programit ku jeni regjistruar në deklaratën që ju firmosni në sekretari.
- Kur të dhënat tuaja janë me ngjyrë të verdhë tregon që ju sapo jeni shpallur fitues në atë program, por duhet të prisni përfundimin e fazës për t’u regjistruar dhe për të konfirmuar statusin si student.
- Kur të dhënat tuaja janë me ngjyrë të kuqe tregon se nuk jeni fitues. Kontrolloni kolonën e “Klasifikimi në fazën e ardhshme” dhe mund të mësoni nëse keni shanse për të qenë fitues.
Afatet për 5 fazat e regjistrimit të Raundit të Dytë
- Fituesit e fazës së parë duhet të kryejnë regjistrimin në datat 3 dhe 4 tetor.
- Fituesit e fazës së dytë duhet të kryejnë regjistrimin në datat 5 dhe 6 tetor.
- Fituesit e fazës së tretë duhet të kryejnë regjistrimin në datat 7 dhe 8 tetor.
- Fituesit e fazës së katërt duhet të kryejnë regjistrimin në datat 9 dhe 10 tetor.
- Fituesit e fazës së pestë duhet të kryejnë regjistrimin në datat 11 dhe 12 tetor.
