Nga Bedri Islami
Botuar në DITA
Sanatoriumi i Tiranës. Spitali i Onkologjisë. Kati i tretë. Në shtratin e fundit, disi larg dritareve të mëdha, është një vajzë ende pa i bërë 20 vite. E heshtur. Sytë janë të mbrujtur me dhimbje. Kushdo që e shikon duke ecur ngadalë në korridoret e bardha, drejt një tavoline ku është vendosur telefoni i spitalit, përshtypja e parë i vjen nga enigma, e dyta nga dinjiteti. Është vajzë e bukur, me shtatin mbi mesataren. Flokët e zinj i rrethojnë fytyrën e bukur dhe sytë, ku ende ka dritë, megjithëse sëmundja e saj duket se është e pa shërueshme. Nganjëherë gjysmën e flokëve e hedh mbi kraharorin e saj dhe gjysmën tjetër pas shpatullave, si të ndante dy kohët e jetës , edhe ashtu shumë e shkurtër. Pafundësisht e shkurtër.
Mjekja e re Zana I. , ajo ka vetëm tri ditë që ka filluar të punojë në këtë spital, gjënë e parë që ka mësuar për të , ende pa u njohur me diagnozën dhe zhvillimin e sëmundjes, është emri i nënës së vajzës. Liri Belishova. Emër i njohur, është në të gjithë tekstet e historisë së socializmit. Ka parë disa foto të saj, nga ata që ishin në shtypin e viteve të para të pas luftës. Vajzë e bukur, për më tepër, ëndërrimtare, e pasionuar pas komunizmit; njëri nga sytë nuk ka shkëlqimin e tjetrit, pasi e ka humbur në luftë; pjesë e hierarkisë së lartë të pushtetit, ngritur dhe rrëzuar në shkallët e tij, për t’u ngritur dhe rrëzuar përsëri, këtë herë përfundimisht. Sa herë që ka dalë nga hija dhe errësira është ngritur e ndritshme, krejt e veçantë, dallon edhe me kupolën e udhëheqjes që ishte disi ndryshe.
Mjekja Zana I. Do të kujtohej se në bibliotekën e vjetër të familjes së saj , në gazetën Bashkimi, në ditët e para të pas luftës, do të jetë edhe një foto. Fadil Paçrami, Nako Spiro, bashkëshorti i parë i saj, ajo vetë, bukuria e së cilës është më e dielltë se asnjëherë tjetër dhe, krah saj, njeriu që do e zëvendësonte si anëtare e Byrosë Politike dhe në Sekretariatin e Komitetit Qendror, Ramiz Alia. Çuditërisht, vetëm Ramiz Alia do të ishte me uniformë ushtarake, mbërthyer deri në grykë. Mjekes vetëtimthi i shkoi ndër mend se tre nga të fotografuarit nuk ishin më në të besuarit e shtetit. I pari, Fadil Paçrami, fillimisht kandidat i Byrosë Politike, i goditur nga grupi i Koxi Xoxes, i larguar nga Byroja, për t’u kthyer anëtar i Komitetit Qendror, sapo ishte burgosur dhe dënuar. Fillimisht, disa muaj, si për ta përgatitur, kishte qenë i internuar, diku mes maleve të Mirditës dhe të Pukës, në një minierë, punë nga e cila nuk kuptonte asgjë. Tjetri, bashkëshorti i saj, Nako Spiru, kishte pasur fat edhe më të çuditshëm. Ishte folur për vetë vrasjen e tij, i varrosur në një cep të varrezave të Sharrit, asnjë kurorë me lule dhe asnjë fjalim në ditë varrimin e tij; më shumë i dënuar, se sa i vetë varrosur, për t’u kthyer më pas në Hero, kjo pas dënimit të Koxi Xoxes. Askush nuk e dinte nëse kjo do të ishte varreza e fundit e tij.
Në mes ajo, Liri Belishova. Fati i saj kishte qenë i jashtëzakonshëm. Kishte ngjitur majat, për të rënë në humnerë, për t’u ngjitur përsëri dhe për të rënë rishtas.
Kur të gjithë anëtarët e Byrosë Politike kishin ngritur dorën për përjashtimin e saj nga Byroja Politike, Komiteti Qendror dhe , më pas, nga Partia, ajo e kishte ditur se ky ishte fundi i saj dhe nuk do të kishte kthim pas. Bashkëshorti i tanishëm, ministër, kishte edhe ai ankthin e tij. E dinte, po ashtu, se kishte ardhur në fundin e rrugës. Pas saj gjithçka ishte mbyllur.
I fundit, më i riu, Ramiz Alia, kishte mbijetuar.
Mjekja Zana I. , si të ishte në kërcënimin e asaj çfarë mendoi, shpejtoi të heqë dorë nga fotot e së djeshmes.
“Si e quajnë?”, kishte pyetur në ditën e parë të punës së saj.
“ Drita Çomo.”
Emri i saj nuk i thoshte asgjë. I ati, Maqo quhej, prej kohësh i burgosur, ishte tashmë një emër i harruar, ose vetë pushteti e kishte kaluar në harresë.
“ Është shtruar disa herë, i tha infermierja që e shoqëronte. Vuan prej kohe. Kancer. I është shfaqur në vitin e fundit të gjimnazit. Është vajza e Liri Belishovës.”
Mjekja e re ngriti kokën. Nuk foli asgjë. Dikur, shumë vite më parë, Liri Belishova, i fejuari , Nako Spiru dhe babai i mjekes kishin qenë miq të ngushtë. Ndjeu një drithërimë dhe bëri më tej.
x x x
Kishte qenë fillim nëntori , kur gazi i Degës së Punëve të Brendshme ishte ndalur para shtëpisë së ish anëtares së Byrosë Politike. Ajo i priste, megjithëse jo kaq shpejt. Kishte ende një shpresë të vogël se të njohurit e saj nuk do e braktisnin. Kishte llogaritur kohën gabim dhe , për më tepër, kishte harruar se brenda llojit lufta është gjithnjë e më e ashpër.
Enver Hoxha e kishte parë me përçmim, ndërsa ajo i kishte thënë se vendi duhej të hapej dalëngadalë, të kishte më shumë frymë, të krijohej një hallkë e domosdoshme mes njerëzve dhe sistemit, në fund të fundit, vetë sistemi të ishte më njerëzor.
Enveri nuk ishte ngutur ta ndërpriste. E kishte lënë të fliste dhe në mendje i silleshin ditët e Konferencës së Partisë së Tiranës, katër vite më parë. “ Po kjo, çfarë kërkon, i tha vetes dhe befas kujtesa i thirri një letër të Nakos kundër tij. Një letër e hidhur. Për më tepër, asnjë lloj respekti nuk shfaqej ndaj tij. “ Deti”, pseudonimi i Nakos , kishte hedhur dallgë të forta kundër udhëheqësit, dhe ai kishte pritur çastin e duhur. Kur njeriu i tij më i afërt gjatë luftës, ministri i Ekonomisë, anëtar i Byrosë Politike, i kishte kërkuar pesë ditë kohë, vetëm pesë ditë, për të përgatitur mbrojtjen e tij ndaj akuzave të ardhura prej jugosllavëve, ai ia kishte prerë shkurt: “ një natë, vetëm një natë”. Nata kishte sjellë vetëvrasjen apo vrasjen e tij. Askush nuk e dinte.
Kishte qenë mesi i nëntorit , viti 1947, kur Enver Hoxha, Koxi Xoxe dhe Pandi Kristo thirrën në zyrë Nako Spiron dhe e vunë në dijeni për akuzat e jugosllavit Zllatiç, në lidhje me anti jugosllavizmin e tij dhe rolin në ekonomi. Si ministër i Ekonomisë dhe Kryetar i Komisionit të Planit të Shtetit përse e kundërshtonte planin e bashkimit ekonomik me Jugosllavinë.
Afër mesditës trokiti dera e Enver Hoxhës dhe hyri Nako Spiru. Ishte i tronditur. I rënë, i këputur nga çdo pikëpamje.
“Desha të ju lutem edhe një herë – i tha Enver Hoxhës – kuptoni situatën time të rëndë. Influenconi të më jepen pesë ditë kohë.
“Dëgjo Nako – i përgjigjet Enver Hoxha – ne bashkë kemi kaluar kohë dhe momente nga më të vështirat.
“Prandaj erdha, më jepni kohë të përgatitem. Akuzat janë serioze dhe duan kohën e tyre të sqarohen”.
“ Atë nuk e vendos unë, e vendosi Byroja. Dëgjo Nako, pse të duhen pesë ditë? Ne jemi mes shokësh, gjërat t’i themi ashtu si janë?”
“ Më duhet kohë që t’i përgatit, t’i rikujtoj dhe t’i rreshtoj të gjitha?”
“Atë nuk varet nga unë. Ti ishte vetë në mbledhje. Veç jo gjithçka do të mbarojë sonte.
“ Do të përpiqem”, i tha Nako Spiru dhe iku.
x x x
Disa net më parë, Nako Spiru dhe gruaja e tij, 21 vjeçare, Liri Belishova do të ishin të ftuar në shtëpinë e Enver Hoxhës. Dritaret e saj binin nga rruga dhe, fillimisht dukej se do të ishte një takim i zakonshëm shokësh. Megjithatë, “ Deti”, emri i luftës i Nakos, nuk ishte i qetë. Sapo ishte kthyer nga Jugosllavia. I kishte thënë Enverit se jugosllavët duan të na bëjnë njëjtë si Bosnja dhe Maqedonia. Atëherë, ku është pavarësia jonë? , kishte pyetur komandantin dhe kishte pritur përgjigjen e tij. Tjetri kishte tundur kokën, nuk kishte folur.
Në shtëpinë e Enverit kishin gjetur Koci Xoxen, sekretarin e dytë të Partisë, njeriun e dorës së fortë, që ishte edhe ministër i brendshëm. I shkurtër, rrondokop, kur ecte dukej sikur rrokullisej, i fshehtë në punët e tij. Dora e majtë ishte diçka më e palëvizshme se tjetra, dukej i kishte mbetur nga koha kur ishte teneqexhi. Koci vërvitej në hapësirat e dhomës, herë – herë shikonte nga Nako dhe , kur mendohej do të ulej, atëherë kërcente edhe më tej.
“ Enver, tha ai, ky Nako Spiu ka mbledhur rreth vetes, aty në dikaster, gjithfarë borgjezësh, intelektualë, sikur luftuam që ata të jenë në pushtet.
“ Po mirë, more Koci, planin e shtetit, programet qeverisëse, drejtimin e fabrikave, llogaritë, me kë do i bëjmë, me ata teneqexhinjtë e tu? Këta, që thua ti, nuk janë armiqtë tanë, janë patriotë që duan zhvillimin e vendit”.
“ E di unë sa patriotë janë ata! E pe grupin e deputetëve? I kishe miq zotrote! Që nga Shefqet Beja, Gjergj Kokoshi, Riza Dani, Sheh Karbunara e tutje ishin armiqtë e Shqipërisë”.
“ Mos e hap më mirë atë çështje. Mos e hap! Ti e di më mirë se çfarë ndodhi me to. Ti, Vaskë Koleci, Haznedari, Mitrojorgji, jeni bërë si një grup banditësh. Shefqet Beja, që financoi çetën e Myslym Pezës, ishte nënkryetar i Frontit Demokratik, Selaudin Toto ishte deputet dhe kryetar i Institutit të Studimeve Shqiptare, Enver Sazani u diplomua për mjekësi në Francë, shok i Komandantit, u kthye në Shqipëri në çetën partizane Krujë – Ishëm dhe në Pezë, Islam Radovickën e ke ende në qeli, ishte komandant i Zonës së Parë Operative Vlorë – Gjirokastër,deputet , Sheh Karbunara ishte anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Frontit, Riza Dani ishte kryetar i Këshillit Antifashist në Shkodër, Gjergj Kokoshi ministër, Arif Gjyli sekretari politik i qarkorit të Shkodrës. Po me Petro Markon, çfarë kishit? Këto ishin si ne, ti do të thuash se armiqtë i kishim mes vetes?
“ I kishim dhe i kemi”, theksoi Koci dhe shikimi i tij u ngul në figurën e imtë të Nakos, e cila dukej edhe më e imtë në pantallonat e gjëra që valëviteshin.
Lirie Belishovës i theri shikimi i Kocit. Por nuk foli. As që mund të mendonte se mes këtyre të treve, kokat drejtuese të shtetit , kishte një krisje. Në fakt ishte një e çarë, që shumë shpejt do të bëhej humnerë, ku do të rrokullisej fati i më të riut, që ishte në të njëjtën kohë edhe më i mençuri e i pa djallëzuari.
Ditët e mesit të nëntorit 1947 do të rridhnin më shpejt se e kishte menduar Nako Spiru. E , aq më pak, gruaja e tij, Liri Belishova. Enver Hoxha nuk mund të pranonte pranë vetes hijen e të tjerëve. Ministri i ekonomisë dhe kontrollit të shtetit ishte njëri prej tyre. Jugosllavët i kishin thënë se ministri shtat imët u kishte dërguar një letër kundër tij dhe gjërat ishin zmadhuar. Duhej hequr i pari, për të hequr të tjerët. Koçi ishte i fuqishëm, kishte pas vetes një trupë njerëzish që ishin të gëzuar kur dërmonin jetën njerëzore. Ata ishin bërë të rrezikshëm, por koha e tyre nuk kishte ardhur. Nako ishte fillikat, i lodhur nga ajo që kishte ndodhur dhe, në të njëjtën kohë, më i riu. Koçit ia kishte tundur para syve figurën e Nakos, djalë pasunar, që mund të ishte kudo i pasur, i formuar në universitetin e Torinos, që ishte bërë pjesë e lëvizjes komuniste nga ëndrra e tij për lirinë; i ditur, i furishëm, gojëtar i pasionuar, që brenda një jave kishte lexuar më shumë libra, nga sa kishte mbajtur në duar Koçi Xoxe.
Kur përplasen dy rryma gjithnjë mposhtet ajo më e dobëta. Nako ishte rryma e dobët. Tjetra do të kishte kohën e saj të mposhtjes.
Ata, që po përpiqeshin ta hiqnin qafe , jugosllavët, që kishin Koçin të preferuarin e tyre, do i shërbenin Enverit për t’i hequr qafe të dy. Koçi ndërsehej më lehtë. I kundërt në gjithçka me Nakon. Rrumbullak. I pa latuar nga asgjë. I vrullshëm. I etur për të keqen e tjetrit.
Enver Hoxha shtroi në byronë politike, që sapo kishte zëvendësuar sekretariatin e Komitetit Qendror, kontradiktat e Natos me jugosllavët. Pa i thënë asgjë Nakos. I kishte thirrur mënjanë anëtarët e tjerë të byrosë politike, një nga një. Kokë më kokë. Koçi e dinte dhe nuk fliste. Disa prej tyre ishin njerëzit e tij. Pandi Kristo. Themelko. Kerenxhi. Enveri nuk kishte punë me to. I duhej të përgatiste të tjerët. Tek të cilët mendonte se mund të mbështetej.
“ Përse nuk është thirrur në mbledhjen e byrosë Bedri Spahiu?, pyeti Nako dhe e kuptoi se kishte filluar të binte koha e rrëzimit të tij. E ndjeu izolimin. Ashtu si ndjente të ftohtët e nëntorit. Pak para tij ishte likuiduar Sejfulla Malishova, para tij ishte larguar nga byroja Liri Gega dhe kishin filluar përplasjet me shoqen e ngushtë të Liri Belishovës, Naxhije Dumën. Drita Kosturi, e fejuara e Qemal Stafës kishte dy vite e arrestuar. Çfarë po ndodh?, i tha vetes dhe e dinte se rrugët po ngushtoheshin.
Dita e fundit e jetës së tij do të jetë 20 nëntori 1947. Dera e ambasadës sovjetike do të jetë e mbyllur për të. Ka ende një shpresë. Komandanti do e kuptojë. Nuk është e mundur që të shkëmbejë mikun e tij të luftës me një rrondokop që ndjell vdekjen.
Troket përsëri në derën e Enver Hoxhës. Edhe ajo është e mbyllur. Më saktë, hapet për t’u mbyllur. Kthehet në shtëpi. Tani, më i vetmuar se kurrë.
“ Ma mbylli derën Enver Hoxha!, i thotë gruas së tij, Lirisë.
“ Si ta mbylli?”, pyet ajo dhe shikon në sytë e tij një pikëllim të pafund.
“ Bisedova me të vetëm 5 minuta. Në këmbë. A e di se çfarë më tha? Atje, në byronë politike, para shokëve, të sqarosh gjithçka dhe të japësh llogari. Një takim kaq i shkurtër. Nuk sqaruam asgjë. E di se çfarë do të thotë kjo? Domethënë, njeriu që mendoja se ishte shpresë, ma përplasi në fytyrë. Nuk e di nëse do të më hapet më ajo derë.
Ajo u drodh, deri tani kishte ëndërruar, nuk kishte jetuar.
“Ti e njeh Enverin më mirë nga unë”, i tha me zë të lehtë, pa dashur as vetë të besonte.
“Dje provova në byronë politike të sqaroj disa gjëra, e ata, shokët e mi, pa mbaruar mirë fjalën, mu vërsulën si ujqërit”.
Ajo e kuptoi hidhërimin e tij, nuk deshi përsëri të besonte, dhe, për ta qetësuar, duke iu afruar pranë, i tha :
“ Është herët për t’u ligështuar. Ti je më i miri. Kë do të gjej tjetër komandanti m[ të mirë se ty për ekonominë?
Ai u shemb në kanape dhe kryqëzoi duart prapa kokës. Kështu bënte sa herë që ndjehej i lodhur, por kësaj here ishte ndryshe. Nuk kishte më shikimin e tij gjithë gjallëri dhe mendja dukej sikur i ishte ndalur.
Ajo e kuptoi se çështja ishte më serioze nga sa dukej. Thuaj se asnjëherë Nako nuk kishte folur për gjërat që ndodhnin në byronë politike. Vetëm asaj dite, kur ishte kthyer nga Jugosllavia, ku kishte nënshkruar aktin e bashkëpunimit. “ Firmose”, i kishte thënë Enveri për të tretën herë dhe, më në fund, ai ishte bindur. Ndërsa po ulej nga avioni dhe ajo kishte shpejtuar ta përqafonte, ai, gjithë pezëm, e kishte pyetur :
“A thonë njerëzit se Nako e shiti Shqipërinë te Jugosllavia?”
Pas një heshtje të gjatë, shikim humbur, ai shtoi:
“Të gjitha portat u mbyllën. Nuk më mbetet gjë tjetër, veç të ja heq vetes. Ajo filloi të qajë. Ai u ngrit nga kanapeja, iu afrua pranë, e rroku nga supet dhe i tha:
“ Budallaçkë e vogël! Çfarë bën kështu? ! Po qan vërtetë? E besove se do të vras veten! Po ti e di, kjo është një shprehje shqiptarçe, që e përdorim sa herë të na shkrepet? Sa herë njerëzit janë në një situatë të vështirë, thonë vetë vetiu: “ jam bërë për të vrarë veten”! Ja , kështu jam bërë edhe unë. Po ti, fshiji lotët, se nuk të shkojnë.
U afrua drejt saj, i fshiu lotët dhe e puthi. Ajo e besoi. E përqafoi fort, pa e ditur se do të ishte përqafimi i fundit.
Ai ishte 28 vjeç.
Ajo, sapo kishte bërë 21 vite.
Mbledhja e byrosë politike. 5 dhjetor 1947. 15 ditë pas vrasjes apo vetë vrasjes së Nakos. Në procesverbalin e mbledhjes do të shkruhet :
“ Tani që eliminuam pengesën Nako Spiru, duhet të fitojmë kohën e humbur. Shqipëria pa Jugosllavinë nuk mund të jetojë si shtet i pavarur, pa le më, të ndërtojë socializmin. Ta bëjmë këtë bashkim në fushën e ekonomisë, në fushën e arsimit e të kulturës, në fushën e ushtrisë, diplomacisë, etj. Pengesën Nako e hoqëm qafe”.
Njeriu trashaluq, rrondokop, që , kur lëvizte dukej sikur rrokullisej, përkohësisht kishte fituar. Koçi Xoxe, dy vite pas vetë – vrasjes së Nakos do të pushkatohej në kodrat e Liqenit.
x x x
Enver Hoxha u ngrit më lart në kolltukun e tij. Nuk e diti as vetë përse iu kujtua Nako Spiru, ashtu impulsiv dhe shpërthyes, dhe thënia e tij , se, “ Nëse nuk bindet komandanti, e bindim me kobure kresë”, dhe ai nuk ia kishte harruar. Gjërat që nuk i harronte, ai nuk i falte kurrë. Dhe kishte një kujtesë fenomenale.
Tani, ish gruaja e tij, kjo vocërrake, si e quante kur ishte vetëm, guxon të përsërisë gjëra të njëjta. Koha e dërrmimit të saj kishte ardhur. Nuk e duronte dot as pamjen e saj, shikimin e ndritshëm, një lloj jete tjetërsoj që buronte prej saj. Në fund të fundit duhej tërhequr vëmendja e njerëzve në një kah tjetër, nga ai që po vinte. Duhej kurbani i kohës.
“ Më thuaj, e ndërpreu ai, çfarë ka biseduar Nako Spiru me jugosllavët ?
“ Të gjitha i a kam thënë Partisë”, i tha ajo. Nako në fillim besoi te ndihma e tyre, më pas e kuptoi se gjërat nuk ishin në rregull dhe kishte gjithnjë merakun se mos njerëzit thoshin, “ Nako Spiru e shiti Shqipërinë te jugosllavët”.
“ Çfarë dokumentesh u ka dhënë ai, që partia nuk di gjë? Ti e di, ishe gruaja e tij.
“Asgjë nuk di. Aso kohe unë drejtoja Rininë. Nako nuk më ka folur kurrë për histori dokumentesh. Me sinqeritet ju a them”.
“Në vitin 1947, dhe ai shikoi disa letra para tij, ke thënë se jemi bërë më keq se fashistët. Kështu?”
“ Ju e dini këtë ngjarje. Ishin vitet e Koçi Xoxes. Në vend të paqes, ai solli luftën. Në të vërtetë ri ardhjen e luftës.”
“Partia do e shikojë çështjen tënde. Edhe të burrit tënd. Kam informacione plot se është arrogant, i hidhur, punët nuk i bën si duhet, partia do i shohë të gjitha. Shko tashti dhe mendohu, çfarë të ka shtyrë që besove te sovjetikët, që i përçmove shokët kinezë, që kërkon hapjen e partisë. Ku do na kthesh ti, te Koçi Xoxe apo te Tuk Jakova?
Ajo nuk kishte folur. Nuk kishte se çfarë të thoshe më. Gjërat ishin vendosur. E mendonte të keqen, por nuk e dinte thellësinë e saj. Mendoi se duke heshtur, mund të shpëtonte diçka. Mendoi se mund ta dënonin vetëm atë, jo burrin e saj. Jo të katër fëmijët e tyre. Jo të pesë vëllezërit. Jo nënën e saj. Më pas, në vend internimin e parë, i kishte thënë vetes : “ i mora në qafë të gjithë, mora në qafë edhe gjyshen time, njerëzit e burrit, vëllezërit e motrat e tij, me gjithë familjet e tyre”. Nuk e dinte se ku ishte faji i saj, por kjo nuk ishte e rëndësishme. Njeriu që e kishte përqafuar kur ajo ishte kthyer nga udhëtimi fatal, që i kishte buzëqeshur gruas 34 vjeçare, anëtares më të re të byrosë politike, që e kishte përgëzuar për qëndrimin e saj, ndërkohë përgatiste goditjen e pa menduar asnjëherë.
Asaj iu kujtua një takim i Enverit me njërin nga drejtuesit e lartë bolshevikë, Voroshillovin. Kishte qenë e pranishme dhe gjuhën ruse e fliste shkëlqyeshëm.
“ Çfarë bën more Enver!, i kishte thënë ai. Një milion vetë është ajo republika juaj, i shove shqiptarët me pushkatime.
Sapo ishte diskutuar për bombën e hedhur në oborrin e ambasadës sovjetike në Tiranë dhe pushkatimet që kishin ndodhur.
“ Po ata hodhën bombë”, iu përgjigj Enveri.
Voroshillovi iu kthye:
“ Po sa bomba hidhen në botë, nëpër legatat tona, dhe asgjë nuk ndodh. E çfarë ndodhi në ambasadën tonë në Tiranë? Jam informuar. Më kanë thënë se vetëm një xham është thyer, nuk është vrarë njeri. Edhe Stalini të ka thënë: mos vrisni kaq shumë njerëz!
Enveri nuk kishte folur.
x x x
Ajo e kishte ndjerë se po humbiste gjithçka. Gjithë jetën kishte qenë e përkorë, por tani do të kthehej në një hije; kishte dashur të ishte e zakonshme, tani do të ishte e padukshme; nëse deri asaj dite ishte përgjëruar për familjen, tani ajo do i merrej përdhunshëm dhe asnjë gëzim i saj nuk do i takonte asaj. Kishte qenë njëri nga zërat e pushtetit, tani do i mohoj të ishte edhe individ. Rreth saj do të kishte humbëtirë, ndjenjat do të kishin qarkun e shkurtër të tyre, degdisja sa në njërin vend në një tjetër do të jetë humbja e vazhdueshme e njeriut me një prag shtëpie, dhe, kur mendon se gjithçka ishte do të mund të ndreqej një ditë, në mos tjetër , keqkuptimet gjithnjë e kishin një fund, i ngulitet dhe për herë të parë e kupton se ka një raport të vazhdueshëm, të pabesuar, por ngulmues: individi përballë shtetit, në të cilin , ky i fundit, është padroni absolut në totalitarizëm. Ka qenë pjesë e këtij sistemi, tani do të jetë viktima e saj.
x x x
Disa muaj më vonë , kur e kishin internuar në Progonat, ndërsa mundohej të flinte në dhomën e ngushtë, ku muret kishin ngrirë, asaj i erdhi befas një mendim tjetër lloj: po sikur të mos kishte qenë në atë udhëtimin fatal në Kinë, pastaj në Moskë, të mos ishte takuar me udhëheqjen kineze, tetë orë rresht, gjoja për një çaj, më pas me zëvendës ambasadorin sovjetik , e në Moskë me liderin e ri të Bashkimit Sovjetik, Hrushovin, çfarë do të kishte ndodhur në jetën e saj?
Do të vazhdonte të ishte në vilën e bukur, rrethuar me lule dhe roje, gjithë autoritet, në zyrën e madhe komode , në selinë masive të Komitetit Qendror?
Mos vallë ai udhëtim kishte qenë mallkimi i jetës së saj?
Që e kishte ndarë nga gjithë të dashurit e jetës së saj?
Mendoi edhe një herë gjithë çfarë kishte ndodhur, çastin kur ishte kthyer dhe Enver Hoxha e kishte përqafuar, fjalët e thëna dhe se si kishte ndjerë befas akullimin rreth e rrotull saj. I kishin hedhur mbi kurriz gjithë të këqijat e botës, sikur të kishte jetuar një shekull mes prapësive dhe të ishte kthyer edhe një herë, për të qenë tani 33 vjeç.
Në zyrën e saj tani ishte ndihmësi më i afërt, Ramiz Alia.
Iu kujtua fillimi i rënies së saj dhe një ditë pune , pikërisht me Ramiz Alinë. Ndoshta dita që kishte përcaktuar gjithçka që do të ndodhte më pas.
x x x
Thanas Nano ishte njeri i mençur, që e nuhaste të keqen nga larg dhe i shmangej asaj. Komunistët kinezë, menjëherë pas Kongresit të XX të sovjetikëve, ku dënohet kulti dhe krimet e Stalinit, për më tepër fjalimi sekret i Hrushovit ishte gjetur dhe bërë publik nga amerikanët, në prill 1960, meqenëse atëherë kishte qenë 100 vjetori i lindjes së Leninit, botuan në organin e tyre qendror një sërë artikujsh, nën titullin e përbashkët, “Rroftë Leninizmi”. Dukej qartë se ata, kinezët, jo vetëm që nuk ishin dakord me kursin e ri, por kishin vendosur të hapnin luftën e tyre.
Thanas Nano, aso kohe drejtori i Agjencisë Telegrafike Shqiptare, e kuptoi se po i bihej dritares për t’u dëgjuar dera. ATSH i dërgonte lajmet të daktilografuara në dy mënyra: buletini blu, që ju shkonte radiove dhe gazetave dhe lajmet që përmbante ai mund të publikoheshin, dhe, tjetri, më i rëndësishmi, Buletini jeshil, që u dërgohej vetëm anëtarëve të byrosë politike, ministrave dhe një rrethi të zgjedhur. Asgjë nga ky buletin nuk mund të botohej pa pasur një leje speciale, që thuaj se nuk jepej kurrë..
Por kishte edhe një zarf të veçantë, që i dërgohej direkt Enver Hoxhës, nganjëherë sekretares së Komitetit Qendror të Propogandës, që ishte Belishova, si dhe Mehmet Shehut. Këto lajme as anëtarët e Komitetit Qendror nuk duhej t’i dinin. Sidomos kur çështja e kultit të individit dhe de stalinizimit u bënë aktuale.
Artikujt kinezë kaluan përmes buletinit jeshil. Nuk duhej të botoheshin.
Dy ditë më pas Enver Hoxha thërret në zyrën e tij Liri Belishovën.
“ I ke lexuar artikujt e shokëve kinezë?”
“Po, i kam lexuar”.
“ Përse nuk janë botuar në gazetë, në “ Zëri i Popullit?”
“Nuk janë botuar shoku Enver se ato bien në kundërshtim me ato që keni thënë ju në Kongresin e Tretë”.
“Mirë!”, i tha Enver Hoxha dhe ajo doli nga zyra.
Të nesërmen, sekretari personal i Enver Hoxhës, Haxhi Kroi , i telefonon. Enver Hoxha e kërkonte urgjentisht në zyrën e tij.
“Bisedova me shokët, me Mehmetin dhe Hysni Kapon dhe vendosëm të botojmë artikujt e shokëve kinezë.
Liri Belishova e kundërshton përsëri. Enveri bie në një mendje.
Të katërtën ditë urdhëri është i prerë:
“ Kemi vendosur që të botohet një përmbledhje, shkurtim i artikujve. Merr një nga shokët, merr Ramizin, shkurtojini dhe të botohen në Zëri i Popullit.
“Është e vështirë të shkurtohen shoku Enver.”
“Jo, do të shkurtohen dhe do të botohen. Kjo nuk është në dëshirën tënde.”
Liri Belishova do të kujtonte :
“ Mora Ramiz Alinë , që ishte drejtor i Propagandës dhe u ulëm. Ishte shumë e vështirë t’i shkurtoje, sepse artikujt kishin një strukturë që, po të hiqje diçka, binte krejt artikulli. Ose, hiqje një paragraf, por e njëjta ide ishte në paragrafët pasardhës. I thashë Ramizit :
“ O Ramiz, unë do të vete t’i them Enverit se këto nuk shkurtohen.
Ishim miq të vjetër dhe kishim pasur gjithnjë mirëkuptimin e njëri tjetrit.
Ramizi më tha :
“ Ulu aty dhe hajt t’i shkurtojmë! A të tha Enveri se kanë vendosur t’i botojnë, e kanë ata përgjegjësinë”.
Unë përsëri këmbëngula:
“Do të shkoj, çfarë po ndodh kështu?”
Ramizi përsëri nuk më linte dhe më thoshte “ Ulu, për deri sa Enveri këmbëngul, ai e di përse”.
“ Ore Ramiz, ne duhet t’i themi shokëve se këto artikuj nuk janë në rregull.”
Për Ramizin nuk kishte rëndësi nëse ishin në rregull apo jo në rregull. Ai nuk donte të rrezikohej, por të mos rrezikohesha as unë.
Ai nuk ishte as i egër dhe as i poshtër. Po të ishte ndonjë tjetër do të thoshte: “ Lere të vejë, lere t’i thotë Enverit, kokën do të hajë, unë do i zë vendin”.
Kur desha të ngrihesha, më tha edhe një herë, disi më ashpër se më parë:
“ Ulu, çfarë të duhet ty? A do Enveri ta bëjmë kështu, kështu do ta bëjmë! Kur jep urdhër vetë shefi, çfarë na duhet ne?
Sidoqoftë, unë shkova dhe i thashë.
Nuk e dija se kishte filluar rrokullisja e fatit tim”
.
Në mbrëmjen e 8 nëntorit 1960, për herë të parë rreth shtëpisë së saj , në terrin e rënë mbi rrugicën, sillej hija e një njeriu, që, edhe pse mundohej të mos dukej se cili ishte, ajo përsëri e njohu. Haznedari.
E njihte fare mirë dhe ndjeu se duart po i dridheshin dhe gjaku kishte ndalur.
Të nesërmen do të fillonte internimi i zgjatur, në fakt burgimi shtëpiak.
x x x
Gazi i Degës së Punëve të Brendshme kishte ecur gjithë natën. Fillimisht drejt Gjirokastrës. Më pas diku tjetër. Në Progonat të Tepelenës. Në fund në Cërrik. Internimi i saj do të zgjaste 31 vite, ndoshta si askush tjetër. Për më tepër, vetëm me dy nga fëmijët e tyre, Dritën dhe Petritin, dy vajzat e tjera të bashkëshortit do të ishin larg saj. Do i takojë shumë rrallë.
Vite më vonë, kur sëmundja e së bijës po e mposhte, ajo i shkruan letër Enver Hoxhës. Ndoshta koha e kishte zbutur. Në letrën e saj , ai, me dorën nervoze, kishte shkruar : “ le të plaket atje në vetmi dhe t’i ruajë në mendjen e saj të keqe të gjithë të këqijat që i ka bërë partisë…Tani nuk është më në gjendje të na dëmtojë”.
x x x
Drita Çomo, me babanë në burg, të ri dënuar, disa nga dajallarët po ashtu, megjithëse ishin shkencëtarë, kishte zakonin e mirë të mbante ditar. Një ditë i ka shkruar një letër Ismail Kadaresë. Pastaj shkruan poezi. Në spital është e vetme dhe ka vetëm ditarin e saj, disa poezi dhe libra. E di se fundi po vjen me shpejtësi, por e do jetën. Ende sëmundja nuk i ka prishur tiparet e saj të bukura, shtati nuk i është përkulur, dashuron dhe dashurohet, megjithëse e di se është dashuri e pa mundur ose e ndërprerë; sa herë që dera e dhomës ku janë gjashtë të sëmura, ajo ngre kokën për të parë të ardhurit, por asnjë nuk është për të, deri sa mësohet me vetminë e saj. Ditë me rrallë kështu , deri sa një ditë, oh, mrekulli, njëri nga dajallarët, ende i lirë, pra jashtë burgut, shfaqet në derë. Gjithçka ndryshon në botën e saj.
“Iu hodha në qafë…Lot të nxehtë, të ëmbël, lotët e mallit, të dhimbjes së dhjetë vjetëve, ndrydhur diku brenda meje, gjetën rrugën e shkanë butësisht nëpër fytyrë. As që mundohesha t’i fshihja”, shkruan në Ditarin e saj.
Është e mbushur me mall. Nuk ka takuar asnjëherë, që nga internimi, ishte ende dy vite e gjysmë, fëmijë, nuk e kujton se cila ishte shtëpia e saj, çerdhja, ka harruar fytyrat e motrave, babait, dhjetë vite pa njeri të afërt pranë, dhe , ja, befas, , pasi ka parë gjithë farë kapterësh, spiunë, shokë që e braktisin kur mësojnë se vajza e kujt është, brigadierë, punonjës të sigurimit që vijnë herë pas here për kontroll, oficerë policie ku duhet të paraqitet tri herë në ditë nëna e saj, vjen një njeri.
“ Dua kaq shumë, atë dhe dajat e tjerë, kaq shumë, sa që nuk besoj të ekzistojë në botë dashuri më e fortë. E dua deri në dhembjen e shpirtit. Shpesh e duam një njeri dhe as vetë nuk e dimë sa shumë e duam. Vetëm në disa rrethana të veçanta dashuria shfaqet me tërë forcën e saj dhe e kupton se s’ka gjë në botë që mund të matet me të”.
E kam provuar një dashuri të tillë. Pak muaj pas dëbimit të Liri Belishovës, kur po ktheheshim nga një qytet në mesin e Shqipërisë, me arkë mortin e babait në karrocerinë e një makine ushtarake , të cilin na e morën një tufë policësh dhe burra të veshur civilë, mes tyre edhe shefi i sigurimit të qytetit nga ishim larguar, sapo dolëm në qafën e Krrabës, njeriu që ishte në makinë me ne dhe ku ishim mbështetur tre fëmijët e të rënit, ishte daja ynë. Ishim mbështetur në qetësinë tonë.
Drita Çomo nuk është më. E gjithë jeta e saj ishte në adresat e internimeve. E deshi jetën , si pak kush. Kur ndjeu fillimin e dashurisë në jetën e saj ishte ende si një zog i trembur që e di se fluturimi është i ndaluar. Zemra i rrihte, bota i dukej ndryshe, më e pranueshme, netët kishin ngjyrim tjetër, drejt se kaltrës, pritja nuk ishte më ankth, alarmi i dashurisë pushtonte territoret e shpresës.
“ Në këtë botë, i kishte thënë një herë nëna e saj, kur i kishte folur për dashurinë, ka një matematikë të thjeshtë, nëse unë nuk jam i lirë, edhe ti do të kesh pranga, ose do të jemi të dy të lirë, ose nuk do të jetë asnjëri. Kam humbur kaq shumë gjëra, sa nuk do të isha e zonja t’i them të gjitha. Dhe e di se të gjitha këto që kam humbur, nuk janë asgjë tjetër, veçse jeta ime. Dashuria që nuk e kemi më është e jona. Por dashuria që e ke tani, malli që ke brenda nuk e di nëse është i yti. Të kërkosh leje për të dashuruar, do të thotë të kërkosh heqjen e prangave”.
Mban ditarin e saj. Është ende në çastet kur dashuria të merr frymën. Nganjëherë, në çastet kur sëmundja bëhet më e përballueshme, shkuan ngadalë. “ Ti mund të thuash ç‘të duash i dashur / po ndoshta është më mirë të heshtësh/ Në dashuri janë të tepërta fjalët/ Po në ndarje çdo gjë qenka e tepërt”.
Mjekja e re Zana I. e shikon nga larg. Nuk është në pacientet e saj. Në fakt, duket se nuk është e askujt, megjithëse shefi i pavijonit ndalet herë pas here tek ajo, flet butësisht dhe gjithnjë, kur largohet, është ndryshe.
Nuk i afrohet dot. Duhet një shkak për të shkuar pranë saj. Drita Çomo lëviz ngadalë, ende tepër e bukur, sëmundja nuk ka pushtet në bukurinë e saj, trishtimi ndjehet, por , edhe ai nuk ka forcën e tij të zakonshme.
Është një çast i vetëm, kur kryqëzohen në korridorin e gjerë. Nuk e di as vetë përse, çfarë e shtyn drejt saj, ndalet, papritmas ndalon edhe e sëmura. Vetvetishëm apo diçka gjejnë në atë çast.
Mjekja e re, Zana I. i thotë ngadalë, tepër lehtë, se “ babai im ishte mik i afërt i nënës suaj, tani nuk jeton më, por të gjithë e mbajnë mend se ishin miq”.
E sëmura e di se cila ishte mjekja e re, më tepër ka dëgjuar për babanë e saj, personazh i njohur i një autori të shquar. Buzëqesh me vete. I duket se ka gjetur më tepër nga sa i është dashur për të pasur një ditë të lumtur.
Në darkë duket silueta e një djali. Ka pritur gjatë në oborrin e godinës dhe tani, kur është koha më e shkurtër e vizitave, ai vjen vrulltas, koha ndalon për të dy, është diçka e përbashkët mes dhimbjes dhe ankthit, por, sidoqoftë është jetë.
x x x
Në ditët e mëvonshme, kur gjërat ndërruan dhe kahja e tyre dukej drejt së mbarës, Liri Belishova u kthye në Tiranë.
E lodhur nga vitet, rënduar nga mosha, çuditërisht e kthjelltë, me kujtesë brilante dhe e shpenguar nga e djeshmja, ku kishte qenë pjesë.
E takova një pasdite, fund tetori. Të ulur në kolltukët e dhomës së saj, unë ende në drojën time, ajo në botën e saj, kishim heshtur fillimisht dhe unë e kisha pyetur për tim atë. Më tregoi ngadalë, duke gjetur fjalët e duhura. Ka një trishtim madhështor. Nuk është e thyer. Në fytyrë i lëviz një nerv, i cili duket ka lidhje me syrin e plagosur. Flokët janë më të rrallë, por përsëri të dendur. Ruan shkëlqimin e së djeshmes, por nuk do pikërisht këtë të djeshme. Balli është i lartë dhe i pa lëvizshëm. Ndriçohet gjithnjë e më tepër e duket sikur zgjerohet sa më shumë që fytyra plaket, mbi të gjitha më duket sikur kam prekur, edhe një herë, pas asaj të nënës sime, dhembjen njerëzore.
Si thashë, më tregon ngadalë për njohjen e parë me babanë tonë, kishin qenë thuajse moshatarë, me fate të njëjtë, njëri më tragjik se tjetri, e, përsëri , mermeri i lartë i qëndresës së saj kishte ende shkëlqimin e tij.
“ Mënyra se si u eliminua Nako Spiro ishte një teatër i shëmtuar, shton duke ri sjellë në mendje vitet e ashpra të pas luftës. E varrosën si hero, si udhëheqës të madh, edhe ata që e kishin çuar në vetëvrasje. Fillimisht ecja bri tyre, pastaj, gjithnjë e më shumë po kaloja në radhë të dytë, për të qenë krejt në fundin e gjithçka-je. Enveri ecte pas arkivolit, hije rëndë, kishte diçka tragjike në atë ecje, por jo njerëzore. Ishte i heshtur dhe brenga e tij nuk kishte lidhje me njeriun ende të pavarrosur. Koçi , që kishte thirrur në zyrën e Enverit sapo morën lajmin e vetëvrasjes së Nakos , se, “ të kam thënë, vrau veten tradhtari i poshtër, kështu do të përfundonte”, i shëndoshë si ishte, i shkurtër, gjithë pamja e tij ishte e kundërt me të Nakos, ishte i palexueshëm. Fjalime, lule, lot, e pastaj, pas disa javëve do të shpallej armik, për t’u ri ngritur. Mua më dërguan të jepja mësim në Berat, menjëherë pas vdekjes së Nakos..”
“Jeta ime ishte një ëndërr e keqe, që zgjati shumë”, shton ajo në fund.
Jeta nuk ka kursyer asnjë vuajtje, asnjë martirizim për të. I kishte provuar të gjitha. Ky fat i saj, së pari, duket si një mizori pa kuptim, rrjedhë e një urrejtje të tërbuar dhe të verbër.
Ajo i gjen fjalët e duhura. Flasim për nënat me të zeza. Është njëra nga ato. Tjetra , shumë larg saj, është nëna ime, të njohura dhe të panjohura.
Pastaj , duke dashur të jem pjesë e dhimbjes së saj, e pyes për të bijën, Drita Çomon.
Rrëfen ngadalë. Ka shumë dhimbje. Një jetë e zymtë i shkon para syve. Vetmi e rrezikshme. Një formë e errët e vetmisë së heshtjes. Çuditërisht nuk ka frikë mistike nga vdekja, e pranon atë për vete, por nuk e ka pranuar kurrë për bijën e saj.
Në një kohë tjetër, shumë larg saj, gruaja e veshur me të zeza, Bule B.,nuk e ka pranuar kurrë vrasjen e birit të saj. Ka një shpresë. Nuk di asgjë për të. Ndarja është tragjike, mungesa e dijes është humnerë që nuk kapërdihet.
Liri Belishova afron pranë vetes ditët e shkuara dhe rrëfen:
x x x
“Kur u arrestova unë, vajza ime ishte 2 vjeç e gjysmë. Gjithë jeta e saj kaloi nëpër persekutimet e diktaturës komuniste, për të cilën kish luftuar nëna dhe babai i saj. Kjo ishte tragjedia e saj, kjo ishte tragjedia jonë.. Kjo vajzë ishte shumë e bukur, e gjatë, por edhe shumë e zgjuar, e talentuar. Ka lënë shumë vjersha e një ditar që e dëshmon këtë gjë. Në radhë të parë ishte shumë e mirë.
Njerëzit që e kanë njohur, shkolla ku mësoi, mësuesit, spitali ku u shtrua kur ishte e sëmurë, të gjithë thonë se ajo ishte një engjëll tokësor. Ajo kish vetëm një të metë; ishte vajza e Liri Belishoves dhe Maqo Comos. Fati i saj ishte përcaktuar nga diktatura. Ky fat kish vetëm një ngjyrë, të zezë, prandaj edhe jetën e bëri të zezë.
Sëmundja e saj u zbulua kur ishte në vitin e fundit të shkollës së mesme, pra kur ishte 18 vjeçe. Vuante nga një sëmundje e pashërueshme që vazhdoi 5 vjet. D.m.th. pjesën më të bukur të rinisë, e kaloi nën kërcënimin e vdekjes.
Gjatë këtyre 5 vjetëve, u shtrua 10 herë në spital. E shtronin, e kur përmirësohej e dërgonin në shtëpi të vazhdonte kurën me ilaçe. Jeta e saj kish vetëm dy pika referimi; vajtje- ardhje, përsëri vajtje e përsëri ardhje. Spitali u bë shtëpia e saj. Nuk mund të ankohem se mjekët dhe personeli nuk e trajtuan mirë. Megjithëse ajo ishte e mbyllur, nuk tregonte, nuk ankohej, nuk donte të më dëshpëronte. Më ka mbetur peng një gjë, e cila pasqyrohet edhe në ditarin e saj.
Ky ditar është një dokument. Mjekimet shpesh i ndërronin, emrat e ilaçeve nuk më kujtohen, ka kaluar shumë kohë, një prej tyre ishte i mirë, po ja ndërprisnin se nuk kish, e ja vazhdonin me një ilaç tjetër nga prodhimet e vjetra që nuk kish ato veti kuruese. Kur unë e pyeta mjekun pse?- ai më tha: nuk ka valutë. Të them të drejtën, edhe sot e kësaj dite, më dridhet gjithë trupi, sepse ilaçi ndofta nuk do ta shpëtonte, po do i kish zgjatur jetën.
Gjatë kohës që vajza qëndronte në spital, jo vetëm që nuk qëndroja me të, por me shumë lutje, më kanë lejuar vetëm dy herë ta shoh gjatë 5 vjetëve. Këto dy herë kanë qenë si rezultat i këmbënguljes sime, për të biseduar me mjekët. Mendoja se vajzës nuk mund t’i thonë të vërtetën, kurse mua, po. Ajo që në të vërtet është mizore, kur vajza u sëmur rëndë, ishin ditët e fundit të saj. Unë kisha marrë leje të bisedoja në telefon. E mora në telefon e më doli një shoqe e saj. Ajo më tha, Drita nuk ka mundësi të vijë se është në shtrat e sëmurë! Në atë kohë u ndodh pranë mjeku që e kuronte, një mjek shumë fisnik, Nini Theodhosi. Ai e mori telefonin e më tha, dëgjo nëna e Dritës. Vajza po të vdes! Kërko leje e hajde ta shohësh për herë të fundit.
Atëherë me letra e telegrame çfarë nuk bëra. Kaluan disa ditë dhe më erdhi leja për ta takuar vajzën në spital. Erdhi gazi i degës me dy roje, o zot, ç`do bëja unë?! Shkova me djalin, Petritin, për të parë vajzën. Kur hyra në dhomë, dhoma kish 6 krevate. Të gjitha ishin bosh. Vajza më tha: Mami, i ka në hequr, se do vije ti! Çfarë do bëja unë, nëna e mjerë që po i vdiste vajza? Unë ndenja rreth një orë me vajzën, e gjatë gjithë kohës duhet ti njomja buzët se i thaheshin, duhet ti vija oksigjenin se kur lëvizte i largohej tubi i oksigjenit. Ajo u përpoq të më jepte mua kurajë. Mami, mos u dëshpëro, se kjo gruaja që ka qenë pranë meje, ka marrë 16 herë oksigjen e akoma rron. Vajza ime nuk rrojti. Pas tre ditësh vdiq. Kur mbaroi takimi e dola në korridor, u thash oficerëve të sigurimit që më shoqëronin. Ju lutem më lini të rri pranë vajzës, se ju e dëgjuat vetë mjekun. Me dhimbje, mjekët ma thanë troç, vajza juaj ka shumë-shumë disa ditë jetë, për të mos thënë disa orë. Varet nga organizmi. Punonjësi i sigurimit qeshi e më tha në mënyrë të prerë:
“Hajde, mjaft ndenje se po errësohet. Duhet të ikim. Ka shtet këtu, ka infermierë, ilaçe e gjithçka tjetër, do ti bëhen të gjitha.”
Të lutem i thash unë, duhet ti njom buzët, duhet ti vë oksigjenin, e pastaj nuk e di, në ato momente të tmerrshëm se si më erdhi në mëndje e i thash. E njoh Nexhmije Hoxhën, gjatë gjithë luftës kemi qenë bashkë. Pas luftës, përsëri bashkë kemi punuar. Ajo është nënë e nuk mund të mos më kuptojë. Të lutem i telefononi asaj se mua po më vdes vajza, e duhet të jem pranë saj!
O sa larg e mbake ti! Akoma mendon si anëtare e Byrosë Politike? Thuaj faleminderit që të lejuam për të parë vajzën për herë të fundit.
Nuk e di, duhet të jem lëkundur, se veten e ndjeva sikur po bija. Dhe një nga ato infermieret mori kurajë dhe erdhi e më mbajti, se do kisha rënë për tokë. Ajo më shoqëroi tek makina.
Si vdiq Drita, vajza ime!?
Natën vonë, kur shoqet e saj flinin, e pranë saj nuk kish infermiere, Dritës i qe larguar tubi i oksigjenit. Kushedi! Ajo përpëlitej në krevat me vdekjen. Kjo gjë zgjoi shoqet e dhomës. Njëra prej tyre ja vuri tubin e oksigjenit, e ajo tha vetëm këto fjalë: “Më falni se ju shqetësova!” Ra në koma e vdiq. Dha shpirt përfundimisht në orën 7 të mëngjesit. Këto mi thanë shoqet e dhomës, po dhe djali që dashuronte. Atë e lajmëruan e shkoi menjëherë pranë saj. Banonte në Fier. Ishte njeriu i vetëm që i qëndroi pranë deri në çastet e fundit të jetës. Ai na bëri telegram për vdekjen e saj. “Drita mbaroi!” E mora këtë telegram kur isha në postë e përpiqesha të lidhesha në telefon me spitalin. Ishte e pamundur të bisedoja me spitalin në një central të vogël provincial si ai i Cërrikut. Në atë kohë nuk kish telefona celularë. Ndërkohë që po përpiqesha të lidhesha me telefon, më japin telegramin. Akoma më e vështirë ishte vajtja në Tiranë për të marrë kufomën e vajzës e pastaj organizimi i ceremonisë së varrimit. A do na jepnin leje apo jo! A do na jepnin një makinë apo jo! Nëse po, kur do na i jepnin? Që nga mëngjesi, e deri në orën 13 të drekës, mezi na u dha leja. Atëherë erdhi leja nga Tirana. Më në fund, u nisëm për të marrë kufomën e vajzës. Kur u kthyem në Cërrik, e ndjenim se njerëzit na shikonin nga dritaret me drita të mbyllura. Njerëzit e sigurimit të shtetit, me qëllim na shpunë natën në shtëpi. Megjithatë, gjithë Cërriku e ka qarë atë vajzë! Aman në ceremoninë e varrimit, askush nuk guxoi të vijë. Në varrim isha unë, djali, nëna, dy vëllezërit e mi dhe një kunat,- 6 vetë. Më vonë, kur na takonin njerëzit e qytetit në rrugë apo në ndonjë vend që nuk binte në sy, na thoshin: “Na fal që s’të erdhëm në varrim. Ne jemi njerëz, dhe e kuptojmë dhimbjen tuaj, po ti e di vet si janë këto punë!
Ju nuk mund ta përfytyroni dot se çfarë egërsie kish në atë kohë! Ju nuk mund ta merrni me mend se sa e fortë ishte lufta e klasave! Fushata kundër armiqve të partisë e të popullit, siç quheshim ne, ishte e madhe, në shtyp, në radio, në gazeta, në broshura e buletine, çdo orë, ditë për ditë. Në diktaturë, nuk mund të bëhet fjalë për marrëdhënie njerëzore.”
Qëndrojmë në heshtje për disa minuta. Në duar ajo ka ditarin e së bijës. Është pjesa më e rëndësishme e jetës së saj, mbledhur në disa faqe, shkruar në çastet kur jeta po i mbyllej.
Rastësisht apo jo, në krahë mban një shall pis të zi, që , si duket, ka qenë i së bijës. Flokët i janë thinjur tashmë dhe herë pas here, në ballin e lartë lëviz mendimi, që, më shumë se për gjithçka tjetër ka mall për vitet e rinisë së parë.
Pastaj shton :
“ Edhe unë, aq jetova, sa ime bijë, 23 vite, pjesa tjetër ishte humbja e një njeriu që nuk jetoi dot, megjithëse ishte e gjallë. Gabuam.”
x x x
Kur Petrit Çomo, djali i Maqo Çomos dhe Liri Belishovës është nisur për të tërhequr pranë Autoritetit të Dosjeve, pas lejimit të tyre, të dhënat për prindërit e tij, jam i bindur se është habitur nga ajo çfarë ka gjetur. Ishte e pabesueshme. Tronditëse.
Dosja e ish ministrit të Bujqësisë dhe anëtarit të Komitetit Qendror të Partisë, drejtues i njohur i strukturave të luftës antifashiste, Maqo Çomo, më pas i internuar në ishullin e Zvërnecit, i dënuar politik, herën e parë 10 vite, i ri dënuar edhe 10 vite të tjera : 2.181 faqe.
Dosje përpunimi. Dosje hetimore. Dosje e prokurorisë. Dosje gjyqësore. Relacione. Informacione. Raporte. Reagime të elementëve “ anti parti”. Dokumentacion me teknikë operative në burg, në mjediset e shtëpisë dhe të afërmit. Përgjime. Provokime.
Dosja e Liri Belishovës, anëtare e Byrosë Politike dhe sekretare e Komitetit Qendror. E internuar. 16 vjeçare anëtare e Qarkorit të Rinisë Komuniste dhe Antifashiste të Tiranës. 17 vjeçe drejtuese e rinisë së kryeqytetit. 18 vjeçe anëtare e Komitetit Qendror. Sekretare e Komitetit Qendror për Propagandën. Anëtare e Byrosë Politike. 34 vjeçe internohet.
2.495 faqe të dosjes së saj në 31 vite internim. Çdo muaj, mesatarisht, janë futur në dosjen e saj, 7 faqe të tjera. E përgjuar. Ndjekur. E marrë në pyetje. Me cilin u takua? Çfarë ka thënë? Kur i erdhi nëna? Si shkoi të blejë bukën? Ku e mbush ujët e pijshëm? Si punon? Cilët e duan? Kush nuk e do? Dosja e Progonatit. Dosja e Cërrikut. Dosje. Dosje. Pa fund, dosje.

Tamam o shoku – zoteri Bedri, ishte nje rregjim i mrekullueshem, me se pari ua fuste atyre qe e ngriten ne kembe.
Mos harroni se Belishova ishte nje karrieriste dhe EHSTREMISTE e majte qe e Enver Hoxha e vuri ne byrone politike per te pasur edhe nje grua pas renies se Liri Geges nga fillimi i viteve 50te.
Mpos krijoni heronj nga viktimat e luftes per pushtet
Liri Belishova tradhtoi ideologjin e vet dhe këtë e tregoi hapur pas 90 kur deklaroi se komunizmi ësht utopi dhe se ka derdhur lumenj gjaku.
Doli fytyra e Lirisë si kameleone që ësht. e ndryshon lëkurën sipas situatës. po ashtu bëri dhe bedri spahiu, gënjeshtari i poshtër.
Ata janë revizionistë dhe oportunistë, ndaj pas 90 u përdorën si vegla të borgjezisë
enveri ishte kreu i poshtersise, me i barabarti ne fermen shqiptare te kafsheve.
Fjala persekutim,ne ate regjim absurd;te izolimit ekstrem,te spiunimit epidemik,te varferise poshteruese,bente qe ti humbte kuptimi kalasik i kesaj fjale.
Ne burgje,kishje dhe nje ushqim akoma dhe me te keq,se matane gardhit,por ama,kishje nje shoqeri dhe nje liri fjale,relativisht me te madhe se ata qe ishin jashte,te cilet rronin ne terrorin paranojak,te spiunimit,nga te gjitha afersit.Burgu te krijonte qetesine,qe vinte nga ajo,qe nuk kishje cfare humbisje me.
Vuajtja me e madhe ndjehesh ´´ne liri´´ mbas burgut,ku njerzit te largoheshin,si nga nje infeksion vdekjeprures.Dhe ekstremi i ketij perjetimi,perjetohej ne internim,ku turmen e ndersyer kunder teje e kishje dhe me prezente.Kjo beri,qe Bashkim Shehu,kur e cuan ne internim,i beri leter R.Alise,qe ta rikthenin perseri ne burg.
Liri Belishoven,e kam ndjekur,ne distance mbas viteve 90,mbasi e kam rreshtuar me kurbanet e pafund te hoxhes,te llojit shehu,balluku,bekteshet,perllaket etj,qe ishin planizuar,per tu therrur dhe jo se kishin ngritur ndonjehere dore,apo llaf kunder hozhes:
Mbetet,nje grua me nje personalitet teper te vecante historik e ketyre aneve,humane,stoike deri ne heroizem te prezantuara me nje edukate dhe kulture teper te admirueshme,qe shoqerohen nga nje katarsis i sinqerte dhe ne anen tjeter,nuk i jep rruge hakmarrjes,ne ato permasa,qe ja lejonin tragjedite ektreme. familjare te perjetuara.
Enver Hoxha ishte vet i komanduar nga Illuminati (Londra) edhe zbatonte verberisht cdo urdher te tyre ashtu si te gjitha vendet e botes atehere edhe sot. Edhe vendet socialiste atehere ishin plotesisht te komanduara nga Illuminati (pra qeveria boterore me qender ne Londer).
Politika ne Shqiperi nga 1944 deri ne 1985 nuk ishte veper e Enver Hoxhes por ishte 100 % veper e Illuminatit. Enver Hoxha ishte vetem figuranti qe zbatonte urdhrat e Illuminatit. Ndertesa e OKB ne New York eshte prone e familjes se Rockefellereve edhe keta Rockefelleret e kane kete mbiemer vetem nje pseudonim sepse keta jane nga familja mbreterore franceze edhe keta jane mbreterit e Amerikes. Nuk kane rene mbreterite kurre sepse ne disa vende jane akoma si ne Spanje edhe Britani kurse ne Itali edhe France kane ikur vetem nga skena politike por pushtetin e kane te plote edhe komandojne nga prapaskena.
Illuminati i ka bere te gjitha veprat politike te 300 viteve te fundit edhe revolucionin francez te 1789. Prandaj me rastin e 200 vjetorit te revolucionit francez ne 1989/1990 rane si me shtypjen e nje butoni te gjitha vendet socialiste te europes lindore edhe u bene njeheresh kapitaliste. Eshte nje loje e madhe kjo qe bene Illuminati por pak njerez e kane kuptuar.
Dola pikërisht atje ku theksoba pikën time më shumë. Vasili si shërbëtor i borgjezisë e lavdëron Liri Belishovën.
për arsyen se Liria pranoi tezën e klasës në fuqi dhe bëri rolin e disfatistes. nqs Liria nuk do kishte bërë atë deklaratë skandaloze që e shndërron atë deklaratë në propagandë të klasës në fuqi, Vasili do ta shante dhe do ta ofendonte.
por nuk ia lejon propaganda
Spiune ruse. Mori atë që meeitonte.
Çfarë ishte vete Liri Belishova? Cilat ishin mendësitë e saj? Ajo ishte zëvendës e Tuke Jakoves dhe së bashku me Mehemt Shehun, beri të gjitha përpjekjet ta eliminonte e ti zinte vendin, deri sa ia arriti qëllimit dhe Tuke Jakova u eliminua. Pra, i thonë një shprehje popullore: “Çfarë të besh do të gjesh!”
Lexova nje shkrim qe te trondit. Dija thuajse gjithcka, e perseri me dukej se kisha nevoje per te.
Po na mallengjeni shume me dramat e ujqerve qe hengren njeri-tjetrin. Shoqja Liri Belishova ishte nje udheheqese e diktatures dhe nje karieriste e ndyre. Ajo kori ate qe mbolli dhe nuk eshte viktime, por kriminele. Po te mos e kishte pesuar, do vazhdonte idilet adhuruese me ruset. Pse nuk thote shoqja ne fjale se sa Njerez te pafajshem ka derguar ne pushkatim dhe neper Kampe internimi. Si u Martua ajo menjehere pas tragjedise se Nako Spirut. Per te kishte rendesi vetem pozita e larte ne pallatin e diktatures. Ku i gjen ti Bedri Islami kaq shume lot e qurre per keto hartime mediokre! Turp edhe per”desidentin” I. Kadarese qe shkruan vepra per diktatoret dhe lepirest e tyre.T’ju vije turp te gjithe atyre qe lyejne me mjalte historite famekeqe te diktatoreve. Kur kriminelet paraqiten si viktima, shoqeria nuk ka te ardhme. O gazete me emrin Dita, do quhesh Nata ne se vazhdon t’i biesh fyellit te krimineleve. Eshte nje peshtirosje tragjike gjithe kjo propaganda alla bedriislam poshtersia!
Edhe kjo e keuajti bythen me gastare, thone
andej nga nahia ime ! E kam degjuar me veshet
e mij kur i tha nje delegacioni sovjetik qe vizitoi
vendin tone fill pas vendosjes se m-dh midis
Shqiperise dhe BS . Liria iu leshua me vrap de-
legacionit dhe I tha keto fjale ne rusisht: Une jam
Liri Belishova qe kundershtova Enver Hoxhen per
prishur ne m-dh me BS, me Hrushovin, mikun e
madh te popullit shqiptar…….. !? Se sa “mik i madh”
per shqiptaret e tregoi koha ….! E “kruajti” me E.H
dhe e pesoi, megjithate ajo nuk e meritonte nje de-
nim e vuajtje te tille, sidomos mos lejimi i saj per te
vizituar vajzen ne shtratin e vdekjes , crueldad !!!
Te drejten i ka thene Liri Belishova delegacionit sovjetik.Hrushovi ishte vertet nje mik i madh i popullit shqiptar.Ngriti kombinatin e textileve,Uzina nafte,Kombinate druri,,Modernizoi ushtrine,.E mesoi enverin te mbillte Agrume ,ullinj ne ato kodra e skerka te Jugut e mos mbillte grure e miser se hrure e miser prodhonte Ukraina dhe Rusia,,sa hanin mijte hante populli shqiptar.Maskarai enver nuk e llogariti,qe nje kg portokalla merrte tre kg grure ne BRSS,,e shiste me 2 dollarkg ne Suedi,se ishte qelbesire i lindur,.R donte te uritur popullin shqiptar. Shih sot o Alphada cfare mbjellin sot shqiptaret ne ato kodra te bregdetit?Grure mbjellin?
O demokari= enver memishaj kryetar i SHIK në Vlorë në 1997
në 1960 BS nuk kishte për vete grur dhe e bleu nga amerika ti thua ja hanin minjtë
u bëre tani agjent i socialimperializmit. tipike për ty. ishe me enverin, kalove me salën, tani je ballistozogist etj
Nese shkruan per njerez te cilet kane hyre ne burg, jane internuar, kane halle familjare, jeta ju merr nje te tatepjete te pariparueshme.
Edhe nese burgu apo internimi eshte i drejte, perseri do te gjesh ne te hallin dhe vuajtjen njerezore. Do te gjesh thyerjen e shpirtit, semundjen e burrit, vdekjen e nenes te ciles nuk ke mundesi ti shkosh, rritjen e femijeve qe nuk i sheh te rriten para syve te tu, semundja e femijeve etj.
Po te fillosh te shkruash si Bedriu qe melodramen e ka pjese te tijen te gjitha hallet e burgut e te internimit per kedo ne ate kohe por edhe sot, jane te dhimbshme dhe padashur te bejne qe te marresh anen e protagonistit apo te heroit negativ.
Liri Belishova nuk doli asnjehere kundra Partise per parime. Ajo ruajti dhe mbrojti interesat e ruseve ne politiken shqiptare te kohes.
Ne kohen kur Enveri u prish me Sovjetiket, i kishte shume te forta pozitat ne Perti dhe ne Popull. Arsyeja e pare dhe me e rendesishme, se perse u prish me Sovjetiket, ishte fakti qe udheheqja Sovjetike beri aleance dhe u lidh me Titon. Synimet e Titos per te kthyer Shqiperine ne Republike te Shtate ja prishnin gjumin Enverit sa qe gjalle. Mbas prishjes me Ruset, filloi armatimi dhe fortifikimi i vrullshem ne Shqiperi me ndihmen e Kinezeve. Ndarja nga Kampi Socialist i kontrolluar nga Ruset, i dha Shqiperise nje kredo ne mes te luftes se ftohte dhe uli rrezikun e ndonje sulmi nga perendimi. Perendimi nuk u morr me me Shqiperine.
Liri Belishova nuk ishte gruaja e Nako Spirut sic thote Bedriu. Pretendohej per nje lloj fejese.
Nako Spirun u rehabilitua pas vdekjes dhe propaganda e kohes, krahas gabimeve te riparueshme, cmonte gabim me te madh vetvrasjen.
Askujt nuk i vjen mire per vuajtjet e Liri Belishoves, por denimi qe ju be ishte, per faktin se ne menyre te perseritur mbrojti interesat e Ruseve, te cilat nuk ishin vetem socialiste dhe komuniste, por ishin edhe strategjike dhe lidheshin me pozicionin e Shqiperise ne Adriatik dhe Mesdhe.
Eshte shume e vertete ajo qe thote zoti Aldo ne komentin
e tij se Enveri nuk u prish me Hrushovin nga qe kishin “kon-
tradikta ideologjike” por per te justifikuar ndarjen e tij me
ruset Ai do t’a mvishte qendrimin e tij me parime ideologjike,
duke e quajtur “Revizionizem Modern” , pas Bershteint,Kautckit,
Brauderit me teorine :”Komunizmi eshte Amerikanizmi i shek.20”
por qendrimi Enverit ishte i lidhur direkt me qendrimin e Hrushovit
ndaj Titos ! Ketu Enveri e pa rrezikun si politikan i paarritshem qe
ishte dhe e nuhati si Ai se edhe Kina e Maos noto te ne te njejtat
ujra kunder Hrushovit dhe beri aleance me te ! Ketu qendron gje-
nialiteti dhe vizioni i nje lideri e burre shteti si Enver Hoxha, te tje-
rat jane propagande : bjeri, t’i biem ……..Historia eshte e pameshire-
me ! Ajo do te saktesoi gjithecka pas 50-100 vjetesh dhe nuk do na
pyesi ne vdekataret atje ku prehemi, sidomos te ashtuquajturit lide-
rit e sotem…..
O Alphade, po akoma or ti zoteri, a zonje, edhe pse e thua vete qe Enveri pati hallin se Hrushovi do t’ia dhiste me Titon, perseri e ben politikan te madh. E shumta mund ta quash bir kurve, a doç i doçerve qe per te ruajtur PUSHTETIN e vet, pra PUSHTETIN e vet i beri çorbe te gjitha ne kurriz te popullit shqiptar dhe e beri te vuante nga uria me tallona e budalliqe te tjera. Ngule ne tru mire, kjo nuk eshte te jesh politikan i paaritshem, kjo te ben te jesh shkerdhata me e ndyre qe ka nxjerre ndonje here ky popull. Megjithese duhet shtuar se nje kontribut kryesor ne kete ceshtje pati edhe bimbashi turk i Gjirokastres, biri biologjik i te cilit ishte Enver Bastardi.
Saga e Bedrishoves