Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, deklaroi se procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian është rikthyer në qendër të diskutimeve politike, duke theksuar se gjatë këtij viti janë shënuar rezultate më të mëdha se në 25 vitet e fundit.
Deklarata u bë gjatë Forumit të II-të të Zgjerimit të Bashkimit Evropian, që po zhvillohet në Bruksel, ku i pranishëm është edhe kryeministri shqiptar Edi Rama.
Në fjalën e saj, Kos paralajmëroi se ekzistojnë aktorë që synojnë të pengojnë përparimin e vendeve kandidate drejt anëtarësimit. Ajo theksoi se Bashkimi Evropian është i vendosur të mos lejojë që këto përpjekje të cenojnë procesin e zgjerimit.
“Sot zgjerimi është sërish në një debat të gjerë se si. Kemi dhënë rezultate për zgjerimin këtë vit më shumë sesa në 25 vitet e fundit. Kemi kundërshtarë që duan të dëmtojnë kandidatët për anëtarësim. Nuk do ta lejojmë të ndodhë kjo”, tha mes të tjerash Marta Kos.
Forumi do të përqendrohet te ecuria e vendeve kandidate, Paketa e Zgjerimit për këtë vit, si dhe perspektiva e ndërtimit të një Bashkimi Evropian më të zgjeruar dhe më rezistent përballë sfidave të ardhshme.
j.l./ dita
