Provimi me zgjedhje që do të zhvillohet në datën 24 qershor, është edhe prova e fundit që duhet të kalojnë maturantët për të përmbyllur ciklin e Maturës Shtetërore 2022, e cila më pas i hap udhë nisjes së konkurrimit për studimet e larta universitare në strukturat publike dhe private të arsimit të lartë. Gjatë plotësimit të formularit A1 dhe A1Z maturantët kanë përcaktuar edhe lëndën që do të japin si provim me zgjedhje që është në një nga këto lëndë: Histori, Gjeografi, Kimi, Biologji, Fizikë, Qytetari-Psikologji, Sociologji-Filozofi, Ekonomi, Histori Arti, Histori Muzike, si dhe Histori Baleti.
Provimi i lëndës me zgjedhje do të jetë i strukturuar, ku në përmbajtje do të ketë pyetje me alternativa, si dhe pyetje që kërkojnë shtjellim të argumentuar. Autoritetet e Qendrës së Shërbimeve të Arsimit sqarojnë se testi i secilës lëndë me zgjedhje ndërtohet në mënyrë të tillë që në të, të jenë të përfshira të tri nivelet e vështirësisë: niveli bazë që do të ketë në përmbajtje rreth 40 për qind të pyetjeve, niveli mesatar që po ashtu do të përfshijë rreth 40 për qind të pyetjeve, si dhe niveli i lartë që do të ketë rreth 20 për qind të pyetjeve të destinuara për nxënësit që duan të arrijnë rezultatet maksimale në këtë provim.
Në ndihmë të maturantëve, për secilën lëndë janë përcaktuar tematikat kryesore rreth të cilave duhet të ndaleni në përgatitjet finale për provimin me zgjedhje, ku për secilën prej tyre jepet e detajuar edhe pesha në përqindje e rëndësisë, çka do të thotë se tematikat që kanë peshën më të madhe do të kenë edhe numrin më të madh të pyetjeve që do të jenë në testin final që do të plotësohet ditën e premte të datës 24 qershor.
“Nxënësit duhet të kenë parasysh se, tematika e cila ka peshën më të madhe në përqindje, në test do të përfaqësohet nga një numër më i madh pyetjesh”, bëjnë me dije autoritetet e dikasterit të arsimit.
Lidhur me skemën e vlerësimit, bëhet e ditur se për pyetjet me alternativa përcaktohet se edhe pse pyetjet mund të jenë të nivelit bazë, mesatar dhe të lartë, vlerësimi i tyre në provimet e maturës shtetërore bëhet vetëm me 1 pikë. Ndërsa pyetjet e strukturuara me fund të hapur, janë pyetjet me zhvillim, në të cilat niveli i vështirësisë vjen duke u rritur. Pikët e vendosura përbri pyetjeve të strukturuara ose me fund të hapur varen nga hapat që përdor nxënësi për zgjidhjen e ushtrimit, çka do të thotë se vlerësimi për secilën kërkesë duhet të bëhet me pikë të plota sipas skemës së përcaktuar më herët nga autoritetet e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, si dhe Qendrës së Shërbimeve të Arsimit.
Sipas udhëzuesit të shpërndarë më herët për shkollat, nëse për një pyetje në fletën e përgjigjeve keni mbushur dy rrathë, përgjigja juaj për këtë pyetje do të konsiderohet e pavlefshme dhe do të vlerësohet me 0 pikë. Gjithashtu, bëhet e ditur se nëse për një pyetje nuk keni mbushur asnjë rreth, ajo pyetje do të vlerësohet me 0 pikë. Ndërsa në rastet kur për për një pyetje keni qarkuar alternativën e saktë në test, por nuk keni mbushur rrethin përkatës në tabelën përkatëse të fletës së përgjigjeve, ajo pyetje do të vlerësohet me 0 pikë. Çka do të thotë se përgjigja e plotësuar në test, edhe pse është e saktë do të vlerësohet me zero pikë.
Sipas skemës së përcaktuar nga autoritetet e dikasterit të arsimit, për çdo provim me zgjedhje vlerësimi maksimal do të jetë me 60 pikë, ndërsa për të qenë kalues, maturanti duhet të sigurojë detyrimisht 25 për qind të këtij totali pikësh me të cilat vlerësohet testi. Kandidatët që nuk sigurojnë këtë nivel të kërkuar pikësh, e humbasin të drejtën për të qenë pjesë e garës së pranimeve për studimet në shkollat e larta, përgjatë raundit të parë të pranimeve që do të zhvillohen në mbyllje të muajit korrik. Këta kandidatë duhet të presin sezonin e vjeshtës për të dhënë sërish këtë testim dhe vetëm në rast se rezultojnë kalues do të garojnë përgjatë raundit të dytë të pranimeve që do të zhvillohet në mbyllje të muajit shtator.
Sikundër ka ndodhur me tre provimet e zhvilluara deri më tani, edhe për lëndën e provimit me zgjedhje rregulla të tjera të rëndësishme që nuk duhet të neglizhoni janë edhe paraqitja në kohën e përcaktuar në ditën e testimit, si dhe të keni me vete vetëm mjetet e identifikimit dhe mjetet e lejuara për të plotësuar testin. Ndërkohë që sapo të merrni testin nga administratori i provimit do të duhet të shikoni me kujdes nëse i përket lëndës së përzgjedhur nga ju. Nëse nuk është lënda që ju keni kërkuar, do të duhet të kërkoni ndryshimin e testit dhe të nënshkruani procesverbalin përkatës.
Përfundon provimi i matematikës
Rreth 33 mijë maturantë në të gjithë vendin kanë zhvilluar ditën e djeshme provimin e tretë të detyruar të maturës shtetërore në lëndën e matematikës. Për dy orë e gjysmë me radhë maturantët kanë plotësuar testin e hartuar me pyetjet me alternativa dhe zhvillim.
Qendra e Shërbimeve të Arsimit ka shpallur çelësin me përgjigjet e sakta të këtij testi. Në këtë mënyrë maturantët mund të orientohen në lidhje me pikët e mundshme që do të sigurojnë në provimin e matematikës. Ju mund të shihni çelësin e përgjigjeve të sakta online në faqen zyrtare të Qendrës së Shërbimeve të Arsimit.
Publikimi i notave
Autoritetet e arsimit sqarojnë se tashmë ka përfunduar vlerësimi i testeve të gjuhës së huaj, teksa në proces është edhe korrigjimi i provimeve të gjuhës shqipe dhe letërsisë. Sipas tyre po punohet që vlerësimet e testeve të bëhen brenda një kohe shumë të shkurtër për t’i dhënë mundësinë edhe maturantëve që duan të studiojnë jashtë të kenë në kohën e duhur në duart e tyre diplomat (në ditët e para të korrikut). Për të siguruar mbarëvajtjen e provimeve janë vendosur në dispozicion rreth 167 qendra testimi dhe shtatë mijë mësues administrues
Rezultatet pozitive të tre provimeve të detyruara dhe lëndës me zgjedhje janë vendimtare në përmbylljen me sukses të ciklit të shkollës së mesme, çka më pas i hap udhë edhe procesit të konkurrimit për studimet e larta universitare. Konkurrimin do të mund ta vazhdojnë vetëm kandidatët të cilët kanë mesataren minimale të përcaktuara nga qeveria, teksa duhet më tej të përmbushin edhe kriteret e miratuara nga çdo fakultet për shpalljen e fituesve të rinj që do të pranohen në programet e tyre.
TEMAT NGA KU DO TË MERREN PYETJET PËR TESTIN E PROVIMIT ME ZGJEDHJE:
FIZIKA
Njohuritë dhe konceptet brenda tematikave Peshat në (%)
- Kinematika 12%
- Dinamika 15%
- Puna dhe energjia 10%
- Termodinamika 8%
- Elektrostatika 10%
- Rryma elektrike 13%
- Magnetizmi 10%
- Lëkundjet dhe valët. Optika valore 12%
- Optika gjeometrike 6%
- Fizika kuantike 4%
KIMIA
Diversiteti përmban 46 për qind të pyetjeve që ndahen :
Struktura e atomit 10%
Sistemi periodik 12%
Periodiciteti 5%
Lidhjet kimike 11 %
Struktura, lidhjet e karbonit, njohuri tё kimisë organike, formulat 8 %
Ndërveprimet përmban 46 për qind të pyetjeve që ndahen:
Simbolet, formulat, barazimet kimike dhe stekiometria 13 %
Acidet, bazat dhe kripërat 5 %
Termokimia 4 %
Kinetika kimike 6 %
Ekuilibri kimik 5 %
Ekuilibrat jonike 5 %
Elektrokimia 8 %
Reaksionet e përbërjeve organike 8%
HISTORIA
Antikiteti 12 %
Mesjeta (shek. IV – XIV) 13%
Periudha moderne (shek. XV – fillimi i shekullit XX) 25%
Periudha bashkëkohore (1919 deri më sot) 50
GJEOGRAFIA
Proceset natyrore dhe shoqërore 40%
Ndërvarësia midis njerëzve, vendeve, rajoneve dhe mjediseve 60%
SOCIOLOGJI
Kultura, individi, shoqëria 13%
Shoqërizimi 9%
Devianca 11%
Shtresimi gjinor dhe familja 11%
Raca dhe etniteti 9%
Analiza sociologjike e besimeve fetare 10%
Urbanizimi dhe karakteristikat e punës në shoqëritë më të urbanizuara 11%
Shtresimi i shoqërisë dhe lëvizjet shoqërore 9%
Shoqëria tradicionale, moderne, pasmoderne 7%
Metodat e kërkimit sociologjik 10%
FILOZOFIA
Periudha helenike 15%
Periudha romake 10%
Drejtimet filozofike në shekujt e parë të erës sonë 5%
Mesjeta dhe Rilindja 15%
Shekulli XVII 15%
Shekulli XVIII 15%
Shekujt XIX dhe XX 25%
EKONOMIA BËRTHAMË
Tema 1 36%
Çfarë studion ekonomia? 6%
Kërkesa oferta dhe çmimi i tregut 10%
Konsumatori në ekonominë e tregut 4 %
Fillimi i një biznesi dhe financimi i tij 8%
Prodhimi, kostoja dhe të ardhurat e firmës 5%
Struktura e tregut 3%
Tema 2 30%
Qeveria dhe ekonomia 9%
Paraja dhe institucionet financiare 5%
Treguesit kryesorë makroekonomik 12%
Stabiliteti ekonomik dhe politikat makroekonomike 4%
Tema 3 4%
Tregtia ndërkombëtare 4%
Tema 4 30%
Etika e biznesit 8%
Aftësi për sukses 8%
Financat personale 6%
Bëhu sipërmarrës! 8%
QYTETARIA
Ligji dhe ne 9%
Kushtetuta e Shqipërisë dhe të drejtat e njeriut 7%
Familja 15%
Arsimimi 7%
Shëndeti 9%
Mjedisi 9%
Konsumatori 10%
E drejta e punës 9%
Siguria rrugore 12%
E drejta për informim 9%
Bashkëjetesa në komunitet (bashkëpronësi) 6%
PSIKOLOGJIA
Studimi i psikologjisë 10%
Biopsikologjia 31%
Zhvillimi 21%
Njohja 21%
Variacionet mes individëve dhe grupeve 17%
MATEMATIKA
Numri 17%
Matjet 15%
Gjeometria 13%
Algjebra dhe funksioni (Derivati dhe Integrali) 38%
Statistika dhe probabiliteti 17%
GJUHA SHQIPE DHE LETËRSIA
Gjuhë shqipe afërsisht 40 %
Të lexuarit e teksteve të ndryshme (afërsisht 22%)
Përvetësimi i rregullave gramatikore, drejtshkrimore dhe të pikësimit (afërsisht 18%)
Letërsi bërthamë afërsisht 40 %
Të shkruarit (ese) afërsisht 20 %
HISTORI ARTI
Arti figurativ në Antikitet (3000 vjet p.e.s. – 400 e.s.) 10 %
Arti në Mesjetë (shekujt XI – XV) 5 %
Rilindja Europiane (shekujt XV – XVII) 10%
Arti barok (shekujt XVII – XVIII) 10 %
Arti i kohës së re (shekujt XVII – XX) 15 %
Arti në shekullin XX 15 %
Arti ilir dhe i qyteteve antike bregdetare 5 %
Arti bizantin 5 %
Arti pasbizantin 5 %
Art i Rilindjes Kombëtare Shqiptare 5 %
Arti i periudhës së Pavarësisë 5 %
Arti i periudhës së pas çlirimit (1945 deri më sot) 10 %
HISTORI BALETI
Folklori koreografik 10 %
Historia baletit shqiptar 20 %
Historia e baletit botëror 70 %
HISTORI MUZIKE
Kultura muzikore në Rilindje 8%
Kultura muzikore në Barok 10%
Kultura muzikore në Klasicizëm 25 %
Kultura muzikore në Romantizëm 37 %
Kultura muzikore në shek. XX 10 %
Kultura muzikore shqiptare 10 %
BIOLOGJIA
Diversiteti 30% që përfshin temat:
- Molekulat biologjike (Enzimat, karbohidratet, yndyrat, proteinat, acidet nukleike, ndërtimi i ADN, ARN, dyfishimi i AND)
- Sinteza e proteinave
- Ndërtimi dhe funksionimi i qelizave eukariote dhe prokariote
- Trashëgimia
- Gjenetika e popullatave
- Mbarështimi selektiv dhe teknologjia në gjene
Ciklet me 16 për qind, duhet të mësoni temat:
- Shndërrimet energjitike
- Fotosinteza – Faza dritore
- Frymëmarrja qelizore
- Roli i ATP-së në transportin aktiv, Fosforilimi oksidativ, Fosforilimi në nivelin e substratit
- Cikli qelizor te eukariotët Mitoza dhe Mejoza
- Gametogjeneza te gjitarët (njeriu)
- Gametogjeneza te bimët
Sistemet që përfshin 51 % të pyetjeve, temat ku duhet të ndaleni janë:
- Mekanizmat e transportit qelizor
- Ndërtimi dhe funksionimi i sistemit të qarkullimit;
- Transporti te bimët
- Ndërtimi dhe funksionimi i sistemit të frymëkëmbimit te njeriu
- Sistemi imunitar
- Homeostaza
- Koordinimi dhe kontrolli nervor tek njeriu
- Koordinimi dhe kontrolli hormonal tek njeriu
- Hormonet bimore
- Ndërtimi dhe funksionimi i sistemit ekskretues
- Ndërtimi dhe funksionimi i sistemit tretës
Ndërveprimet që përfshin njohuritë mbi ekosistemet me 3 %
Po per pellazget a keni ndonje gje? Po per metodat e manipulimit te kohes me HAARPa etj.?
Po per mendimet e Antoine Béchamp-it?
Nuk keni sepse jeni totalitar.