Përcaktohen tarifat se sa do të kushtojë ndjekja e studimeve të ciklit të parë “Bachelor” dhe “Master” në Universitetin Politeknik të Tiranës për vitin e ri akademik 2022-2023. Në guidën udhëzuese të shpallur për studentët, autoritetet e këtij institucioni të arsimit të lartë publik kanë detajuar koston vjetore të studimeve për secilën degë. Për ciklin e parë “Bachelor”, studimet do të zhvillohen në 22 programe të ndryshme, tarifat e të cilave variojnë nga 25,000 deri në 40,000 lekë për rastet kur ndiqen si program i parë me 60 kredite në vit. Ndërsa për kandidatët që ndjekin studimet në këto degë, por si program i dytë, tarifat janë më të larta, ku përkatësisht një vit studimi do të kushtojë 203 690 lekë. E gjithë kjo tarifë do të mbulohet nga vetë studenti.
Për ciklin e dytë “Master profesional”, studimet do të zhvillohen në 25 programe të ndryshme, tarifat e të cilave variojnë nga 1100 lekë për një kredit, kur dega ndiqet si program i parë, dhe 1430 lekë për kredit kur dega ndiqet si program i dytë studimi. Ndërsa për ciklin e dytë “Master shkencor”, studimet zhvillohen në 28 programe të ndryshme studimi tarifat e të cilave variojnë nga 1300 lekë për një kredit të programit të parë, si dhe 1690 lekë për një kredit të programit të dytë. Ndarjen e plotë të tarifave për çdo program studimi të secilit cikël e gjeni të detajuar në vijim të shkrimit.
Duhet të dini se sipas vendimit në fuqi të Këshillit të Ministrave lidhur me tarifat e studimit, çdo student që ndjek ciklin e parë të studimeve, me mesatare 6-9 përfiton reduktim të tarifës me 50 për qind. Po ashtu, çdo student që ndjek ciklin e parë të studimeve, me mesatare 9-10 nuk paguan tarifë dhe pëfiton bursë studentore 10,000 lekë në muaj. Për ciklin e dytë të studimet “Master”, bëhet e ditur se çdo student që ndjek këto programe dhe që është me mesatare 9-10 përfiton reduktim të tarifës me 50 për qind.
Sipas një tjetër vendimi të miratuar gjatë këtij viti: “Për miratimin e fushave dhe programeve të studimit, që përbëjnë prioritet kombëtar dhe mbështetjen financiare të studentëve të shkëlqyer e studentëve, që ndjekin këto programe në institucionet publike të arsimit të lartë”, studentët të cilët kanë përfunduar arsimin e mesëm me notë mesatare jo më pak se 8.5 dhe kanë zgjedhur degët prioritare të ciklit “Bachelor”: Inxhinieri Gjeoinformatike, Inxhinieri Gjeomjedisi, Inxhinieri e Burimeve Minerare, Inxhinieri e Naftës dhe e Gazit, Inxhinieri Gjeologjike, Inxhinieri Mjedisi (FIN) do të përfitojnë mbështetje financiare pranë Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.
Sa i takon planit të bursave, gudia saktëson se bursat për studentët shqiptarë aktualisht ndahen në dy kategori: bursa për studentë të konsideruar si ekselentë dhe bursa për studentë të kategorive sociale. Studentët të konsideruar si ekselentë janë ata të cilët e kanë mesataren e vitit paraardhës 9-10. Pra nëse një student është në vit të dytë në “Bachelor”vdhe ka mesataren e vitit të parë 9.5, atëherë ai përfiton bursë ekselence. Për vitin e tretë, si referencë për mesataren do të merret vetëm viti i dytë, ndërsa për studentët e vitit të parë përdoret mesatarja e gjimnazit (duke përfshirë edhe provimet e maturës). Niveli i bursës për këtë kategori është 10,000 lekë në muaj dhe ofrohet vetëm për muajt e vitit akademik, pra duke mos përfshirë muajt e pushimeve verore.
Kategoria tjetër përfshin studentë që i përkasin kategorive të ndryshme sociale si: studentët, familja e të cilëve përfiton ndihmë ekonomike, studentët të cilët i kanë të dy prindërit pensionistë ose njërin prind pensionist dhe prindi tjetër nuk jeton, studentët që kanë përfituar statusin e jetimit deri në moshën 25 vjeç, bashkëshortët që kanë fëmijë dhe janë të dy studentë, përfitojnë secili bursë financiare etj. Edhe në këtë rast niveli i bursës është 10.000 lekë në muaj dhe ofrohet vetëm për muajt e përfshirë në vitin akademik.
Cikli i dytë i studimeve përfshin programet e studimit “Master i shkencave”, “Master i arteve” dhe “Master profesional”, referuar nivelit 7 të Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve. Programet e studimit “Master i shkencave” pajisin të diplomuarit me njohuri të thelluara teorike, si edhe me aftësim për kërkim shkencor në një fushë të caktuar. Këto programe organizohen në: programe që realizohen me jo më pak se 120 kredite formimi në vijim të ciklit të parë dhe me kohëzgjatje normale dy vite akademike, si dhe programe të integruara të studimeve të ciklit të dytë, që realizohen me 300 dhe 360 kredite dhe me kohëzgjatje normale respektivisht pesë dhe gjashtë vite akademike. Programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë ofrohen në fushat e drejtësisë, mjekësisë, të stomatologjisë, të farmacisë, të veterinarisë e të arkitekturës. Studimet e ciklit të dytë “Master i shkencave” përmbyllen me punim diplome dhe në përfundim të tyre lëshohet diplomë “Master i shkencave” në fushën e arsimimit të kryer.
Ndërsa programet e studimeve “Master profesional” pajisin të diplomuarit me njohuri të thelluara, profesionale në një fushë të caktuar. Këto programe organizohen me 60 ose 120 kredite dhe kohëzgjatja normale e tyre është një vit ose dy vite akademike. Studimet e ciklit të dytë “Master profesional” përmbyllen me provim përfundimtar formimi ose punim diplome dhe në përfundim të tyre lëshohet diplomë “Master profesional” në fushën e arsimimit të kryer.

