Gazeta DitaGazeta DitaGazeta Dita
Njoftime Shfleto më tepër
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Duke lexuar: Vetëm gjeopolitika nuk mjafton!
Shpërndaje
Gazeta DitaGazeta Dita
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Kerko
  • Kreu
  • Lajmi i fundit
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Analiza
  • Politike
  • Ekonomi
  • Kronike
  • Opinion
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Bote
  • Sport
  • Dita TV
  • Lifestyle
  • Enciklopedi
  • Europa/Analize
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Komunitet
  • Kopertina
  • Kulture
  • Kuriozitete
  • Metropol
  • Shendetesi
  • Teknologji
  • Telebingo
  • Televizion
  • RRETH NESH
Sign In
Na ndiqni
Gazeta Dita > Blog > Kryesore > Vetëm gjeopolitika nuk mjafton!
KryesoreLajmi i funditopinion

Vetëm gjeopolitika nuk mjafton!

Published: December 3, 2025
Shpërndaje

Nga Brukseli

Dr.Jorgji Kote

Le ta sqarojmë me fjalë të thjeshta qysh në fillim se gjeopolitika përfshin njohjen dhe vlerësimin e faktorëve kryesorë gjeografikë, klimën, burimet natyrore dhe ndikimin e tyre mbi politikat e një vendi/organizate dhe marrëdhëniet e tij të jashtme. Faktorët gjeopolitikë shërbejnë si pikë referimi lidhur me dinamikat, aktet dhe veprimet e ndryshme diplomatike ndërmjet shteteve, organizatave ndërkombëtare dhe subjekteve të mëdha afariste për mbrojtjen, sigurimin dhe shtimin e avantazheve të tyre politike, ekonomike dhe strategjike, si në fushat e politikës së brendshme dhe asaj të jashtme.

- Publicitet -

Faktikisht, thelbi i gjeopolitikës është lufta për pushtet, supremaci dhe kontrollin mbi territore, objekte dhe burimet me karakter strategjik, ku përfshihen shtete, rajone dhe burime jetike, sidomos ai i naftës, gazit, tani së fundi Inteligjencës Artificiale dhe metaleve të rralla, si faktorë madje përcaktues gjeopolitikë planetarë.

Publicitet –

Nisur nga sa sipër, gjithçka në politikat e një vendi shihet në prizmin gjeopolitik, duke filluar nga ujditë tregtare, krizat dhe konfliktet e dhunshme, traktatet dhe aleancat politike, ekonomike dhe ushtarake, si BE-ja, NATO, BRICKS, etj.

Pikërisht falë gjeopolitikës vitet e fundit është vlerësuar me të drejtë politika e jashtme e vendit tonë, tashmë e linjëzuar 100 për qind me atë të BE-së. Po ashtu, nisur nga kriteret dhe interesat gjeopolitike, ku çdo vend, pavarësisht nga madhësia gjeografike mund të ofrojë shërbime simbolike apo dhe domethënëse, janë vlerësuar mikpritja e disa samiteve rajonale dhe të BE-së në Tiranë, kryesimi i OSBE-së dhe zgjedhja si Anëtare Jo e Përhershme e KS të OKB-së. Për këtë ka meritat e veta shumica parlamentare, qeveria dhe diplomacia jonë.

Gjithsesi, më poshtë do të ndalemi në mënyrë kritike te shmangia e tepërimeve dhe abuzimeve; që gjeopolitika të mos fetishizohet dhe të merret e mirëqenë vazhdimisht dhe për çdo gjë, por si një faktor i përkohshëm, koniunkturor dhe dinamik në ndihmë të politikës tonë të jashtme, por duke filluar nga ajo e brendshme. Sepse, siç ka thënë ish-Kryeministri emblematik britanik William A. Gladstone, “parimi i parë i politikës së jashtme është suksesi brenda vendit”.

Për ta ilustruar këtë të vërtetë gjeopolitike po ndalemi te tema më aktuale e jona, procesi i çeljes dhe tani i mbylljes së negociatave të anëtarësimit në BE brenda vitit 2027; sepse ky proces është sinteza e zhvillimeve tona të brendshme dhe të jashtme, bashkë me rolin, rëndësinë dhe kufizimet e gjeopolitikës mbi to.

Dihet tashmë se zgjerimi i BE-së drejt Ballkanit, Ukrainës dhe Moldavisë doli sërish në skenë me theks të veçantë i diktuar pothuajse tërësisht nga interesi emergjent gjeopolitik pas agresionit rus ndaj Ukrainës dhe drojës se, në mungesë të perspektivës së afërme të zgjerimit, vendet kandidate mund “të kërkojnë strehë” te Rusia dhe Kina.

Kjo temë vazhdon të diskutohet në shumë forume dhe samite të BE-së dhe rajonale. Si bazë teorike dhe referuese u shërben një studim shterues i kryer me porosi nga BE-ja në vitin 2023 nga 12 ekspertë të shquar franko-gjermanë mbi shanset, kostot dhe përfitimet nga zgjerimi si për vendet anëtare të BE-së ashtu dhe ato kandidate.

Mbi bazën e diskutimeve të deritanishme, të cilat do të intensifikohen muajt e ardhshëm, po “kalaudohen” pozicionet e të gjitha palëve, me shpresë që ato të “kopsiten“ zyrtarisht në Samitin e BE-së më 16 Dhjetor 2025 ose edhe më vonë.

Shqetësimi serioz këtu është hendeku i trefishtë pengues; nga njëra anë është nevoja ulëritëse gjeopolitike e cila dikton përshpejtimin e zgjerimit drejt Ballkanit Perëndimor; por, nga ana tjetër ka edhe dy faktorë të tjerë madhorë frenues të këtij procesi. I pari ka të bëjë me ”humorin” e publikut të BE-së mbi këtë zgjerim.

Për fat të keq, ndryshe nga kancelaritë zyrtare, për zgjedhësit pothuajse kudo në vendet anëtare të BE-së, zgjerimi nuk është më joshës dhe tërheqës, as nuk të jep vota në zgjedhje te vendet anëtare. Kjo u pa fare qartë edhe në zgjedhjet parlamentare gjatë vitit 2024–2025 në Francë, Spanjë, Portugali, Suedi, Sllovaki, Belgjikë, Rumani, Poloni dhe së fundi në Gjermani, ku zgjerimi nuk figuronte në ”menunë zgjedhore”. Edhe në zgjedhjet për Parlamentin Europian në qershor 2024, zgjerimi as që u zu në gojë, mbasi shqetësimi kryesor i zgjedhësve ishte siguria, niveli i jetesës dhe fuqia blerëse.

Sfida dhe problem tjetër i madh këtu është se Këshilli i BE-së, dmth vendet e saj anëtare, nuk janë ende të qarta se çdo të bëhet me reformimin e brendshëm të BE-së, si kushti kryesor për realizimin e zgjerimit nga jashtë. Ky përbën shqetësim madhor, mbasi praktikisht BE-ja nuk do të mund të funksionojë normalisht me 33 apo 36 anëtare pa ndërmarrë urgjentisht reformat e duhura të brendshme. Kjo përfshin një katalog të gjerë tematik, nga numri i komisionerëve, mënyra e vendimmarrjes, sidomos në raste bllokimesh, etj. Disa prej tyre kërkojnë detyrimisht ndryshimin e traktateve themelore, proces tejet i mundimshëm që mund të çojë në referendume dhe ratifikime sfiduese parlamentare në të 27 vendet anëtare, por pa garanci e që mund ta kthejnë procesin përmbys, siç ndodhi më 2005 me Kushtetutën europiane.

Lidhur me sa më sipër, ka shumë ide dhe diskutime, por asnjë vendim. Madje, javët e fundit, për shkak të pengesave të njohura nga brenda BE-së, po hidhen ide dhe mendime që për t’i dalë të keqes përpara, me qëllim që të mos ketë “kuaj Troje”, siç e tha me 4 Nëntor në Bruksel Komisionerja Marta Kos me rastin e prezantimit të Raport Progresit për vendet e Ballkanit Perendimor; po ashtu, përpara anëtarësimit, po mendohet për një periudhë përgatitore ‘stazhi’ ose kalimtare për anëtarësim pa të drejtë vote.

Nga ana tjetër, gjeopolitika, sado e rëndësishme, prapë nuk ndikon dot në shmangien apo injorimin e dispozitave ligjore themelore të BE-së mbi miratimin e njëzëshëm ose me unanimitet, pa të drejtë të vetos bllokuese sa i takon përfundimit të negociatave dhe anëtarësimin në BE. Kjo mund të duket e padrejtë sidomos për vendet kandidate, por unanimiteti është masë legjitime dhe plotësisht e justifikueshme nga këndvështrimi demokratik i çdo anëtari të BE-së dhe i vendeve më të vogla, si Qipro, Luksemburgu dhe Malta. Sepse ato kanë të drejtën dhe përgjegjësitë e tyre të barabarta, siç u shpreh dhe Macron në Tiranë në tetor 2023 për çdo vendim të Bashkimit (Unionit). Në fund të fundit, BE-ja nuk është ansamble, por bashkësi vlerash/parimesh demokratike të barabarta për çdo vend.

Dhe tani, le t’i referohemi më konkretisht kërcënimit rus si një motiv për t’i “futur sa më shpejt në vathën” europiane vendet kandidate. Në fakt, në këtë fushë ka abuzime dhe tepërime, jo vetëm nga vendet tona, por edhe nga vetë BE-ja dhe sidomos Komisioni Europian. Deri gati fetishizim të gjeopolitikës dhe panik jo plotësisht i justifikuar nga rreziku rus apo dhe ai kinez! Çka në deklarata të ndryshme duket se tenton ta kthejë gjeopolitikën në kriterin e vetëm të anëtarësimit në BE. Në fakt, përvoja jo më me një, por me disa vende anëtare të BE-së dëshmon se anëtarësimi në BE apo dhe në NATO nuk është “kura dhe mburoja magjike”; as nuk të jep ndonjë garanci të vërtetë nëse nuk je i përgatitur mirë në radhë të parë nga brenda.

Pa mohuar rëndësinë jetike të gjeopolitikës dhe sidomos të rrezikut rus, dihet tashmë se ky kërcënim ekziston edhe për vetë vendet bashkëthemeluese të BE-së/NATO-s, duke filluar nga Gjermania e cila ka dhënë alarmin për një sulm të mundshëm rus brenda vitit 2029 ose edhe më herët. Pastaj, ndryshe nga NATO, anëtarësimi në BE nuk shton ndonjë gjë, ca më pak thelbësore për vendet kandidate. Se aktualisht Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë anëtare të NATO-s, në Kosovë është baza e fuqishme amerikane “Bondsteel” dhe trupat e KFOR-it, ashtu si dhe në Bosnie; ndërsa Serbia dihet se “luan jo më me dy, por me katër porta” lindore dhe perëndimore. Për të mos përmendur Kroacinë, Sloveninë, Rumaninë, Bullgarinë, Hungarinë, Turqinë dhe Italinë që e rrethojnë rajonin tonë, si anëtare të NATO-s dhe të BE-së.

Atëherë çfarë do të shtonte anëtarësimi i përshpejtuar në BE, ca më pak pa plotësuar kushtet dhe kriteret tashmë të njohura? Dhe si mund të bindësh elektoratet në vendet europiane vetëm me gjeopolitikë dhe frikën nga “ariu rus”?

Nga ana tjetër, fakti që disa vende anëtare kanë dalë hapur kundër linjës zyrtare të BE-së, duke bashkëpunuar me Rusinë, i shton hijet e dyshimit, duke e zhvleftësuar vlerën dhe nevojën e mësipërme gjeopolitike. Dhe më kryesorja, BE-ja nuk ka ndërmend të marrë përsipër rrezikun që në emër të gjeopolitikës të pranojë pa meritë dhe me probleme nga më të ndryshmet, pa plotësuar tre kriteret e famshme themelore të Kopenhagenit të vitit 1993; ndryshe, “në vend t’i vejë vetullat mund t’i nxjerrë sytë” edhe vetë zgjerimit. Se kështu vërtet mund ta nxjerrësh Rusinë nga dera, por ajo do të hyjë prapë nga dritarja”!

Tablloja bëhet edhe më e zymtë kur sheh dhe ndjek gjendjen e brendshme në vendet kandidate; ku sado e rëndësishme gjeopolitika, ajo nuk jep efektet e saj, madje mund të kthehet në bumerang për procesin e anëtarësimit nëse efektet dhe avantazhet gjeopolitike të lartpërmendura nuk shoqërohen me meritat e secilit vend në drejtim të reformave madhore, të ecurisë së shtetit funksional të së drejtës, zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe drogës, etj. Vetëm se kjo me tregues konkretë, jo me deklarime butaforike.

Liderët e BE-së e kanë theksuar sa herë në Bruksel, në Tiranë dhe gjetkë se nuk do të falin më pa përparime cilësore në këto fusha të cilat janë lënë “prapa liste” për fajin tonë por edhe të vetë BE-së dhe se pavarësisht nga gjeopolitika nuk do “të ketë rrugë të shkurtëra” për anëtarësim në BE.

Nga ana tjetër, ”fryma por dhe gërmat” e BE-së kërkojnë që të gjitha projektet dhe nismat tona ligjore të përputhen plotësisht dhe vazhdimisht, sidomos në praktikë, me korpusin ligjor europian. Këtu Kuvendi dhe instancat e tij përkatëse me dikasteret e linjës kanë bërë një punë vërtet të lëvdërueshme dhe të vlerësuar nga institucionet e BE-së, pa bujë dhe zhurmë, me përkushtim dhe profesionalizëm. Mirëpo shqetësimi është se kjo punë e përkushtim mund të përmbyset me veprime të gabuara politike, jo me frymë dhe gërma europiane.

Për këtë dhe të tjera arsye, tanimë BE-ja nuk do të dëgjojë dhe ca më pak të besojë deklarimet politike, por do të shohë rezultatet në miratimin dhe zbatimin e gati 500 ligjeve brenda dy viteve të ardhshme. Në shumë pika jemi mbi, por në të tjera nën mesataren, por gjithandej me hendeqe dhe boshllëqe, që duan kohë të riparohen. Mirëpo BE-ja kërkon detyrimisht që këto kushte dhe riparime të realizohen gjatë negociatave dhe pa pritur anëtarësimin në BE; me drojën se vendet tona mund të krijojnë telashe dhe pengesa kur të jenë anëtare të BE-së, siç po ndodh me disa shtete ish-lindore.

Ja pse «topi është rikthyer sërish në portën” tonë në Tiranë. Prandaj, në vend të teorizimeve boshe dhe idealizimit të gjeopolitikës, shumica parlamentare por dhe opozita, të gjithë duhet sa më parë të krijojmë klimën, terrenin dhe frymën europiane të një vendi që me të vërtetë aspiron të bëhet sa më shpejt pjesë e BE-së. Tashmë me një paradigmë krejt të re cilësore, duke ofruar e dhënë, e jo vetëm duke kërkuar, ama pa i dhënë mend kurkujt.

Ndryshe, edhe vetë gjeopolitika do të humbiste vlerat e saj, pa përjashtuar faktin që në vitet e ardhshme mund të mos jetë dhe aq e favorshme.

Pastaj, sa për aspektin gjeopolitik si atuja jonë më e fortë e zgjerimit, BE-ja ka përvojë dhe shumë fantazi, duke sajuar lloj-lloj mekanizmash dhe marifetesh të tjera, siç edhe ka bërë deri tani, që do t’i shërbejnë si gjethe fiku për të mbuluar vonesën apo dhe dështimin e saj në këtë proces.

Kështu BE-ja do ta kalojë pa u lagur” lumin gjeopolitik të përgjegjësisë së saj, duke përmendur hapat dhe nismat e shumta që ka ndërmarrë për t’iu kundërpërgjigjur kërcënimeve të ndryshme ruse. Me 20 paketa sanksionesh kundër Rusisë, qindra miliarda euro ndihma ekonomike dhe ushtarake për Ukrainën, Planin e investimeve prej 30 miliard Euro për Ballkanin, rigjallërimin e Procesit të Berlinit, përparimin e negociatave me Shqipërinë dhe Malin e Zi, krijimi i Tregut të Brendshëm Rajonal dhe tani së fundi Pakti për Rritjen Ekonomike të rajonit prej 6 miliard Euro në proces, etj.

I përmendëm këto raste dhe referenca për të theksuar se asnjë nga vendet e rajonit, as Shqipëria, nuk ka gjasa të përfitojë ndonjë “rabat politik” për të kapur vitin 2030 vetëm falë gjeopolitikës, pa reforma, arritje dhe meritat e veta! Vërtet që BE-ja toleroi më 2007 “për nevoja strategjike” me Rumaninë dhe Bullgarinë, por ajo ka nxjerrë mësime nga zhgënjimi i mosmbajtjes së premtimit nga ato dy vende; ndaj tani BE-ja do të ndjekë thënien e urtë “mat shtatë herë dhe prit një herë”!

Nisur nga sa më sipër, lipset të kuptohet drejt dhe shpejt nga të gjithë, por sidomos shumica qeverisëse, se pa nënvleftësuar aspektin gjeopolitik, ama vetëm si ndihmës dhe jo përcaktues, është koha për punë, reforma dhe realizime konkrete mbi të gjitha, nga brenda e pastaj me jashtë.

—-

©️Copyright Gazeta DITA

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

Shpërndaje këtë artikull
Facebook Email Printo
1 Comment
  • demo says:
    December 4, 2025 at 7:26 am

    Ate qe asnje qeveritar shqiptar keto 35 vjet nuk ka guxuar t`ja thote shtetareve greke as ballas as prapa shpine,ja ka thene av.Zace Islami balle per balle ne Greqi ne debat ne studion e televizionit Sky News:-Ju greket keni kryer GENOCID KUNDER SHQIPTAREVE AUTHOKTONE TE CAMERISE.
    Av Zace Islami eshte Zeri i Popullit shqiptar .Te asgjesohet kjo klase politike Antikombetare,kriminale,hajdute.
    Eshte njesoj kundershtar i serbo-grekut Sali Berisha dhe hajdutit kozmopolit Edi Rama.
    Agron Shehaj me perkushtimin dhe qendresen tende arrite te cash midis bishave,.Ne zgjedhjet e ardhshme perseri do kesh votbesimin e demos,por dhe qindra mijra shqiptareve qe shohin tek ty shpetimin.Mos na zhgenje.Kontakto av.Zace Islamin si mentor ne rruge te Mbare.

    Reply

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Lajmi i Fundit

  • Rama për amendamentin e PE-së: Nuk ka lidhje me Zvërnecin por me Nartë-Vjosën
  • “Metamorfoza”, GJKKO dënon me 6 vite burg biznesmenin Pëllumb Gjoka dhe me 5 vite ish-shefin e Policisë
  • Balla sfidon Marjana Koçekun: Ta provojë nëse e merr dot mandatin pa “grushtin dhe trëndafilin”
  • Akuzohet se përdori postin për veprimtari politike, kryebashkiakja e Roskovecit shkon në GJKKO
  • Leksione morali me Aruba në sfond

Komentet e Fundit

  1. tio on Largimi që ka hapur një “Kuti Pandore”
  2. nona on Leksione morali me Aruba në sfond
  3. Ana on Leksione morali me Aruba në sfond
  4. xxx on Shkrihet’ kadastra e Dibrës, 14 urdhër-arreste për zyrtarë, mes tyre kandidati për deputet
  5. Shqipe on Leksione morali me Aruba në sfond

Kategori

Rreth nesh

E përditshme e Analizës dhe e Informacionit. Numri i parë, 1 nëntor 2012. Botohet nga "Publikime Shqiptare". Kryeredaktor Adrian Thano. Zyra e Botuesit: Rogner Hotel, Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", Tiranë

Merr te rejat më të fundit

Ndiqni Gazeta Dita duke vendosur emailin tuaj më poshtë dhe do të njoftoheni për të rejat më të fundit

[mc4wp_form]

Gazeta DitaGazeta Dita
© Copyright Gazeta Dita 2012. Të gjitha të drejtat e rezervuara



Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?