Projekti strategjik i marinës së Jahteve në Durrës është reklamuar si një investim prej 2 miliardë eurosh, dhe po zhvillohet në zonën ku ndodhej Porti i Durrësit.
“Durrës Marina sha”, kompania që po menaxhon projektin strategjik të Marinës së jahteve në Durrës, sipas të dhënave nga bilanci, ka arkëtuar nga klientët rreth 4.17 miliardë lekë (rreth 42 milionë euro) në periudhën 2023-2024, kryesisht nga shitja e apartamenteve “në ajër”.
E dhëna bëhet e ditur në bilancin e vitit 2024 të kompanisë, ku zëri “Detyrime nga kontratat me klientë” është 4.17 miliardë lekë, ose rreth 42 milionë euro, duke u dyfishuar në raport me 2023-n, kur ishte dhe viti i parë që filloi aktivitetin.
Kompania u paraqit si investitore, por ajo rezulton se po i arkëton paratë nga parapagimet e klientëve, të cilat janë një “komponent i rëndësishëm i financimit”, siç thuhet në raport.
Shitja e apartamenteve në zonën ku do të zhvillohet projekti strategjik u njoftua që në fund të vitit 2022.
Që nga ajo kohë kompania ka hapur disa herë procesin e shitjes së godinave të ndryshme, teksa çmimi është rritur vazhdimisht, duke arritur në mbi 3000 euro/m2, nga rreth 1500-1600 euro që nisën shitjet në fillim.
Shitjet, jo vetëm që filluan pa u marrë leja e ndërtimit, por në kontratë parashikohej që dhe 40% e vlerës së apartamenteve do të paguhet para marrjes së lejes së ndërtimit e ndarë në 20% e çmimit të blerjes që paguhet brenda 5 ditëve nga nënshkrimi i Marrëveshjes Paraprake të Shitjes; 10% e çmimit të blerjes të paguhet jo më vonë se 3 muaj nga data e lejes së ndërtimit dhe 10% e çmimit të blerjes të paguhet jo më vonë se 6 muaj nga data e lejes së ndërtimit.
Shoqëria është pajisur me Status të ‘’Investim/Investitor Strategjik’’ për projektin e investimit ‘Durrës Yachts & Marina’, për një periudhe 20 vjeçare.
Pala shqiptare ka kontribuar me tokën ku do të ndërtohet kompleksi rezidencial Durrës Marina. Në muajin shkurt 2023, qeveria shqiptare i transferoi aksionerit shqiptar një listë me 281 prona shtetërore për një sipërfaqe totale prej 818 mijë m2, sipërfaqe që do të përdoret në funksion të projektit.
Përveç ofrimit të truallit, qeveria shqiptare do të çlirojë kompaninë nga detyrimi për pagesën e taksës së ndikimit të infrastrukturë dhe fondit të strehimit social, që vlerësohen në rreth 7% të vlerës së parashikuar të shitjeve.
Gjithsej, parashikohet ndërtimi i gati 13 mijë apartamenteve (4 mijë në fazën e parë dhe rreth 8,600 në fazën e dytë), ndërsa do të këtë hotele me më shumë se 850 dhoma.
Parashikohen 280 vende për jahte. 93% e sipërfaqes së ndërtimit të parashikuar do të jetë rezidenciale dhe nga 3.5% përkatësisht do të jenë hotele dhe sipërfaqe tregtare.
Projekti parashikohet të ketë një vlerë prej rreth dy miliardë eurosh, por vetëm një pjesë e vogël e tij do të financohet me kapitalet e investitorit kryesor, Mohamed Alabbar. Pjesa më e madhe e kompleksit rezidencial do të financohet nga shitja e pronave që para ndërtimit të tyre dhe eventualisht nga burime të tjera, si financimet bankare.
Në raportin e aktivitetit 2024, kompania pranon se po përballet me sfidat e ndotjes në zonën ku po zhvillon projektin, si më poshtë:
1) Studimet e kryer tregojnë nivel të lartë të ndotjes në zonën e plazhit për shkak të veprimtarisë aktuale të portit dhe të depozitimit qymyrit.
2) Nivelet e sipërme të tokës u konstatuan se ishin shumë të kontaminuara.
3) Për të pasur cilësinë e dëshiruar të plazhit, u krye një model ushtrimi me valë, i cili tregoi se shtrirja ekzistuese e plazhit kërkon mbrojtje dhe bonifikimin e tokës.
4) Më pas janë kryer teste të cilësisë së ujit të cilat treguan sasi të larta të lëndëve të ngurta dhe mbetjeve të bimëve për shkak të shkarkimeve të ujërave të zeza në tokë, duke përkeqësuar më tej cilësinë e ujit” – thuhet në raport.

pra projekti do te shtyhet ne kohe deri sa te shiten gjithe apartamentet
Porti i Durrersit vlen me shume se 300 miljard euro .Nje shtet si shteti Rames nuk mund ta ndertoje kurre,Edhe sikur te rroje 100 vjet ky,jo se Rama dukiet nje gerdalle,qe nuk e shtyn me shume se 10 vjet ne kete bote.
Edi Rama i ka shpallur lufte Ekonomise legale,duke shkaterruar Portin e Durresit.;