Tragjedia që mori 1.517 jetë njerëzish sot po merr gjithnjë e më shumë përmasa legjende. Ora e vdekjes e “Titanikut” u bë dhe ora e lindjes së historisë së tij. Në atë mesnatë tragjike u dëgjuan edhe zëra shqip.
Karvanarët Tullga
Në një faqe të njërit prej regjistrave të vjetër të Zyrës së Gjendjes Civile të qytetit të Korçës gjendet trungu i familjes Tullga, mes të tjerëve edhe emrat e tre vëllezërve: Vangjelit, Kristaqit dhe Thanasit. Të bëjnë përshtypje të dhënat e hollësishme për secilin, gjuhët që flisnin, profesioni – karvanarë dhe së fundi: “Larguar në kurbet në Amerikë, më 1912”.
Mbiemri Tullga u kishte mbetur nga nofka “tullë”, (“tullkë” në dialektin korçar, (tullgë), sepse të parët e këtij fisi ishin tullacë. Ata banonin në Malavecin e Sipërm, mbi Dishnicë, fshat që nuk ekziston më, veç murishteve, që koha i ka rrafshuar e fshehur nëntokë.
Burrat e këtij fisi ushtronin profesionin e karvanarit, u shërbenin njerëzve me llandonë e karroca me kuaj për t’i transportuar nga një vend në një tjetër, por edhe në Maqedoni, Greqi e Bullgari.
Ishte koha kur Amerika kishte ngjallur interes për gjithë botën, por edhe për shqiptarët. Edhe familja Tullga vendosi të përcillte në Amerikë tre djemtë, Vangjelin (Gelan) 30 vjeç, Kristaqin (Kicen) 27 vjeç dhe Thanasin (Naskën) 25 vjeç. Të tre të martuar, të tre të fuqishëm, të mësuar me vështirësi e që u hanin duart për punë.
Pasi nxorën “navllot” – (vizat), u nisën nga Korça, nga “Lëndina e Lotëve”, për në Greqi. Udhërrëfyes u bë Visari ose Viska, siç i thoshin me përkëdheli, i cili ishte fis i Tullgave e jetonte në Athinë dhe merrej me udhërrëfime për mërgimtarë. Pasi kishin ndenjur disa ditë në Pire, i kishte përcjellë tre vëllezërit Tullga me një vapor grek për në Ingliterë.
Fjalët kishin marrë dhenë, se do të nisej nga Anglia për në Amerikë, një “pamporr” shumë i madh, shumë luksoz, i paparë ndonjëherë, i ri fringo dhe shumë i sigurt. Krenaria e deteve, i thoshin. Tre vëllezërit Tullga nuk mund ta humbitnin shansin për të udhëtuar me këtë gjigand. Familja, kur mori vesh se djemtë do të udhëtonin me të, u gëzua pamasë se u sigurua që ata do të arrinin shëndoshë e mirë, sepse anija ishte e pambytshme.
Kaluan javë e muaj… Familja Tullga priste me ankth lajm për mbërritjen e djemve në Amerikë. Pritja u thye në makth, pasi lajmi i zi për mbytjen e Titanikut kishte pushtuar edhe Shqipërinë.
Në shtëpinë e Tullgave vërtitej një si kob shqetësimi: “Kanë shpëtuar djemtë, vallë”?! Pas shumë kohësh mbërriti një letër nga Bostoni. Zarfi nuk ishte rrethuar me shirita të zinj anash çka do të thoshte se nuk sillte kob. E shkruante vëllai i madh, Gela. Pak a shumë, thoshte: “Jemi gjallë. Shpëtuam me ndihmën e të madhit Zot. Kemi parë vdekjen me sy. Kemi zënë punë. Unë dhe Kicja në një fabrikë emaljoje, Naska ka hyrë berber në Boston. Mos u bëni merak për ne…”
Thanasi kishte lënë në Shqipëri gruan, Sofinë dhe një vajzë të vogël. I dërgojnë haber se vajza nuk ishte mirë… Ai diçka parandjeu dhe kthehet. Me mbërritjen e tij në shtëpi rinisi kuja. I kishin vdekur edhe çupa edhe gruaja, Sofia.
Sofia ishte nga Fisi i Beçkave, motra e Nasi Beçkës nga Çifligu. Dhembje mbi dhembje! Plagë mbi plagë. Kishte vdekur edhe nusja e vëllait të mesëm, Kristaqit që kishte lënë një djalë…
Rrëfimi i Thanasit: “Si hipëm në një mal prej hekuri”
Rrëfimet e Thanasit, për mesnatën e 14-15 prillit 1912, u bënë ngjarje të ditës në shtëpinë e Tullgave. Kushdo që vinte ta takonte për kryeshëndoshë apo t’i uruar mirëseardhjen do ta pyeste patjetër edhe për tragjedinë e Titanikut.
Ato rrëfime kaluan gojë më gojë e brezpasbrezi dhe kanë arritur deri në ditët tona. Autorit ia ka rrëfyer Vangjoja, nipi i Thanas Tullgës.
Ishte 10 prill 1912, ditë e mërkurë kur hipën në Titanik në portin i Southamptonit dhe kishin mbetur gojëhapur kur e kishin parë. Nuk ishin përhapur kot llafet se, gjer atëherë, asnjë vapor i tillë madhështor nuk kishte çarë detet e oqeanet. Ishte si një “mal pe hekuri, sa Morava, një qytet më vete që voziste në det e deti llamburiste nga dritat e luksi, sa të erreshin sytë e të merreshin mentë”, – tregonte Naska.
Biletat Viska ua kishte prerë të lira, në Klasin III, ku të tërë ishin mërgimtarë, të varfër që shkonin në botën e re për punë. Gjatë udhëtimit kishin zënë muhabet me ca grekë, se merreshim vesh, pasi dinin greqisht.
“Ishte si në një çmendinë ku njerëzit nuk ishin të çmendur, por ua kalonin atyre”
E diel, 14 prill 1912. Ora shënoi 23.40 minuta. Duheshin edhe 20 minuta që të vinte mesnata. Ndërsa udhëtonte në ujërat e ftohta të veriut të Atllantikut, Titaniku u drodh sikur të goditej nga një mal. Ajzbergu… Mali i nëndheshëm prej akulli sulmoi pabesisht malin prej hekuri nga poshtë.
Sipër, në Klasin I kishte filluar tmerri. “Ne të Klasit III, nuk dinim se ç’bëhej lart, – tregonte Naska. Një përfaqësues i ekuipazhit u kishte dhënë lajmin fatal që ua kishin perkthyen grekët. Anija për rreth 2 orë e gjysëm fundoset… Kapideni Eduard Smith urdhron braktisjen e saj. Të shpëtojë kush të mundë…
Tashmë kapiteni i madh Smith komandonte mbytjen. Ishin ngjitur të tre në kuvertë. Lemerinë që kishin parë nuk ka gojë ta tregojë as penë ta shkruaj. Skena të çuditëshme. “Ishte si në një çmendinë ku njerëzit nuk ishin të çmendur, por ua kalonin atyre”- kishte thënë Naska… Vetëm muzikantët u binin veglave më të qarë. Qanin veglat muzikore, qanin dhe muzikantët tek përcillnin veten e tyre me muzikë në botën tjetër! Një tmerr!
“Na kishte ikur zëri nga tmerri. Se është e bukur jeta sidomos kur vdekja të sheh në sy e ti nuk e afron, thoshte Naska. Na duhej të merrnim një vendim. Dhe e morëm. Të hidheshim të tre në ujë. Si të ishte shkruar nga Zoti. Sido që të jetë puna duhet të ishim bashkë, pranë njëri-tjetrit, qoftë edhe në fund të oqeanit. Duhet të shpëtonim. Vendimi na jepte forcë e shpresë për të jetuar.
Po si? Pa një mjet lundrimi në mes të oqeanit! Pamë rretheqark. Tavolina të boshatisura që dridheshin, karrike që rrëshqisnin… Kush mund të bëhej mjeti i shpëtimit?! E vendosën… Hodhën tavolinën, pastaj morën nga një karrike… dhe u hodhëm “fiu” me to drejt në ujë… Ulërimat e lemeritë sikur dilnin nga uji e ngjiteshin në qiell si një lutje e mallkim. Duke notuar me karrike iu afruan tavolinës, që kishin hedhur e rrinte mbi ujë. Vumë duart te ajo. Luftonim me vdekjen. Duhet t’i shpëtonim vdekjes. Por vdekja na ndiqte pas. Duhej guxim timëri e fat”.
Ata e përzunë vdekjen me guximin e moshës edhe të njerëzve të papërkulshëm. Befas u zë syri një varkë të përmbysur që plluskonte mbi ujë. Iu vunë asaj, bashkë me disa të tjerë dhe e kthyen së mbari. Një varkë e përmbysur përmbysi përsëri fatin dhe e ktheu drejt jetës. Ajo varkë u bë shpëtimtarja e mbijetesës. E ngisnin me duar. Iknin që t’i shpëtonin thithjes së vorbullës që do të bënte anija kur të fundosej plotësisht. Iknin tutje nëpër oqean, pa drejtim, iknin dhe e ftohta e madhe para vdekjes së akullt, nuk ndihej.
2 orë e 40 minuta… Kaq kohë iu desh oqeanit ta gëlltiste atë mal hekuri. Dhe, me që s’e gëlltiste dot menjëherë e çau më dysh, pastaj, si lëshoi një hungërimë llahtari sa u drodh oqeani, e përpiu dhe e çoi 2.787 m thellë. Titaniku kishte “pirë” brenda mushkërive të tij 25 milion litra ujë. Dhe mbi të gjitha aq njërëz sa nuk ishin mbytur kurrë.
Ja pse thoshte Tanas Tuglla se “Titanikun” e mbyti qibra
Thanas Tullga si sistemoi familjen edhe djalin e Kristaqit, pasi edhe atij i kishte vdekur e shoqja, mori përsëri udhën për në Amerikë. Më 1920 u kthye përsëri në Korçë, u martua me Vangjelinë dhe nuk iku më. Vdiq në Korçë në vitet ‘60 duke lënë pas fëmijë, nipër e mbesa dhe historinë e jashtëzakonshme të mbijetesës.
Shumë e kishin pyetur: përse u mbyt Titaniku? Dhe ai me logjikën e njeriut të thjeshtë e ironinë e korçarit kishte thënë: “E mbyti qibra e fodullëku dhe humbja e toruas… Mund të mos kishte vdekur asnjë, po t’i kishin dëgjuar sinjalet e kolegëve të anijeve të tjera që i lajmëruan me shqetësim të devijonin rrugën se kishte male me akuj. Mund të kishin vdekur shumë pak njerëz, s’kishte varka dhe ato që ishin ikën pa u mbushur plot. Në këtë botë nuk ka të pavdekshëm e të pambytshëm”.
Sot në Amerikë jetojnë fëmijët e nipërit e mbesat e Kristaqit, njërit prej vëllezërve Tullga.
Marrë nga arkiva e gazetës DITA