Jovan Bizhyti
Në periudhën 1939-41, rezistenca popullore kundër pushtuesve fashistë italianë ishte e pa organizuar dhe spontane, me manifestime, greva, demonstrata, dhe veprime të veçanta të armatosura nga njësitet guerilase. Nga fundi i viteve 1941-42, kjo lëvizje me njësitet guerilase dhe çetat me luftëtarë, nisi të marrë shtrirje si në qytete dhe në fshatra. Konferenca e Pezës në 16 shtator 1942, ndezi fuqishëm ndjenjat e zjarrta atdhetare, ku krahas ngritjes së këshillave Nac.Çl., dha sinjalet e para dhe për luftën e armatosur me thirrjen: “Për një organizim të shëndosh të gjithë shqiptarëve të vërtetë, pa dallim feje, krahina, klase dhe rryme politike”.
Kurse Këshilli i Përgjithshëm Nac.Çl., mbështetur në këtë platformë, me thirrjen e parë iu drejtua popullit shqiptarë: “Duhet të bashkohemi të gjithë shqiptarët me LANÇl. Ky vëllazërim duhet të bëhet jo me fjalë, por me gjak, se vetëm lufta kundër armikut e shenjtëron këtë bashkim”. Dhe menjiherë u hodh ideja e luftës së organizuar dhe krijimi i një strukture drejtuese qendrore, që do të ishte Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nac.Çl. (Dokumente të Konferencës së Pezës shtator 1942).
Përgatitjet për krijimin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, kishin nisur kohë më parë. Konferenca e I-rë e vendit e PKSH që u mblodh në Labinot të Elbasanit në 17-22 mars 1943, shtroi detyrën e organizimit të Kryengritjes së Përgjithshme popullore dhe vendosi krijimin edhe të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nac.Çl. Në 4 korrik 1943, u zhvillua mbledhja e parë e Këshillit Antifashist Nac.Çl., që analizoi gjendjen politike të brendshme dhe të jashtme, veprimtarinë e këshillave Nac.Çl. dhe u ndal sidomos në analizën e luftës së popullit shqiptarë ndaj pushtuesve. Kjo mbledhje miratoi një zëri dhe propozimin e Enver Hoxhës për krijimin dhe përbërjen e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nac.Çl. si një qendër organizative, politike dhe operative e forcave të armatosura partizane antifashiste.
Në proçes-verbalin e mbledhjes së parë të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nac.Çl. thuhet: ”Sot, ditë e hënë 5 korrik 1943, ora 10.15 minuta, u mblodh për të parën herë Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nac.Çl., i dalë nga Këshilli i Përgjithshëm Nac.Çl. me këtë rend-dite:
-Kompetencat e Shtabit.
-Struktura e Shtabit.
-Ndarja e përgjegjësive.
-Të ndryshme”.
Në fjalën e tij, Enver Hoxha shtroi strukturën e këtij shtabi, që do përbëhej nga 12 anëtarë, në raportet 8 persona ose 2/3 do ishin civilë, dhe 4 ose 1/3 ushtarakë, si dhe ndarja e përgjegjësive. PKSH e kishte në programin e saj, që në komandimin e formacioneve ushtarake partizane, do ishin dy persona në drejtim, komandanti dhe komisari politik. Për kandidaturën e Komandantit, u propozua Major Spiro Moisiu, që u mirëpritë me dashamirësi dhe në unanimitet nga anëtarët e Këshillit, ndërsa Komisar u propozua Enver Hoxha, që gjithashtu u mirëpritë me dashamirësi nga të pranishmit.
Dalja e Major Spiro Moisiut në drejtimin ushtarak në nivele të larta, siç ishte Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë partizane vullnetare Nac.Çl., që do drejtonte luftën Antifashiste, tregon zgjuarësin dhe pjekurin politike të Enver Hoxhës, i cili diti të përzgjedh një kuadër të till për drejtimin e ushtrisë Nac.Çl. që dallohej nga një sërë cilësish, ku dominonin atdhedashuria, patriotizmi i lartë dhe profesionalizmi si drejtues dhe komandues shtabesh ushtarake me përvojë të gjatë. Major Spiro Moisiu ishte një figurë e pastër antifashiste, një ushtarak me kulturë dhe me shumë përvojë, madje dhe me mjaft popullaritet.
Në 10 korrik 1943, në Labinot të Elbasanit, në shtëpinë e patriotëve të Bahollëve, u shënua në histori si dita e krijimit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Antifashiste Nac.Çl. Kjo ishte një ngjarje e shënuar në historinë e Kombit tonë, në historikun e luftrave shekullore që kish zhvilluar populli i ynë, si dhe në historinë e ushtrisë shqiptare. Formimi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, shënoi një fazë të re, fazën e dytë të luftës për çlirimin e vendit, atë të shndërrimit të kryengritjes së armatosur, në luftë të përgjithshme popullore të organizuar. Po në këtë ditë, u shpall dhe proklamata drejtuar popullit shqiptarë, që vihej në dijeni për krijimin e Shtabit Drejtues të Ushtrisë dhe kjo datë u quajt dita historike e ushtrisë dhe e Shtabit të saj të Përgjithshëm. Në Proklamatë midis të tjerave thuhej: “Organizimi i Shtabit të Përgjithshëm të Fuqive të Armatosura Nac.Çl., është një përgjigje flakë më flakë që po i japim armikut”. Sapo u formua, Shtabi i Përgjithshëm, mori një varg vendimesh, në përputhje me detyrat e mëdha që i qenë ngarkuar nga Këshilli i Përgjithshëm Nac.Çl.
Vendimi i parë ishte për organizimin e Ushtrisë Nac.Çl., ku në urdhërin përkatës shkruhet:“Në këto cirkostanca dhe momente, kur duhet me i dhënë grushtin e vdekjes zaptuesit dhe veglave të tij dhe me i shporr këta nga toka e atdheut tonë të dashur, Shtabi i Përgjithshëm urdhëron formimin e Ushtrisë Nac.Çl. partizane vullnetare shqiptare, në të cilën populli ynë ka vënë shpresat dhe pret çlirimin e shpejtë të Shqipërisë nga thonjtë e zaptuesit”. (Historia e LANÇl. e Popullit Shqiptarë 1939-44, viti 1975, faqe 416-417).
Në mbledhjen e Shtabit të Përgjithshëm në 5 korrik 1943, Enver Hoxha foli dhe për kopetencat e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, detyrat, strukturën dhe përgjegjësitë midis anëtarëve. Ai tha se: “Janë pjekur kushtet për një kryengritje të përgjithshme të armatosur. Pra, të krijohet një ushtri kombëtare e drejtuar nga një qendër e vetme, Shtabi i Përgjithshëm i përbërë nga 12 shokë: Komandant Major Spiro Moisiu, Komisar Enver Hoxha dhe anëtarë, Haxhi Lleshi, Myslim Peza, Mustafa Xhani, Ramadan Çitaku, Abaz Kupi, Ymer Dishnica, Mustafa Gjinishi, Sejfulla Malishova, Bedri Spahiu, e Dali Ndreu. Shtabi si qendër organizative politike dhe operative e forcave të armatosura, është forca udhëheqëse e luftës Antifashiste Nac.Çl. Ka kopetencë të plotë të bëjë luftën, t’a zhvillojë e t’a organizojë dhe t’a udhëheqë atë në bashkëpunim me Këshillin e Përgjithshëm Nac.Çl”.(AQSH, Dok. të SHPUNÇl., Dosja 1, faqa 1)
Shprehja,“forca udhëheqëse e luftës” për Shtabin e Përgjithshëm, ishte e rëndësishme për rolin që do të luante kjo strukturë drejtuese. Dhe në fund thuhet, “Bashkëpunim” me Këshillin e Përgjithshëm Nac.Çl., e jo në vartësi prej tij, ose ndaj çdo forumi apo institucioni tjetër. Po ashtu në dokumentet e Shtabit të Përgjithshëm dhe të Komandës së Përgjithshme, nuk thuhet e nuk shënohet vartësia nga forumet partiake. Kjo nuk cilësohet as për Këshillin e Përgjithshëm Nac.Çl., deri dhe në repartet e ushtrisë Nac.Çl. në bazë. Në të vërtetë, PKSH që udhëhiqte luftën dhe Ushtrinë Nac.Çl., bënte shumë kujdes në këtë drejtim, që të mos prekej karakteri nacional-çlirimtar i luftës, të cilën okupatorët dhe bashkëpunëtorët e tyre e paraqesnin si, “luftë të komunistëve” dhe partizanët si, “ushtri komuniste”, qëllimisht për të trembur popullin nga “gogoli” i komunizmit.
Në përbërje të 70.000 partizanëve që morën pjesë në formacionet luftarake në luftën Antifashiste Nac.Çl., vetëm rreth 2000 ishin deklaruar me statusin e komunistit. Pra, kjo përqindje kaq e vogël e komunistëve, nuk mund t’a etiketonte atë si “luftë e komunistëve”, dhe partizanët si “ushtri komuniste”. Ideali i luftëtarëve partizanë, ishte shporrja e pushtuesve nazi-fashistë dhe lufta për çlirimin e vendit, dhe me këtë ideal ata përballuan betejat e përgjakshme me armikun, po ashtu me këtë ideal, dhanë jetën dhe qindra e mijëra dëshmorë që u flijuan në lule të rinisë.
Megjithatë, politizimi i strukturave të ushtrisë partizane, nuk i shpëtoi plotështë dorës së fortë të politikës, që erdhi duke u konsoliduar. PKSH ishte struktura politike që e udhëhoqi atë luftë. Pavarësisht ç’thuhej në vendime, në realitet celulat e partisë në njësitë partizane ishin jo vetëm prezente, por dhe me fuqi vendim-marrëse. Në programin e PKSH ishte e shkruar e zeza mbi të bardhë, që në udhëheqje të shtabeve ushtarake veç komandantit, ishte dhe komisari me fuqi vendim-marrëse të plotë dhe dihet që komisarët në të gjitha nivelet, përfaqësonin rrolin udhëheqës të partisë, duke qenë dhe komunistë.
Po ashtu, në strukturën e Shtabit të Përgjithshëm nga 12 anëtarë, 4 prej tyre ishin ushtarakë të mirëfilltë, të tjerët nacionalistë, patriotë e intelektualë, nga këta 5 ishin anëtarë të KQ të PKSH. Pra, rroli udhëheqës i Partisë Komuniste, jo vetëm ishte prezent, por erdhi duke u rritur, kur dhe udhëheqësi kryesor i Partisë, Enver Hoxha, në Kongresin e Përmetit, u emërua dhe Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë Nac.Çl.
Pra, politizimi i luftës ishte prezent në strukturat drejtuese të njësive luftarake, kurse ideali i partizanëve nuk ishte komunizmi, por çlirimi i vendit dhe jo partia e regjimi që do vendosej pas çlirimit, sepse komunizmi nuk njihej thellësisht në popullin shqiptarë. Për të argumentuar atë se ç’përfaqësonin në fakt repartet e ushtrisë partizane në sytë edhe të misionarëve të huaj anglez e amerikanë, që ndodheshin ato kohë në Shqipëri, shkrimtari dhe gazetari i njohur amerikan, Peter Lucas, në librin e titulluar, “Misioni amerikan në Shqipëri”, midis të tjerave shkruan:
“Shumica e partizanëve kishin një përgatitje sipërfaqësore ushtarake, por ajo që u mungonte në përvojë, plotësohej me guximin e tyre. Pjesa më e madhe e burrave dhe e djemve që përbënin ushtrinë partizane, ishin pothuaj fshatarë të pa arsimuar, që merrnin vesh pak nga çështjet politike, pale pastaj nga komunizmi. Ajo që i bashkonte ata, ishte urrejtja ndaj pushtuesit gjerman dhe lufta për çlirimin e Atdheut. Repartet partizane udhëhiqeshin nga motivi: disiplinë, energji dhe qartësia e mendimit, ndërsa objektivi ishte, luftë pa kompromis ndaj pushtuesit të vendit”. (Referuar arkivave angleze, nga studiuesi Irakli Koçollari. Gazeta Dita, 17 nëntor 2019).
Në realitet, PKSH kishte të drejtën legjitime t’a administronte fitoren e luftës, duke marrë dhe pushtetin, sepse ishte e vetmja forcë politike që ngriti popullin në këmbë, e mobilizoi dhe e udhëhoqi me konseguencë në luftë kundër armikut, deri në fitoren e plotë, çlirimin përfundimtar të vendit dhe vendosjen e pushtetit të popullit. Forcat e tjera nacionaliste si Balli Kombëtar dhe Legaliteti gjatë luftës, e devijuan qendrimin e tyre, duke bashkëpunuar me forcat armike dhe duke iu kundërvënë Frontit Nac.Çl. dhe PKSH. Dhe në këtë luftë, partizanët tanë trima, treguan vendosmërinë dhe heroizmat e tyre për të luftuar armikun deri në fund, në fitoren përfundimtare, çlirimin e vendit.
Për drejtimin e luftës, kryesisht në planin ushtarako-operativ, u ngarkua Shtabi i Përgjithshëm, që të organizonte ushtrinë Nac.Çl., të realizonte udhëheqjen strategjike dhe operative të luftës së armatosur kundër pushtuesve dhe njëkohësisht dhe taktikën e kësaj lufte. Komandanti Major Spiro Moisiu dhe Komisari Enver Hoxha, përbënin komandën eprore të Shtabit, si dhe komandën operative, ku bënin pjesë dhe dy specialistë ushtarakë. Pra, Shtabi i Përgjithshëm mori përsipër detyra të rëndësishme që diktonte koha dhe momenti i zhvillimit të luftimeve ndaj një armiku të ri e të egër siç ishte nazizmi gjerman. Ai u zgjodh si një organ drejtues i luftës Antifashiste Nac.Çl. nga votat e Këshillit të Përgjithshëm Nac.Çl. Në rezolucionin e atij Këshilli shkruhet tekstualisht: “Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë, ashtë i pamvarun në rrethin e kopetencës së tij, ashtu siç është shënue ma naltë”. (AQSH, dokumente të SHPUNÇl, viti 1943, Dosja 3 faqa.17).
Shtabi i Përgjithshëm në mbledhjen e tij të parë në 5 korrik 1943, pasi zgjodhi drejtuesit kryesor, Komandantin dhe Komisarin, zgjodhi dhe anëtarët përbërës të tij, të cilët ishin personalitete të luftës Antifashiste Nac.Çl. Tre prej tyre, Myslim Peza, Haxhi Lleshi, dhe Mustafa Xhani, ishin komandant çetash antifashiste partizane, të shquar në luftën kundër pushtuesve italianë. Katër të tjerë ishin oficerë të ushtrisë shqiptare si, Major Spiro Moisiu, Major Abaz Kupi, Toger Bedri Spahiu dhe Nën/toger Dali Ndreu. Pesë të tjerët, Enver Hoxha, Mustafa Gjinishi, Ramadan Çitaku, Dr. Ymer Dishnica dhe Sejfulla Malishova, ishin politikanë të Frontit Nac.Çl. dhe anëtarë të KQ të PKSH. Malishova dhe Dr. Dishnica, ishin intelektualë të spikatur. Të gjithë këta anëtarë të shtabit, shquheshin për aktivitet e kontribut të pasur patriotik në shërbim të Atdheut.
Ky ishte një Shtab i Përgjithshëm ushtarak dhe politik. Ai, jo vetëm do komandonte gjithë njësitet dhe repartet e ushtrisë Nac.Çl., por do të merrej dhe me gjithë aspektet e luftës e të organizimit të ushtrisë, si dhe me marrëdhëniet me forcat Aleate Ndërkombëtare. Pra, nuk ishte thjeshtë një Shtab Ushtarak klasik, por ishte Shtab i Përgjithshëm lufte, ku afro gjysma e tyre, nuk ishin ushtarak, por njerëz të politikës, të kulturës, të ekonomisë, e të fesë. Pra ishte Shtab i Përgjithshëm i luftës, ku secili kishte rrolin e vet. U ngritën dhe shtabet e grupeve në qarqe si, në Berat, Elbasan, Korçë, Gjirokastër, Shkodër, Dibër, Durrës, Vlorë, Krujë e tjera. U krijua dhe Brigada e Parë Sulmuese në 15 gusht 1943 në Vithkuq të Korçës.
Në planin e brëndshëm, Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nac.Çl. si një organizëm drejtues, ishte dhe një strukturë ushtarake e mirëfilltë dhe e domosdoshme, që e diktonte nevoja e organizimit të formacioneve luftarake ekzistuese, por dhe i atyre që do të krijoheshin më pas në fushën e luftës. Njëkohësishtë, ai ishte dhe një organ i specializuar ushtarak, një qendër e mirëfilltë drejtuese, përpunuese dhe bashkërenduese e veprimeve luftarake të formacioneve të të gjitha përmasave e niveleve. Ndërkohë, ky shtab përbënte dhe një garanci për drejtimin e zhvillimin me sukses të veprimeve luftarake kundër pushtuesve për zgjidhjen e situatave që krijoheshin. Detyra e Komandantit të Shtabit të Përgjithshëm ishte supreme. Ai kishte fjalën e parë në çështjet ushtarake. Ndërsa Komisari merej me vijën politike në ushtri dhe me moralin e ushtarëve.
Pranë Shtabit të Përgjithshëm ishin dhe një sërë shërbimesh e seksionesh si, shërbimi i intendencës, i ndërlidhjes, shërbimi informativ (zbulim-përgjimi), shërbimi shëndetësor, gjyqësor, i agitacionit e propagandës e tjerë. Pranë Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nac.Çl. ishte dhe një kompani e posaçme partizane që emërtohej, “Kompania e Sigurimit të Shtabit të Përgjithshëm” me efektivat përkatëse. Pra Shtabi ishte si një organizëm qeverisës për kushtet e luftës, ku çdo veprim njerëzor e material kryhej me urdhëra e vendime nga organizmat dhe personat përkatës.
. Në volumin e gjithë këtij dokumentacioni që përmban kryesisht emrin dhe firmën e Komandantit dhe Komisarit, përfshihen urdhëra dhe udhëzime dhe për lëvizjen, transportimin e mjekimin e të plagosurve e të sëmurëve gjatë luftës, për të cilët tregohej një përkujdesje e veçant. Në raste të rënda shëndetsore, dërgoheshin për kurim edhe jashtë shtetit në spitalin e Aleatëve në Bari të Italisë. Po ashtu dhe për robërit e luftës zhvilloheshin herëpashere marrëveshje e bisedime me forcat armike për këmbime përkatëse midis tyre. Në një rast, Spiro Moisiu shkruan në kujtimet e tij:
-“Kur ishim në Helmës, na u propozua nga gjermanët që të shkëmbenim disa robër lufte me shokët tanë, që ndodheshin të burgosur në kampin gjerman. Vendi i takimit për shkëmbimin e robërve, u caktua afër Lavdarit në lartësitë e Oparit të Korçës. Udhëheqja e Shtabit parashikoi dhe të papritura, ndaj porositi që robërit gjermanë të mbahen larg vendit të takimit, pasi ka rrezik që gjermanët me pabesin e tyre, vijnë me forca ushtarake dhe mund të na sulmojnë, duke na i marrë robërit e tyre me zorë. Dhe kështu ndodhi me të vërtetë. Ata filluan luftën e pabesë kundër forcave tona, por robërit e tyre nuk i morrën dot se ishin vendosur shumë larg”. (Kujtime të Spiro Moisiut, Fondi i Shtabit të Përgjithshëm, viti 1943, Dosja Nr 70)
Ushtria partizane Antifashiste Nac.Çl. dhe Shtabi i saj i Përgjithshëm, patën mbështetjen masive të popullit, sepse bënin një luftë të drejtë çlirimtare kundër pushtuesve, duke vënë kurdoherë në krye patriotët dhe atdhetarët e vërtetë, që e donin Atdheun, e donin popullin dhe lirinë e pavarësinë e vendit. Një faqe e ndritur e kësaj lufte Nac.Çl. ishte dhe pjesëmarrja e grave dhe vajzave shqiptare në radhët e ushtrisë partizane. Nuk qenë pak, por rreth 5000 gra dhe vajza luftëtare, si në frontin e luftës dhe në prapavija si mjeke, infermjere dhe sanitare shëndetësore. Nuk kishte parë asnjiherë historia shqiptare formacione ushtarake të drejtuara nga gra e vajza komandante dhe ca më pak si komisare politike. Pati prej tyre që në luftime të përgjakëshme kundër armikut, dhanë edhe jetën si dëshmore të Atdheut. Gjatë luftës Nac.Çl. u thyen deri diku dhe dallimet midis rinisë fshatare dhe asaj qytetare, midis shtetasve me shkollë dhe ata pa shkollë. Lufta partizane ishte një revolucion i vërtetë shoqëror, për faktin se shpartalloi prangat e robërisë dhe të shtypjes e varfërisë feudale, duke i sjellë lirinë e pavarësinë popullit shqiptarë.
Ndryshime ndodhën dhe në organizimin e reparteve luftarake. Njësitë partizane trajtoheshin jo vetëm si bashkësi luftarake, por njëkohësisht dhe si bashkësi shoqërore dhe kulturore. Në ato raste kur kishte vullnetarë partizanë që nuk dinin shkrim e lexim, organizoheshin kurse kundër analfabetizmit për shkollimin e tyre. Në intervale pushimesh, zhvilloheshin për partizanët dhe ligjërata politike dhe kulturore me përmbajtje patriotike, si dhe aktivitete kulturore e artistike. Gjatë viteve të luftës u ngritë dhe “Teatri Partizan”, si dhe u krijuan nga letrarë e kompozitorë partizanë edhe shunë këngë e marshe partizane, që u prinë në marshime e beteja luftarake ushtrisë partizane. Pra, lufta për masën e luftëtarëve ishte jo vetëm front luftimi kundër armikut, por në kohë të veçanta fushimi, ishte dhe shkollë për edukimin arsimor, patriotik e kulturorë të ushtrisë Nac.Çl..
Kjo ushtri që po rritej në numër e në formacione luftarake, kishte në krye një Shtab të Përgjithshëm, që ishte në thelb një organ ushtarak, i cili ka lozur një rol shumë të rëndësishëm për organizimin dhe drejtimin e luftës Nac.Çl., ku një ndikim pozitiv kanë luajtur specialistët e mirëfilltë ushtarak, të cilët përveç atdhetarizmit, kishin dhe përgjegjësinë juridike dhe morale në lartësinë e duhur, për të drejtuar me vendosmëri e besnikëri gjithë veprimtarinë ushtarake të ushtrisë Nac.Çl., deri në çlirimin e plotë të vendit.
Nevitet 39-41 Shqiperia ka pasur ushtaraket me te zot, qe kishin mbaruar akademite ne universitetet europiane me nota te shkelqyera