Në Tiranë, planet për blerjen e një banese janë më afër iluzionit sesa realitetit për familjet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Kryeqyteti shqiptar renditet i katërti në Europë për papërballueshmërinë e banesave, sipas raportit çmim të ardhura.
Ekspertët e politikave të strehimit shprehen se qendra e Tiranës dhe qytetet bregdetare po shndërrohen në “hotele” për të huajt, duke përjashtuar gjithnjë e më shumë shtresat e mesme dhe ato të ulëta nga mundësia për të pasur një shtëpi.
Rritja e kërkesës nga turizmi, nomadët digjitalë dhe pensionistët e huaj kanë krijuar presion të jashtëzakonshëm mbi tregun e qirave dhe çmimet e pasurive, duke i bërë ato të papërballueshme për shumicën e shqiptarëve.
Paraja informale dhe spekulimet e pasurive kanë përshpejtuar këtë proces. Në këtë panoramë, shteti mbetet indiferent, ndërsa politikave të strehimit u mungon vizioni për të garantuar aksesin në strehim për të gjithë qytetarët.
Juliana T., 40 vjeçe, lindi në Tiranën e vitit 1986, në një apartament modest 1+1 te zona e Selvisë, ku hodhi hapat e saj të parë, u rrit dhe ndërtoi kujtimet e fëmijërisë. Për familjet e asaj kohe, një apartament i vogël në qendër ishte jo luks, por normalitet ku kishe afër shkollën, punën dhe një komunitet që njihej me emra, jo me kontrata qiraje.
Sot, ajo jeton në Yzberisht, në periferi, me qira. Nënë e katër fëmijëve dhe me një mendim që dikur do t’i dukej i paimagjinueshëm: të largohet nga Tirana.
“Nuk po e njoh më Tiranën time”, – thotë ajo. “Është normale të kemi zhvillim dhe të shohim gjëra të reja. Por nuk është normale të zhduket identiteti. Lagjja ku jam rritur nuk është më e njëjta. Njerëzit janë larguar, shumica e apartamenteve janë kthyer në qira afatshkurtra, njerëzit ndryshojnë çdo vit. Nuk ka më komunitet”.
Problemi në këtë rast nuk është vetëm sentimental. Ai është thellësisht ekonomik.
Për familjet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, edhe ideja e blerjes së një apartamenti me kredi tani është gjithnjë e më shumë një iluzion.
“Edhe po të punosh në emigrim, sot nuk e blen dot një shtëpi në Tiranë”, thotë Juliana.
Një familje me katër fëmijë nuk mund të jetojë në një apartament 1+1, por as në një 2+1. Dhe ajo refuzon të paguajë “çmime stratosferike për standarde si para 15 vitesh” në Tiranë.
“Në momentin e parë që do të gjej një shtëpi diku tjetër, do të iki, pa e kthyer kokën pas”, thotë ajo.
Banorët me të ardhura normale po “dëbohen” nga kryeqyteti
Doris Andoni, sot konsulente e pavarur e angazhuar me institucione ndërkombëtare, me një karrierë të gjatë në administratën publike në çështjet e strehimit, e sheh situatën gjithmonë e më të vështirë për familjet me të ardhura të ulëta dhe ato të mesme.
“Zhvillimi i sektorit rezidencial është thellësisht i pabalancuar, i paplanifikuar, i përqendruar në qendër dhe brenda Unazës së Dytë, i orientuar ekskluzivisht drejt fitimit të menjëhershëm. Investimet bëhen spontanisht, pa vizion urban, duke gëlltitur hapësirat e gjelbra dhe ato rekreative, jetike për cilësinë e jetës, duke mbingarkuar infrastrukturën, trafikun dhe çdo shërbim publik.
Dhe mbi të gjitha, duke krijuar një sistem strehimi plotësisht të papërballueshëm për shtresat e varfra dhe të mesme”, pohon ajo në një intervistë për “Monitor”.
“Për momentin, kjo mund të mos jetë e dukshme, por do të bëhet e qartë kur të përfundojnë ndërtimet dhe të banohen, ose kur të mos banohen, sepse ka shumë mundësi që një pjesë e madhe të mbeten të pashitura ose të kthehen në Airbnb, me karakter thjesht sezonal.
Ndërtimet e larta dhe fasadat e ndritura nuk bëjnë qytet. Qyteti bëhet nga njerëzit që e banojnë dhe e jetojnë atë”, shprehet znj. Andoni.
Qendra e qytetit nuk duhet të jetë luks i vetëm një kategorie që mund të përballojnë çmimet dhe të turistëve të vendosur në apartamente me qira afatshkurtër. Në parimet e qytetit të qëndrueshëm, ai u takon të gjithëve dhe shteti përmes politikave sociale të strehimit e mbështet këtë akses edhe për ata që nuk mund ta përballojnë.
Të huajt, tani po kthehen në investitorë
Në një kohë kur vendet e Europës Perëndimore, por edhe më gjerë, përballen me kosto të larta jetese, Shqipëria pozicionohet ende si alternativë “low-cost” për të huajt.
Këtë e kanë nxitur edhe një sërë politikash të orientuara drejt tërheqjes së pensionistëve të huaj, apo nomadëve digjitalë.
Fillimisht ishin italianët që do ta eksploronin këtë mundësi duke u vendosur kryesisht në Durrës e më pak në Vlorë. Tashmë, interesi është në rritje edhe nga pensionistët amerikanë.
Lisa Spence, 62 vjeçe, nga shteti i Alabamës në SHBA, jeton në Vlorë prej tetorit të vitit të shkuar. Ajo tha se zgjedhja e Shqipërisë erdhi si efekt i kostos së ulët të jetesës duke pasur parasysh të ardhurat e saj mujore nga pensioni me vlerë 2,200 USD.
Për një apartament me dy dhoma dhe ballkon me pamje panoramike, paguan 400–500 USD në muaj, ndërsa në SHBA, një pronë e ngjashme sipas saj, do të kushtonte minimalisht 1,400 USD.
Pensionistët nga Mbretëria e Bashkuar janë një tjetër grup që po shfaq interes për Shqipërinë me diell.
Ky kombinim faktorësh po krijon një avantazh të qartë për të huajt, të cilët kanë fuqi blerëse shumë më të lartë se ajo vendase. Pra, një i huaj hyn në treg me një kapacitet financiar disa herë më të madh se një familje vendase.
Një apartament normal në Tiranë mund të kushtojë 400 deri në 500 euro në muaj, një nivel që për një pensionist amerikan apo britanik konsiderohet i përballueshëm, por për një familje shqiptare përbën një barrë të konsiderueshme.
Por qiratë nuk janë të vetmet. Shumë nga rezidentët e rinj zgjedhin fillimisht të banojnë me qira e më pas, disa prej tyre blejnë apartamente, duke kaluar nga konsumatorë në investitorë dhe duke rritur presionin mbi çmimet e pronave.
Tregu i banesave tashmë po matet jo më mbi bazën e të ardhurave të vendasve, por mbi kërkesën që vjen kryesisht nga jashtë.
Nga turizmi tek Airbnb, si po shtrembërohet oferta e banesave
Kërkesa ndërkombëtare është njëra anë e ekuacionit. Rritja e turizmit ka krijuar ndërkohë një stimul të fortë për pronarët që të heqin banesat nga tregu tradicional i qirasë dhe t’i orientojnë ato drejt platformave të qirave afatshkurtra si Booking dhe Airbnb.
Të dhënat tregojnë rritje të ndjeshme të këtij fenomeni që deri në dhjetor tregonte se stoku i njësive të listuara në Airbnb në vend ishte 26 mijë. Këto apartamente, dikur me qira afatgjatë, tashmë u shërbejnë nevojave të turizmit duke krijuar një ngërç me familjet që kërkojnë një apartament me qira në afatgjatë, të cilët përveçse janë bërë më të shtrenjtë, mund të gjenden vetëm në rrethina.
Efekti është i menjëhershëm në tregun e qirave. Në fillim të këtij viti, të dhënat e Keydata tregonin se qiratë afatgjata ishin shtrenjtuar me 20 – 30% brenda një viti, ndërsa në zonat qendrore arrijnë 500 – 1000 euro në muaj.
Barra bie mbi shtetin për të gjetur zgjidhjen, nslrsa Tirana po pozicionohet gjithnjë e më pranë qyteteve më problematike të Europës për përballueshmërinë e banesave, duke treguar çdo ditë e më shumë një treg që po shkëputet nga realiteti i të ardhurave të vendasve.
Numbeo për vitin 2026, e pozicionon kryeqytetin shqiptar si të katërtin më të papërballueshëm në Europë, pas Moskës, Lisbonës dhe Pragës. Tirana renditet në vendin e shtatë ndër qytetet me raportin më të lartë çmim/pagë në Europë, duke lënë pas edhe tregje të njohura për çmime të larta si Parisi (15.4).
Ky pozicionim është i pazakontë duke marrë parasysh nivelin e të ardhurave në Shqipëri, që mbeten ndjeshëm më të ulëta se në Europën Perëndimore. Por si duhet të lexohet shifra 17.6 që llogarit Numbeo? Kjo nënkupton se një familjeje mesatare në Tiranë do t’i duheshin thuajse 18 vite të ardhura të plota (pa shpenzime) për të blerë një apartament, një nivel që konsiderohet gjerësisht si i papërballueshëm në standardet ndërkombëtare.
Ndërkohë, tregues të tjerë e thellojnë këtë panoramë. Pagesa e kredisë për një banesë arrin në rreth 144.5% të të ardhurave mujore, ndërsa indeksi i përballueshmërisë mbetet nën nivelin 1, çka tregon se çmimet e banesave janë shkëputur krejtësusht nga niveli real i pagave.
Krahasimi me kryeqytete të tjera nxjerr në pah kontrastin e Tiranës. Në Berlin, raporti është rreth 9.7, ndërsa në Vjenë dhe qytete të tjera të Europës Perëndimore, niveli është dukshëm më i ulët, pavarësisht pagave më të larta.
Një situatë si kjo thyen rregullat ekonomike duke sugjeruar atë që shumë ekspertë pranojnë se tregu i banesave në Tiranë nuk po përcaktohet më nga fuqia blerëse vendase, por nga faktorë të tjerë.
Kjo situatë do ketë ndikime afatgjatë, sidomos në aspektin social dhe ekonomik.

Monitor.al

Pse po te besh 2 pune e ble thosh nje RQ koke mish ne nje émission.
Qeveria e mender socialistit Rama ben cdo gje qe oligarket te jene te lumtur,cdo ligj qe miratohet nga e majta dhe e djathta propozohet nga nje grup i vogek njetezish qe kan mbledh pasurine e gjithe Shqiptateve. Ne rrethet e parellivd te Tiranes flitet se oligarku i ardhur nga fshatrat d Korces ka bete gati 300 vetura elktrike dhe eshte betuar se do falimentoj taksistet e gjithe Tiranes,kane vendosur bejleret e ri qe dhe letrat e nevojtoreve e prezervativet do i kene monopol, populli thjeshte ose sic quhet klasa mesme as nuk duhet te existoje per ta, cdo gje behet me bekim te agait gjate,pastaj thone pse ikin Shqiptaret. Opozita me Saliun eshte pjese e lojes,nuk ka ndonje dallim te madh nga Rama te Salihi.
Prandaj e puthi ne ballë ai.
Thelbi i politikave antishqiptare te Edi Rames.
Synimi tij: Shqiptaret te largohen nga vendi. Ai te vazhdoje me mbeshtetesit e tij oligarke e pushtetare te grabisi e pasurohen sa me shume.
Ne Shqiperi te sillet fuqi punetore e huaj, nga india, filipine, mayanar etj etj.
Monitori bën mirë t’i lërë mënjanë krahasimet me metropolet e botës, ku atje çdo aspekt ekonomik është i lidhur ngushtë me interesat jetike të taksapaguesit.
Sugjerimet e saj të pa verifikueshme për cilindo le t’i mbajë për vete. Të ngopet me to.
Se vijnë apo jo pensionistë të huaj për të ngrysur vitet e fundit të jetës, kjo nuk ngjall as interes dhe as besim ke mufkat që i ofron lexuesit.
Ke analiza e monitorit mungojnë shifra konkrete dhe të sakta për të huajt residentë, si dhe numrin/përqindjen e banesave bosh. Këto të dyja do ishin domethënëse, dhe jo zhurma.
Në Shqipëri duhen dy dekada rrogë që të blesh një shtëpi . Dakord . Ndërsa në Evropë duhen edhe më shumë se dy dekada . Rroga mesatare në Evropë është 1500 euro , rroga e një viti , i bije të jetë 18 mijë euro . Një shtëpi mesatarisht nëpër kryeqytetet e BE-së , kushton më tepër se 300-400 mijë euro . Pra duhen më shumë se dy dekada që të blesh shtëpinë .