Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka komentuar deklaratën e presidentit serb Aleksandër Vuçiç, i cili u shpreh se Kurti po bëhej pengesë për vijimin e dialogut, ku tha se një takim mes dyshes ishte parashikuar për në 19 korrik por është shtyrë për një muaj.
Në një konferencë për shtyp pas kthimit nga SHBA, Kurti tha se Vuçiç po shfaqet si president i frikës dhe i kërcënimit ndërsa shtoi se për normalizim të plotë të marrëdhënieve është e domosdoshme që të lihen frikësimet dhe të orientohet nga vlerat evropiane.
“Dua të theksoj se me 19 korrik është dashur të mbahet një takim në Bruksel, unë kam qenë i gatshëm, pala tjetër nuk ka qenë e gatshme dhe e ka shtyrë takimin për së paku një muaj. Pra, gatishmëria nga ana e Republikës së Kosovës ka qenë në nivelin e kërkuar nga Brukseli por nga Beogradi mungonte gatishmëria. Tash unë po i dëgjoj nganjëherë deklaratat që vijnë nga prej kreut shtetëror të Serbisë. Jam kryeministër i shpresës dhe progresit dhe me keqardhje më duhet të konstatoj se presidenti i Serbisë po shfaqet si president i frikës, i frikësimit dhe kërcënimit. Për t’u integruar në BE për normalizim të plotë të marrëdhënieve është e domosdoshme që t’i lëmë frikësimet dhe kërcënimet dhe të orientohemi kah vlerat evropiane, nga fqinjësia e mirë, nga sanksionet ndaj Rusisë dhe nga ballafaqimi me të kaluarën që është i domosdoshëm në Serbi”, deklaroi Kurti.
Kosova dhe Serbia dialogojnë që nga vitit 2011 me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Në kuadër të këtij procesi i cili në fillim është quajtur teknik, janë arritur mbi 33 marrëveshje.
Marrëveshja e fundit e arritur në Bruksel është ajo për energjinë, e arritur më 21 qershor të këtij viti.
j.l./ dita
